Investimet e huaja, Shqipëria i rezistoi krizës

“Në kontrast me vendet e rajonit, Shqipëria ruajti trendin para dhe gjatë krizës”

OKB: Klima e biznesit favorizoi rritjen edhe gjatë krizës

Shqipëria ia doli që të kishte rritje të investimeve të huaja edhe kur fqinjët e saj patën probleme. Arsye për këtë duket se përveç klimës së biznesit dhe krahut të lirë të punës, është edhe politika e privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore e ndjekur nga qeveria. Në një raport të fundit të Kombeve të Bashkuara, “Raporti Botëror i Investimeve 2013”, theksohen edhe disa nga arsyet se pse Shqipëria ia doli të kishte rritje të vazhdueshme të investimeve të huaja edhe pas krizës. “Para krizës ekonomike dhe financiare vendet e Europës Juglindore bënë një progres domethënës në tërheqjen e investimeve të huaja, duke rezultuar me një rritje nga 2.1 miliardë dollarë në vitin 2002, në 13.3 miliardë në vitin 2008. “Kostoja e ulët e krahut të punës, aksesi i lehtë në tregjet europiane dhe privatizimi i një sërë ndërmarrjeve shtetërore u dhanë një rritje të lartë investimeve të huaja direkte. Kroacia dhe Shqipëria ishin dy vendet që morën edhe investimet më të mëdha në rajon”, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë dhe pas krizës
Por, nëse para krizës Shqipëria ia doli të kishte rritje të investimeve, duket se ky trend u ruajt mirë edhe gjatë apo pas krizës ekonomike dhe financiare. Në ndryshim nga shumë vende të rajonit, të cilat pësuan tkurrje të dukshme të investimeve, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Argumenti kyç që sjell raporti i Kombeve të Bashkuara për këtë mbajtje të trendit është klima e biznesit dhe privatizimet. “Në kontrast me këtë Shqipëria e mbajti ritmin më tepër për arsye të klimës miqësore me biznesin dhe mundësitë që u hapën nga privatizimi i ndërmarrjeve të tjera shtetërore”, thuhet në raport. Viti më i mirë për investimet e huaja ishte viti 2010, kur ato arritën plot 1.05 miliardë dollarë, ndërsa viti 2011 do të shënonte një rënie të lehtë në 1.03 miliardë dollarë dhe në fund viti 2012, me një nivel investimesh 957 milionë dollarë. Para krizës, në vitin 2007, investimet e huaja direket në Shqipëri ishin 659 milionë dollarë dhe trendi rritës ka vazhduar edhe në vitin 2008, kur investimet arritën në 974 milionë dollarë, dhe në vitin 2009 me 996 milionë dollarë.

Panorama