Emri:  miku-yne-150x150.jpg

Shikime: 317

Madhësia:  12.2 KB

Gazeta ‘DITA’ zbulon dhe publikon për herë të parë një letërkëmbim të ish-Presidentit Sali Berisha me Abdul Latif Saleh në tetor të vitit 1992, një person që erdhi në Shqipëri nën petkun e një ‘bamirësi’ islamik dhe që u dëbua disa vite më vonë si terrorist. Në pamje të parë duket si një letërkëmbim i zakonshëm midis miqsh. Dhe në fakt kemi të bëjmë me një miqësi të hershme midis tyre. Saleh na del se e shtynte si të thuash ‘derën me këmbë’ të Presidentit të Shqipërisë të asaj kohe. Nga letra e Saleh-ut drejtuar Berishës del qartë se ai kishte një besueshmëri te kryetari i shtetit shqiptar, pasi Berisha jo vetëm i përgjigjet pa mbushur 24 orë letrës së tij, duke e ftuar menjëherë në Shqipëri sheikun e rekomanduar (bashkë me dy persona të tjerë shoqërues të tij) por edhe duke i krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme, për t’u takuar me Kryeministrin e vendit dhe shumë ministra. Abdul Latif Saleh u shpall në vitin 2005 nga qeveria amerikane si një nyje e rëndësishme e infrastrukturës së biznesit të Al-Kaedës, ai njihej si doktor në profesion, por operonte në biznes, mbante tre pasaporta shqiptare dhe dy pasaporta jordaneze. Në vitin 2011, ai u shkëput nga lista e personave të skeduar si anëtarë të Al-KAedës, por disa nga bizneset që ai menaxhoi ose mbështeti, në disa shtete, kanë qenë në pronësi të disa krerëve të Al-Kaedës dhe mbeten sot e kësaj dite asete të sekuestruara. Më poshtë letërkëmbimi mes dy doktorëve në vitin 1992.


Abdula Latif Saleh i shkruan Berishës:

Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Shqipërisë, Zotit Sali Berisha
Lënda: Vizita e Sheikut Andulrahman El-Essa në Shqipëri
lexo ketu...
http://gazetadita.al/wp-content/uploads/2013/08/168.jpg
Zotëri,
Në vazhdim të vizitës suaj të shkëlqyer në Kuvajt dhe për t’i bërë marrëdhëniet më konkrete, unë po ju drejtohem më këtë faks me dëshirën që Zoti Abdulrahman El-Essa të vizitojë Shqipërinë me qëllim që të shohë për mundësinë e investimit në Shqipëri. Zoti El Essa është një investues i njohur në Kuvajt dhe ai është shumë i interesuar të shikojë mundësinë e investimeve në Shqipëri në fusha të ndryshme. (Ai do të jetë i shoqëruar me dy persona të tjerë). Unë mendoj së është shumë mirë që gjatë vizitës së tij në Shqipëri t’ju takoj ju dhe unë do të isha shumë i lumtur nëse qeveria mund t’i dërgojë një ftesë atij për t’i dhënë vizitës së tij pamjen e një vizite të programuar. Ai është gati të vijë javën e ardhshme dhe të qëndrojë disa ditë. Me këtë rast, unë do të doja t’ju falënderoja për mbështetjen tuaj për projektin tim në fushën e mjekësisë, ndërkohë që jemi duke shqyrtuar një projekt shumë të madh në këtë drejtim në Shqipëri.
Sinqerisht i Juaji,
Abdul Latif Saleh
Mbikëqyrësi për Shëndetësinë
Organizata Ndërkombëtare Islamike e Ndihmave
Tiranë – Shqipëri
22 tetor 1992
lexo ketu...
http://gazetadita.al/wp-content/uploads/2013/08/235.jpg

Pata mirësinë të informohem nga Dr. Abdul Latif Saleh, Mbikëqyrësi për Shëndetësinë në Organizatën Ndërkombëtare Islamike të Ndihmave , për dëshirën tuaj për të vizituar vendin tim, me qëllim për të parë mundësinë e investimeve këtu. Që nga ardhja në pushtet, kabineti im dhe unë kemi marrë përsipër një program për ringjalljen dhe ndryshimet në këtë vend, i cili përballet me detyra monumentale në vitet që vijnë. Do të ishte një nder i madh për mua t’ju prisja ju këtu dhe të diskutonim për nevojat e popullit tonë dhe mundësitë për zhvillim dhe investime. Gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri ju do të kini shansin të bisedoni në detaje me Kryeministrin dhe shumë ministra për projektet konkrete.
Duke shpresuar të takohem me ju shumë shpejt, mbetem
Sinqerisht i Juaji,
Sali Berisha


Faqe 2
Intervista/ Flet Fatos Klosi, ish-shefi i Shërbimit Informativ
“Rrëfej mikun terrorist të Berishës”
Ish-Shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi është padyshim njeriu më i mirinformuar për organizatat bamirëse islamike që gëluan gjithandej në Shqipëri në fillim të viteve 1990. Ai na tregon se ç’ishin këta ‘bamirës’, kush fshihej pas tyre dhe pse ata u dëbuan nga Shqipëria. Ndërkohë, Klosi sqaron se kush ishte Abdul Latif Saleh, një nga miqtë më të ngushtë të Berishës dhe lidhjet e tij me grupet xhihadiste islamike…
Intervistoi Xhevdet Shehu
- Zoti Klosi, gazeta “DITA” disponon disa dokumente për lidhjet e Shqipërisë me botën islamike. Cilat ishin sipas jush qëllimet e afrimit me vendet islamike?
- Sipas meje, qëllimi ishte një, i vetëm, shpresa që me këtë afrim, islamikët do ta zgjidhnin qesen dhe ne do të përfitonim nga paratë e tyre. Në njërën anë “udhëheqësit” tanë mburreshim për vokacionin perëndimor dhe evropian të shoqërisë shqiptare dhe nga ana tjetër na anëtarësonin në grupime, që s’kanë asgjë të përbashkët me Europën dhe perëndimin.
- Një person me emrin Abdul Latif Saleh ka ndërmjetësuar tek Berisha, kur ai ishte President, për vizita sheikësh në vendin tonë dhe anasjelltas. Çfarë ju kujton ky emër?
- Abduli për ne zyrtarisht ishte një biznesmen jordanez, me një rol të dyfishtë. Nga njëra anë ai bënte ndërmjetësin dhe ndërlidhësin me organizatat bamirëse islamike, që ndihmonin në Shqipëri në fusha të ndryshme, kryesisht në ngritjen e infrastrukturës fetare islamike. Nga ana tjetër ai punonte dhe për llogari të tij, duke përfituar nga lehtësira që i përfitonte në sajë të aktivitetit të mësipërm, në blerje tokash, investime ndërtimesh administrative dhe mjekësore, etj.
Ndërkohë nga shërbimet partnerë na erdhën informacione që Abdul ishte i implikuar dhe me grupe terroristësh të Lindjes së Mesme dhe punonte për mbështetjen logjistike të tyre. Në këtë kuadër ai kish ndihmuar, që disa anëtarë të këtyre grupeve, të sistemoheshin në Shqipëri, për t’iu shmangur kërkimeve ndërkombëtare. Pas konfirmimit të disa prej këtyre të dhënave, ai u shpall person i padëshirueshëm në Shqipëri dhe u dëbua prej saj.
- Kur ju ishit shef i Shërbimit Informativ, disa islamikë të ardhur në Shqipëri si bamirës, përfshi dhe Salehun, u dëbuan nën dyshimin si terroristë. Ju kujtohet ndonjë emër tjetër i dyshuar si terroristë dhe si u bë dëbimi?
- Shqipëria në atë kohë, e uritur për çdo lloj ndihme, i priti si bamirës të gjithë islamikët që ndërtuan objekte kulti, hapën shkolla fetare, ndihmuan familje të varfra, etj. Midis tyre kishte dhe persona, që kërkoheshin si anëtarë të grupeve terroriste, dhe që kishin ardhur në Shqipëri për t’u fshehur. Pas një pune të përbashkët operative me shërbime partnerë, u identifikuan një numër prej tyre. Disa prej tyre, aktiviteti terrorist i të cilëve ishte i dokumentuar dhe i dënuar në mungesë, u dërguan në vendet që i kërkonin, kurse të tjerë si Abduli u dëbuan nga vendi.
- Kujt grupimi islamik i përkisnin këta ‘bamirës’?
- Bamirësit ishin nga gjithë bota arabe, kryesisht kuvaitjanë, kurse terroristët që fshiheshin nën petkun e organizatave bamirëse ishin kryesisht luftëtarë të Xhihadit Islamik egjyptian.
- A kishin lidhje xhihadistët islamikë me Al Kaedën?
- Sot, sidomos pas 11 Shatorit , Al Kaeda është organizata terroriste më në zë. Por ajo sigurisht nuk u bë e tillë papritur dhe në një terren të “virgjër”. Terrenin për të e përgatitën organizatat paraardhëse, midis të cilave dhe ato xhihadiste.
- Sa mendoni se e ka dëmtuar imazhin e vendit tonë në Perëndim anëtarësimi në Konferencën Islamike dhe ky bashkëpunim i ngushtë me islamikët?
- Nuk besoj se e ka dëmtuar shumë. Bota të çmon nga veprat e jo nga llafet. Të gjithë e dinin, se ne u afruam me islamikët, me shpresën se do të përfitonim ekonomikisht prej tyre. Ne nuk kemi qenë kurrë aktivë në këtë organizatë. Megjithatë, sipas meje, më mirë të mos e kishim bërë atë hap, nuk më pëlqen pozita e “lypësit”, në asnjë rrethanë. Pastaj, dhe “bamirësit” nuk janë pothuaj asnjëherë vetëm për bamirës.

***
Biseda mes Berishës dhe Mero Bazes për Abdul Latif Saleh

Dëshmia në librin e Mero Bazes për marrëdhëniet e ngushta të Berishës, Gazidedes dhe Tritan Shehun me veprimtarin e Al-Kaedës në vitet 90-të dhe një episod me disa gazetarë amerikanë në Tiranë
Nga Mero Baze
Një figurë misterioze për të cilën ai pati probleme ishte Abdyl Latif Salehu. M’u kujtuan bisedat e gjata të Berishës për të, si dhe fakti që asnjëherë nuk përtonte për të dhënë sqarime rreth tij.
- Çfarë problemesh ke me këta islamikët, që të sulmojnë amerikanët? – i thashë papritur, më vonë, kur Berisha ishte vënë në qendër,të sulmeve si njeri që kishte ndihmuar veprimtarët më të rrezikshëm të Al Kaedës për të krijuar bazat e tyre në Shqipëri.
-Janë shpifje, – më tha. – Më akuzojnë për “Doktorin”.
-Ç’është ky?
- Dr. Abdul Latif Salehi, që është një njeri i tyre, – këtu kishte parasysh amerikanët, – por që duan të ma rrasin mua tani. Nuk e njeh ti, s’di si të ta shpjegoj. Janë ca punë shërbimesh, që nuk i thua dot as në opinionin publik. Shiko, po ta them ty këtu, por mos e shkruaj, se është me zarar. Ai ishte spiun i tyre. Shërbimi ynë u premtoi se do ta përdorte për të identifikuar të gjithë tipat e rrezikshëm që vinin nga Lindja e Mesme këtu dhe që mund të iknin në Evropë. Pra, ai bashkëpunoi me ne. I dhashë edhe shtetësinë shqiptare. Janë të pandershëm, se ua kam çuar emrin përmes shërbimit në ambasadë dhe kanë dhënë miratimin.
-Ka shkresë për këtë? – e pyeta. Nuk e di se si m’u ngjall instinkti i gazetarit për ta parë deri në fund këtë histori.
-Po ku di unë a ka shkresa…. Unë nuk merrem me shërbimet, jam president i vendit. Shërbimi im më tha që e verifikoi dhe ishte në rregull, ndaj dhe mund t’i jepej shtetësia.
M’u duk bindës në shpjegimin për pafajësi në këtë pikë.
Në vjeshtën e vitit 2001, në Tiranë erdhën dy gazetarë amerikanë, që ndiqnin gjyqin e të akuzuarve për veprimtari terroriste bazuar në marrëdhëniet me Al Qaedën. Ata kërkuan takim me Sali Berishën dhe celulën e SHIK-ut që merrej me terrorizmin. Berisha i takoi me tre ish-oficerë, në atë kohë të papunë, që u shpjeguan atyre të njëjtën histori: që dr. Salehu ishte agjent i dyfishtë. Por Berisha nuk pranoi të citohej për këtë.
-E di ambasada, – u tha atyre, – pyesni në ambasadë. Gazetarët ikën, por ishin skeptikë për atë që u tha Berisha. Nga mënyra se si fliste Berisha, m’u krijua ideja se dr. Salehu mund ta kishte marrë shtetësinë diku nga viti 1994 ose 1995. Pasi i hodha një sy të shpejtë listës së shtetësive, pashë që ai e kishte marrë atë në vitin 1992, pra sapo Berisha kishte ardhur në pushtet. Ishte pak e dyshimtë që ai të kishte pasur aq kohë sa të ishte që atëherë agjent i dyfishtë dhe të verifikohej edhe nga amerikanët. Për më tepër, ai kishte marrë dy herë pasaportë shqiptare, në vitin 1993 dhe pastaj në vitin 1995.
