Qeveria e Kosovës është duke planifikuar bashkë me Prokurorinë e Shtetit dhe policinë që të koordinojnë veprimet dhe të ndalojnë kosovarët që po ia mësyjnë Evropës për të kërkuar azil.
Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë se për këtë çështje janë duke punuar për së afërmi edhe me vendet në Bashkimin Evropian me qëllim që të bëhet kthimi i azilantëve që tashmë kanë mbërritur në vendet e Evropës, shkruan “Zëri”.
Ajo ka konfirmuar se Qeveria është në dijeni se katër mijë kosovarë janë duke u mbajtur në Hungari të cilët që nga janari kanë bërë përpjekje që të ikin nga Kosova. Dhe duke e parë se ky trend është në rritje, Çitaku tregon se janë intensifikuar punët e institucioneve të Kosovës me qëllim të ndaljes së tyre.
“Në ditët vijuese do të kemi takim me ministrin e Punëve të Brendshme, me kryeprokurorin e shtetit dhe me drejtorin e Policisë së Kosovës në mënyrë që t’i koordinojmë veprimet me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni”, ka konfirmuar Çitaku.
Këtë shqetësim Çitaku e ka diskutuar edhe me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë njëherazi përfaqësuesin Special të BE-së, Samuel Zbogar.
“Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është e shqetësuar në lidhje me rritjen e numrit të emigrantëve ilegalë nga Kosova drejt vendeve anëtare të BE-së”, ka njoftuar të hënën Zyra e BE-së në Prishtinë.
Nga zyra e Zbogarit është konfirmuar për “Zëri” se ai ka pasur takime me ministren Çitaku në lidhje me rëndësinë e përmbushjes së planit të veprimit për liberalizimin e vizave dhe për ndaljen e trendit të azilkërkuesve nga Kosova. /Telegrafi/
Komenti im: Ne vend se te punohet fort qe te rinjeve ne Kosove te iu sigurohet pune dhe kushte per jetese, qeveria pregaditet te involvoj policine per ti ndalur azilkerkuesit! Cfare absurdi!
Krijoni Kontakt