Ramazani, Basha shtron iftar: Ndërtimi i xhamisë drejtësi e vënë në vend
TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shtruar sot Iftar me rastin e muajit të Madhërueshëm të Ramazanit. Të ftuar të zotit Basha ishin përfaqësues të komuniteteve fetare në vendin tonë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik e personalitete nga fusha të ndryshme.
Duke iu uruar agjërim të lehtë e të pranuar, zoti Basha ka theksuar se ky muaj i madhërueshëm le të shërbejë për rritjen dhe forcimin e solidaritetit e të dashurisë ndërmjet njerëzve!
“Uroj që sakrifica fisnike dhe hyjnore e këtij muaji, të shndërrohet në dritë dhe mbarësi për gjithë agjëruesit, familjet tuaj në vendin tonë! Ramazani është muaji që kultivon paqen, mirëkuptimin, respektin, por po kështu pendesën dhe mëshirën. Ndaj uroj që ky muaj i shenjtë i Ramazanit, të shërbejë edhe kësaj radhe për të rritur dhe forcuar më tej vlerat më të mira njerëzore në shpirtin e gjithsecilit, solidaritetin dhe dashurinë mes shqiptarëve!"-tha Basha
Ky muaj i madhërueshëm sipas zotit Basha e gjen Tiranën më afër bërjes realitet të projektit më të madh të komunitetit dhe besimtarëve myslimanë, ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës.
“Ky është një lajm i shumë pritur për besimtarët e qytetit tonë, për besimtarët mysliman, besimtarët e zotit në tërësi dhe është një drejtësi e vënë në vend. Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës ndihem po kështu mirë, sepse vendimmarrja për ndërtimin e Xhamisë se Madhe të Tiranës kaloi nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, u dëgjuan jo vetëm zëri i komunitetit mysliman, ndër më kryesoret në këtë vendimmarrje, por edhe zëra të tjera të qytetit dhe të shoqërisë. Në këtë muaj të shenjtë uroj që edhe ata që deri dje ishin përgjegjës për mungesën e xhamisë për shumë vite dhe që sot lëshojnë gjithfarë akuzash të reflektojnë dhe të gjejnë kurajon dhe pendesën për të kërkuar ndjesë ose të paktën të lënë komunitetin mysliman dhe mbarë besimtarët e kryeqytetit t’i gëzohen punës, të fryteve të kësaj pune, xhamisë së re, e cila pas 23 vitesh liri po fillon të jetë një realitet i prekshëm për ta”-theksoi Basha.
Ndërtimi i Xhamisë së Madhe sipas kryebashkiakut Basha plotëson mozaikun e tempujve të adhurimit të Zotit të ndërtuara gjatë viteve të demokracisë në kryeqendrën e shqiptarëve.
Krijoni Kontakt