Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka kundërshtuar zërat e dalë nga partia e tij, për një koalicion të mundshëm me mazhorancën e ardhshme të majtë. Idrizi ka thënë se PDIU do të qëndrojë në opozitë.

“Nuk ka asnjë lloj ekuivoku për qëndrimin e PDIU. Nëqoftëse e keni fjalën për spekulimet mediatike të ditëve të fundit, janë totalisht jashtë PDIU. Ndoshta kanë të bëjnë me raportet e forcës brenda maxhorancës dhe ne refuzojmë që të hyjmë në këtë diskutim,” tha Idrizi për “AS”.

Sipas tij, PDIU është në një pozicion komod, pasi është partia e katërt në vend dhe e dyta në opozita, duke lënë pas republikanët, pasi arriti që të merrte pesë deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit.

“As kemi marrë dhe as kemi pritur ofertë nga kërkush. Ne jemi në një pozicion shumë komod tashmë. Ne deputetët e PDIU- jemi partia e katërt dhe për dy vjet është një arritje shumë e madhe. Kjo na bën edhe më të përgjegjshëm e komod për të ruajtur kauzat tona,” tha Idrizi.