Teatri Kombëtar në Shqipëri
Teatri Kombëtar u krijua në vitin 1945 në Tiranë. Fillimi i viteve 40-të është lidhur ngushtë me Teatrin e Luftës Nacional-Çlirimtare, grupet teatrore të të cilit u bënë bërthama e krijimit menjëherë pas luftës.
Aktorët të parë të Teatrit Profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Shumë shpejt në teatrin profesionist erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi si dhe regjisori i porsadiplomuar Pandi Stillu.
Në vitet 45-56 shteti shqiptar u përpoq ta orientonte Teatrin Kombëtar, së paku në tri drejtime : -sigurimin e një repertori me drama të “realizmit socialist” me autorë të vendeve të Lindjes. Përpos repertorit me ndikim politik, spikasin premierat nga dramaturgjia botërore :
"Revizori" – Gogol – regjia S. Mio 1947,
"Othello" – Shekspir – regjia A.J. Ricko 1953,
"Toka Jonë" – regjia Pandi Stillu 1954,
"Familja e Peshkatarit" – Sulejman Pitarka regjia Pjetër Gjoka 1956,
"Halili dhe Hajria" – Kolë Jakova regjia Besim Levonja 1950,
"Shërbëtori i dy zotërinjve" – K. Goldon regjia Zina Andri -1955.
Në vitet 1956-1965 flitet për një teatër vërtet profesionist ku radhët e të cilit u shtuan me skenografë, regjisorë dhe aktorë të kualifikuar. Por në repertorin e kësaj periudhe spikasin edhe vepra madhore nga dramaturgjia botërore si :
"Intrigë dhe Dashuri" – Shiler me regji të Mihal Luarasit 1957,
"Hamleti" – Shekspir – 1960,
"Mbi Gërmadha" – Fadil Paçrami – me regji te Kujtim Spahivoglit - 1962,
"Borgjezi Fisnik" Molier me regji të Pandi Stillu – 1963,
"Karnavalet e Korçës" – Spiro Çomora me regji të Pandi Stillu – 1964,
"Xhaxha Vanja" – A. Çehov me regji A. Malo 1964,
"Mbreti Lir" – Shekspir me regji Pandi Stillu – 1965.
Vitet 65-72 dallohen nga trajtimi i dramaturgjisë kombëtare si element kryesor në repertor dhe kufizimi gradual i veprave të shquara nga dramaturgjia botërore. Në repertorin e kësaj periudhe veçojmë si premiera "Pas vdekjes" dhe "14 vjeç dhëndër" nga Çajupi, "Prefekti" nga Besim Levonja, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" – Ismail Kadare me regji të Pirro Manit si dhe "Arturo Ui" – Breht me regji të Pirro Manit vënë në vitin 1971.
Vitet 1972-1985 dallohen përnga politizimi i tejskajshëm i repertorit të Teatrit Kombëtar, ndëshkimin dhe largimin nga skena të disa prej regjisorëve, dramaturgëve dhe aktorëve si modernistë si dhe pakësimin e repertorit dhe të premierave. Premierat që mund të veçojmë si më sukseshmet janë : "Njeriu që pa vdekjen me sy" – Viktor Eftimiu me regji të Pirro Manit 1974, "Lumi i vdekur" – Jakov Xoxa – me regji të Drita Agollit – 1975, "Zonja nga qyteti" – Ruzhdi Pulaha – me regji të Agim Qirjaqit 1975, "Luiza Miller" – Shiler me regji të Drita Agollit – 1979, "Nata e dymbëdhjetë" – Shekspir me regji të Pirro Manit 1982, "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" – Dritëro Agolli me regji të Fatos Haxhiraj-1983, "Prometeu" -Viktor Eftimiu regjia Pirro Mani 1984.
Vitet 1985-1992 janë vitet e fund-diktaturës, deri më 1990 kur përmbyset ajo dhe kemi fillimet e lirisë, nga ku vihen re:-një prani më e gjerë e repertorit të huaj,-guximi për të prekur tema tabu, eksperimentet e para dhe shija e paprovuar e autorëve të ndaluar. Mund të veçohen disa premiera: "Vdekja e një komisioneri" – A.Miler me regji Fatos Haxhiraj -1986, "Pallati 176" - Adelina Balashi me regji të Alfred Bualotit dhe Andon Qesarit -1986, "Romeo dhe Zhulieta" – Shekspir me regji Dhimitër Pecanit-1987, "Zbutja e kryeneçes"-Shekspir me regji Fatos Haxhiraj- 1988, "Kush e solli Doruntinën" – Pirro Mani me regji Fatos Haxhiraj – 1989, "Frikë dhe mjerim në rajhun e tretë" –B.Breht me regji A. Kumbaro- 1990, "Dhelpra dhe rrushtë" – G.Figueredo me regji të Dhimitër Pecanit, "Rikardi I tretë" – Shekspir me regji të Agim Qiriaqit – 1992.
Vitet 1992 – 2005 shënojnë vitet e ndryshimeve strukturore rrëmjësore në TK, ku veçohen si dukuri: -aplikimi i metodologjive të fundit teatrore, - zotërimi thuajse absolut i repertorit nga pjesët e huaja, kryesisht komedi dhe tragjikomedi, pakësimi në mënyrë të ndjeshme i pjesëve dhe autorëve shqiptarë, - hapja e hapësirës për ngritjen e kompanive private. Disa nga premierat :
- "Dy zotërinjtë nga Verona" – Shekspir me regji të Dhimitër Pecanit – 1993,
“8 Persona +” Ferdinand Radi me regji të Ferdinand Radit – 1994,
"Fernando Krafti më ka shkruar një letër" T.Dorst me regji të Gëzim Kames – 1994,
"Tiranozauri" Kasëm Trebeshina me regji të Gëzim Kames – 1995,
"Don Zhuani" Molier me regji të Arben Imami – 1996,
"Apologjia e vërtetë e Sokratit" – Gëzim Kame dhe Mirush Kabashi – 1997,
"Quo Vadis" – Serafin Fanku me regji të Serafin Fankut – 1997,
"Kopshti me dallëndyshe" – B.Cikliropulos me regji të Kiço Londos – 1998,
Ëndra e një nate dimri – Ismail Kadare me regji të A.Bora – 1999,
"Njeriu,virtyti,kafsha" – Luixhi Pirandelo me regji të Drita Agollit – 2000,
"Armiku I Popullit" – H.Ibsen me regji të Agim Qiriaqit – 2000,
"Utopos" – S.Çapaliku me regji të Rikard Ljarja – 2001,
"Mbreti po vdes" – E.Jonesko me regji të A.Bora – 2001,
"Portreti Dorian Greit" – O.Uajlld me regji të Kiço Londos – 2002,
"Gomone" – Mihal Luarasi me regji të Gëzim Kames – 2003,
"Streha e të harruarve" – Ruzhdi Pulaha me regji të Mihal Luarasi – 2004,
"Kopraci" – Molier me regji të H.Çuli – 2004,
"Pjata e drunjtë" – Morison me regji të Gëzim Kames – 2005,
"Si e mposhta Musolinin" – drama dhe regjia Haqif Mulliqi – 2005,
"Xhaxha Vanja" – A.P.Çehov me regji të H.Çuli – 2005.
Krijoni Kontakt