Aplikimi lejeve të qëndrimit on-line për të huajt, Burgaj: Sukses tjetër

TIRANË- Qeveria ka miratuar kriteret, procedurat dhe dokumentacionin që duhet të paraqesin të huajt që hyjnë në territorin shqiptar, si dhe hapat që duhen ndjekur për pajisjen me vizë apo leje qëndrimi në vend.

Kuadri i ri ligjor përcakton se kërkesa për lëshimin e lejes së qëndrimit ose për ripërtëritjen e saj depozitohet nga i huaji personalisht ose përmes sistemit elektronik të sigurt online, ose nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të caktuar sipas ligjit pranë autoriteteve rajonale përgjegjëse për kufirin dhe migracionin.

Gjatë prezantimit të projektit kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj , tha se projekti është një tjetër sukses në zbatimin e teknologjisë nga ana e Policisë së Shtetit.

“Kam kënaqësi të ndaj me ju një tjetër sukses në implementimin e teknologjisë në policinë e shteti. Shpejton kohen e kërkesave për lejet e qëndrimit. Implementimi i tij është në vazhdën e progresit të arritur kohët e fundit”, tha Burgaj.

Për t’u pajisur me leje qëndrimi, i huaji depoziton formularin e aplikimit për leje, dy fotografi të bëra jo më përpara se 6 muaj nga data e aplikimit dhe fotokopjen e dokumentit të vlefshëm të udhëtimit me të cilin i huaji ka hyrë në Republikën e Shqipërisë, si dhe fotokopjen e faqeve me shënime me interes për udhëtimin, gjeneralitetet e mbajtësit, viza e tipit D, vulat në hyrje-dalje. Dokumenti i udhëtimit, sipas parashikimit në ligjin nr.108/2013, “Për të huajt”, duhet të ketë vlefshmëri së paku 3 (tre) muaj më shumë se afati i lejes së qëndrimit të kërkuar. Të huajt duhet të paraqesin dokumentet që provojnë akomodim të përshtatshëm në Shqipëri, si dhe kontratën e blerjes ose të marrjes me qira të banesës në përputhje me standardet e banimit në Shqipëri, ose çdo dokument tjetër që provon strehimin e garantuar në Republikën e Shqipërisë. Dokumentacioni nga vendi i origjinës dhe/ose nga vendi ku i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe e i lëshuar në 6-mujorin e fundit, i vërtetuar dhe i legalizuar në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare.

(e.m/BalkanWeb)