Më pas, kur vendosa të gërmoj për të, mësova se ai kishte ardhur në Shqipëri qysh në vitin 1991, si këshilltar për probleme mjekësore. Kishte punuar disa vite në Spitalin Ushtarak dhe shumë mjekë të atij spitali e njohin shumë mirë. Fjalimet e tij për xhihadin e nevojshëm edhe në Shqipëri, mjekët tanë, shumica ateistë, i kanë pas marrë me të qeshur. Por Salehu ishte serioz në projektet e tij. Në mes të fushatës elektorale të vitit 1996, Sali Berisha e kishte atë në krah, kur filluan punimet për një spital në Sauk, që do të ndërtohej nga fonde të rrjetit të tyre bamirës, por që nuk u ndërtua kurrë.
Berishës iu kthye në kompleks ky njeri dhe mbaj mend se shpenzonte shumë kohë që ta hiqte nga vetja përgjegjësinë pse ai kishte marrë shtetësinë dhe pse amerikanët dyshonin se ishte lidhja e Berishës me klanet e errëta të botës arabe. “Doktori”, siç njihej gjerësisht prej Berishës dhe Gazidedes, dukej se ishte bërë njeriu kyç në investimet e nëntokës së botës arabe në Tiranë. Ai ishte pjesë e investimit në dy kullat binjake në qendër të Tiranës, zanafilla e ndërtimit të të cilave nis me pushtetin e Berishës dhe kompensimin e disa figurave të larta të pushtetit në atë kohë, përfshi edhe Tritan Shehun. Gazetarët amerikanë që erdhën në Tiranë, i dhanë gazetës Albania edhe disa përkthime të gjyqit që u zhvillua ndaj njerëzve të arrestuar në Tiranë. Aty shihet se “doktor” Salehi kishte mundësuar futjen në Shqipëri të Ahmed Ibrahim Al Nagarit, i cili u dënua me vdekje dhe u ekzekutua si pjesëmarrës në atentatin e dështuar ndaj ish-kryeministrit të Egjiptit në vitin 1995. Në dëshminë e vet në gjyq, Ahmed Ibrahim Al Nagari thotë se, pas atentatit ndaj kryeministrit të Egjiptit, ai u fsheh disa kohë në Siri dhe pastaj u dërgua në Shqipëri. Në mënyrë banale, korrupsioni i doganierëve shqiptarë ka dështuar për futjen e tij në Rinas. Doganieri ynë i ka kërkuar një bakshish dhe Ahmed Ibrahim Al Nagari nuk ia ka dhënë. Kaq i ka mjaftuar që të kthehet mbrapsht në Stamboll. Pas një peripecie disa javore, ai kaloi në Damask, ku siguroi një biletë tjetër dhe u përcoll në doganën shqiptare nga Abdyl Latifi.
Marrë nga libri “Viti 97”

Gazeta Dita

http://www.revistadrini.com/2013/08/...e-ne-al-kaeda/