"Nuk kam pasur marrëdhënie intime me Agimin. Jemi njohur rastësisht me njëri-tjetrin”. Këtë deklaratë ka dhënë ditën e djeshme gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, studentja nga Skrapari.
Burimi: BalkanWeb
Pasi kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja në një prej hoteleve në Tiranë, 21-vjeçarja nuk ka mundur që ta shmangë për më tej marrjen në pyetje nga forcat e policisë, të cilët mesditën e së hënës janë paraqitur në dhomën e spitalit ku vajza nga Skrapari kurohet prej disa ditësh. Gjatë marrjes në pyetje nga uniformat blu, A.S nuk ka mohuar njohjen e saj me 52-vjeçarin nga Tetova, por nuk ka pranuar të ketë pasur lidhje dashurie me atë.
“Jemi njohur rastësisht në avion, kur të dy ktheheshim nga Italia për në Shkup. Pas bisedës në avion, kemi zbritur të dy në Shkup, kemi pirë kafe dhe më pas ai më solli me makinën e tij në Shqipëri”, mësohet të ketë thënë vajza gjatë dëshmisë së saj para oficerëve të policisë. Studentja nga Çorovoda është shprehur se kishte dy vjet që njihej me Eminin dhe se kanë pasur vetëm marrëdhënie shoqërore me njëri-tjetrin, pa mohuar faktin se muajt e fundit 52-vjeçari kishte filluar të bëhej i bezdisshëm. A.S ka shpjeguar se ata të dy kanë kontaktuar për afro dy vite bashkë me njëri-tjetrin, duke pirë kafe dhe udhëtuar bashkë si miq. Në dëshminë e saj, 21- vjeçarja ka shpjeguar se së fundmi 52-vjeçari i ka kërkuar A.S që të lidheshin bashkë, por ajo nuk pranonte, duke e quajtur mashtrues.
“Nuk doja të lidhesha me atë dhe për ta shmangur i thosha që ishte mashtrues”, ka sqaruar vajza para strukturave të policisë. Lidhur me ngjarjen e hotelit të ndodhur disa ditë më parë, A.S ka pohuar se ka qenë Emini, ai që e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar që ta takonte për t’i vërtetuar se nuk ishte mashtrues, ashtu siç i thoshte vajza në telefon. “Më tha hajde më tako të paktën për pesë minuta për të të vërtetuar se nuk jam mashtrues. Ai po qëndronte në hotel, shkova e takova dhe për një moment u ngjita në katin e dytë të hotelit që të freskohesha pak në tualet. Ai më ndoqi nga pas dhe më tha që për të të treguar se nuk jam mashtrues, do të vras veten para teje dhe më pas më tha ose po të vras ty dhe më pas po vras veten time”, ka shpjeguar vajza para oficerëve të policisë.
Sipas dëshmisë së saj, ka qenë 52- vjeçari, i cili më pas ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të vajzës, e cila ka qenë duke vrapuar në korridor për t’u shpëtuar plumbave. Sipas dëshmisë, 21-vjeçarja i ka kërkuar ndihmë edhe pastrueses së hotelit, e cila është trembur nga kërcënimet dhe arma dhe nuk ka mundur që ta shpëtojë vajzën nga plumbat e 52-vjeçarit. Por A.S ka sqaruar se ka mundur që të shpëtojë vetëm pasi gjatë kohës që Emini ka qëlluar, arma e tij është bllokuar. Studentja nga Skrapari ka rrëfyer në polici se më pas atë e kanë nisur me taksi për në spital dhe nuk ka parë asgjë se çfarë ka ndodhur me 52- vjeçarin nga Tetova e Maqedonisë.
Jeta e tetovarit mes burgjeve të Europës dhe Maqedonisë
Emri i tij i vërtetë ishte Qemaladin Adili dhe jo Agim Emini. Këtë fakt ka botuar gazeta “Panorama” ditën e djeshme, pas vizitës në fshatin e lindjes së tetovarit. Ai ka lindur në fshatin Teqe në 7 qershor të vitit 1961 dhe emri i tij në kartën e identitetit nuk ishte i vërtetë, pasi 52-vjeçari kishte vjedhur identitetin e një stomatologu në zonën e Tetovës. Ata që e njihnin Qemaladin Adilin e dinë mirë historinë e jetës së tij të kaluar mes Europës dhe Maqedonisë. Sipas banorëve të zonës ku ai ka lindur, 52-vjeçari ka jetuar gjithmonë jashtë dhe ishte kthyer vetëm dy vitet e fundit në fshatin e tij. Nga ana tjetër edhe nëna e viktimës, 81-vjeçarja Nezeqet Adili ka pohuar se djali i saj ka jetuar gjithmonë në Europë, por më shumë burgjeve se sa në liri. “Ai ku ka shkuar e kanë futur në burg. Nuk punonte si njeri ai. Donte t’i bënte paratë shpejt. Tani kur erdhi, u kthye nga Zvicra, por a ka qenë në burg a në ndonjë vend tjetër, këtë nuk e di. Po me punë të pista është marrë. Më duket se me drogë”, ka pohuar nëna e 52-vjeçarit.
![]()
Krijoni Kontakt