Close
Faqja 5 prej 6 FillimFillim ... 3456 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 50 prej 60
  1. #41
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Zyberi dhe Miri i Xhikes, dy armiqtë e betuar

    HETIMI PER HAKMARRJEN E VJETER

    Zyberi dhe Miri i Xhikes, dy armiqtë e betuar


    --------------------------------------------------------------------------------

    Ferdinand Dervishi

    Për zbardhjen e vrasjes së Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes), hetimi këmbëngul në pistën e hakmarrjes së vjetër. Një histori që nis gati pas 10 vjetësh, kur në Tiranë kishin filluar të konfiguroheshin grupet e para kriminale. Një nga më të famëshmit ishte Naim Zyberi, i cili që në vitin 1992 ishte kthyer pothuaj në mit pas ekzekutimit prej tij të legjendës tjetër të krimit në Tiranë, Gazmend Muçës. Ndërsa konflikti që do të sillte ndarjen në dy grupime të të fortëve të Tiranës, kishte ndodhur në vitin 1995. Ad Topalli (Ardian Spahiu), një prej të fortëve, merret në makinë nga Fatmir Rama dhe, sipas policisë, i nxirret në pritë Gazmend Çamit (Gazmend Hamiti) i cili e vret. Në të njëjtën ngjarje plagoset edhe Miri i Xhikes, në rrethana të pazbardhura.

    Zyberi kundër Mirit të Xhikes
    Duke qenë se Ad Topalli ishte mik i ngushtë i Naim Zyberit dhe i vëllezërve M.Hasa dhe B.Hasa, këta i kërkojnë Mirit të Xhikës, i cili kishte qenë edhe ai mik i tyre, të gjejë personin që vrau Ad Topallin. Në të kundërt, duhet të paguante një gjobë në të holla. Pasi skadon afati dhe Miri i Xhikes nuk kishte dhënë përgjigje as për njërën, as tjetrën kërkesë, banda niset për të takuar Fatmir Ramën në shtëpinë e tij në rrugën "Mihal Grameno". Pasi trokasin në derë, aty del djali i tezes i Fatmir Ramës, Artur Grori, i cili u shpjegon se Fatmiri nuk ndodhej brenda. Sipas të dhënave të policisë, Arturi kishte dalë për të ndihmuar Fatmirin që t'i përcillte, duke u justifikuar se ai që kërkonin nuk ishte brenda. Po sipas policisë, është supozuar se Rama ishte brenda në shtëpi. Në debat e sipër Naim Zyberi hap zjarr duke vrarë Artur Grorin. Që nga ky moment Zyberi shndërrohet në gjahun numër një të Arben Grorit, vëllait të Arturit, si dhe Fatmir Ramës.

    Vrasja e Naimit në Milano
    Grori dhe miq të tij e arrijnë Naim Zyberin në Milano të Italisë. Ata i bëjnë atentat në fillim të gushtit 1997. Por vetëm sa e plagosin. Zyberi shtrohet në spitalin "San Paolo" për t'u kuruar. Më 6 gusht në hyrjen kryesore të këtij spitali paraqiten Arben Grori dhe Gerti Gjenerali me buqeta lulesh në duar. Të dy i bindin mjekët se ishin miq të Zyberit dhe donin ta takonin. Mjekët i lejojnë, pasi i pajisin me bluza të bardha. Sa arrijë në dhomën e Zyberit ata nxjerrin një pistoletë (mendohet se e kishin fshehur në buqetën me lule) dhe e vrasin. Arrijnë t'i shpëtojnë policisë. Por krimi zbardhet dhe të dy dënohen me burg përjetë. Gerti Gjenerali kapet dhe mmbyllet në një burg në Itali.

    Dy atentatet në Lundër
    Ndërsa Arben Grori u shpëton kërkimeve të policisë italiane, duke u kthyer në Shqipëri, ai do të përfshihej në një vrasje tjetër. Në vitin 1999 ai arrestohet nga policia, ndërsa së bashku me Agron Tresën kishin në makinë dy persona të sapovrarë, Edmond Murrën dhe Saimir Calin. Pas kësaj Grori mbyllet në burg, por lirohet pasi Trasa e merr të gjithë fajin mbi vete. Ndërsa Tresa dënohet me 18 vjet burg, Grori sërish arrestohet, kësaj radhe në kuadër të zbatimit të një urdhërarresti të mbërritur nga Italia. Ndërsa Grori mbetet për një kohë të gjatë në burg nëpër gjyqe -një proces që vazhdon- Fatmir Rama, djali i tezës së tij, vritet te Kartodromi në pronësi të tij në Lundër. Sipas variantit më të vlerësuar të hetimit, vrasja e Mirit të Xhikes ishte pasojë e vazhdimit të hakmarrjes së vjetër. U tha se një nga të vrarët e vitit 1999 në Lundër ishte i afërm i kundërshtarëve të vjetër të Grorit dhe Ramës.


    Miri i Xhikes, akuza në pritje të arrestimit të të dyshuarit kryesor

    TIRANE - Prokuroria ka deklaruar dje zyrtarisht se është në pritje të arrestimit të një personi si i dyshuari kryesor për vrasjen e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes). Zëvendësprokurori i Tiranës, Kostaq Beluri, ka bërë të ditur se ekziston një urdhër arresti për të dyshuarin në fjalë, por që nuk është lëshuar nga Prokuroria e Tiranës. Një nga prokuroritë e rretheve ka lëshuar urdhërarrestin për personin në fjalë për një vepër tjetër penale që nuk ka lidhje me vrasjen e Mirit të Xhikes. Por, sipas Belurit, të dhënat e këtij personi përmbushin një nga pistat e hetimit që ka hapur Prokuroria e Tiranës për ngjarjen e Kartodrom-2000. Gjithsesi, gjithçka do të mund të sqarohet në rast se i dyshuari do të prangoset për veprën tjetër penale, pasi Prokuroria e Tiranës nuk i disponon provat e nevojshme për ta akuzuar direkt atë dhe për t'i prerë fletarrestin.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #42
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Zhduket nëna e motra e Naim Zyberit

    MISTERI/ VAZHDIMI I HAKMARRJES?

    Zhduket nëna e motra e Naim Zyberit
    Dy gratë u kërcënuan pas vrasjes së djalit


    --------------------------------------------------------------------------------

    Ferdinand Dervishi

    Enveri, xhaxhai i Naim Zyberit dyshonte se kufomat mund të ishin brenda. Meqë dera ishte e blinduar, dikush u fut të kontrollonte nga ballkoni…" A. Dena, një fqinj i Naim Zyberit, djaloshit të njohur si i forti i zonës së "Restorant Durrësit" dhe si kundërshtari më i egër i grupit të 2 vëllezërve Grori dhe Ramës (Miri i Xhikës), është i bindur se me dy gratë, nënën dhe motrën e familjes Zyberi, një gjë e tmerrshme duhet të ketë ndodhur. Dy gratë, Laja 55 vjeçe, nëna, dhe Flutura 29 vjeçe, motra e tij, kishin mbetur të vetme pas vrasjes së Naim Zyberit në Milano më 6 gusht të vitit 1997. Trupi i djalit kishte mbërritur nga Italia pas disa ditësh dhe ishte varrosur në Sharrë të Tiranës. Më pas e ëma, Laja (buri i kishte vdekur disa vite më parë), kishte patur të vetmin ngushëllim përkujdesjen ndaj qivurit. Ndërsa e motra e vetme e Naimit, Flutura e pamartuar, edhe ajo ndiqte pas të ëmën, pas punës së fundit të humbur si ekonomiste te firma piramidale VEFA. "Gratë pas vrasjes së Naimit kishin marrë disa kërcënime nga kundërshtarët e Naimit. Kërcënime që i kishin shprehur, -të paktën ne fqinjët i dinim. Dikur, duhet të ketë qenë data rreth 12 shkurt 1998, të dyja nuk u dukën më. Askush nuk i pa të largoheshin, askush nuk i pa t'i rrëmbenin, dhe jam i bindur se di të them më tepër se xhaxhallarët e Naimit për këtë histori", rrëfen fqinji Dena, i cili kujdeset për shtëpinë tashmë të dhënë me qera, e cila ndodhet pranë vendit të quajtur "Frigoriferi", në pallatin 161, kati i tretë.

    Kush ishte i interesuar për zhdukjen e grave
    I njohur si një ekzekutor kalibri, Naim Zyberi ishte përfshirë në një sërë ekzekutimesh që nga i famshmi Gazmend Muça i vrarë prej tij dhe F. Konomit në vitin 1992. Porse përplasja më e madhe ishte krijuar me 2 vëllezërit Grori dhe Fatmir Ramën, djalin e tezes së tyre. Pas një konflikti grupesh rivale, Naim Zyberi niset të ekzekutojë Fatmir Ramën, por në mungesë të tij qëllon dhe vret Artur Grorin. Në shenjë hakmarjeje Arben Grori, i vëllai i Arturit vret në Milano Naim Zyberin më 6 gusht 1997. Pas kësaj përiudhe, në një kohë që Naimi nuk kishte mashkull tjetër në familje, -ishte vëlla i vetëm dhe babai i kishte vdekur, -nëna dhe motra e tij kishin marrë disa kërcënime. Ishte fillimi i vitit 1998 dhe rendi nuk ishte ende i stabilizuar. Dy gratë ishin zhdukur pikërisht pas këtyre kërcënimeve. "Thjesht vumë re që dera qendronte e mbyllur pafundësisht pas datës 12 shkurt 1998", pohon fqinji A. Dena. Sipas tij për fatin e dy grave nuk kishte askush dijeni nga lagjja. Meqë i dinin problemet e tyre, nuk ishte lajmëruar policia. Por kur ishte "trashur puna", fqinjët kishin gjetur mundësinë të kontaktonin një nga xhaxhallarët e Naimit, Enver Zyberin. Ai kishte mbërritur i shoqëruar nga disa njerëz të tij, rreth 6 muaj më pas. Kishin trokitur më kot në derë. Asnjë përgjigje. Më pas, meqë dera ishte e blinduar, dikush ishte futur nga ballkoni. "Gjatë gjithë kohës kishim një përshtypje se kufomat ishin brenda. Të gjithë prisnim në ankth, dhe u lehtësuam disi, vetëm pas mbërritjes së përgjigjjes, se në brendësi nuk kishte frymë njeriu", rrëfen Dena. Sipas tij për pak kohë, të afërmit e Zyberëve kishin nxjerrë që andej të gjitha plaçkat. Ndërsa shtëpinë, pas një marrveshjeje, ia kishin lënë Denës ta jepte për një kohë me qera, pasi Laja, nëna e Naimit i kishte "capak" borxhe. Njeriu që tashmë administron shtëpinë e Zyberëve, nuk di të japë një përgjigje për të qenë për fatin e dy grave. Pas zhdukjes së tyre nuk ka patur asnjë sinjal se mund të jenë gjallë. "Ta hajë dreqi, një sinjal do e kishim. Çuditem se edhe të afërmit e tyre për hollësi vijnë e na pyesin neve", shprehet i habitur Dena.

    Gratë ishin larguar jashtë shtetit?
    Një variant tjetër i pohuar jo vetëm nga A. Dena, por edhe nga disa shitës të vjetër të lagjes, kishte qenë largimi i dy grave jashtë shtetit. "Ka të ngjarë të jenë larguar pasditen vonë në të errur të datës 11 shkurt, pra një ditë para se ne fqinjët të konstatonim zhdukjen", pohon i mëdyshur Dena. Ai ende administron shtëpinë e dhënë me qera, pasi borxhi që u kishte dhënë dy grave, nuk ishte shlyer. Ndërkohë që ishte i bindur se Laja me të bijën dispononin një pasuri jo të vogël të lënë "trashgim" nga Naimi. "Edhe mund të jenë larguar jashtë shtetit", thotë ai. "Me gjithë ato të holla, mund të jetonin ku të donin". Të gjithë në lagjen ku kishte jetuar familja Zyberi, nuk thonë më shumë. Ndërsa janë të prirur të besojnë më shumë në zhdukjen.


    Pse u zbulua pas pesë vitesh zhdukja e familjarëve

    Njëra prej pistave kryesore që kanë ndjekur hetuesit që pak minuta pas ekzekutimit të 29 marsit në Kartodrom, ka qenë pikërisht ajo e një hakmarrjeje të vjetër. Një hakmarrje mes dy grupeve rivale që kishte mbjellur shumë viktima gjatë këtyre viteve të fundit. Dhe pikërisht, ndërsa po verifikonin të gjitha gjurmët e rivalëve të Mirit të Xhikes, agjentët e policisë zbuluan krejt papritur zhdukjen e familjes së Naim Zyberit. Edhe pse një mister i tillë kishte nisur plot pesë vite më parë, policia dhe prokuroria nuk ishin në dijeni të një ngjarjeje të tillë, edhe për vetë faktin se askush nuk ka marrë mundimin gjatë këtyre viteve të denoncojë mungesën e dy të afërmve të Zyberit.


    Varri i Naimit prej vitesh i papastruar

    Mbi varrin e Naim Zyberit në Sharrë barishtet kishin mbylur disa herë ciklin vjetor të tyre pa u pastruar. Ndërsa një statujë pëllumbi ishte rrëzuar. Disa djem që aty janë si të shtëpisë, pohuan se për ta varri nuk ishte fare I panjohur. "Laja na jepte lekë që të kujdeseshim për ta pastruar dhe të mos e dëmtonte kush", pohojnë djemtë. Por ata shtojnë gjithashtu se prej vitesh Laja nuk është dukur më dhe gjatë kësaj kohë askush tjetër nuk është kujdesur më për varrin. Ndërkohë në varrezat e Sharrës madhështinë e dikurshmë të varrit të Naimit e kanë kaluar stilet e kohëve të fundit të varreve, që ngjajnë si shtëpiza.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  3. #43
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Zhdukja e familjes Zyberi, hetohen 2 kufoma nëVelipojë

    MISTERI/ I nxorri deti një vit më parë

    Zhdukja e familjes Zyberi, hetohen 2 kufoma nëVelipojë


    --------------------------------------------------------------------------------

    Ferdinand Dervishi

    Më 9 tetor 2001 në bregdetin e Velipojës (Shkodër) peshkatarët kishin identifikuar dy kufoma të lidhura me zinxhir të hekurt pas njëra-tjetrës. Pas mbërritjes së policisë dhe nxjerrjes së tyre, pamja kishte qenë e tmerrshme. Ishin dy femra, trupat e të cilave kishin një shkallë të lartë dekompozimi. Të dyja ishin të lidhura më një zinxhir hekuri dhe të kapura pas një disku të hekurt që i korrespondonte rrotës së një makine të tonazhit të mesëm. Kufomat ishin nisur fillimisht në morgun e Shkodrës ndërsa dy ditë më pas autoambulanca e policisë së këtij qyteti i kishte përcjellë në morgun e Tiranës. Ky ishte lajmi i fundit për mediat në atë kohë së bashku me konfirmimin se u varrosën të paidentifikuara.

    Zhdukja e familjes Zyberi, nisja e hetimit
    Gjatë hetimit të pistave për vrasjen e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes) policia kishte hulumtuar edhe një seri vrasjesh të vjetra ku ishte përfshirë viktima, duke u fokusuar në shkaqet që mund të kishin sjellë ekzekutimin. Duke u punuar në këtë mënyrë, një polic zone kishte trokitur në derën e familjes Zyberi, (Naim Zyberi, i vrarë në Itali më 1997, kishte qenë kundërshtari kryesor i Fatmir Ramës) që ndodhet në Tiranë pranë vendit të quajtur "Frigoriferi". Pas kontakteve me fqinjët, ai kishte mësuar se për dy gratë, Lajen, nënën e Naimit dhe Fluturën, të motrën, prej vitesh nuk ishin asnjë lajm. Fqinjët i kishin treguar policit se dy gratë ishin zhdukur rreth datës 12 shkurt 1998. Askush nuk i kishte parë të largoheshin, por edhe askush nuk kishte dëshmuar se dy gratë ishin rrëmbyer, apo u kishte ndodhur një fatkeqësi. Policit gjithashtu i ishte treguar se rreth 6 muaj pas zhdukjes së dy grave, aty kishte ardhur xhaxhai i Naim Zyberit. Ky ishte futur në shtëpi nga ballkoni duke kujtuar se dy gratë mund të ishin në brendësi të vdekura. Por nuk kishte rezultuar kështu. Njëri nga fqinjët e kishte ndihmuar policin duke i dhënë fotot e dy grave, të cilat i kishin sajuar duke i prerë nga një foto më e madhe. Burime policore thanë për Gazetën se pikërisht pas faktit se dy gratë mund të ishin zhdukur, si dhe faktit tjetër se para dy vjetësh në Velipojë deti kishte nxjerrë dy kufoma femrash të paidentifikuara, u bë një lidhje logjike. Pra dy kufomat mund të ishin nëna dhe motra e Naim Zyberit.

    Hetimet në Shkodër
    Në vijim të verifikimit të faktit se dy kufomat e femrave të gjetura në Velipojë mund të ishin nëna dhe motra e Naim Zyberit, të ekzekutuara nga kundërshtarë të betuar të tij, në Shkodër ishte dërguar një grup hetuesish. Ata kishin marrë kontakt me mjekë të morgut dhe kishin shfletuar të gjithë dokumentacionin hetimor për ngjarjen. Gratë ishin vlerësuar të moshave, njëra 20 dhe tjetra 40, në një shkallë të lartë dekompozimi, por data e gjetjes së tyre kishte qenë 9 tetor 2001. Krahasuar me datën e zhdukjes së dy grave, mendohet 12 shkurt 1998, kishin kaluar më shumë se tre vjet. Porse mendimet e ekspertëve ishin se kufomat e njërëzve në det mund të rrinë për një kohë të gjatë pa u shpërbërë. Më tej hetimi kishte kaluar në morgun e Tiranës, pasi dy ditë më pas, më 11 tetor dy kufomat ishin dërguar aty. Aktualisht grupi hetimor është duke punuar dhe specilaistët nuk kanë dhënë ende një përgjigje fikse për këtë çështje.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  4. #44
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Nenen e rrembyen te varri i Naimit
    Deshmia e mikut te Zyberit: E moren trafikantet


    --------------------------------------------------------------------------------

    Basir Çollaku

    Nuk merren burrat me gra o mik, nuk vriten femrat, as për hakmarrje, as për gjë tjetër, s'ka trimëri me gra, por ata të katërt e bënë". Kështu e nis rrëfimin Arbeni, ai që ka qenë për 20 vjet mik, madje dhe shok armësh me Naim Zyberin. Flet për zhdukjen e nënës dhe motrës së Naim Zyberit. "Vrasja e Naimit na tronditi të gjithë ne miqve të tij. Ishim të paktën 20 miq, shokë, grupuar rreth tij. Por ajo e nënës dhe motrës dhe më tepër. Pas vrasjes së Naimit, historia e hakmarrjes nuk mbaroi me kaq. Në shënjestër u vunë nëna dhe motra e tij. Pala kundërshtare ishte e egërsuar dhe pas vrasjes u bë me e guximshme. Nënë e motër, Laja dhe Flutura, folën: Do të paguajmë sa s'bën për të marrë hakun e Naimit. Ndoshta kjo qe fjalia fatale për gratë e shkreta. Laja shkonte pothuaj për ditë te varrezat, e vetme te varri i të birit.

    Rrëmbimi
    Ata që kanë zhdukur nënën dhe motrën e Naim Zyberit kanë qenë katër veta. Beratasi ishte përdorues dhe trafikant droge, por që e kanë vrarë më pas. Tjetri nga Tirana ishte trafikant droge arrestuar më vonë në Itali. Dy të tjerët merreshin dhe ata me trafik heroine dhe kokaine në Itali. Këta kanë qenë personat që në shkurt të '98-tës e kanë rrëmbyer Lajen te varrezat në mes të ditës. Nënën arritën ta merrnin pa dhënë shenjë alarmi askush. Në mesnatën e po asaj dite shkurti, në orën 1 të darkës në shtëpi kanë rrëmbyer motrën, Fluturën. Çelësat e derës së blinduar ia kanë marrë lajes dhe motra nuk ka pasur asnjë alternativë për të ikur. Fluturën e kanë dhunuar në sy të nënës. Pastaj i kanë torturuar të dyja, i kanë masakruar dhe trupat e tyre me siguri i kanë groposur apo djegur për të humbur gjurmët.

    Grabitja
    Vrasësit kanë përmbysur gjithçka në shtëpi, duke marrë dhe afro 1.5 milionë dollarë që kishte lënë Naimi. Motrën e kanë dhunuar. Pastaj i kanë torturuar të dyja gratë dhe i kanë zhdukur. Shokët e Naimit kanë kërkuar të marrin vesh se çfarë ka ndodhur me nënën dhe motrën, por ende nuk dihet se ku kanë përfunduar. Vrasja e tij e prishi grupin. Shumë nga ne ishin në kërkim dhe ikën jashtë vendit. Kundërshtarët e Naimit e kapën veten dhe u bënë të pasur shumë shpejt. Pastaj filluan dhe ata. Mbaj mend shumë mirë se ata kishin lidhje me njerëz të pushtetshëm. Ndryshe nga Naimi që nuk kishte lidhje me qeveritarët, i kishte inat, nuk zinte shoqëri me ta. Shtëpia e Naimit u shua, nuk mbeti njeri pas që të hakmerrej. Por ata që Naim Zyberi ka ndihmuar, ka dashur, do të bëjnë patjetër diçka për mikun e tyre. Nga i morëm vesh këto gjëra për zhdukjen e nënës dhe motrës? Ata që kanë bërë këtë punë kanë qenë trafikantë dhe përdorues droge. Dhe, me sa di unë, përdornin kokainë. Por kokaina ka efektet e veta dhe hapja e gojës, të flasësh për të gjitha gjërat që di është ndoshta një nga gjërat që bëjnë më shpesh përdoruesit e saj.


    Paratë ua merrte trafikantëve të drogës dhe tregtarëve

    Në tre muaj Naimi mblodhi 1. 5 milionë dollarë gjoba, pastaj iku në Itali
    Ne vinim gjoba thotë Arbeni. Fillohej me 20 mijë dollarë e lart. Vetë Naimi i kishte më të lartë gjobën. Ai e niste me 50 mijë dollarë. Gjoba më e madhe që ka vënë ka qenë 80 mijë dollarë. Zgjidheshin tregtare ose trafikantë droge për t'u gjobitur. A i linte afat të gjobiturit? Ku priste Naimi me javë o mik. Një ditë, një ditë e gjysëm, aspak më tepër. Dhe vinin menjëherë paratë. Pas vrasjes së Gazit, Naimi arrestohet dhe dënohet me 25 vjet burg. Por në '97-tën ai del nga burgu si gjithë të tjerët. Kundërshtarët e tij ishin bërë më shumë lekë. Filluan gjobat përsëri. Për tre muaj Naimi ka mbledhur 1.5 milionë dollarë gjoba. Paratë i mbante në shtëpi. Me 2 korrik të '97-ës Naimi iku në Itali, ku kishte disa shokë. Atje ai mbante emrin Xhemal Kumbaro. Shkoi te i quajturi Rinoldi dhe Çiço. Dhe në Itali Naimi u vinte gjoba shqiptarëve që merreshin me trafik të drogës. Kështu ai ka marrë peng një shqiptar dhe i ka marrë 70 milionë lireta. Po në Itali shokët e tij grabitën njërin dhe aty është qëlluar Naimi ku ka mbetur i plagosur. Me 6 gusht '97-të dy persona janë futur në dhomën e Naimit ku kanë qenë dhe dy shqiptarë të tjerë, por natyrisht të paarmatosur. Ata kanë qëlluar Naimin duke e lënë të vdekur dhe kanë ikur pa qëlluar mbi dy të tjerët. Kanë qenë këta dëshmitarë që kanë identifikuar vrasësit e Naimit në Itali.


    Dy kufomat e Velipojës, rikthehet hetimi

    Dy kufomat e gjetura në Velipojë në tetorin e vitit 2001 i rikthehen hetimit. Burime nga Ministria e Rendit Publik pohojnë se çështja ka qenë e pezulluar për mungesë autorësh dhe provash njëkohësisht. Por, sipas burimeve të mësipërme, dosja do të shqyrtohet nga ekspertët. Dy gratë e gjetura të mbytura në Velipojë nuk janë identifikuar. Ato janë gjetur të dekopmozura dhe me asnjë shenjë që të krijonte mundësinë për specialistët e Tiranës dhe të Shkodrës, të jepnin emra për të vdekurat. Kufomat kanë qenë të lidhura me tel, të vendosura njëra nga koka dhe tjetra nga këmbët. Eshtë përcaktuar nga specialistët mosha e përafërt e tyre, 20 dhe 45 vjeç. Mes dy trupave ka pasur një disk hekuri, lidhur me një spirancë. Njera nga kufomat ka pasur një protezë dhëmbësh. Ndërsa shenja të tjera nëpër trup nuk ka pasur. Hetuesit pesë vjet më parë kanë dyhshuar se janë femra të ardhura nga vende të Europës Lindore që përdoreshin si lëndë e parë për shfrytëzim prostitucioni.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  5. #45
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    PROKURORIA / PISTA E RE E HETIMIT

    Miri i Xhikes, vrasja nga Kosova
    U kishte borxh 500 mijë USD 3 vëllezërve nga Ferizaj


    --------------------------------------------------------------------------------



    Më 28 shkurt në kartodrom erdhën tre kosovarë dhe kërkuan të flisnin me Fatmir Ramën (Mirin e Xhikes)", kështu fillon dëshmia më e fundit për hetimin e vrasjes së bujshme në Lundër të Tiranës të regjistruar më 29 mars. Këto ditë të fundit grupi hetimor i ngjarjes është fokusuar pikërisht në vlerësimin dhe studimin e një dëshmie të re, që ka në qendër të saj një konflikt të mundshëm të Mirit të Xhikes me tre vëllezër kosovarë me banim në Ferizaj. Një person që ka patur dijeni për vizitën e fundshkurtit të këtij viti të kosovarëve në kartodromin e Mirit të Xhikes, ka folur duke detyruar prokurorinë menjëherë të fokusohet në një pistë të re për hetimin e ngjarjes. Një pistë që është bërë edhe më e besueshme kur asaj i është shtuar edhe një detaj tjetër, sipas të cilit muajin e fundit Miri i Xhikes kishte filluar të ruhej.

    Kosovarët në kartodrom
    Sipas dëshmisë tre kosovarët (tashmë për hetimin ata janë tre vëllezër nga Ferizaj e Kosovës) ishin paraqitur në kartodrom mëngjesin e datës 28 shkurt. "Erdhën me një taksi me ngjyrë të verdhë me targa të Tiranës dhe me të mbërritur kërkuan takim me Fatmir Ramën", thuhet në dëshminë për hetimin. Sipas të njëjtës dëshmi, tre kosovarët kanë pritur gjatë në këmbë dhe më tej në lokal që të takonin të zotin e kartodromit. Kërkesave të tyre të shumta, punonjësit i janë përgjigjur se Fatmir Rama nuk ndodhej aty. Atëherë njëri prej vëllezërve duke biseduar me punonjësit, ka kërkuar që të lidhet në telefon me Mirin e Xhikes. Dikur një dëshirë e tillë i ishte plotësuar. Biseda sipas dëshmisë nuk kishte qenë e gjatë, ndërsa dëshmitari ka pohuar se në fund të saj kosovari ishte i prishur në fytyrë. Menjëherë pas përfundimit të bisedës, të tre kanë biseduar kokë më kokë dhe janë larguar në drejtim të Tiranës të nxirë në fytyrë.

    Hetimi flet për një borxh
    Burime të prokurorisë së Tiranës pohuan se mes tre vëllezërve nga Kosova dhe Mirit të Xhikes është duke u hetuar për një "pazar të prishur". Sipas akuzës, tre vëllezërit i kishin dhënë atij rreh 20 kg drogë të llojit heroinë nga e cila i kërkonin vleftën në të holla e cila mbërrinte në rreth gjysëm milioni USD. Pikërisht se ishte vonuar tej mase në kthimin e shumës, tre vëllezërit kishin mbërritur në Tiranë për të rikuperuar shumën e të hollave. Por Miri i Xhikes nuk i pret, madje sipas një burimi të hetimit i kishte kërcënuar të largoheshin sa më parë nga kartodromi, pasi mund të përballeshin me telashe. Sipas të njëjtit burim, tre vëllezërit ishin pjesë e fuqishme e një linje të trafikut të drogës dhe mund të kenë paguar për të vrarë Fatmir Ramën. Ndërkohë që ka edhe një burim sipas të cilit dy nga tre vëllezërit nga Ferizaj pak ditë më parë janë arrestuar nga trupat e UNMIK në Kosovë për të tjera llogari me drejtësinë.


    Precedenti në Vlorë

    Prishja e linjës së drogës shkaktoi serial vrasjesh
    Më 22 dhjetor 2002 me anë të një bombe të vendosur në makinën e tij (mendohet me telekomandë) u vra në shëtitoren e Vlorës A, Muho, i njohur me nofkën Dap-Dapi. Sipas burimeve operative policore, Muho kishte dështuar dy herë duke dëmtuar seriozisht një linjë të kalimit të drogës për në Itali. Duke qenë pronar i një peshkarexhe, sipas policisë ai kishte marrë përsipër një segment të itinerarit të kalimit të drogës për në Itali. Por në dy raste kjo linjë ishte goditur nga policia italianë pikërisht në segmentin e tij, duke i shkaktuar rrjetit të trafikut humbje të madhe e cila i kishte "mbetur në derë" Muhos. Në momentin që bosët e linjës së drogës kanë kuptuar se Muho kurrë nuk do të rikuperonte të hollat për të shlyer dëmin, e kanë ekzekutuar. Burimet policore thonë gjithshtu se për të njëjtën linjë droge të shkatërruar ka patur edhe ekzekutime të tjera në Vlorë. Një nga të cilët sipas policisë mendohet të jetë edhe ekzekutimi më 29 dhjetor 2002 në Babicë i Agim Hatisë nga Fieri dhe një ish-polici nga Vlora.

    marre nga gazeta Shqiptare
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  6. #46
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    EKZEKUTIMI TE KARTODROMI/ PROVA E RE

    Vrasësi i Mirit me makinë ministri
    Shoferi i zyrtarit e priti në aeroportin e Rinasit


    --------------------------------------------------------------------------------

    Ferdinand Dervishi

    Grupi i hetuesve të cilët kishin shkuar në Rinas në kuadër të hetimit për vrasjen e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes), nuk kishte dalë krejt duarbosh pas shfletimit të regjistrave e kontrollit të kompjuterave të aeroportit. Hetimi e kishte ndërmarrë këtë hap rreth 2 javë pas ngjarjes, duke u nisur nga fakti se për atentatin e 29 marsit në kartodromin e Lundrës kishte një sinjal operativ, sipas të cilit, një nga ekzekutorët pak javë para vrasjeve mund të kishte kaluar nëpërmjet aeroportit të Rinasit për t'u futur në Shqipëri. Kërkimet u bënë intensive dhe të hollësishme, pasi hetuesit ishin të qartë që personi për të cilin po kërkonin, një ish-kundërshtar i vjetër i Fatmir Ramës, mund të ishte regjistruar në hyrje me një tjetër identitet. Pas përfundimit të kontrollit në Rinas, grupi hetimor nuk foli për identifikim të hyrjes së këtij personi (e vërteta mbase u mbajt shumë sekret), por në formën e një detaji jo të administrueshëm si provë të pakundërshtueshme kishte vendosur në tavolinën e krerëve të prokurorisë së Tiranës një tjetër detaj. Bëhet fjalë për një informatë operative, sipas të cilës, personi i dyshuar si vrasës i Mirit të Xhikes, më saktë, organizatorri i atentatit, ishte pritur në Rinas nga shoferi i një ministri të kabinetit aktual.

    Lidhja e shoferit me "vrasësin"
    Burimi operativ që kishte kontaktuar me grupin hetimor, u kishte folur atyre për një udhëtar të dyshimtë të mbërritur me një nga linjat ajrore tranzite nëpërmjet Italisë. Atij i kishte bërë përshtypje personi i cili kishte pritur udhëtarin, pasi e njihte. Ishte shoferi i një ministri të kabinetit aktual qeveritar. Ndërkohë dëshmitari kishte parë edhe takimin me pasagjerin (një person rreth 38 vjeç), si dhe largimin nga Rinasi me makinën me perde me targa "Z". Hetime të mëpasme kishin vërtetuar se të dy këta persona kishin një lidhje të hershme me njëri-tjetrin, në të njëjtat role, shofer-pasagjer. Bëhej fjalë për një shoqëri të hershme të tyre në vitet 1993-1997, kur kundërshtarët e Mirit të Xhikes, në përbërje të të cilëve edhe Naim Zyberi (vrasësi i djalit të tezes së Fatmir Ramës), ishte grupimi kriminal më i organizuar dhe më i fuqishëm në Tiranë.

    Akuza publike për ministrin
    Hetimi për këtë linjë nuk kishte shënuar zhvillime të mëtejshme, pasi dëshmi të tjera nuk ishin siguruar. Porse një fakt i tillë i shoqërimit të "vrasësit" të supozuar të Mirit të Xhikes me shoferin e një ministri nuk ishte mbajtur tërësisht sekret. Pasi një eksponent i njohur i opozitës aktuale e kishte sulmuar në një moment me një batutë shpotitëse specifike ministrin (ishte një shprehje e veçantë që i sulmuari të bënte lidhjen me ngjarjen), duke e akuzuar si të implikuar me krimin. Ndërkohë hetimi nuk kishte nxjerrë një lidhje shumë të afërt të ministrit me shoferin e vet, duke vendosur përfundimisht se lëvizjet e shoferit atë ditë në Rinas nuk ishin në dijeni të ministrit.


