-
Matoshi: Kosovarët që kanë marrë shtetësinë shqiptare nuk duhet të votojnë ne R.SH
Matoshi: Kosovarët që kanë marrë shtetësinë shqiptare nuk duhen lejuar të votojnë në Shqipëri
Në një artikull të publikuar në Kohën Ditore, opinionisti kosovar Halil Matoshi i rikthehet temës së “kosovarëve të dashuruar pas Berishës”, aq e diskutuar kohët e fundit në Tiranë e në Prishtinë. Sipas tij, nuk është e vërtetë, madje është një fantashkencë e të majtëve në Shqiëpri, që Berisha po përdor mercenarë të Kosvës për qëllime elektorale (janë 5 mijë kosovarë që kanë shtetësinë shqiptare, saktëson Matoshi).
Shkrimin e plotë mund ta ndiqni në linkun http://www.kohaditore.com/?page=1,9,151484. Dhe në të, Matoshi ka nënvizuar një qëndrim të vetin: “Nuk kam pasur asnjëherë pas rënies së komunizmit preferenca se kush duhet t’i fitojë zgjedhjet nacionale në Shqipëri, duke iu përmbajtur parimit se kjo është një çështje e brendshme e trupit politik të Republikës së Shqipërisë dhe nuk i përket fare Kosovës, si entitet politik i veçantë, me një trup vetjak politik, prandaj çdo interferim nga Kosova e vrojtoj si të dëmshëm dhe të pakompetencë.’
Sipas autorit, “Ligji për dyshtetësinë ua mundëson këtë shqiptarëve jashtë Republikës së Shqipërisë, mirëpo ky ligj duhet të rishikohet, të amendamentohet dhe të “riparohet”, ta zëmë konform me ligjin britanik, ku qytetari mund të ketë disa shtetësi, por të drejtën e votës e siguron vetëm në vendin ku i paguan taksat dhe thjesht të pabazë”. (Në foton që shoqëron këtë shënim është deputeti kosovar Arben Gashi, duke votuar në Tiranë).
RESPUBLICA
Ndryshuar për herë të fundit nga Archon : 08-07-2013 më 10:44
-
-
Për: Matoshi: Kosovarët që kanë marrë shtetësinë shqiptare nuk duhen lejuar të votojn
Shqipëria pas Asphaltierkünsten Qeverisë
Pse kosovarët nuk është dashur ta përligjnin atë që u thotë e majta shqiptare, se janë mercenarë të Berishës?
Shqipëria ka aplikuar për të marrë statusin e kandidates së BE-së në prill të vitit 2009, por dy herë me radhë i është hedhur poshtë aplikimi, megjithëse i është dhënë “Schengeni i bardhë” – duke ia hequr regjimin e vizave në vendet e zonës Schengen të BE-së në vitin 2010.
Nëse trandet (në fjalimin e tij prej fituesi dha një ogur të mirë) dhe nuk sillet si paraardhësit e tij socialistë (Nano & Co), nëse nuk bën rrëmujë me pushtetin dhe nëse nuk e përdor atë kundër së djathtës, kundër medias e shoqërisë civile dhe kundër institucioneve të pavarura, ka gjasa t’i lërë vetes një emër të mirë e t’ia bëjë Shqipërisë së lodhur nga transicioni një shërbim të mirë!
Ramën pos atyre cilësive morale që i përmendëm, e mban në pushtet vetëm marrja e datës për nisjen e negociatave për aderimin e Shqipërisë në BE.
Nëse jo, Rama do të dalë nga loja pa e përmbushur mandatin dhe këtë herë me fishkëllima, jo vetëm nga spektri i djathtë, por këtë herë edhe nga votuesit rozë!?
Rama duhet ta mënjanojë oligarkinë nga pushteti shqiptar si formë qeverisjeje.
Po ashtu, ai duhet të investojë shumë mund e mend në institucione vërtet të pavarura shtetërore, në demokratizim dhe modernizim të shoqërisë e jo ta rikthejë sërish në skenë artin e asfaltimit (Asphaltierkünsten)!?
Asfalt kanë shtruar shumëfish më shumë se Berisha edhe Hitleri e Musolini, por nazifashizmi e pllakosi botën në mjerim, e theu progresin e humanizmit dhe kësisoj u dënua dhe u ndëshkua botërisht…
Dhe në fund duhet thënë disa fjalë rreth perceptimit në Tiranë se kosovarët janë pro Berishës në të gjitha versionet e tij?
Ata edhe nuk janë të tillë, është thjesht perceptim i të dyja blloqeve politike në Tiranë.
Kosovarët nuk duhet ta “shesin” veten si mercenarë të Berishës?!
Nuk kam pasur asnjëherë pas rënies së komunizmit preferenca se kush duhet t’i fitojë zgjedhjet nacionale në Shqipëri, duke iu përmbajtur parimit se kjo është një çështje e brendshme e trupit politik të Republikës së Shqipërisë dhe nuk i përket fare Kosovës, si entitet politik i veçantë, me një trup vetjak politik, prandaj çdo interferim nga Kosova e vrojtoj si të dëmshëm dhe të pakompetencë. Natyrisht se Ligji për dyshtetësinë ua mundëson këtë shqiptarëve jashtë Republikës së Shqipërisë, mirëpo ky ligj duhet të rishikohet, të amendamentohet dhe të “riparohet”, ta zëmë konform me ligjin britanik, ku qytetari mund të ketë disa shtetësi, por të drejtën e votës e siguron vetëm në vendin ku i paguan taksat dhe thjesht të pabazë.
Në anën tjetër një deputet i Kuvendit të Kosovës (Arben Gashi) e bëri publike votën e tij në Tiranë duke shkaktuar bujë në publik, duke qenë se i njëjti është betuar mbi Kushtetutën e Kosovës për lojalitet shtetit të tij dhe tashti, me votimin e tij në një shtet tjetër, ai realisht pavetëdijshëm i bie mohit betimit që ka bërë, sepse ia ka dhënë besimin (votën e lirë) një pushteti tjetër!?
Motivet pse ai e bëri publike votën e tij janë shumë personale, porse me këtë akt ka dëshmuar se nuk është një patriot konstitucional, por një patriot romantik.
Duke pasur parasysh kontekstin e luftës politike në Shqipëri, ndërhyrja e votuesve kosovarë në këtë trup politik përligj fantashkencën e majtë se Berisha po paguan mercenarë nga Kosova për ta sunduar Shqipërinë, ose se ai u ka dhënë dhjetëra-mijëra pasaporta kosovarëve vetëm që ta dominojë Shqipërinë.
Asnjëra natyrisht se nuk është e vërtetë, sepse me aq sa dihet, janë vetëm rreth pesë mijë kosovarë që kanë shtetësi shqiptare, e të cilët nuk mund ta përmbysin rezultatin zgjedhor në kurrfarë rrethanash.
Analisti nga Tirana, Andrea Stefani, ka deklaruar në një debat televiziv se një pjesë e madhe e kosovarëve kanë një simpati tribale për Sali Berishën.
“Vërehet logjika se unë të simpatizoj ty se je nga Tropoja, e unë jam nga Dukagjini. Nuk është e vërtetë se kosovarët e duan Berishën sepse thjesht është kryeministër, sepse këtë simpati nuk e kanë pasur për Fatos Nanon”.
Mirëpo Stefani është për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për ta krijuar një trup unik politik, një trup normal, pa e thënë përse partia që e ka në program këtë ide, ajo e Kreshnik Spahiut pësoi fiasko në zgjedhjet vendore!?
Kur flitet për votën e qytetarëve të Kosovës, përmendet fakti që kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, premtoi nënshtetësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, por më pas u tërhoq duke u arsyetuar se kjo nuk lejohej sipas standardeve evropiane.
Ideja e Berishës për dhënien e pasaportave të gjithë shqiptarëve edhe ashtu hodhi shumë benzinë në zjarr duke ashpërsuar konstelacionet e forcave në Shqipëri, prandaj edhe u prolongua nga vetë ai. Por kjo “ide e tij” do të përdorej në heshtje nga elektorati shqiptar si armë kundër vetë atij duke u shndërruar në njërin nga faktorët kyç në humbjen e zgjedhjeve.
Berisha i kishte hyrë një rruge të pakrye, sepse me këtë ide mund ta pengonte projektin e liberalizimit të vizave për kosovarët në një anë dhe mund ta cenonte vetë idenë e shtetit të pavarur të Kosovës, që ende vuan foshnjërinë e vet.
Nëse tërë Kosova merr dyshtetësi, kjo e prish balancën politike të krijuar në Shqipëri për këto 20 vjetet e fundit, madje që shkon edhe me thellë në historinë e shtetit shqiptar.
Në këtë mënyrë jo vetëm që prishet balanca ndërmjet dy forcave të mëdha politike, por prishen edhe balancat kulturore, gjuhësore dhe gjeopolitike në ravijëzimet jug-veri.
Ideja e bashkimit (ekzaltimet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare) është ide e të gjitha elitave kulturore e politike të shqiptarëve të Kosovës, porse ajo keqpërdoret si prononcim politik (për të shtënë në dorë pushtetin politik, pra fuqi) kurse strategjia e të dyja shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës për këtë ide, si dhe puna për jetësimin e saj është kurrfarë, boshësi dhe kapardisje nacionaliste. Kombet nuk bashkohen me parulla socrealiste e nacional-socialiste, por me ide të reja, kondolidim e fuqizim të shteteve e shoqërive përkatëse, mirëqenie ekonomike e beteja diplomatike, duke krijuar miq të rinj e simpati tek armiqtë e shqiptarëve, duke dëshmuar besim se shqiptarët prodhojnë siguri në rajon, por edhe më gjerë, siguri në NATO dhe forcë kohezioni në BE.
Së këndejmi, shqiptarëve u duhet punë vigane e sa më pak fjalë – sepse shqiptarët janë pengje të idesë së kombit të pambaruar, kufijtë e të cilit përputhen me kufijtë e një shteti unik.
Pra, ata për një shekull mbeten nacionalistë antishtet!.
Rama si kryeministër duhet ta shmangë retorikën nacionaliste për të mos i mbajtur peng energjitë e shqiptarëve për të krijuar mirëqenie e prosperitet. Ai duhet të krijojë një strategji të re edhe në raport me shqiptarët në shtetet tjera, në Kosovë, FYROM dhe Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi. Përfundimisht duhet ta mënjanojë sjelljen prej paternalisti dhe të bashkëpunojë me shtetet përkatëse për të prodhuar siguri e stabilitet.
Ai duhet t’i përmbahet idesë së tij shumë praktike dhe humane njëkohësisht, që në vend të retorikëve të zjarrta nacionaliste, në Preshevë të investojë p.sh. në një maternitet, që gratë e kësaj treve të lindin fëmijët e tyre në vendin e tyre.
Rama duhet të dijë se për Brukselin hiq s'ka rëndësi fakti se sa shtete ka me shumicë shqiptare (ose me pakicë të madhe shqiptare) në Evropën Juglindore - për Brukselin kanë rëndësi vlerat e përbashkëta, standardet e lirive dhe të drejtave, rritja ekonomike, dhe së fundi të qenët faktor stabiliteti.
Mbi të gjitha, vetë ideja e BE-së është zvogëlimi i dhunës dhe me këtë motivacion edhe e mori “Nobelin” për paqe vitin e kaluar!
Berisha ka pasur natyrisht plot gabime, mirëpo finalja e super-gabimit të tij ishte dita kur vendosi të hynte në garë për mandatin e tretë radhazi për ta qeverisur vendin.
Dalja e tij në zgjedhjet e fundit si lider i PD-së pa dyshim ishte gabimi më i rëndë, mund të thuhet jetësor i tij.
Kjo tingëllon neveritshëm, ngase ai sikur mësynte të hynte dhunshëm në histori, për jetëgjatësinë e mbajtjes së pushtetit për gjysmën e kohës sa qëndroi në fron ish-diktatori Enver Hoxha!?
Shqipëria pati boll autokratë e autokraci!?
Në Ballkan, sipas traditës, zgjidhen në pushtet oligarkët e fuqishëm dhe ata duan të vdesin të pushtetshëm e me nam historik. Në demokraci, ndërkaq, pushteti është vetëm një shërbim ndaj shtetit (qytetarëve) që përthekon kryesisht dy mandate (tetë vjet) për t’u harruar...
Shqiptarëve u duhen menaxherë të mirë të intersubjektivitetit dhe konfliktualitetit shoqëror, u duhen njerëz të shërbimit dhe profesionistë të fushës, që s'i mban mend askush, sidomos jo për përçarje e nxitje dhune…
Njerëz të urtë e jo egërshanë e mizorë …
Ambasadori amerikan Withers mendon se Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbe…
“Dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë” – thotë ai.
Sidoqoftë, Shqipëria përjetoi një proces zgjedhor që sado i mirë të ishte, u përgjak në Laç, duke i shkaktuar edhe një plagë kësaj shoqërie.
Shteti shqiptar, sipas gjasave, do të jetë edhe katër vjet të tjera larg marrjes së datës si vend kandidat për BE.
Mirupafshim më 2017!
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt