Legalizimet, Basha: Tapitë në shtëpi, më 30 shtator

Deri në 30 shtator do të përfundojë procesi i legalizimeve në Tiranë. Këtë garanci dha dje kryebashkiaku Lulzim Basha. I pranishëm në përfundim të punimeve në bllokun 53, në Njësinë Nr.9, Basha theksoi se veprat janë ato që mbeten për qytetarët. “Dua të garantoj banorët e kësaj zone, që, ashtu siç flasim sot me vepra dhe me fjalë dhe nxjerrim harresën e përbuzjen për infrastrukturën që ata gëzojnë sot, po kështu ne do të flasim me vepra e jo me fjalë dhe brenda datës 30 shtator në këtë lagje të Tiranës dhe kudo në Tiranë do të mbyllim procesin e legalizimit, duke sjellë tapitë në shtëpitë e qytetarëve”, tha kryebashkiaku. Ai nënvizoi se nuk ka vend për komente të tepërta. “Qytetarët kanë kohë që nuk e hanë më sapunin për djathë, veprat flasin, fjalët i merr era, edhe kur i shkruajnë në copa letrash”, – deklaroi Basha. Ai u zotua ta përmbyllë këtë proces, njësoj siç bëri me atë të hipotekimit të pallateve. Pas shumë vitesh pritjeje janë me qindra familjet, të cilat kanë tashmë në duar certifikatat e pronësisë. Kanë pronat e tyre me të drejta të plota, të cilat u ishin mohuar për një kohë të gjatë. Deri në fund të vitit pritet të mbyllet procesi për 260 objekte. Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar penalizime për ndërtuesit, të cilët nuk plotësojnë dokumentacionin. Nga ana tjetër u ka shkurtuar listën e gjatë të dokumenteve që duhet të paraqesin. Procesi i legalizimeve në Tiranë është bërë objekt debatesh e akuzash mes maxhorancës dhe opozitës, sidomos javët e fundit. Vetëm pak ditë më parë kryebashkiaku tha ajo çka nuk u bë për 11 vjet, do të mbyllet brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë, kreu i opozitës ka akuzuar qeverinë për zvarritje të procesit, duke premtuar se do t’i bëjë falas, ku shpenzimet do t’i mbulojë shteti. Kryebashkiaku Basha në deklaratat e tij i ka cilësuar këtë premtime thjesht si karta elektorale. “Thotë që do t’i bëjë për një vit. Po si mund t’i besojmë kësaj deklarate, kur për 11 vjet nuk bëri asgjë për të hipotekuar mijëra apartamente në kryeqytet? A mund të bënte diçka? Sigurisht që po, sepse vetëm në më pak se dy vjet janë hipotekuar 7521 apartamente me përfitues 31 mijë qytetarë”, është shprehur Basha.

Blloku 53
Në bllokun 53 janë ndërtuar të gjitha rrugët përbërëse të tij, si rruga “Shahin Matraku”, “Petrit Caslli”, “Reshat Konç”, “Ndrec Ndue Gjoka” dhe rruga “Visha”. Me një investim prej 18 milionë lekësh është ndërtuar ujësjellësi, kanalizimet e ujërave të bardha, është përmirësuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza, duke bërë të gjithë lidhjet e banesave. Janë vendosur shtylla elektrike për ndriçimin rrugor, janë zhvendosur 25 shtylla, të cilat ndodheshin në mes të rrugëve. Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar këtë investim, i cili shtrihet në një bllok të ri banimi, si vepër e përkushtimit ndaj qytetarëve. “Përkushtimi ndaj qytetarëve nuk tregohet me fjalë, por tregohet me vepra. Jam shumë i kënaqur që sot ndodhemi në inaugurimin e përfundimit të punimeve për një bllok prej 4.5 ha, që u shërben 4 mijë banorëve të një zone të ndërtuar vitet e fundit, të lënë tërësisht në harresë dhe pa asnjë investim për më shumë se 15 vjet. Kjo është natyrisht një provë e qartë e përkushtimit tonë, për të shtrirë investimet në çdo cep të qytetit të Tiranës”,- u shpreh Basha.

Panorama