    Tre vëllezërit kosovarë të arrestuar nga UNMIK për trafik droge

    Dy nga tre vëllezërit nga Ferizaj i Kosovës, të hetuar për një lidhje me atentatin te kartodromi, thuhet se janë arrestuar nga forcat e UNMIK-ut të akuzuar për trafik droge. Por konfirmohet gjithashtu se kjo nuk ka lidhje me hetimin në Shqipëri. Burime të hetimit pohuan se janë fokusuar në ditët e fundit në një konflikt të mundshëm mes Fatmir Ramës dhe tre vëllezërve nga Ferizaj i Kosovës. Sipas tyre, tre vëllezërit i kihsin dhënë Ramës rreth 20 kg drogë për të cilën kishin pritur më kot të merrnin shumën e të hollave të llogaritura në rreth gjusmë milioni USD. Më 28 shkurt 2003 tre vëllezërit kishin mbërritur te kartodromi, por aty nuk ishin pritur nga i zoti, Fatmir Rama. Ata ishin larguar të nxirë në fytyrë pas një bisede telefonike.


    Hakmarrja e vjetër, herët për të folur për emra konkretë

    Burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, edhe pse janë duke u marrë intensivisht me pistën e më të re të hetimit për vrasjet te kartodromi, që është ajo e një konflikti me tre vëllezër nga Kosova, pohojnë se i mbeten më besnik pistës së hakmarjes së vjetër. Ata mohojnë të jenë duke ndërmarrë një lëvizje konkrete ndaj autorëve të dyshuar të atentatit, por nuk i përjashtojnë hetimet që shkojnë në këtë drejtim më me shumë siguri se me pistat e tjera. Burime të prokurorisë pohuan gjithashtu se kanë dijeni për një dëshmi operative, sipas të cilës, pak javë para atentatit në Lundër shoferi i një ministri kishte pritur në Rinas njërin nga atentatorët e akuzuar. Por akuza pohon se aktualisht është e pamundur për veprime konkrete hetimore, pasi nuk ka asnjë provë.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  7. #47
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,174
    Postimet në Bllog
    22
    Është arritur të gjenden emrat e urdhëruesve, që janë tepër të njohur, organizatorëve në kryeqytet të planit të vrasjes dhe ekzekutorët që tërhoqën këmbëzat e kallashnikovëve

    Fatmir Rama u eleminua me pagesë për hesape hakmarrjeje midis grupeve kriminale

    Vrasja u urdhërua nga Amerika
    Zbulohen ideatorët, organizatorët dhe ekzekutuesit

    Tiranë

    Vrasja e Fatmir Ramës është urdhëruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po nga ky vend është premtuar edhe pagesa për të eleminuar pronarin e “Kartodrom 2000”, të njohur edhe me pseudonimin Miri i Xhikes.

    Hetuesit kanë arritur të zbardhin gjithë ngjarjen e 29 marsit 2003, ndërsa u ka mbetur pa arrestuar autori i dytë i ekzekutimit. Burime nga ky grup hetimor bënë të ditur se pas dhjetë muajve hetimesh tepër intensive, është arritur të zbulohet rrjedha e vrasjes trill, që tronditi kryeqytetin. Pista dhe motivi është hakmarrja ndërmjet grupeve rivale me histori tepër të vjetra në Tiranë. Është arritur të gjenden emrat e urdhëruesve, që janë tepër të njohur, organizatorëve në kryeqytet të planit të vrasjes dhe ekzekutorët që tërhoqën këmbëzat e kallashnikovëve.

    Telefonatat nga Amerika

    Nga verifikimet e telefonatave dhe të dhënave që u grumbulluan menjëherë pas vrasjes së 35-vjeçarit Fatmir Rama në hollin e lokalit të tij në Lundër, është zbuluar zinxhiri i organizimit të vrasjes. Një telefonatë nga Amerika ka kërkuar kokën e Ramës, rivalit më të vjetër për një hesap ende të palarë. Bëhet fjalë për një hakmarrje, historia e së cilës ende nuk është harruar nga njerëzit dhe që zë fill në vitin 1997 po në Tiranë. Nuk jepen emrat e personave organizatorë për shkaqe hetimore e sigurie të procesit, por bëhet e ditur se provat janë të mjaftueshme. Pas kësaj telefonate është premtuar edhe shuma marramendëse në dollarë, për të realizuar ekzekutimin. Në mungesë dhe për të mos rënë në sy, urdhëruesit kanë mjaftuar me alibinë e largësisë e pamundësisë për ta kryer këtë vrasje të tipit mafioz. Porosia nga larg, do të merrej parasysh dhe vihej në jetë ditët e para të marsit 2003. Po persona mjaft të njohur kanë gjetur killerat, duke u ofruar për interes të kauzës edhe shumën që nuk bëhet e ditur, por që thuhet se është marramendëse. Dhe kjo shifër është zbuluar nga telefonatat e përgjuara.

    Gjetja e killerave

    Nuk ka qënë e vështirë për të gjetur dy vrasësit me pagesë, me të cilët do të mbuloheshin edhe gjurmët. Një nga këta ka qënë Lavdërim Tufa, banues në Lundër, tashmë i provuar shkencërisht sipas prokurorisë si bashkautor. Ndërkohë që është gjetur edhe autori tjetër. Ky, i njohur si kontigjent i fushës së krimit dhe banues në kryeqytet, jo në Lundër. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se pak muaj para ngjarjes Fatmir Rama, kishte rrahur pas një zënke për motive të dobëta, Lavdërim Tufën. Por motivi i hakmarrjes për këtë keqtrajtim është rrëzuar nga specialistët, kur kanë zbuluar linjën e telefonatave të bëra nga Amerika. Pasi u është ofruar shuma në fjalë dhe garantuar marrja përsipër e aktit, organizatorët sipas të dhënave operative, kanë ndihmuar me përgatitjen e terrenit dhe humbjen e gjurmëve. Fillimisht dikush ka telefonuar 35-vjeçarin, që u kthye nga rruga për në Shkodër, ku do ndiqte ndeshjen e kombëtares. Pas ekzekutorëve aktualisht mësohet se kërkohen edhe disa nga zbatuesit e urdhërit që erdhi prej larg. Burime nga grupi hetimor thanë se emrat e tyre janë të identifikuar, porse për të arritur aty,do të ndiqet linja e procesit. Vrasja është kryer nga një organizatë e fuqishme kriminale, duke sfiduar dhe njëkohësisht duke u hakmarrë për një hesap të vjetër, që ka të bëjë me vrasjen e Naim Zyberit në Milano të Italisë. Pikërisht, këtë linjë kanë ndjekur edhe agjentët, derisa finalizuan zbulimin e ngjarjes. Me dy provat e siguruara për autorët menjëherë pas ekzekutimit, si qimet e flokut, maskat, gjakun e armët, është bërë më e lehtë zbardhja dhe skema.


    Prokuroria
    Grupi që qëndron pas vrasësve

    Ndërsa me mjeshtëri arritën të gjenin një sërë provash, që i çuan tek personat që tërhoqën këmbëzën më 29 mars, hetuesit janë hedhur në linjën e dytë, atë të organizatorëve të vrasjes së Fatmir Ramës. Të paktën janë disa emra të njohur që qëndrojnë pas autorëve. Hetuesit kanë në materialet e tyre të skeduar këtë grup. Nga organi i prokurorisë ka dalë zyrtar fakti se pas autorëve fshihen edhe të tjerë të implikuar. Këta janë njerëzit që gjetën killerat dhe vunë në jetë planin.


    Si u gjet një nga vrasësit e Kartodromit

    Dëshmitarët, provat dhe rrethanat e ngjarjes, zbuluan një nga vrasësit e Fatmir Ramës dhe dy personave të tjerë tek “Kartodrom 2000”. Lavdërim Tufa, i dyshuar si një nga ekzekutorët direkt të tre personave, u gjet në bazë të dëshmive, provave shkencore dhe rrethanave të tjera. Sipas Prokurorisë së Tiranës, atë e zbuloi arratisja disa mujore, direkt pas ngjarjes së Kartodromit. Gjithashtu, një element të fortë në duart e prokurorisë, përbënte edhe mënyra e lëvizjes së vrasësve, pas atentatit. Disa ditë para se të arrestohej Lavdërim Tufa, prokuroria tha se kishte të dhëna, për lëvizjet e atentatorëve. Sipas këtyre materialeve, ishin të pakët ata persona, që mund të bënin një rrugë të tillë dhe të ndiqnin ato mënyra për t´u fshehur. Prokuroria tha se këto lëvizjes, kishin ngushtuar rrethin e të dyshuarve. Organi i akuzës, posedonte ADN-në e të dy vrasësve, por nuk kishte material krahasues. Më 26 nëntor arrestohet për vjedhjen e një makine në Berat Lavdërim Tufa. Prokuroria shpall se ai ishte edhe një nga të dyshuarit për masakrën e Kartodromit. Duke qenë se kishte në dorë, ADN, e njërit prej vrasësve, prokuroria kërkon të bëjë krahasimin e ADN-së së Tufës. Tre javë pas kësaj, vijnë në Tiranë rezultatet e analizave krahasuese të dy ADN-ve, prej të cilave rezulton se Tufa, ishte një prej vrasësve.



    Hakmarrja e vjetër

    Në prill të vitit 1997, do të vritej në shtëpinë e tij, Artur Grori. Për këtë vepër u akuzua Naim Zyberi me grupin. Sipas hetimeve ishte kërkuar Fatmir Rama, djali i tezes së Grorit. Vetëm muaj më vonë në Milano, do të ekzekutohej edhe Naim Zyberi, po për hakmarrje. U akuzua Arben Grori, vëllai i Arturit, i cili u dënua nga gjykata italiane. Pas arrestimit të Arbenit, kundërshtarët janë hakmarrë ndaj Fatmir Ramës vetëm dhjetë muaj më parë.



    Pasuria
    Proces civil për pronat në familjen Rama

    Pas vrasjes së Fatmir Ramës, Prokuroria nisi menjëherë hetimet. Pas nëntë muajsh, është bëre e mundur vetëm ndalimi i një autorve të krimit. Por edhe pse kjo dosje nuk ka mbërritur akoma në Gjykatë për gjykim, të tjera çështje janë ngritur po për shkak të vrasjes së tij. Tashmë konflikti zhvillohet brënda familjes Rama. Pronat që dikur ishin nën mbikqyrjen e Ramës, tashmë janë kthyer “mollë” sherri mes vëllezërve dhe Endit të vogël. E veja e Fatmir Ramës, pati ngitur një padi civile mbi njohjen e të birit të saj Endit si bashkëpronar me dy xhxhallarët e tij. Ndërkohë që dy vëllezërit e Fatmir Ramës, kërkojnë që pikësëpari ajo të paraqesë dokumente që vëllai i tyre i vogël që u vra para disa muajsh, të pranojë atësinë e tij ndaj Endit. Pas disa seancash avokatia e Endit vendos që të tërheqë kërkesë padinë për njohjen si bashkëpronar të klientit të saj, duke premtuar se do ta rinisë përsëri këtë proces gjyqësor.



    etapat

    29 mars 2003
    Ora 19.50. Vritet Fatmir Rama (Miri i Xhikes), plagosen Kristaq Cami (Taqi i Majes) dhe Flamur Rrapaj. Plagoset dhe vdes në spital Ylli Dyrishti. I vetmi që shpëton pa marrë plag është Ylli Kelmendi.

    5 prill 2003
    Vdes në spital si pasojë e plagëve të marra te Kartodromi, Kristaq Cami i njohur si (Taçi i Majes). Ai arriti të jetonte për 7 ditë, pas ngjarjes së 29 marsit. Ai vdiq, megjithë përpjekjen e mjekëve, për ta mbajtur në jetë.

    18 prill 2003
    Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, thërret në një takim grupin hetimor dhe drejtues të lartë të policisë, për të analizuar hetimet për ngjarjen. Ish-Ministri i Rendit Luan Rama deklaron se janë identifikuar vrasësit e Mirit të Xhikes.

    24 qershor 2003
    Arrestohet Ylli Kelmendi, një prej personave që ndodhej në tavolinë më viktimat e ngjarjes së 29 marsit dhe dëshmitar i masakrës. Kelmendi akuzohet për tentativë vrasje të Mynir Cerrës, pas një grindje banale në rrugë.

    26 nëntor 2003
    Ora 13.00, në një nga rrugët kryesore të Tiranës, policia ndalon Lavderim Tufën, 25 vjeç, banues në Lundër. Ai ishte shpallur person në kërkim, i akuzua për vjerdhje makine në Berat. Por ndaj tij ka prova që e akuzojnë si bashkëpunëtor në vrasjen e Famir Ramës.

    27 nëntor 2003
    Babai i tij deklaron se Lavdërim Tufa, nuk kishte lidhje me vrasjen e Mirit ët Xhikes, i arrestuari trasferohet për në Berat, ku do të gjykohet për vjedhje, të një makine, në vitin 2001.

