-
Kolegji Zgjedhor: Pranon te hetim për Kukësin, ekspertë LSI-PD për videon e votave
Kolegji hap hetim për Kukësin, ekspertë LSI-PD për videon e votave
Tiranë Kolegji Zgjedhor pranoi dje pjesërisht kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke administruar si provë pamjet filmike të numërimit të votave në qarkun e Kukësit. Ndryshe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që nuk i konsideroi provë pamjet filmike, Kolegji me relator gjyqtarin Valbon Çekrezi vendosi që videoja e numërimit të votave në 15 qendra votimi t’i nënshtrohet një ekspertimi teknik. Për këtë arsye, u kërkua nga LSI dhe Partia Demokratike (palë e interesuar në proces) të paraqesin emrat e ekspertëve, të cilët duhet të jenë nga fusha e teknologjisë së informacionit. LSI paraqiti emrin e Ardian Pollos, i njëjti ekspert që ishte pjesë e grupit të videos Meta-Prifti, gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë. Ndërsa Partia Demokratike propozoi emrin e Zamir Hoxhës. Dy ekspertët u pranuan nga gjykata dhe pas kryerjes së betimit, kanë në dispozicion tre ditë kohë për ekspertimin e pajmeve filmike të numërimit të votave në qarkun Kukës, ku LSI pretendon mospërputhje mes votave të pasqyruara në procesverbale dhe votave të numëruara nëpërmjet filmimeve të vënë në dispozicion nga KQZ. Ilirjan Muho, përfaqësues i LSI-së në Kolegjin Zgjedhor tha se ky subjekt politik kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së, i cili rrëzoi kërkesën për rinumërim dhe vlerësim të votave në 15 qendra votimi në qarkun Kukës, duke i mohuar kështu Lëvizjes Socialiste për Integrim një mandat deputeti. Muho e përqendroi diskutimin e tij në dy çështje thelbësore: mosplotësimi i kuorumit të nevojshëm nga KQZ dhe vendimi sipas tij, i pabazuar në ligj dhe prova. “KQZ vendosi të shqyrtojë kërkesën edhe pse ishte në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, pasi numri i anëtarëve pjesmarrës në mbledhje ishte katër”- tha Muho, duke sqaruar më pas të dhënat e marra nga pamjet filmike. “Nga pamjet filmike të vëna në dispozicion nga KQZ konstatuam se numri i votave të marra nga Lëvizja Socialiste për Integrim në qarkun Kukës ishte më i madh se votat e pasqyruara në procesverbal”. LSI pretendon për parregullsi në 15 qendra votimi, me një diferencë prej 155 votash, kur mandati i deputetit të tretë të PD-së ndahet me 15 vota nga mandati i LSI-së. Po ashtu, Muho tha se nga pamjet filmike rezultojnë se të paktën 187 fletë votimi nuk kanë shenja dalluese për subjektet politike, por ato i janë numëruar koalicionit të djathtë duke shtuar kështu fiktivisht numrin e votave. Kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesja e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor, Dëshira Pasku e cila tha se kërkesa e LSI-së sepse nuk kishte asnjë indicie të mjaftueshme për të thelluar hetimin administrativ. “Pamjet filmike nuk janë prova të mjaftueshme për thellimin e hetimit administrativ nga KQZ. Numëruesit nuk kanë shfaqur asnjë ankesë me shkrim”- tha Pasku, duke kërkuar nga Kolegji rrëzimin e kërkesës së LSI-së. Të njëjtin mendim shfaqi edhe Iivi Kaso i PD-së, palë e interesuar në këtë proces. Kaso tha se koalicioni i majtë kishte shumicën në KZAZ-në nr. 9. Më tej, Kaso argumentoi se pamjet filmike nuk janë të qarta, pasi ato nuk tregojnë numrin e qendrës së votimit dhe në këto kushte nuk mund të përcaktohet se cilës qendër i përkasin votat e numëruara. Kjo është edhe arsyeja që Kolegji i përbërë nga gjyqtarët Valbon Çekrezi, Gjinovefa Gaba, Ilir Toska, Andi Civici dhe Edlira Petri vendosi të thërrasë ekspertë të pavarur, të cilët do të përcaktojnë nëse në filmime shihet apo jo numri i qendrës së votimit. Më herët, LSI depozitoi në gjykatë një akt-ekspertimi privat të bërë nga eksperti Ermal Beqiraj, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që analizuan video-përgjimin e Metës.
MAPO
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt