Ne fotot poshte restoranti Anthony’s Pier 4 140N Ave,Antoni Athanas,Antoni Athanas me ish presidentin amerikan Xhon Kenedi.
BOSTON, 7 korrik 2013 – Një restorant ikonë e pronarit shqiptar Antoni Athanas (1911-2005) në Boston së shpejti do të mbyllë dyert e tij, njofton televizioni i Bostonit WCVB, filial i ABC-së.
Kanali i referohet gazetës Boston Globe, që shkruan se restoranti Anthony’s Pier 4, i cili ndodhet në Avenjunë Veriore 140 (140N Ave), do të mbyllet në muajin gusht.
Restoranti u hap në vitin 1963.
Bijtë e themeluesit, të ndjerit Antoni (Anthony) Athanas, i thanë Glob-it se biznesi thjesht nuk është më ai i mëparshmi.
Lajmi ka të bëjë me faktin se është planifikuar që aty pranë të ngrihet një pallat 21-katesh dhe një kullë tregtare.
Restoranti që gatuan prodhime deti është frekuentuar për dhjetëra vjet kryesisht nga njerëz të famshëm, politikanë vendorë e qendrorë si dhe familje të zakonshme.
Anthony Athanas emigroi në SHBA nga Shqipëria.
Në vitin 1937, ai bleu Hawthorne nw qytetin e Linit (Lynn) për 1800 dollarë, që u bë restoranti më i suksesshëm në shtetin e Masaçusetsit (Massachusetts).
Pastaj bleu restorante në qytetet e Suampskotit (Swampscott) dhe Salemit para se të blinte pronën që do të bëhej Anthony’s Pier 4.
Nga viti 1981 Anthony’s Pier 4 u rendit si një nga pesë restorantet më të suksesshme në SHBA, me fitime që arrijnë në 12 milionë në vit.
Anthony Athanas vdiq në vitin 2005 në moshën 93-vjeçare.
Vëllezërit Athanas, të cilët ende kanë në pronësi restorantin Hawthorne by-the-sea Tavern në Suampskot dhe Anthony’s Cummaquid Inn në portin e Jarmuthit, i thanë Glob-it se ekziston mundësia që ata të hapin një version më të vogël të restorantit Anthony’s Pier 4 në njërën nga ndërtesat e reja në afërsi të qytetit të Bostonit.
Info / Anthony Athanas (28 korrik 1911 –20 maj 2005)
I lindur në Korçë, Athanasi emigroi me familjen e tij në Nju (New) Bedford në vitin 1915. Në fillim ai shiste fruta dhe zarzavate, shiste gazeta dhe ndizte zjarrin e furrave në kuzhinat e restoranteve. Në vitin 1937 hapi restorantin e tij të parë dhe vazhdoi pastaj me restorante të tjerë, më i famshmi i të cilëve u bë Anthony’s Pier Four.
Anthony Athanas do të mbahet mend sidomos për ndihmën bujare që i dha komunitetit shqiptar të Amerikës dhe kontributin për bashkatdhetarët e tij në Shqipëri dhe në Kosovë.
Kryetari i organizatës panshqiptare “Vatra” Agim Karagjozi thotë se Antoni Athanasi kishte ndjenja shumë të thella shqiptare. Ai i kishte marrë ndjenjat në radhë të parë nga familja e tij. Ai ka ardhur në Amerikë në moshën tre-vjeçare. Kishte një familje shumë atdhetare – i ati i tij ishte atdhetar. Pastaj, pasi u rrit, u njoh me Nolin dhe me Konicën dhe i admironte të dy ata, por sidomos Nolin.
Antoni Athanasi ishte një dishepull i Nolit dhe u frymëzua shumë thellë nga veprimtaria, puna, kultura dhe idealizmi i Nolit. Athanasi i përkiste një familjeje që u përzu nga grekët në vitin 1913 kur u bënë masakrat, pra ishte një familje e vuajtur dhe kjo e shtynte të përpiqej për t’i shpëtuar shqiptarët nga rreziqet e fqinjëve.
Ai kishte një krenari dhe ndjenja të thella shqiptare prandaj e gjente kohën, sado i zënë që ishte. Kishte edhe kapacitetin financiar dhe moral që t’i kushtohej Vatrës, e ndjente këtë si detyrë. Antoni Athanasi ishte trashëgimtari i Nolit në Vatër, ishte ai që i siguroi jetën Vatrës për shumë dekada.
Ai ishte edhe një amerikan i shquar, gëzonte një reputacion shumë të madh në Amerikë, ishte ndoshta njeriu më i suksesshëm në biznesin e restoranteve. Ishte një filantrop i pakursyer që ndihmonte në shumë anë. Kështu, ai në Boston është një nga figurat më të nderuara dhe njihet në të gjithë Amerikën si një figurë e shquar.
Restoranti i tij Pier 4 është një nga restorantet më të mirë ku vijnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës. Antoni Athanasi është bërë një legjendë në Amerikë. Ka qenë shumë i aftë dhe shumë dinamik, njeri që nuk harxhonte kohën kot me fjalime të gjata. Edhe në mbledhjet që bënim ne kur bisedoheshin çështjet e ndryshme – ju e dini si e kanë zakon shqiptarët që i zgjasin bisedat – ai i binte shkurt dhe hynte drejt në temë. Ishte tamam njeriu me vetitë e individit të suksesshëm, kishte veti natyrore dhe ishte njeri i rrallë.
Ishte njeri me kapacitet, me talent, punëtor, i zgjuar, i gjallë, i zoti dhe nuk e harxhonte kohën kot. Si rrjedhojë e kësaj, erdhi koha kur ai arriti të ketë në Boston katër restorante. Ai ndërtoi restorantin Pier-4 në Boston, i cili është gati si një monument në Amerikë, një vend pelegrinazhi ku shkojnë njerëz nga të gjitha anët e Amerikës për të ngrënë një drekë a një darkë.
Njerëzit shkonin atje edhe thjesht për dëshirën që kishin për të takuar Antoni Athanasin, sepse ai rrinte në restorant ditë e natë, nga ora 6 e mëngjesit e deri në mbrëmje kur mbyllej. Ai rrinte atje për të pritur e përcjellë vetë mysafirët. Njerëzit kishin një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie që të takonin Antoni Athanasin. Nuk ka personalitet amerikan që të mos ketë qenë në restorantin e tij, qoftë personalitete politike apo të artit, njerëz të Hollivudit e të tjerë. Në restorant do të gjesh të gjitha fotografitë e këtyre njerëzve të shquar.
Kanë thënë:
Kryebashkiaku i Bostonit, Kevin White: “Qyteti ynë ka humbur një xhentelmen dhe një bostonian të madh. Traditë në vetvete, pasi ky restorant u kthye në një mikpritës të mijëra takimeve politike dhe ishte shumë bujar në mbështetjen për komunitetin”.
Senatori, aktualisht sekretari i Departamentit të Shtetit, John Kerry: “Anthony Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo emigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar”.
Senatori Edward Kennedy: “Unë e doja ashtu si dëshiroja shumë që të mblidhesha atje për të gjitha ngjarjet familjare dhe mbledhjet politike. Anthony e dinte se çfarë do të thoshte të punosh për të jetuar dhe mirësia dhe bujaria e tij do të na mungojë të gjithëve” (shih foton 3 me ish-Presidentin Xhon Kenedi).
Nderimet
Çmimi i "Pjatës së Argjendë" International Foodservice Manufacturers Association (1970); Çmimi "Ivy i Paraqitjes" Institucioni i Revistës VFM (1971); Çmimi i "Derës së Artë" Instituti Ndërkombëtar i Bostonit (1972); "Restaurateur of the Year"- Çmimi Shoqata Kombëtare e Restoranteve (1976); "Honorary Doctor" për Shkallët e Administrimit të Bisnesit Universiteti Southeastern Massachusetts (1977); "Horatio Alger Award" (1978); Çmimi i Marrëdhënieve Humane nga Rajoni verilindor i Kongresit Kombëtar të Krishterëve dhe Hebrenjve (1979); "Doktor Honorofik" për Letersinë Humane Universiteti i Northeastern Massachusetts (1981); "Fine Dining Hall" i Çmimit të Famës "Nation's Restaurant News" (1982); "Diploma e Nderit" Instituti Kombëtar për Industrinë e Shërbimit të Ushqimeve (1982); "Doktor Honorifik" i Artit Kulinar Kolegji i Johnson dhe ai i Wales Rhode Island (1983);
Vlerësime
"Honorary Doctorate" fakulteti juridik New England Massachusetts, "Honorary Doctorate" New Hampshire College, "Honorary Doctorate" Instituti Ndërkombëtar i Arteve Kulinare Massachusetts "Honorary Doctorate" Universiteti i Massachusetts, “Arritja e Jetës" Massachusetts nga Akademia amerikane e Restoranteve dhe Shkencës së Shërbimeve, "Njeriu i Vizionit" Instituti "Eye Research", "Arritja e Jetës" Nation's Restaurant News, "Arritja e Jetës" nga Shoqata e Mikpritjes Massachusetts (1999)
Ku dhe çfarë ka shërbyer
Administrator, nënpresident i "Constitution Museum Foundation Honorary" në SHBA, Krijues i Dhomës së Madhe të Tregtisë të Bostonit, administrator në bord në Boston në "University Hospital", anëtar themelues i Institutit te Kulinarisë në Boston, anëtar i Institutit Amerikan të Ushqimeve dhe Verës, në borde drejtorësh, krijues i Asosacionit Kombëtar të Restoranteve, president i Shoqatës Kombëtare të Restoranteve, anëtar i Asosacionit të Restoranteve të Massachusetts, Shërbimi i Ushqimeve në Universitetin e Harvardit dhe Kryetari i Departamentit të Massachusetts, Shoqëria amerikane e Kancerit (1978)
Ja ku ka ligjëruar si lektor
Universiteti i Cornell, Universiteti i New York të New Hampshire, Universiteti i New Hampshire të Massachusetts, Universiteti publik i shtetit të Oklahama-s Massachusetts, Universiteti i Harvardit në Oklahama nëDepartamentin e Shërbimeve të Ushqimit; workshope punësimi të përvitshme në Massachusetts.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Krijoni Kontakt