
Postuar më parë nga
Akili-A
BLENDI KAJSIU
Në rastin e zgjedhjeve të 23 qershorit, mesazhi i elektoratit duhet lexuar në dy plane. Së pari, në raport me demokracinë shqiptare në përgjithësi. Së dyti, në raport me partitë politike në veçanti. Në raport me demokracinë shqiptare, rezultati i 23 qershorit është një moment shprese. Ai tregoi se motori i vërtetë i demokracisë shqiptare nuk është as elita lokale dhe as ajo ndërkombëtare, por vetë populli shqiptar. Ndërsa në raport me partitë politike, mesazhi i elektoratit është plot dritëhije. Edhe nëse kemi një penalizim të qeverisjes, çka reflektohet me humbjen e thellë të PD-së, nuk kemi një penalizim të keqqeverisjes, çka reflektohet te rritja e LSI-së. Le t’i shikojmë këto dy momente me radhë.
Përsa i përket demokratizimit shqiptar, zgjedhjet e 23 qershorit shënojnë pa dyshim një hap tejet pozitiv. Votim dhe numërim i qetë si rrallë më parë në zgjedhjet tona parlamentare. Pranim i rezultatit dhe me shumë gjasa edhe rotacion i pushtetit në mënyrë të qetë dhe demokratike. E gjitha kjo nuk i detyrohet as institucioneve zgjedhore, as pranisë së faktorit ndërkombëtar. Ky proces shembullor i detyrohet rezultatit, që duke qenë i qartë, e paralizoi çdo tentativë manipulimi.
Një tjetër moment shprese dhe drite në këtë rezultat është refuzimi i krahinorizmit politik nga elektorati.
Politika krahinoriste është një produkt i elitës politike shqiptare, si majtas, edhe djathtas. E djathta me në krye Berishën, edhe pse fliste rrallë në terma krahinoristë, gjithnjë e më tepër i mbushi mjaft institucione me militantë politikë besnikë që shpesh (ndonëse jo gjithmonë) përkonin me bastionet e saj në Veri. Kjo vinte si pasojë e rrudhjes së dimensionit përfaqësues të PD-së, çka gjithnjë e më tepër prodhonte një politikë klienteliste krahinore. Në nivel artikulimi, kjo politikë përforcohej edhe nga thirrjet e Berishës për të mos e votuar Ramën si antiverior, apo nga arroganca me të cilën Topalli e theksonte identitetin e saj verior, shpesh duke refuzuar haptas shqipen letrare.
E majta me në krye Ramën, nga ana tjetër, vazhdimisht e shikonte Veriun si bastion të PD-së, si një elektorat të ngrirë në identitetin e tij primordial. Kjo logjikë shfaqej fuqishëm në anekdotën pa shije të malësorit të zhytur në ujë dhe me dy gishtat lart, që u kthye në simbolin politik të Veriut. Po kështu, krahasimi që i bëhej Tiranës me një Amerikë të vogël në raport me të ardhurit nga Veriu, i paralelizonte këta të fundit me të huajt (alienët), me refugjatët italianë që shkuan në Amerikë, apo me ata shqiptarë në Greqi dhe Itali. Nga ana tjetër, në fushatën e PS-së theksohej fort origjina qytetare (tironse) e Ramës dhe e bashkëshortes së tij.
Produkti i politikave të Berishës që prodhonte institucione gjithnjë e më tepër krahinoriste, furnizonte mjaft mirë artikulimin e PS-së që e shihte Veriun dhe të ardhurit me dyshim. Rezultati ishte një artikulim politik që sa më pak bazohej te ndarjet ideologjike apo shoqërore, aq më shumë bazohej te ndarjet krahinore. Në këtë aspekt, elita politike shqiptare (me ndonjë përjashtim si LSI-ja), luajti një rol mjaft regresiv në raport me vendin. Në vend që t’i shërbente tejkalimit të ndasive krahinore, ajo shpesh mbillte farën e përçarjes rajonale.
Pikërisht në këtë aspekt, rezultati i 23 qershorit ishte një rezultat emancipues, pavarësisht fituesit dhe humbësit. Së pari, rezultati tregoi që elektorati nuk mund të trajtohet si bastion krahinor. Së dyti, rezultati i dha një grusht të fortë mobilizimit politik krahinorist. Votimi i së majtës në Veri tregoi se elektorati kërkon integrimin, dhe jo përçarjen krahinore. Se problemet me të cilat përballen shqiptarët janë të ngjashme si në Veri, edhe në Jug. Fakti që ky rezultat çuditi edhe vetë të majtën, tregon se sa e papërgatitur ishte një pjesë e saj për ta parë Veriun në terma jo krahinoristë.
Ndaj mund të themi se pas zgjedhjeve të 23 qershorit i mbetet elitës të shfaqet në lartësinë e elektoratit. Kjo duhet theksuar sepse modeli ynë i demokratizimit është një model tejet elitist që problemet i shikon gjithnjë te populli dhe zgjidhjet gjithnjë te elita, lokale apo ndërkombëtare. Politikanët, analistët, edhe intelektualët shqiptarë, kanë përqafuar fort një qasje elitiste që nga njëra anë frymëzohet nga vepra e Faik Konicës, dhe nga ana tjetër përforcohet nga procesi elitist i integrimit në BE. Është një qasje në të cilën elita shpesh qahet për injorancën e popullit në raport me të cilën lartëson dhe diferencon vetveten.
Është një qasje problematike jo thjesht se bazohet te racizmi kulturor apo ligjërimi orientalist që e përshkon tej e tej Konicën. Problemi qëndron se një qasje e tillë injoron tërësisht realitetin empirik. Në këto njëzet vite demokraci ka qenë gjithnjë populli ai që ka prodhuar ndryshim, si me rrëzimin e komunizmit në vitin 1992, si me revoltën popullore të vitit 1997, si me zgjedhjet e vitit 2005, edhe sot. Elita ka qenë tejet e lidhur me pushtetin dhe status kuonë për të qenë motor i ndryshimit; për pasojë, ajo më shpesh ka shërbyer si timon. Ndaj zgjedhjet aktuale mund të shërbejnë si një korrektues i perspektivës dominuese elitiste se demokracia vjen nga lart–poshtë, d.m.th. Europë-Shqipëri, Elitë–Popull, apo Qytet–Fshat.
....
Krijoni Kontakt