    15 dhjetor 2003
    Prokuroria, bën publike rezultatet e ADN-së, së Lavdërim Tufës, sipas së cilave, ai është një nga pjesëmarrësit e vrasjes së trefishtë të 29 marsit 2003.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  8. #48
    ......................... Maska e Pogradecari
    Anëtarësuar
    15-10-2002
    Vendndodhja
    a
    Postime
    540

    ,

    shume eshte shkruar per kete mirin e xhikes dhe besomeni nuk ia vlen sepse ne fund te fundit
    ka qene ai qe ju ka ngritur gracken shume personave per shuma qesharake(disa kane mbetur akoma te shokuar nga pengmarja)
    ka qene ai qe shiste kedo per dy leka te qelbura
    ka qene ai qe po te merte para ne dore nuk kujtohej ti kthente
    e mbi koken e tij jane vene para qe ne 1995
    so me pak fjale cte kerkosh do gjesh
    po i hype trenit nga tirana ne elbasan me vonese po ne elbasan do perfundosh qe do perfundosh
    Ndryshuar për herë të fundit nga Pogradecari : 24-12-2003 më 10:15

  9. #49
    automotive Maska e ClaY_MorE
    Anëtarësuar
    16-05-2004
    Vendndodhja
    Deutschland
    Postime
    4,456
    Prokuroria: Burgim te perjetshem per Lavderim Tufen

    Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi sot Gjykatës dënimin me burgim të përjetshëm, për të pandehuin Lavdërim Tufa.

    Sipas prokurorisë, Lavdërim Tufa akuzohet për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e dy të tjerëve më 29 mars të vitit 2003 tek "Katodrom 2000", në periferi të kryeqytetit.


    Marre tek: A1TV
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 23-09-2006 më 02:00
    Jeta ime, mban emrin e saj..

  10. #50
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,174
    Postimet në Bllog
    22
    Prokuroria jep pretencën për vrasjen te "Kartodromi"

    "Tufa vrau Mirin e Xhikes, s'dimë motivin"

    Pas dy vjet ndërprerjeje dhe dështimesh të njëpasnjëshme të seancave, prokurorët e Krimeve të Rënda mundën dje të paraqesin në gjykatë konkluzionet përfundimtare të gjykimit për Lavdërim Tufën.

    Në konkluzionet përfundimtare, dy prokurorët kërkuan që i akuzuari i vetëm i këtij procesi, Lavdërim Tufa, të shpallet fajtor dhe të dënohet me "burgim të përjetshëm" për akuzat e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", si dhe shtatë vjet burg për "armëmbajtje pa leje". Në bashkim të dënimeve, prokurorët kërkuan përfundimisht dënimin me "burgim të përjetshëm" për të pandehurin, duke përmendur edhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore që përmban vepra penale për të cilën ai akuzohet. Por ndonëse kanë pohuar se në bazë të provave është Tufa një nga dy atentatorët e ngjarjes së ndodhur tre vjet më parë, përfaqësuesit e akuzës nuk kanë përcaktuar se cili ishte motivi që e kishte shtyrë të pandehurin për të kryer krimin. Kjo ishte edhe një nga pjesët e debatit midis prokurorëve dhe avokatit që mbronte të pandehurin në gjykim, i cili e cilësoi si një rast të paprecedent faktin që Prokuroria nuk jep motivin se përse është kryer vrasja. Pas dëgjimit të konkluzioneve të mbrojtjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari, Sandër Simonaj, vendosi ta shtynte seancën për në datën 4 tetor, kur do të dëgjohen edhe konkluzionet e mbrojtjes.

    NGJARJA SIPAS AKUZËS
    Ngjarja për të cilën akuzohet Lavdërim Tufa ka ndodhur më 29 mars të vitit 2003, në lokalin "Kartodrom 2000", pronë e Fatmir Ramës ose Miri i Xhikes, gjatë kohës kur në televizion transmetohej ndeshja e futbollit Shqipëri-Rusi. Sipas akuzës, dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët mbanin në kokë nga një kapuç janë afruar afër derës së lokalit, kanë thyer vetratat dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi tavolinën ku qëndronte Fatmir Rama, së bashku me disa shokë të tij. Si rezultat i goditjes mbetën të vrarë Fatmir Rama, Kristaq Cami dhe Julian Drishti, si dhe u plagosën shtetasit Flamur Rrapaj dhe Ylli Kelmendi. Ndërkohë Kelmendi ka qenë i vetmi që ka reaguar ndaj dy atentatorëve, duke qëlluar në drejtim të tyre dhe ka plagosur njërin. Sipas akuzës, vrasësit janë larguar menjëherë duke shfrytëzuar errësirën dhe duke njohur mirë terrenin. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur kapuçët, në njërin prej të cilëve janë gjetur katër fije floku, si dhe gjurmë pështyme që u përdor për kryerjen e analizës së ADN-së. Ajo përkoi në përqindje më të lartë e përputhshme me të pandehurin, Lavdërim Tufa. Në konkluzionet përfundimtare, pro-kurorët u shprehën se është e vërtetë që nuk është përcaktuar një motiv për ngjarjen, por ky sipas tyre nuk është një element i domosdoshëm për të vërtetuar kryerjen e veprës penale. Gjithashtu, ata pohuan se i pandehuri banonte pranë vendit ku ishte ndërtuar kompleksi "Kartodrom 2000" dhe kjo e ka ndihmuar për t'u larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Nga akuza u përmend si një element i rëndësishëm edhe pohimi i bërë nga kunati i të pandehurit, i cili gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur ngjarja, bashkëshortes së Tufës i kishte vdekur gjyshja, por ky i fundit nuk kishte shkuar në varrim për arsye pune. Ndërsa në lidhje me thëniet e dëshmitarit okular, Ylli Kelmendi, i cili deklaroi se Tufa nuk mund të kishte qenë kurrsesi një nga autorët, prokurorët pretenduan se kjo dëshmi është subjektive dhe nuk mund të merrej për bazë nga gjykata. Ata përmenden si provë të fortë dhe të pakundërshtueshme analizën e ADN-së, për të cilën pretenduan se Tufa ishte i vetmi person që kishte një përputhshmëri më të lartë gjenetike nga të dyshuarit e tjerë për këtë ngjarje.


    Shpenzimet gjyqësore

    Krahas dënimit me "burgim të përjetshëm", Lavdërim Tufa duhet të paguajë edhe shpenzimet që gjykata ka bërë për gjykimin e tij. Kjo ishte një nga kërkesat e Prokurorisë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku kërkoi që 27-vjeçari të shpallej fajtor dhe të dënohet me "burgim të përjetshëm" për dy akuzat "vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje". Ndërkohë që sipas burimeve, në procesin ndaj të pandehurit Gjykata e Krimeve të Rënda ka kryer më shumë shpenzime për shkak të paraqitjes së ekspertëve të huaj, të cilët kanë interpretuar analizën e ADN-së.

    Panorama

Faqja 5 prej 6 FillimFillim ... 3456 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Përgjigje: 195
    Postimi i Fundit: 08-10-2013, 14:03
  3. Dosja e krimit politik në Kosovë
    Nga kosovar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 15:05
  4. Policia zbardh vrasjen mafioze te biznesmenit Florian Vila
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 08-12-2008, 06:41
  5. Moisiu: Nuk nënshkruaj shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku
    Nga Antimafia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 192
    Postimi i Fundit: 30-09-2007, 18:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •