Jorgos Margaritis: “Çamët u vranë në emër të spastrimit kombëtar e fetar”
Postuar në: Dossier | Me: 19/06/2013
Enver KushiDëshmi të një historiani grek…
Nga Enver Kushi
Vijon nga numri i kaluar…
Botimi i librit të historianit grek Jorgos Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar, të dhëna mbi shkatërrimin e minoriteteve të Greqisë”, nga shtëpia botuese “Bota shqiptare” në vitin 2010, ishte një ngjarje jo vetëm se plotësonte një boshllëk në botimet për këtë problem, por edhe se vinte nga një historian i vendit fqinj, Greqia. Për fat të keq, ndryshe nga botimet letrare, lexuesi shqipar pak është njohur me veprat e historianëve, grekë, veçmas me ato që trajtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve tanë apo fatin e minoritetit shqiptar çam në Greqi. Jorgos Margaritis lindi në Athinë në vitin 1954. Ai jep historinë moderne në degën e shkencave politike në Universitetin “Aristoteli të Selanikut. Në veprat e tij, Margaritis , është marrë kryesisht me Luftën e Dytë Botërore në Greqi, Rezistencën Greke si dhe me një nga periudhat më tragjike të popullit grek, Luftën Civile.
Historiani grek, ndryshe nga mendimi dhe qëndrimi zyrtar se në Greqi, asnjëherë nuk ka patur probleme me komunitetet dhe minoritetet, paraqet në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar” një realitet tjetër me ngjarje e ndodhi dramatike dhe tragjike.
I mbështetur në tekste të botuara dhe burime të shumta arkivore, Margaritis trajton fatet e komunitetit hebre dhe minoritetit shqiptar çam në Greqi. Kjo trajtesë vjen në rrafshin historiko- kronologjik, që pas kryengritjes së vitit 1821, pavarësisë së shtetit grek dhe deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Besnik i parimit të të vërtetave që jep historia, larg ndikimit të politikës dhe nacionalizmit ekstrem, autori konkludon se shteti i pavarur grek që në fillimet e jetës së tij nuk u mësua të jetojë me komunitetet dhe minoritetet e tjera, pra me fe tjetër dhe me origjinë tjetër kombëtare.
Pjesa e parë, në kapitujt “Antisemitizmi grek: një udhëtim, 1821, 1891, 1931, “Shfarosja e hebrenjve të Greqisë: Ideologjia, tensionet shoqërore dhe koniuktura, “Hebraizmi grek dhe Rezistenca Antifashiste, “Kisha Ortodokse Greke dhe Holokausti, Jorgos Margaritis me fakte tronditëse jep shkatërrimin gradual të komunitetit hebre në Greqi, i cili arriti kulmin gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në qytetin e Selanikut. Sipas autorit, në Selanik “antisemitizmi grek mori formën e tij më luftarake dhe njëkohësisht më politike e teorike, duke ofruar në këtë mënyrë materialin e parë për zhvillimin e organizatave me karakteristika nacionaliste, por edhe naziste.
Qyteti i Selanikut u bë epiqendra e dramës së hebrenjve në Greqi, e pasuar nga Janina, ishulli i Korfuzit, Volos etj. Hebrenjtë e Greqisë, padyshim u bënë pjesë e “zgjidhjes përfundimtare, të cilën e frymëzuan, e organizuan dhe e realizuan nazistët në shkallë mbarë evropiane. Gjithsej, nga afro 70. 000 hebrenj grekë në vitin 1940, më shumë se 50. 000 prej tyre u shfarosën në kampet e vdekjes, pra shumë që e tejkalon 70%. Shifrat, shkruan autori, parashtrojnë pyetje të caktuara vendimtare, përgjigjia e të cilave i referohet tërthorazi ose drejtëpërdrejt shoqërisë greke, klimës që mbizotëronte në të, si dhe koniukturat gjatë periudhës së pushtimit”.
Në pjesën e dytë “Peripecitë e çamëve deri në dëbimin e tyre gjatë dhjetëvjeçarit të 40- ës, Margaritis jep fatin tragjik të minoritetit tjetër historik në Greqi: të çamëve. Periudha së cilës i referohet autori, 1912- 1944, është e mbushur me tensione dhe urrejtje dhe “kur u kthye lufta në fillimet e dhjetëvjeçarit të 1940-së dhe bashkë me të u hapën në çdo vend kacekët e Eolit, retë e pasioneve dhe të kërcënimeve përfunduan në stuhi.
Autori ndjek në rrafshin historiko-kronologjik, politikën e qeverive të ndryshme greke ndaj minoritetit shqiptar të Çamërisë, dëbimet sistematike të këtij minoriteti, egërsinë e tmerrshme të nacionalistëve grekë në kurriz të çamëve në fund të Luftës së Dytë Botërore. Sipas historianit grek, shkatërrimi i minoritetit çam përbën një ngjarje unike në Greqinë e dhjetëvjeçarit të vitit 1940. Shkatërrimi i këtij minoriteti, dhuna e përdorur, dëbimi masiv i çamëve nuk mund të krahasohet me shkatërrimin e komuniteteve hebraike, vepër e nazistëve gjermanë në kuadrin e “zgjidhjes përfundimtare, me gjithë veprimet dhe bashkëveprimet pasive të faktorëve grekë në këtë proces.
Ai nuk mund të krahasohet as me fatet e sllavomaqedonasve gjatë të njëjtës periudhë, i cili u lidh me konfliktet e përgjithshme në hapësirën greke dhe veçanërisht me Luftën Civile. Fati i çamëve, shkruan Margaritis, nuk ka asgjë të përbashkët as me peripecitë e asaj kohe të autonomistëve vllahë ose të myslimanëve të Trakës. Përfundimi logjik i autorit është se “ngjarjet e Thesprotisë ngjasojnë më shumë me ato që ndodhën në Ballkanin verior, në Jugosllavi”.
Pra kemi të bëjmë me spastrim etnik, ose më saktë “një shpërthim të dhunës, që synonte mbylljen e çështjeve të minoriteteve me metodën më radikale: metodën e zhdukjes së popullsive minoritare.
Të rrënqethin faktet tronditëse jo vetëm të muajve të parë të vitit 1913 (pas rënies së Janinës dhe kur Çamëria u pushtua nga ushtritë greke), të viteve 1923-1926, 1930-1940, por veçanërisht ato që Jorgos Margaritis, jep në këtë libër (faqe 141) për qytetin e Paramithisë më 26 -27 qershor 1944: Më 26 qershor, sektorë të Divizionit X të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, duke shfrytëzuar tërheqjen e grupeve ushtarake gjermane nga zona, sulmuan Paramithinë dhe e pushtuan atë, pas një rezistence shumë të shkurtër të milicisë çame. Me gjithë premtimet, brenda pak ditëve, më 27 qershor, ditën e parë të “çlirimit”, qyteti u kthye në thertore. Të gjitha dëshmitë, nga çfarëdo palë që të vijnë, bien dakord në shtrirjen dhe dhunën e vrasjeve e të keqtrajtimeve në kurriz të banorëve myslimanë. Me qindra e qindra vetë – numri është i panjohur, por ndoshta afrohet rreth pesëqind personave – u vranë me mënyrat më çnjerëzore, brenda dhe përreth qytetit. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurive, e plotësonin këtë kuadër. Pasditen e së njëjtës ditë, mbërriti në qytet major Kranias, komandant i Regjimentit të 16-të të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke. Ai mori vendimin për dënimin e shkaktarëve kryesorë, domethënë ekzekutimin e 34 çamëve, të cilët i kishin shpëtuar masakrës. Ky vendim gjeti zbatim të menjëhershëm.
Margaritis paraqet në këtë libër spastrimet e fshatrave myslimane në jug të Kalamait si dhe dëbimin e banorëve në veri të lumit dhe kryesisht në zonën e Sajadhës dhe Filatit; rikthimin e shumë çamëve në dhjetorin e vitit 1944 dhe aktin final të tragjedisë çame: pas marrëveshjes së Varkizës, grupet e Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, që ishin strehuar në Korfuz, si grupe të Gardës Kombëtare, u kthyen në Çamëri. Ata vazhduan veprën e tyre kriminale, që e kishin lënë përgjysmë, duke masakruar qindra çamë të tjerë në Filat dhe rrethinat e tij. Kështu mbyllet sipari i tragjedisë çame, “bashkëqytetarëve tanë të vjetër që u vranë barbarisht në emër të spastrimit kombëtar dhe fetar, konkludon historiani grek Jorgos Margaritis.
Ky është libri i historianit grek, një zë përgjithësisht objektiv që vjen nga Greqia, fqinji jugor. Në përfundim të këtyre shënimeve, më vijnë ndërmend fjalët e historianit tjetër grek, Niko Zhangu, i cili në një nga veprat e tij për ato që ndodhën në Çamëri, shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”. Gjithashtu kujtoj Homerin e madh dhe tragjedianët e shquar të Greqisë, mesazhet e veprave të tyre, dënimin e krimit dhe katharsin, që përbën thelbin e veprës së tyre. Kujtoj vjershën e shkëlqyer “Kuajt e Akilit, të një prej poetëve të shquar grek, Kavafis. Është një vjershë që i flet të shkuarës dhe të sotmes jo vetëm të Greqisë së qytetërimit të madh, por edhe asaj botërore. Njerëzimi ka nevojë për lotët e “kuajve të Akilit”. Me të drejtë, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, ka thënë se “kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më shumë dhe e duan më shumë njëri-tjetrin.
Dëshmi të shtypit amerikan
Gjendja pikëlluese në të cilën gjenden çamët që banojnë në Shqipëri, është e përshkruar në një listë të zonjushës Lovely, anëtare e familjes të Manchester dhe që shërben si sekretare pranë misionit të UNRRA në Shqipëri. Zonjusha Lovely shpjegon gjendjen e çamëve. Sipas saj kjo gjendje do të shkaktojë një farë jehone në mes të çamëve të Hartfordit që është konsideruar si qendra e çamëve në Shtetet e Bashkuara. Tani Shqipëria strehon më shumë se 25000 çamër, pjesa më e madhe e së cilës përbëhet nga gratë dhe fëmijët të instaluar nëpër kanune të ndryshme (bashkësi) gjatë luftës në Greqi, fshatrat e tyre u shkatërruan dhe ata shpëtuan duke u strehuar në Shqipëri.
Muajin e kaluar, UNRRA në marrëveshje me qeverinë shqiptare, u dha si ndihmë këtyre të fundit dhe në hapësirën e 5 ditëve, 329 tonë artikuj të ndryshëm. Në dy kampet që kam vizituar në Elbasan, shkruan zonjusha Lovely, çamët jetonin në një mjerim të vërtetë. Çdo dhomë ishte e ndarë më dysh dhe strehoheshin dy familje, numri i të cilave ndryshonte nga 11 deri 12 vetë, fut këtu edhe pleqtë dhe të sëmurët. Mobiliet e vetme ishin hasrat e shtrira në tokë duke lënë në mes të dhomës vijën ndarëse ndërmjet dy familjeve. Kishte gjithashtu edhe orenditë e nevojshme për të përgatitur ushqimin e tyre. Ushqimi për shumë javë përbëhej nga një bukë e thatë për kokë dhe kjo qe e një cilësie të keqe. Një grup tjetër që kishte më shumë shans kishte vënë një tenxhere për të zier supën. Kjo supë përbëhej nga mielli dhe disa perime me qëllim që të jepnin pak aromë. Një fëmijë 5 muajsh qe ushqyer me një lloj mielli të përzier me ujë. Në fund të dhomës gjendeshin dy burra dhe dy djem të rinj. Pleqtë me tu afruar ne, donin të ngriheshin, por nuk mundën ta bënin këtë, për shkak të gjendjes së dobët ku ata ndodheshin. Pas këtyre fakteve dhe këtyre dëshmive, çfarë konkluzioni mund të nxjerrim nga deklarata e famshme e M. Pangalos e bërë më 1926 në kohën kur ai ishte ministër i Parë i Greqisë? Në Epir ne kemi disa mijëra çamë të njohur nga ne dhe që formojnë në shtetin tonë pakicën shqiptare. Në qoftë se në të kaluarën ka pasur disa veprime të pahijshme nga ana e organeve të pushtetit në dëm të çamëve, kjo nuk përbën në asnjë mënyrë një trajtim kundrejt tyre. Në të kundërt, qeveria është e frymëzuar nga dëshirat më të mira dhe është e vendosur, të dënojë pa mëshirë çdo veprim të keq kundër pakicave, që rrjedh nga ana e disa personave të papërgjegjshëm dhe të rrëmbyer, dhe të zbatojë plotësisht zotimet të cilat rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare ndaj pakicave në Maqedoni dhe në Epir. Përfundimi që rezulton, është një akuzë e pamëshirshme kundër qeverisë greke. Në fakt, tragjedia e pakicës shqiptare çame në Greqi nuk është vetëm një krim i shëmtuar në vetvete që revolton çdo njeri të ndershëm, por ajo tregon për një etje të pashuar ndaj krimit të personave që qeverisin sot Greqinë. Mund të krahasosh vetëm me ushtarët hitlerianë, me Gestapon dhe me S.S gjermane, sepse, si ata dhe këta dogjën, përdhunuan dhe vranë një popullsi të tërë. Por Napolon Zerva që udhëhoqi masakrat në masë, sot është ministër i Sigurimit Publik në Greqi, dhe shokët e tij qeverisin Greqinë dhe bëjnë ligjin në këtë vend. Gjithë varret, gërmadhat e Çamërisë, gratë dhe vajzat e përdhunuara, vuajtjet e refugjatëve në Shqipëri, si dhe deklaratat e personaliteteve të huaja janë aktakuza kundër qeverisë monarko-fashiste greke. Ato janë provat e politikës gjakësore dhe agresive të qeverisë greke ndaj popullit shqiptar, ato janë provat e një krimi ndaj ndjenjave njerëzore.
(Marrë nga gazeta “The Hartford Times”, Connecticut, Etats – Units, e datës 9 nëntor 1945.)
http://www.kombetare.al/jorgos-marga...betar-e-fetar/
Krijoni Kontakt