Publikuar: 20.07.2013 - 13:27

Paris, 20 korrik - Protestuesit myslimanë kanë gjuajtur gurë dhe kanë ndezur objekte afër stacionit të policisë, në një lagje të kryeqytetit Paris, pasi policia e kishte gjobitur një femër për bartjen e ferexhesë myslimane në hapësira publike.

Disa qindra njerëz janë mbledhur mbrëmë vonë afër stacionit të policisë në Trappes, 30 kilometra larg Parisit, për të protestuar kundër arrestimit të njeriut, gruaja e të cilit e kishte marrë dënimin.

Protesta u shndërrua në dhunë, pasi demonstruesit në mënyrë vandale e shkatërruan një garazh të autobusëve dhe i ndezën kontejnerët e mbeturinave.

Së paku dy policë dhe një i ri u plagosën gjatë përleshjeve të demonstruesve dhe policisë.

Gjashtë vetë janë arrestuar.

Të enjten policia e ka gjobitur një grua myslimane për bartjen e ferexhesë, në hapësira publike, që është ndaluar me një ligj të vitit 2011.

Bashkëshorti i saj e ka sulmuar policin që e gjobiti gruan e tij dhe është arrestuar për sulm ndaj pjesëtarit të forcave të rendit.