“Rregullore e re parlamentare, më shumë të drejta opozitës”

Ministri i ri për Marrëdhëniet me Kuvendin, Celibashi

Partia Socialiste do të përfshijë në Rregulloren e re të Parlamentit të gjitha propozimet që kërkoi gjatë legjislaturës së kaluar, të cilat u mohuan nga maxhoranca e djeshme. Ministri i ri për Marrëdhëniet për Parlamentin, Ilirjan Celibashi, tha dje se maxhoranca e majtë do të mbyllë të gjitha ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit, për të garantuar një veprimtari kuvendore në përputhje me Kushtetutën. Socialistët do të garantojnë votimin e dekreteve të Presidentit në mënyrë të fshehtë dhe kohë të barabartë diskutimi të liderit të opozitës me Kryeministrin në seancë plenare, pika për të cilat legjislaturën e kaluar, grupi i punës për reformën parlamentare nuk ra dakord, pavarësisht 4 muajve punë. “Ekziston i gjithë vullneti i kësaj maxhorance që barazia e palëve në këtë institucion të jetë e garantuar ashtu siç e përcakton Kushtetuta e vendit. Të gjitha synimet që synojmë në këtë kuadër, besoj se kanë pëlqimin dhe vullnetin e maxhorancës së re politike për t’iu përgjigjur interesit të pakicës”, tha Celibashi. Ish-kryetar i KQZ-së, tashmë edhe në kostumin e anëtarit të Ekzekutivit të ri, deklaron se misioni i parë që lidhet me KQZ-në është rikthimi në legjitimitet i këtij institucioni, dhe për këtë duhet një marrëveshje politike. “Kërkimi i legjitimitetit të KQZ-së kërkon rikthimin e besimit te ky institucion. Nga ana tjetër, kjo nuk nënkupton që ne të ndërmarrim një operacion ligjor i cili synon ndryshimin total të këtij institucioni, sepse mendoj se kjo duhet konsideruar në një moment të dytë, dhe maxhoranca e re ka vullnetin që këtë çështje ta ndajë në mënyrë të drejtë dhe me opozitën”, tha Celibashi.

Panorama