-
Boçi: Më 23 qershor, u derdhën aq para sa dhe 'priftin e shtynë në mëkat'
Boçi: Më 23 qershor, u derdhën aq para sa dhe 'priftin e shtynë në mëkat'
NGA: VALENTINA MADANI
TIRANE-Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi bën përgjegjës të gjithë drejtuesit e PD-së për humbjen e 23 qershorit, ndërsa kërkon një analizë të hollësishme për shkaqet e kalimit të PD-së në opozitë. Z.Boçi thotë për "Gazeta Shqiptare" se me Lulzim Bashën, e sheh PD-në si vazhduesen e asaj ç'ka shfaqur më të mirë përgjatë këtyre viteve, një parti vizionare, parti e së sotmes dhe së ardhmes, parti e ngulur fort në traditën e saj dhe promovuese e modernitetit të kërkuar. Por deputeti de-mokrat i qarkut të Elbasanit denoncoi vjedhjen e votës nga e majta teksa shprehet se: "Ndërsa '97-ta ishte një revolucion i armatosur i kuq, 2013-ta ishte një revolucion anarkist i jeshiltë (sipas ngjyrës së monedhës së famshme amerikane), një vazhdim i 21 janarit me forma të tjera, përgjatë të cilit u derdhën aq para sa dhe 'priftin e shtynë në mëkat'". Z.Boçi komenton edhe deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në ikje Aleksandër Arvizu, të cilat i quan personale, dhe të painformuar, pasi ngatërroi 2013-ën me '92-in.
Z.Boçi, çfarë e kaloi PD-në në opozitë dhe a po tregohet PS-ja e paduruar për të marrë pushtetin? I referohem këtu mbledhjes së qeverisë "Rama" në Vlorë.
Arsyet e kësaj humbjeje kanë qenë dhe do vazhdojnë të jenë në fokusin e ligjërimeve të ndryshme politike për një kohë të gjatë. Opinionistë të ndryshëm partiakë dhe jopartiakë kanë listuar argumente të shumta, që lidhen si me çështjet e brendshme organizative të PD-së, të përgjegjësisë së pjesës drejtuese të saj, ashtu dhe me ato të raporteve funksionale të saj me bazën dhe me votuesin. Pa harruar këtu dhe qasjen përgjatë fushatës ndaj zgjedhësve, e cila konsistoi më shumë në pjesën idealiste të ofrimit të një panorame reale të asaj çfarë ishte bërë e investuar dhe e cila çedoi në pjesën pragmatiste-partiake, të ofertave me ndikim të shpejtë dhe me rezultat të sigurt. Investimet e shumta infrastrukturore të gjithanshme, në shumicën e rasteve u perceptuan thjesht si detyrime të zakonshme të një qeverisje e cila, për hir të së vërtetës, duhet thënë se, strategjikisht kishte gjetur rrugën e duhur për zhvillimin tërësor të vendit. Këtu skepticizmi personal historik i votuesit duket se tejkaloi besimin perspektiv që ne ia kishim shfaqur pothuaj në të gjitha format. Kjo bëri, siç e kam shprehur dhe diku tjetër, që një pjesë e mirë e tij të orientohej drejt "një shakaje votuese pa kripë" apo më saktë pa bindje, të hedhjes së votës pro të majtëve, që shpërndanë pa kufizim të mira me vlerë vetëm 24 orë. Por një set më konkret të këtyre arsyeve, përtej hamendësimeve, unë besoj se do ta kemi pas bërjes së analizave, që do prekin çdo qelizë të PD-së, e cila do të realizohet nga shtatori e në vazhdim. Sigurisht këto analiza startojnë me një ide shumë të qartë: drejtuesit e të gjitha niveleve, pavarësisht deklaratës së kryeministrit për përgjegjësi totale të tijën, janë fajtorët e parë të kësaj humbjeje.
Të gjitha këto janë pjesë e arsyeve intra-PD dhe në këtë pikë nuk duhet të sfumojnë arsyet e tjera, ato ekstra-PD, por që janë tashmë pas 23 qershorit pjesë e sëmundjes më të madhe të politikës shqiptare, e cila tregoi në pjesën e majtë se, përpara se jetë konsensuale (të cilën nuk e arriti asnjëherë), është tregtare e madhe dhe e paskrupullt. Trajtimi prej saj i zgjedhjeve si treg dhe i votës si mall ka tronditur alfën e demokracisë - lirinë e votës. Ndërkohë, rasti i Lezhës dëshmoi se përdorimi haptas i rrugëve të pista të rrëmbimit të votës, nuk ishte e vetmja rrugë. Në këtë pikë, dua të ripërsëris opinionin tim se, ndërsa '97-ta ishte një revolucion i armatosur i kuq, 2013-ta ishte një revolucion anarkist i jeshiltë (sipas ngjyrës së monedhës së famshme amerikane), një vazhdim i 21 janarit me forma të tjera, përgjatë të cilit u derdhën aq para sa dhe "priftin e shtynë në mëkat". Kështu, shpirti i votës së qytetarit u vodh dhe vetë vota u deformua. Reagimi qytetar dhe ai politik ndaj këtij fenomeni kontaminues, duhet të jetë reaktiv. Pasiviteti i shfaqur në këtë drejtim dhe pranimi e përqafimi i kësaj së keqeje nga shumë faktorë qofshin dhe ndërkombëtarë, nuk janë mënyra më e mirë për të shëndoshur demokracinë e brishtë shqiptare. Më shumë se e paduruar për marrjen e pushtetit, PS më duket e frikësuar. Dhe frika e saj i ngjason frikës së atij delinkuentit serial që, pasi ka realizuar krimin prefekt të radhës, kërkon me nxitim të fshijë dhe gjurmën e fundit të mundshme për t'i vënë kapakun skemës, për të kaluar në atë të radhës, me qëllim që gjumin ta bëjë të lehtë, me sa më pak fantazma, por që kurrë nuk e gjen prehjen e dëshiruar. Koha do zbulojë shumë enigma të kësaj frike-nxitim revanshi, e cila nuk është aspak dëshirë-padurim shërbyese.
Megjithatë ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu është shprehur se zgjedhjet e 23 qershorit ishin po aq të rëndësishme sa ato të vitit 1992…
Dhënia e opinioneve, sidomos kur ato shkojnë kundër, në lidhje me deklaratat e ambasadorëve të shteteve të fuqishme, sikurse kjo e ambasadorit të SHBA, mbeten një lloj tabuje për politikanët, gazetarët dhe opinionistët shqiptarë, të cilët mundohen t'i shmangen me sa munden një "kurthi" të tillë. Kur këto ndodhin, paragjykimet, stigmatizimet dhe kundërshtitë me doza të theksuara kompleksitetesh në këtë rast janë të shumta, siç i ndodhi dhe një ish-mikut tim të dikurshëm gazetar që e akuzuan pas kësaj dhe si antiamerikan, duke harruar që në një demokraci funksionale, e drejta e opinionit të ndryshëm është shprehje e shkallës më të lartë të demokracisë, për të cilën luftojnë të gjithë palët. Z. Ambasador është ndër figurat më aktive, si dëshmi e interesit të vazhdueshëm të kampionit të demokracisë SHBA për Shqipërinë dhe për këtë ai ka marrë vazhdimisht falenderimet e shpeshta të politikës. Deklaratat e tij, normalisht, kur kanë lëvizur në nivelin zyrtar, gjithmonë kanë marrë vëmendjen e saj dhe janë interpretuar si përkrahje ose si tërheqje veshi për krahët e ndryshëm dhe mesazhet e deshifruara gjithmonë kanë qenë orientuese. Kjo deklaratë e fundit, së cilës iu ktheva e riktheva disa herë, krahasimisht me të tjerat, duket se lëviz në nivelin e deklaratave personale ose më saktë, kjo do të ishte dhe dëshira ime më e madhe. Sigurisht, si njeri që rreket të merret me politikë, nuk dua të paragjykoj aspak vendin komod apo jo, ku u bë ajo deklaratë: në një takim minimalistik tërësisht partiak, apo në një takim të paradokohshëm me ministra ende të padekretuar. Dhe po si i tillë, nuk dua të futem në shigjetimet e supozuara aspak të pranueshme, pasi ato nuk mungojnë, pavarësisht taktit të sforcuar të deklaratës. Por si qytetar që ka përjetuar në moshë aktive politike, të dyja periudhat e përmendura 1992 dhe 2013, nuk mund të rri pa kundërshtuar barazimin e referencave historike të adresuara, sikurse dhe përcaktimin e efektit të tyre. Gjithsesi unë dua të besoj se z. Ambasador nuk është informuar saktë se çfarë ishte kapërcimi epokal i 22 marsit '92 për Shqipërinë, e cila, e ushqyer me ëndrrën europiane dhe e dashuruar me ëndrrën amerikane, e përkrahur plotësisht nga autoritetet më të larta të SHBA, bëri në mënyrë plebishitare kapërcimin nga errësira drejt dritës, nga burgu gjigant drejt një vendi të lirë, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë, nga diktatura e egër hoxhiste dhe ajo e rrënuar e dinake aliaste në demokracinë e mijëra mundësive e shpresave, nga Shqipëria e njerëzve të dhunuar, e pushkatimeve pa gjyq, e burgosjeve përtej kufirit jetësor, e internimeve, e varjes së poetëve, e linçimit të politikanëve dhe intelektualëve, e vrasjeve në kufij, në Shqipërinë e mijëra lirive. Ndërsa këto të 2013-ës, ndërpresin dukshëm një projekt infrastrukturor reflektiv dhe perspektiv dhe shtojnë pikëpyetjet për shqiptarët, sidomos pas rënies së premtimeve të njëpasnjëshme brenda pak ditëve të të majtëve: nga taksa progresive që do favorizonte 95% të shqiptarëve, tek legalizimet falas e deri tek shëndetësia badjava. Shtojnë pikëpyetjet për të gjithë ne, me një Europë gjithmonë e më shumë në krizë e gjithmonë e më shumë skeptike për shqiptarët, për shkak të politikës bllokuese të kësaj mazhorance që pret të konfirmohet. Ah, po! Ka vetëm një koincidencë jo të bukur! Një pjesë e tyre që dorëzuan pushtetin e dhunës në '92-shin, lotuan për këtë revansh rikthyes të 2013-ës, që nuk di pse quhet "ndryshim". Ndoshta për këtë. Dhe kjo është diçka që hyn tek "gjerbat e shtëpisë", një fakt ky që z. ambasador me siguri që i ka shpëtuar. Sigurisht, të mos harrojnë revanshistët që ky nuk ishte play-off-i! Me siguri që z. Ambasador nuk e kanë informuar dhe për vështirësitë e opozitës së atëhershme të '92-shit, të forcave të djathta, në qendër të së cilave ishte PD-ja dhe Sali Berisha, të terrorit, presioneve, kërcënimeve që iu ushtrua nga segmentet e sigurimit dhe majtisto-komunistët të konvertuar në socialistë. Ndoshta z. Ambasador ka harruar që opozita e 2013-ës, që po bëhet mazhorancë, ishte më arrogantja e mundshme e përgjatë këtyre 20 viteve politikë, e cila bojkotoi kur deshi, protestoi si deshi, e cila bllokoi sa deshi, me status, me KQZ e me çfarë i erdhi nëpër mend. Në fund dhunoi dhe procesin zgjedhor sipas fakteve të Lezhës. Pra të gjesh pika krahasimi duket se lëviz në kufijtë e së pamundurës.
Pastaj nuk e kuptoj pse zgjedhjet e 2005-ës ishin më pak të rëndësishme dhe më pak historike se këto të 2013-ës, pasi me '92-shin nuk më shkon ndër mend t'i krahasoj?! Pse i fitoi LSI?! Pasi PS nuk ka fituar. Kështu thonë shifrat e numrit të deputetëve. Po këto, pse sollën konsolidimin e demokracisë? Pse PS dhe LSI bashkë luftuan më fort, apo pse arritën të blejnë votat duke i hequr pikërisht asaj themelin; moralin. Ndoshta z. Ambasador nuk e kanë informuar, por i madh dhe i vogël në çdo cep të Shqipërisë flet hapur dhe qartë për fenomenin që u bë normë më 2013-ën, atë të tregtimit të votës. A mund të quhen konsolidim i demokracisë këto zgjedhje, që fshinë përfundimisht kufijtë midis krimit dhe politikës dhe instaluan parametra të për-zgjedhjes si deputet, të tilla të pamenduara dhe të pafantazuara më parë, në një Parlament ku njerëzit do hezitojnë të flasin, sepse ligjin atje do e bëjnë "të fortët"?!
Besoj se z. ambasador nuk mund të absolutizojë historizmin e zgjedhjeve të cilave i çaloi dukshëm, për shkak të sjelljes "mëshirkërkuese" të kësaj opozite, institucioni themelor KQZ-ja, rëndësinë e të cilit vetë z. ambasador e kishte theksuar në shumë deklarata të mëparshme. Kjo KQZ nuk kishte fuqi as certifikimin e rezultatit! Si ishte shumë normal e historik ky proces, kur dhe sot e majta nuk pranon plotësimin e kokës drejtuese të një procesi zgjedhor: të KQZ-së?! Si qytetari i lartpërmendur do thosha që ky krahasim, sipas fjalës së urtë që "çdo krahasim çalon", në fakt nuk çalon. Ai nuk ecën fare. Në këtë situatë, nuk mund të pranoj që midis PD dhe z. Ambasador ka një përplasje. Më shumë duket se ka keqinterpretim. Gjërat nuk janë gjithmonë bardhë e zi.
Tani në opozitë, PD-ja është më e përçarë apo më e bashkuar?
PD është në një proces reflektimi dhe ristrukturimi, që është shumë i natyrshëm për çdo forcë politike që ka qëndruar tetë vite në pushtet. Ajo gjallon si një makineri e madhe politike me energji të pashtershme dhe me forcë rinore gjigante. "Filli i Arianës" i saj është më i fortë se emocionet e momentit dhe flukset personale të gjykimit. Trupa që e formëson atë mbetet solide, sigurisht me diferencat që krijojnë atë diversitet mendimesh që është i domosdoshëm për gjallërinë e një force politike. Pjesa e saj më e qëndrueshme mbetet ajo e militantëve, më frymëzuesja ajo e rinisë, më e sakrificës ajo e gruas.
Çfarë e bën PD-në një opozitë të fortë dhe si e shikoni me Lulzim Bashën në krye?
Opozitat e PD-së mbeten më mbresë-lënëset në politikën tonë dhe më idealistet. Ajo do vazhdojë të jetë e tillë: fanatike ndaj vlerave dhe luftarake e paepur për t'i rezistuar çdo revanshi dhe përpjekjeje për regres. Ylli i saj polar mbetet Shqipëria Europiane, besimi në vlerat e lirisë e demokracisë.
Me Bashën e shoh atë si vazhduesen e asaj ç'ka shfaqur më të mirë përgjatë këtyre viteve, një parti vizionare, parti e së sotmes dhe së ardhmes, parti e ngulur fort në traditën e saj dhe promovuese e modernitetit të kërkuar. Një parti që i bën thirrje shpirtit të militantëve të vjetër për angazhim total, të cilët e mbajnë atë të lidhur në rrënjët e saj, dhe një parti që vazhdon të furnizohet me elementë të rinj mendjehapur, të cilët do t'i japin asaj pamjen dhe vitalitetin e një force bashkëkohore. E ritheksoj se vetëm ky kombinacion tërësor midis boshtit historik të saj të paepshmërisë dhe të aftësisë për t'iu përshtatur kohëve të sotme, midis shpirtit të saj demokratik dhe vlerave politike moderne, midis kontribuuesve të vjetër dhe rishtarëve të rinj, do bëjë të mundur krijimin e asaj prerogative që e risjell atë atje ku e meriton, në drejtimin e vendit.
Tërheqja e z.Berisha, e ndihmon apo e dëmton PD-në?
Ishte akti sublim i një njeriu i cili, për hir të dashurisë dhe të mirës që ka për të dhe për vendin, vendosi të përkujdeset në distancë.
Mbi kë bie përgjegjësia e humbjes së zgjedhjeve?
Në radhë të parë dhe në radhë të fundit, tek pjesa drejtuese e të gjitha niveleve të saj, por sidoqoftë, është analiza që pritet të bëhet ajo që do japë dhe konkluzionet më të vërteta.
Çfarë duhet të bëjë PD-ja që të rikthehet sërish në pushtet?
Opozitë konstruktive. Bashkëpunim me gjithë spektrin e djathtë. Luajalitet dhe partneritet politik me aleatët. Përballje dhe beteja të palodhshme parlamentare e publike me çdo demarsh pushtetor që shkon kundër interesave të vendit dhe shtetasve. Konsensus kur duhet dhe kundërshti e plotë kur e kërkojnë interesat më të larta. Shpalosje programesh që shkojnë drejt e në zemrën e shpirtin e votuesit. Punë politike intensive me strukturat. Vlerësim, venerim, nderim për çdo kontributor dhe aktivist.
A do të jeni pjesë e garës për strukturat e reja në PD, dhe sipas jush, kush duhet të vihet në krye të grupit parlamentar të PD-së?
Nuk është koha e ambicieve personale. Tani e rëndësishme është ecuria e përgjithshme e strukturimit të PD-së. Të gjitha vendimet, sikurse dhe ajo për kryetarin e grupit parlamentar, nuk janë preferenca personale, por vendime kolegjiale të forumeve përkatëse të partisë.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt