Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e mitjuk
    Anëtarësuar
    19-05-2005
    Vendndodhja
    Monaco
    Postime
    900

    Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    Nga Sokol Kondi

    Koha ka treguar se një pakt i gjërë midis dy vendeve është më i nevojshëm se kurrë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemeve shekullore



    Çdo krizë mund të shihet edhe si një mundësi e re, si një pikënisje për të gjetur zgjidhje më efikase se në të kaluarën. Kjo mund të thuhet edhe përsa i përket marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Po të bazohemi te përvoja të tilla, si ajo e anëtares më të re të Bashkimit Europian, Kroacisë, e cila i zgjidhi një herë e mirë me marrëveshje kufijtë detarë me Slloveninë fqinje, apo të Italisë, ku problemet etnike në krahinat sllovene të Istrias (Pakti i Osimos i vitit 1975 me ish-Jugosllavine), apo ato austriake të Tirolit të Jugut (Alto Adige për italianët), janë zgjidhur prej kohësh dhe në mënyrë përfundimtare nëpërmjet marrëveshjesh dypalëshe, mund të nxirren sugjerime të dobishme edhe për zgjidhjen përfundimtare dhe krijimin e një fqinjësie të mirë ndërkufitare midis dy popujve më të lashtë në Ballkan.

    Gjëja më pak e dëshirueshme është përballja konfliktuale me fqinjin tonë jugor, apo zgjidhja e problemeve me masa reciproke ekstreme. Zgjidhja, pra, nëpërmjet një politike të çastit (si ajo e qeverisë në ikje, e cila për tetë vjet bëri sehir përbri kthimeve të shumta të shqiptarëve në kufi për shkak të problemit të toponimeve në pasaporta, ndërsa në muajin e saj të fundit luajti ‘rolin e luanit’) apo një modus vivendi perpetuo nuk janë garanci për një të ardhme të përbashkët paqësore. Një nga përgjegjësitë më të mëdha të qeverisë së re, që merr trajta patriotike në këtë pikë, është kanalizimi i marrëdhënieve greko-shqiptare në një epokë të re, që të synojë një marëdhënie të qëndrueshme dhe një fqinjësi të mirë afatgjatë.



    Inferioriteti

    Që prej vitit 1992 e deri më sot, nuk është e tepruar të thuhet se politika e jashtme shqiptare është karakterizuar nga një pozitë inferioriteti karshi shtetit grek dhe për këtë nuk mund të përdoret si justifikim vetëm interesi i procesit integrues të Shqipërisë në familjen europiane, që na paskish diktuar një kujdes të tepërt, sepse edhe kënaqja e orekseve personale të klasës tranzitore politike shqiptare mund të ketë patur një ndikim jo të vogël në këtë qasje.

    Këtë tezë mund ta përligjë përçapja e qeverisë së Athinës për të arritur, në favor të saj, një marrëveshje me Shqipërinë përsa i takon delimitacionit të kufirit detar. Jo rastësisht, kjo ka qenë një nismë e ndërmarrë nga fqinjët, të cilët, të vetëdijshëm se zotërojnë një instrument presioni, sikurse është vetoja për përparimin e Shqipërisë përgjatë itinerarit drejt Brukselit, por gjithashtu të ndërgjegjshëm se përballë kishin një klasë politike ‘të manovrueshme’, ka gjasa të kenë shpresuar, sikurse historia mëson, se mund të merrnin në det, atë dhuratë që Mbretëria Jugosllave mori në tokë me Shën Naumin gati një shekull më parë. Kjo ka qenë një mundësi mëse e realizueshme për Greqinë këto tetë vitet e fundit dhe, nëse legjislatura e fundit do të kishte patur një shumicë me shifrat e mazhorancës që pritet të qeverisë së shpejti, sot mbase do të ishim përpara faktit të kryer. Duke qenë se projekti i Karmanlisit dhe Bakojanisit nga njëra anë dhe i Sali Berishës e Lulzim Bashës nga ana tjetër nuk u realizua, letrat mbeten të hapura mbi tryeze në pritje të lojtarëve të rinj.



    Mjetet e diplomacisë

    Pikë së pari, duhet patur parasysh se vërtet paktet, marrëveshjet, janë një instrument kyç i së drejtës ndërkombëtare, janë mjeti ligjor i zhvillimit të saj, por, nga ana tjetër, po kjo e drejtë i ka përcaktuar saktë kriteret, mbi bazën e të cilave duhet të bazohen dy vende që i ndan i njëjti det, për sa i takon delimitacionit përkatës. Pra, një marrëveshje është një instrument efikas për të shmangur mosmarrëveshje midis palëve, por nuk është e vetmja rrugë diplomatike që të ketë një kufi detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kufiri detar midis dy vendeve ekziston dhe garantohet nga e drejta ndërkombëtare detare. Në të janë të përcaktuar saktë, edhe pa qenë domosdoshmërisht nevoja e ndonjë marrëveshjeje, se cilat janë ujrat territoriale, ujërat krahas atyre territoriale, cili është shelfi kontinental, cila është zona ekonomike ekskluzive dhe ujërat ndërkombëtarë.

    Edhe në rastet kur dy vende kanë një afërsi të tillë me njëri-tjetrin, aq sa kanë vetëm dete territoriale dhe asgjë më tepër, ose kur mes tyre ndodhen ishuj apo shkëmbinj, e drejta ndërkombëtare detare parashikon çdo gjë, deri në detaj, me milje, saqë nuk lë vend për dyshime.

    Sigurisht, kur dy vende që ndahen nga i njëjti det nuk kanë pikëpamje të njëjta dhe i japin interpretime të ndryshme të drejtës detare ndërkombëtare, një tjetër mjet për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjes, që parashikon e drejta ndërkombëtare, është arbitrazhi. Në një rast të tillë, në marrëveshje me njëri-tjetrin, vendet mund t’i drejtoheshin një arbitri të huaj, duke zgjedhur një palë të tretë – apo disa syresh – që ata i konsiderojnë të paanshëm dhe duke u angazhuar se do të pranonin cilindo vendim që arbitrazhi do të merrte. Ky qe edhe propozimi që komisioneri i Zgjerimit në BE, Oli Rehn, i pati propozuar Kroacisë dhe Sllovenisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së tyre për delimitacionin detar, zgjidhje, e cila u pranua nga palët dhe rezultoi e suksesshme. Sllovenia, nga ana e saj, përdori, madje, edhe një referendum, duke i dhënë zë popullit për një çështje kaq me rëndësi, sikurse është sovraniteti territorial apo detar i një shteti. Edhe ky opsion është për t’u mbajtur si “as nën mëngë”, për t’u përdorur në rast nevoje.

    Së fundmi, dy instanca të tjera në nivel ndërkombëtar në rast mosmarrëveshjesh janë edhe Gjykata Ndërkombëtare Detare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kjo e fundit, vërtet jep mendime këshillimore, por ato, gjithsesi, kanë një forcë të konsiderueshme shtrënguese morale (shih rastin e Kosovës), pasi pala që do të konstatohej se është në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, që, në rastin tonë, mund të ishte Greqia, do të ishte pa dyshim nën presionin e Bashkimit Europian që t’iu nënështrohej vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shqipërinë.

    Të njëjten trysni, BE-ja e ka ushtruar edhe ndaj Sllovenisë, e cila, për një periudhë të caktuar, u orvat të bllokonte procesin e anëtarësimit të Kroacisë.

    Ideja është se marrëveshja e nënshkruar mes palëve për zonat përkatëse detare mund të bëhet në çast, nëse ato udhehiqen nga parimet e së drejtës ndërkombëtare, ose mund të arrihej pas vendimeve të arbitrazhit ose të drejtësisë ndërkombëtare. Por, mund edhe të mos nënshkruhet asnjë pakt dhe de jure, gjithsesi, mbeten për t’u respektuar dispozitat që e drejta ndërkombëtare detare garanton. Tekefundit, Greqia nuk ka një marrëveshje të nënshkruar detare me Turqinë fqinje, e, megjithatë, kjo nuk i ndalon të dy shtetet ndërkufitare të zbatojnë kufijtë përkatës detarë, duke iu nënshtruar parimeve të së drejtës ndërkombëtare detare, pa patur asnjë mosmarrëveshje apo keqkuptim për shfrytëzimin e shelfit kontinental dhe të burimeve të ndryshme ujore e nënujore, që ndodhen në detet përkatës. Kjo gjë ndodh edhe për faktin se marrëdhëniet greko-turke janë në një nivel reciprociteti dhe jo të karakterizuara nga sindroma inferioriteti të ndonjërës prej palëve. Përplasje edhe ka patur dhe madje edhe ndonjë demonstrim force ushtarake, por konflikti nuk është përshkallëzuar asnjëherë deri në një pikë pa kthim, ndaj, një pakt i nënshkruar, mund të ishte instrument edhe më i fortë garancie për eliminimin e fërkimeve të mundshme.

    Ndërkohë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë sa u takon marrëdhënieve dypalëshe faktike mbi det midis Shqipërisë dhe Greqisë. Peshkatarët e Sarandës ankohen vazhdimisht se Roja Bregdetare greke i pengon të shfrytëzojnë burimet ujore të ndodhura në ujërat, ku Greqia pretendon se ka të drejta ekskluzive, pas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, e cila nuk është miratuar nga Parlamenti dhe është hedhur poshtë – si e pavlefshme – nga Gjykata Kushtetuese. Sakaq, nuk mund të thuhet se, në ndonjë rast, Roja Bregdetare shqiptare ka krijuar të njëjtat pengesa për peshkatarët grekë. Sidoqoftë, problemi do të ishte minimal, nëse do të bëhej fjalë vetëm për konflikt peshkimi. Duke parë se ekspertët flasin për studime të vazhdueshme lidhur me burimet nënujore të hidrokarbureve, që mund të ndodhen në këtë zonë, interesi strategjiko-ekonomik kombëtar lips që çështja të trajtohet me më tepër gjallëri dhe seriozitet se sa ç’është bërë deri më tani dhe me një optikë nacionale dhe jo më privatiste.



    Ndërhyrja në çështjet e brendshme

    Lidhur me çështjen e ndërhyrjes së Greqisë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, kjo, deri diku, mund të jetë edhe më delikate se sa pakti detar. Protokolli i Korfuzit i 17 majit 1914, sikurse dihet, nuk u miratua nga qeveritë e Fuqive të Mëdha, si pasojë e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Pala shqiptare e miratoi nëpërmjet të dërguarit të Princ Vidit, por ky akt nuk ka asnjë vlerë juridike, për sa kohë një nen në të kërkonte doemos nënshkrimin e Fuqive të Mëdha që t’i jepte legjitimitet. Në të parashikohej një status i veçantë për krahinat e Korçës, Përmetit dhe Gjirokastrës, ku kleri ortodoks dhe minoritetet greke do të gëzonin privilegje të caktuara, si pasojë e kryengitjes së 1914-s, që Athina e konsideroi si “kryengritje epiriote”, ndërsa historiografia shqiptare e njeh si një lëvizje të organizuar nga vetë qeveria helene, me ushtarë pa uniforma, të ardhur nga Kreta dhe anë të tjera të Greqisë.

    Greqia sillet edhe sot sikurse ky akt të ishte në fuqi. Në një qëndrim zyrtar të Athinës, u kërkua respektimi i të drejtës së kultit të minoriteteve, si dhe i pronave të tyre. Pra, Greqia konsideron si prona të minoritetit grek në Shqipëri të gjitha pronat e Kishës Autoqefale Shqiptare. Mihal Turtulli, përfaqësues i Shqipërisë, e tha qartë në Paris, më 27 shkurt 1919 përballë Komisionit të ngritur për shqyrtimin e pretendimeve territoriale greke në Shqipëri, se: “Greqia i ngatërron gjërat. Ajo mendon se të krishterët, siç jam edhe unë, janë grekë. Kjo është e pasaktë…. Epiriotët, sipas dëshmive të të gjithë autorëve grekë, janë autoktonë dhe, vetëm falë depërtimeve progresive, grekët, duke depërtuar nga forca e Kishës, arritën të futen në viset shqiptare, veçanërisht në drejtim të Janinës…. Nga ana tjetër, pretendohet se të gjithë ortodoksët janë grekë. Pse? Rusët, bullgarët dhe serbët, edhe pse janë ortodoksë, nuk janë grekë…..”


    Edhe komisioni hetimor ndërkombëtar, që ndodhej asokohe në Shqipëri, pas miratimit që Lidhja e Kombeve i bëri kërkesës së Fan Nolit për të verifikuar situatën problematike në Jug si pasojë e mësymjeve greke, dëshmonte nga Korça, në janar 1922, se: “…vetëm një pakicë e parëndësishme don të jetë nën sundimin grek, është një faktor që mund të mbajë të gjalla shpresat në anën tjetër të kufirit. Pikërisht këtu mund të ndërhyjë ndikimi i klerit dhe sidomos i mitropolitëve grekë, të cilët, siç kemi pasur mundësi të konstatojmë, punojnë haptazi për shkëputjen e Shqipërisë Jugore dhe bashkimin e saj me Greqinë”. Duket sikur kjo të jetë shkruar sot, pas 90 vjetësh, duke qenë se situata ngjason, me ndryshimin se nuk mund të flitet më për rishikime territoriale, ama shtrirja e propagandës dhe influenca nëpërmjet klerit dhe Kishës duket e parreshtur. Në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare ndodhet, edhe sot, një kombas grek. Sigurisht, arsyeja nuk do të donte që t’i sugjerohej një qeverie shqiptare të bënte atë që bëri kryeministri Pandeli Evangjeli – po më 1922 – kur urdhëroi peshkopin grek të Korçës, Imzot Jakopos, që të largohej nga vendi, pas protestave të shumta të vendasve, që e konsideronin atë si të paftuar. Një mundësi e tillë, padyshim, s’do bënte gjë tjetër, veçse do t’i tendoste edhe më tepër marrëdhëniet, sado paradoksale që mund të duket.

    Shqipëria sot ka aspirata dhe ideale të tjera dhe nuk mund ta mbyllë më kufirin me fqinjët, si pas vitit 1945, apo të ndërmarrë një “gjueti shtrigash” ndaj fesë, si më 1967-n, fakt ky, i lakuar me të drejtë nga Fatlumturia e tij Anastas, i cili duhet ta njohë edhe më mirë se ç’është totalitarizmi, duke qenë se edhe vendi fqinj ka jetuar diktaturën e egër fashiste të gjeneralëve.

    Ky kamuflim i Kishës greke me petkun e Kishës Shqiptare është një tjetër temë delikate, me të cilën duhen përballur sa më parë dy vendet dhe s’mund të lihet më në kalendat greke…

    Çdo shtyrje e mëtejshme është vetëm në dëm të palës shqiptare. Eshtë koha kur gjërat duhet të thuhen – dhe jo vetëm verbalisht – sepse deklaratat e shpeshta të viteve të fundit se “marrëdhëniet janë të shkëlqyera” në shumë raste kanë rezultuar thjesht si flluska sapuni. Vërtet ekziston një traktat miqësie midis dy shteteve që prej 1996-s, por, duke parë se kthimet e shpeshta të shqiptarëve në kufi nuk janë tregues i ndonjë vëllazërie të veçantë, nuk do të ishte i dëmshëm për askënd një pakt i ri fqinjësie të mirë, për të ritheksuar qëllimet e mira të të dy popujve karshi njëri-tjetrit, një pakt që, ndryshe nga të tjerët, të mos jetë i destinuar të pluhurosej nëpër arkiva, por të parashikonte një aksion intensiv për çtensionimin e situatës, si nevojë imediate e kohës, në trajtën e një hovi i ri bashkëpunimesh kulturore, arsimore e sportive, si mjet fillestar për të sheshuar divergjencat. Ministria shqiptare e Arsimit mund të luante rolin e saj në këtë mes, në kuadër të një politike të re të Jashtme shqiptare karshi Greqisë. Historianët e rinj, të çliruar nga komplekset propagandistike të periudhës së komunizmit, apo nga romanticizmat rilindase, të cilat, sigurisht, në periudhën kur Shqipëria duhej të krijohej si shtet dhe të mbronte ekzistencën e vet, kanë patur një dobi të madhe, mund të japin kontributin e tyre për një pikëpamje të re, më të ftohtë dhe jo emocionale, lidhur me fqinjin tonë historik. Historianët, njohësit e diplomacisë dhe të së drejtës ndërkombëtare nuk mund të mos e dinë se, në Luftërat Ballkanike, pas rënies së Perandorisë Osmane, kur Greqia iu turr trevave shqiptare, kjo ndodhte në një periudhë kur legjitimimi i plaçkës së luftës së marrë me anë të forcës ishte diçka krejt normale. Lufta në arenën ndërkombëtare ishte thjesht vazhdim i politikës dhe një zgjidhje për mosmarrëveshjet. Kështu vazhdoi të ishte deri në Traktatin e San Franciskos më 1945, kur, për herë të parë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare me anë të forcës u ndalua me “ligj”.

    Me këtë nuk duam të themi se grekët kanë qenë engjëj me atë që kanë bërë në vitet 1913-1914 apo edhe më pas. Masakra e Hormovës mbetet një faqe e përgjakur e historisë, që asgjë nuk mund ta mohojë, tekefundit edhe Venizellosi i asokohe e pranoi.
    Sidoqoftë, nuk mund ta gjykojmë historinë e atëhershme me parimet e sotme. Parimi i vetëvendosjes së popujve u shfaq për herë të parë pas Luftës së Parë Botërore, me daljen e SHBA në arenën ndërkombëtare, por nisi të ketë një fuqi reale vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Përfshirja e etnive të ndryshme brenda një shteti te huaj nuk ishte diçka që e shpiku Greqia, sepse tekefundit çfarë ishin Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane përpara saj, a nuk ishin edhe këto dy super-shtete, ku brënda përfshinin etni të shumta?! Po Shqipëria, nëse më 1912-ën do të kishte qenë një shtet me 100 vjet pavarësi pas shpine dhe në raport force me fqinjët e saj, do të ishte treguar liberale dhe paqedashëse, në një kohë kur shpërbërja e Portës së Lartë linte vend për lakmitë e mëdha të shteteve të reja, që ngriheshin mbi rrënojat e Pernadorise?! Këtë nuk mund ta dimë, por, duke parë atë që bënë të gjitha shtetet e tjera gjatë Luftës Ballkanike, zor se një Shqipëri e pavarur në atë kohë do të kishte vepruar ndryshe.

    Sidoqoftë, edhe në çështjen e teksteve të historisë mund të përdorej reciprociteti, ku edhe ministria greke e Arsimit të integronte, në tekstet e saj, disa të vërteta të mëdha, si masakrat e kryera ndaj popullsive të Shqipërisë Jugore dhe asaj çame, mbi të gjitha. Thënia e së vërtetës nga ana e të dy popujve, pra çdemonizimi i Greqisë nga Shqipëria dhe pranimi nga Greqia i disa të vërtetave të pakontestueshme historike, mund të ishte zanafillë për nisjen e një epoke të re midis dy vendeve. Një politikë e jashtme aktive mund të punonte në mënyrë të parreshtur për këtë dhe të çonte përpara përmirësimin e marrëdhënieve duke nisur nga kjo pikë.



    Ç’mund të bëhet

    Duke u rikthyer në çështjet e ndërhyrjeve në punët e brendshme, edhe për to mund të thuhet se nuk ka pasur aspak një reciprocitet, por një përulje dhe inferioritet përgjatë këtyre 22 vitesh pluralizëm politik nga ana shqiptare. Konsulli grek në Gjirokastër takoi kryetarin e Bashkisë së Përmetit për t’i shprehur – me të drejtë – shqetësimin e një vendi anëtar të BE, duke qenë se në Europë liria e kultit është një ndër liritë themelore. Por, ndër liritë themelore të njeriut është edhe e drejta e pronës. Sigurisht, në diplomaci nuk është e udhës t’u përgjigjesh dhëmb për dhëmb partnerëve të mundshëm, kur dëshiron një zgjidhje konstruktive të problemeve. Por, nga ana tjetër, Tirana zyrtare nuk mund të vazhdojë të hiqet se “problemi çam nuk ekziston”, sikurse ka pohuar në mjaft raste Athina. Cështja e së drejtës së pronës së popullsisë së shpërngulur çame të vitit 1945 do të ishte e udhës të rikthehej me vendosmëri në axhendën e politikës së jashtme të Tiranës. Ndërkohë, problemet e Kishës Autoqefale Shqiptare do të vazhdojnë të gjenerojnë konflikt dhe tension të brendshëm, për sa kohë ajo nuk është një Kishe shqiptare de facto, po aq sa tension në rritje do të mund të prodhojë edhe mosgjejtja e drejtësisë për çështjen e pronësisë së çamëve. Kjo e fundit mund të jetë edhe një tension artificial, i amplifikuar nga brenda, por gjithsesi tension mbetet.

    Në fakt, sa më më shumë të vazhdojë të zgjatet procesi i aderimit në BE, aq më tepër do të bjerë besimi përkundrejt entitetit madhor europian dhe, në mënyrë progresive, do të mund të lulëzojnë kauza nacionaliste, vorbulla e të cilave mund të përthithë edhe atë çame. Ndaj, përfshirja në axhendën e punëve të Ministrisë së Jashtme, e kësaj teme, duhet të përfshihet në të njëjtën paketë me problemet detare dhe ato të Kishës Autoqefale apo të toponimeve, si një kundërpeshë e rëndësishme për të arritur në një marrëveshje bilaterale historike, që t’u japë fund problemeve shekullore dhe të krijojë një klimë të re, më të kthjellët.

    Këto çështje mund të rregullohen vetëm me një marrëveshje historike dypalëshe dhe nuk mund të kondicionohen nga vetoja europiane. Eshtë momenti që ato të shtrohen dhe të trajtohen energjikisht në nivele dypalëshe, por edhe në ato europiane e ndërkombëtare, nëse e kërkon nevoja. Epoka e vetësyrgjynosjes, autoizolimit apo inferioritetit të politikës së jashtme shqiptare ka përfunduar. Shqipëria duhet të ridalë nga guacka dhe të thotë të sajën në arenën ndërkombëtare, pas një apatie të gjatë, në gjurmët e baballarëve të kombit, që me aq forcë luftuan, nëpërmjet kanaleve diplomatike, për kauzën shqiptare: Ismail Qemali në Londër, Fan Noli në Gjenevë, Mihal Turtulli, Mehmet Bej Konica dhe Turhan Pasha e të tjerë në Paris, e kështu me radhë.

    Është çasti që emrave të këtyre burrave të shtetit t’u bashkangjiten të tjerë dhe premisat janë të gjitha, mjafton që dikasteri i ministrisë së Jashtme të rifillojë të gumëzhijë nga puna.

    Këto janë vetëm disa ide, mund të ketë edhe shumë të tjera, mjafton që të ngrihen në nivelet e duhura diplomatike dhe të trajtohen me interesin e nevojshëm, në kuadër të fillimit të një epoke të re për Shqipërinë. Diplomacia shqiptare ka vetëm tri mundësi: t’i trajtojë e zgjidhë këto probleme direkt me palën greke mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare; t’i shtrojë përpara instancave të drejtësisë ndërkombëtare dhe të gjejë zgjidhje në to; ose t’i zgjidhë duke bërë koncensione apo dhurime, të stilit të qeverisë së vjetër. Ky opsion i tretë përjashtohet kategorikisht dhe zor se mund të ndodhë, kur vullneti popullor u shpreh qartë, me votën e tij, se çfarë lloj qeverisjeje të re pret. Vendosja e marrëdhënieve në nivel reciprociteti dhe lënia pas e së shkruarës inferiore mund të jetë e vetmja rrugë për të shmangur krijimin e lëvizjeve të reja destabilizuese politike në vend, nën shembullin e “Agimit të Artë”, apo “Lega Nord”, që deri dje nuk i priste askush në Europë, por që sot diktojnë axhenda problematike të politikëbëresve të Kontinentit të Vjetër.
    Sa bukur eshte kur ne shpirt ke gjithmone ngrohtesi. FaLeMiNdErIt.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e mitjuk
    Anëtarësuar
    19-05-2005
    Vendndodhja
    Monaco
    Postime
    900

    Për: Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    ? ska te ineteresum per çeshtjen shqiptare pupupu
    Sa bukur eshte kur ne shpirt ke gjithmone ngrohtesi. FaLeMiNdErIt.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-01-2012
    Vendndodhja
    Rrefugjat ne vendin tim ...
    Postime
    991

    Për: Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    Citim Postuar më parë nga mitjuk Lexo Postimin
    ? ska te ineteresum per çeshtjen shqiptare pupupu
    Ka o burre ka !Po e di si eshte puna ? Mendja trubullohet , nga urrejtja jo per grekun , por per tradhetaret tane ketu brenda ! Edhe sikur vetem Berishen dhe Nanon t'i fusnim ne burg per veprimtari agjenturore ne dem te Republikes se Shqiperise dhe si prova te akuzes te jene vetem veprimtarine per nxitjen e kerkesave greke per Vorioeprin dhe faljen e detit . do te ishte e mjaftueshme per grekun qe te merrte leksionet e nevojshme !

    Na duhet te kemi shtetare shqiptare para se te hame m.ut dhe te flasim ! rruga tjeter .......dihet mo !

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e shitesi
    Anëtarësuar
    17-11-2003
    Vendndodhja
    ne frymemarrjen time
    Postime
    1,069

    Për: Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    E kush do ta beje paktin??!!
    Pakti per ujrat tregoi qe nga njera ane greku na e ka me hile dhe nga ana tjeter qe shteti Shqiptar nuk eshte ne lartesine e duhur te beje pakte te rendesishme.
    Gjerat eshte e veshtire ti rregullosh te gjitha njeheresh.Te fillohet pak nga pak me gjera me te thjeshta per te pare sa mundesi ka te behet nje gje e drejte dhe e mire per te dyja palet.RECIPROCITETI ne cdo aspekt duhet te karakterizoje marrdheniet tona.Le ti respektojme aq sa na respektojne boll me me servilizmat e peshtira te shtetareve tane 2 leksha.Kur te fitohet dinjiteti dhe profesionalizmi i duhur ..duke vene ne krye te tavolines dhe Ameriken per te garantuar te ato qe do shkruhen mund te bejme nje marrveshje me interes dypalesh, ne te kundert do na e fusin sa oxhaku njesoj si me detin.
    Ndryshuar për herë të fundit nga shitesi : 01-09-2013 më 21:48
    Feja e Shqiptarit eshte Shqiptaria

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    Eshte interesante te lexosh shkrime te tilla qe jane nje perzierje e qendrimeve bajate te diplomacise alla-komuniste shqiptare me nje injorim te plote te realitetit e historise se ketyre mardhenieve ne keto vitet e fundit. Autori me pak fjale hedh idene e nje "pakti te ri te Shqiperise me Greqine", dhe niset nga premisa qe nje kryeminister i ri do te ulet ne pushtet ne Tirane. Nje qendrim i tille eshte paksa qesharak, pasi asnje shtet ne bote nuk e ndryshon politiken e tij te jashtme sa here qe ndryshon duart pushteti. Politika e jashtme e nje shteti eshte e ngritur mbi interesat kombetare te atij shteti dhe keto interesa qendrojne mbi politiken dhe nuk ndryshojne sa here qe ndryshojne qeverite. Por ne cmendinen shqiptare degjon e lexon plot cmendurira dhe kjo eshte ne vazhden e tyre.

    1. Kryeministri i ri i Shqiperise, Edvin Rama, eshte njeriu qe vuri ne shenjester e demtoi maredheniet Shqiperi-Greqi ne 8 vitet e fundit


    Sokol Kondit i pelqen te flasi per historia 100 vjet me pare, per ceshtje dhe gjykata nderkombetare, por nuk i pelqen te flasi per njeriun qe deri dje drejtonte opoziten shqiptare dhe neser do te drejtoje qeverine shqiptare. Nuk i pelqen te flasi se si Edi Rama e perdori paktin detar te Shqiperise me Greqine, nje pakt komplet brenda normave nderkombetare dhe perpiluar nga ekspertet me te mire te Flotes shqiptare dhe as greke ne asistencen e plote te amerikaneve. Edi Rama e pa kete pak si nje mundesi per te bere "politike rruge". Per te sulmuar kundershtarin e tij politik, kryeministrin e vendit Berisha, sikur gjoja ky i fundit "po i shiste detin Greqise". Dhe nuk ishte thjeshte nje retorike politike rruge per te eksituar injorantet e rruges shqiptare, PS dhe Rama moren hapa konkrete: ata e cuan mareveshjen ne Gjykaten Kushtetuese ku e rrezuan me votat e blera te njerezve te tyre ne kete gjykate, para se pakti te kalonte per debat ne Kuvendin e Shqiperise. Ky qendrim i Rames dhe opozites socialiste nuk ishte nje qendrim vetem anti-Greqi, sic u munduan ta shesin mediat prane tij ne opinionin publik shqiptar, por ishte nje qendrim anti-shtet dhe anti-Shqiperi. Mareveshja detare mes Shqiperise e Greqise eshte ne interesin kombetar shqiptar, ashtu sic eshte ne interesin kombetar grek. Nuk e lexova apo degjova Sokol Kondin te ngrinte zerin e tij kur pislleqe te tilla gatuheshin nga opozita ne Tirane, besoj se ishte shume i zene me pune te tjera.

    Ideja se Athina zyrtare "i ka harruar qendrimet e Rames" dhe do ta presi ate krahapur ne Athine e do te beje pakt te ri mirekuptimi mes dy vendeve, eshte paksa qesharake dhe jashte realitetit. Ajo qe Athina zyrtare do te beje eshte fare e thjeshte: do ta detyrojne Ramen si kryeminister qe te kalojne ne Kuvendin e Shqiperise te njejtin pakt qe ai rrezoi per motive te pasterta politike. Athina zyrtare do t'ia vere kete parakusht Rames per te pare nese ka te beje me nje partner te besueshem apo me nje njeri sharlatan. Dhe Rames do t'i duhet te lepije te gjitha te vjellat e tij per kete mareveshje dhe do ti duhet te perballet me te njejtet njerezit e rruges shqiptare qe i terhoqi per hunde disa vite me pare ne lidhje me paktin detar. Autorit me lart i pelqen te besoje se "do te kete pakt te ri detar" apo do te "shqyrtohet ceshtja ne gjykata nderkombetare", por keto jane shfajesime te kota qe nuk kane per te ndodhur. Politika mund te luaje me fjalet por ushtaraket e njerezit e flotes shqiptare dhe greke nuk luajne me dot me fjalet apo me konventat nderkombetare detare. Pa harruar qe mareveshja gezonte bekimin dhe aprovimin e SHBA qe e kerkoi dhe sponsorizoi kete mareveshje.

    2. Pakti detar me Greqine, shembulli me i fundit i ndikimit te interesave turke brenda Shqiperise

    Autori flet per maredheniet Shqiperi-Greqi dhe nuk e ze ne goje Turqine dhe dalja hapur e interesave saj mes shqiptareve per te minuar jo vetem bashkepunimin gjithmone ne rritje mes Tiranes e Athines, por edhe pengimin me cdo kusht te procesit integrues te Shqiperise e Kosoves ne BE. Autori gjithashtu nuk ze ne goje se Turqia eshte vendi i vetem ne rajon (dhe mbase ne bote) qe nuk ka sot asnje mareveshje detare me fqinjet e vete, perfshi Greqine. Autori nuk ze ne goje as qendrimin e Athines ne OKB qe nese Ankaraja refuzon te bashkepunoje me Athinen per pranimin e kufijve detare, ajo do te shpjerre mareveshjen e saj te njeanshme ne OKB, pa pelqimin e Ankarase. Shqiperia eshte sot nje shtet qe ka mareveshje detare me Italine dhe Malin e Zi, dhe mareveshja me Greqine permbush kufijte e saj ujore dhe kompleton harten politike te rajonit.

    Autori nuk ze ne goje shtrirjen e hegjemonise se interesave turke ne Kosove, Maqedoni dhe perpjekjet per te ndikuar e influencuar direkt politiken shqiptare me sponsorizimin dhe katapultimin e kreu-tellallit te Erdoganit ne Tirane, Kreshnik Spahiut. Nuk ze ne goje mbeshtetjen mediatike qe Ankaraja i bleu Spahiut ne mediat e vendit (Top Channel) dhe sponsorizimin e fushatave ne pamje te jashtme nacionaliste por qe ne vetvete kishin ne thelb zgjimin e minoritetit e kultures osmane mes gjithe trojeve shqiptare, ne menyre qe Ankaraja ti perdorte keta per te ndalur me cdo kusht anetaresimin e Shqiperise e Kosoves ne BE. Retorike luftenxitese dhe plot-urrejtje per minoritetet e vendit, kish per qellim jo vetem te rriste temperaturen politike te vendit, por kish per qellim qe te demtonte imazhin e Shqiperise ne syte e BE. Turqia nuk toleron dot qe nje vend qe ajo e konsideron "satelit te saj" ne Ballkan sic eshte Shqiperia, Kosova, Maqedonia, te pranohet ne BE me te drejta te plota, por Turqise vete ti perplaset dera ne fytyre. Ashtu sic interesave turke nuk u intereson rritja e bashkepunimit Athine-Tirane, pasi per aq kohe sa keto maredhenie do te jene te mira, ajo nuk do te mund te perdori Shqiperine si koke-turku dhe si platforme per te kercenuar fqinjin tone jugor.

    Autori nuk ze ne goje as 21 janarin qe nuk ishte nje puc i organizuar vetem nga opozita e njerezit e saj, por ishte nje puc i organizuar nga njerezit qe punojne per llogari te interesave turke brenda administrates shteterore shqiptare. Edhe sikur te donte, opozita nuk mund te komandonte dot institucione si SHISH, Prokurorine, Presidencen, Ushtrine, e nuk mund te mbushte dot autobuzat me Veziret e Mazllemat nga Greqia e Italia per ti sjelle ne Tirane. Autori nuk do te pranoje qe kjo aleance e heshtur mes interesave turke dhe opozites se majte shqiptare ka ekzistuar per te pakten 4 vitet e fundit. Nuk eshte rastesi qe Edi Rama viziton Erdoganin ne Ankara si viziten e tij te pare pas shpalljes se kabinetit te tij te ri qeveritar, dhe i shoqeruar nga disa prej ketyre ministrave. Ai nuk ishte thjeshte nje takim per te deshmuar qe Rama u jep perparesi maredhenieve me Turqine, ai ishte nje takim per te falenderuar Erdoganin personalisht per ndihmen qe ky i fundit i dha kur Rama ishte ne opozite, ne dem te shtetit e interesave kombetare shqiptare.

    Interesi i Rames ishte ardhja ne pushtet me cdo cmim dhe ndalja e procesit te integrimit evropian te Shqiperise pasi nuk deshironte qe kundershtari i tij te merrte kredi per kete arritje historike. Interesi i Turqise ishte ndalja e Shqiperise dhe kryeministrit Berisha ne rrugen e nisur te integrimit evropian te Shqiperise. Interesi tjeter turk ishte prishja e maredhenieve Tirane-Athine dhe ndalja e zhvillimit ekonomik te vrullshem te Shqiperise, pasi rritja e autoritetit te shtetit am shqiptar ne syte e shqiptareve ne Ballkan, ul interesin dhe varesine e tyre ndaj interesave turke.

    3. Roma e Athina, te shqetesuar per rikthimin e narko-shtetit ne Shqiperi

    Kur kryeministri i sapozgjedhur shqiptar zgjedh te shkoje e vizitoje Turqine, kjo nuk ka se si te kaperdihet kollaj nga Roma dhe Athina. Por krahas interesave te ketyre vendeve ne Shqiperi e me gjere, shqetesimi i tyre me i madh me qeverine e re shqiptare eshte se Rama do ti kthehet zanatit te vjeter ne Bashkine Tirane, mberthimin e shtetit nga klanet mafioze te vendit. Kur ky mban "mbledhjen e qeverise ne Vlore", mesazhi qe italianet dhe greket marrin: behuni gati per skafet dhe kamionat e mbushur me drogen e Shqiperise. Kur ky flet per "suksesin e Turqise" nga Ankaraja te cilen ai mundohet ta marri si model ne Shqiperi, ajo qe veshet e italianeve dhe grekerve degjojne eshte: ky kerkon ta ktheje Shqiperine ne narko-shtet qe prodhon e trafikon droge, dhe ato para te pista riciklohen ne ekonomine shqiptare. Dhe kur partneret tane nderkombetare te BE dhe SHBA shohin afrimin e Rames me Erdoganin, ata vene ne medyshje seriozitetiin e orientimit evropian te Rames per Shqiperine. Nje Shqiperi Kolumbiane nuk mund te jete kurre Shqiperi Evropiane dhe nje Shqiperi Evropiane nuk do te lejoje kurre qe Rama dhe klientet e tij mafioze te hedhin valle ne Shqiperi.

    4. Dorezimi i Berishes perballe nacionalizmit te rruges shqiptare

    Ne mandatin e pare, Berisha u dha nje prioritet maredhenieve me Greqine dhe bashkepunimi mes dy vendeve arriti ne shkallen me te larte te tyre historike. Kjo beri qe te dy pale te krijojne nje besim tek partneriteti i njeri-tjetrit dhe greket e shihnin Berishen si nje partner te besueshem, i gatshem per t'iu dhene zgjidhje problemeve dy-paleshe. Por ne mandatin e dyte te tij ne pushtet, Berisha u dorezua perballe presionit politik te kundershtareve te tij politike dhe Ankarase. Ai u tremb nga "kostoja e larte politike" qe duhet te paguante per te bere gjene e drejte e per t'iu dhene zgjidhje ketyre problemeve. Pakti detar ishte nje ceshtje qe e ka shokuar jashte mase Berishen, pasi ai kuptoi qe ne loje nuk ishin vetem interesat opozitare, ishin interesa qe blinin 9 gjyqtare te Gjykates Kushtetuese. Vendimi i Gjykates Kushtetuese per paktin detar do te hyje ne analet e historise shqiptare dhe ne maredheniet mes dy vendeve si akti i fundit i turpshem ne nje seri aktesh te turpshme nga ana shqiptare. Gjykata Kushtetuese e rrezoi mareveshjen duke marre persiper qe te "gjykoje meritat e paktit sipas konventave nderkombetare". Ekspertet e konventave nderkombetare nuk kane profesionin gjyqtar por ushtarake karriere ne Floten Shqiptare. Dhe Gjykata Kushtetuese e Shqiperi ishte ne kundravajtje pasi po kalonte kompetencat qe i diktonte ligji: Gjykata Kushtetuese nuk gezon te drejten qe te gjykoje meritat e mareveshjeve te ekzekutivit shqiptar dhe ca me pak te konventave nderkombetare. Ajo eshte e kufizuar brenda Kushtetutes Shqiptare dhe ligjeve te dala nga Kuvendi i Shqiperise. Por ky ishte thjeshte nje justifikim si per te fshehur bleren e ketij vendimi nga interesat turke ne vend. Sekseri i Presidentit Bamir Topi per emerimin e gjyqtareve ne Gjykaten Kushtetuese dhe gjithe gjykatat e vendit, doli te ishte kryetelllalli i Erdoganit ne Tirane dhe kryetari i Keshillit te Larte te Drejtesise. Emri i tij ishte Kreshnik Spahiu qe pas sherbimit qe i beri Turqise ne blerjen e vendimit, dhe pas pushimit nga detyra nge Kuvendi i Shqiperise, u katapultua ne politiken shqiptare per te fituar imunitetin e ligjit qe e gezon deputeti.

    Berisha iu nenshtrua ketij presioni dhe perdori 100 vjetorin e pavaresise se vendit per te rigjetur gjuhen e vjeter te "nacionalistit". Kjo ishte kunderpergjigjia e tij ndaj propagandes 1 vjecare te Aleances Kuqezi te Spahiut qe sulmonin ate dhe qeverine e tij perdite e papushim. Berisha beri gabimin tjeter te madh me censusin, duke i manipuluar hapur numrat e tij kur vinte fjala tek feja. Nga frika se opozita e osmanllinjve te Spahiut ne Shqiperi do ti kushtonte atij vota ne zgjedhje, Berisha luajti edhe karten tjeter fatale, karten fetare si nje menyre per te joshur elektoratin musliman sunit shqiptar per te votuar per te. I shkeputur komplet nga realiteti politik i vendit dhe i preokupuar vetem me mbajtjen ne kembe te koalicionit te tij qeveritar, Berisha shkaterroi me keto dy qendrime te tij gjithe ate qe ai vete ndertoi ne dekaden e fundit. Jo vetem kaq, por politika e brendshme ne vend fitoi prioritet mbi orientimin evropian te Shqiperise, aqsa partneret tane nderkombetare u detyruan qe t'i shkulin veshin publikisht Berishes si ne Tirane si ne takimet nderkombetare per keto qendrime te tij anti-evropiane qe ne vetvete ishin edhe anti-shqiptare. Dhe keto akte qe ne mendjen e tij kishin per qellim joshjen e votave te shumices muslimane te vendit, i kushtuan atij humbjen me te madhe historike ne zgjedhjet e 23 qershorit.

    4. Realiteti i maredhenieve shqiptaro-greke

    Kur njerezit flasin per maredheniet shqiptaro-greke, konstatimi qe mund te bejme eshte se perfundimet e tyre jane komplet te pabazuara ne realitetin njerezor mes dy vendeve. Sot ne Greqi jetojne 20% e gjithe popullsise shqiptare dhe me liberalizimin e vizave me BE, kufijte shqiptaro-greke sot jane kufij fiktive. Sot ne Greqi jeton brezi i pare i femijeve te emigranteve shqiptare qe kane lindur ne Greqi dhe keta femije nuk i lidh me gje me Shqiperine. Jeta ne Greqi eshte jeta qe ata njohin. Ashtu si nga brezi i emigranteve te hershem nga Shqiperia, ky brez sot ka shpenzuar me shume vite jete ne Greqi se sa ne Shqiperi. Jane rritur ndjeshem maredheniet njerezore te martesave mes dy vendeve, jane rritur ndjeshem kontaktet njerezore ku nuk jane me vetem shqiptaret qe shkojne ne Greqi, por edhe shume greke kane ardhur ne Shqiperi si turiste apo per aktivitete biznesi. Eshte rritur ndjeshem aktiviteti tregtar dhe eshte rritur ndjeshem interesi i bizneseve greke per te investuar ne ekonomine shqiptare. Klima e favorshme fiskale ne Greqi ne keto vitet dhe kriza greke, kane bere qe shume biznese greke te zgjerojne aktivitetin e tyre ne Shqiperi.

    Nga te gjithe "analistet" ky realitet njerezor mes dy vendeve anashkalohet dhe injorohet pa u zene fare ne goje. E kane me te lehte te perligjin e justifikojne paragjykimet e tyre te trasheguara nga e kaluara se sa te shikojne transformimin qe po ngjet para syve te tyre. E kane me te lehte te flasin per "ceshtjen came" apo per "Kryepeshkopin grek Janullatos" apo per "Himaren" dhe "minoritetin grek ne Shqiperi", e jo per problemet e atyre gjysem milioni shqiptareve qe jetojne, mesojne e punojne ne Greqi prej 20 vjetesh. Interesat tona kombetare si shtet e si popull kur vjen fjala tek maredheniet me Greqine, fillojne e mbarojne me interesat e ketyre emigranteve. Asnje ceshtje tjeter nuk eshte me e rendesishme se sa kjo.

    Gjeja tjeter qe me ben mua pershtypje eshte mentaliteti komunist qe gjejme ende ne diplomacine amatoreske shqiptare. Ende flitet per "armiq te popullit", ende flitet per "inferioritet e superioritet". Diplomacia shqiptare eshte gati inekzistente dhe cfare eshte me keq, e lejon veten te bier ne batakun e injorances se nacionalisteve te rruges shqiptare apo greke. Ekstremeve nacionaliste shqiptare e greke u kushtohet vemendje e jashtezakonshme ne mediat shqiptare, kurse nje problemi akut sic eshte problemi i korrigjimit te pashaportave shqiptare per femijet e emigranteve shqiptare me toponime nderkombetare e jo te shqiperuara, praktike e trasheguar qe nga koha e komunizmit kjo, askush nuk i kushton vemendjen e duhur.


    5. Cfare ruan e ardhmja per maredheniet shqiptaro-greke

    Pala greke do ti japi 6 muaj kohe kryeministrit te ri shqiptar, Edvin Rama, qe te kaloje paktin detar qe qeveria paraardhese shqiptare negocioi me palen greke. Ky do te jete testi i Athines per kryeministrin e ri shqiptar per te pare nese ky eshte nje partner i besueshem apo nje sharlatan. Dhe ne kete kohe, si Roma si Athina do te monitorojne ne imtesi njerezit qe Rama do te mbledhi rreth vetes ne qeveri dhe lidhjet e tij me klanet mafioze te vendit. Cdo konstatim nga Roma, Athina, Brukseli e Washingtoni se socialistet shqiptare i jane kthyer "zanatit te vjeter", qeveria e re shqiptare ne Tirane nuk do ta kete te gjate. As Erdogani e Turqia nuk do ta ndihmojne dot pasi Roma nuk do te toleroje politiken alla-turka ne kopeshtin e saj matane Adriatikut me emrin Shqiperi. Ashtu pa vetedije, fale qendrimeve qe ka mbajtur ne opozite dhe po mban tani, Edi Rama ka bere qe interesat greke dhe ato italiane te jene me prane njera-tjetres se ndonjehere me pare, kur vjen fjala tek fqinji i tyre Shqiperia. Dhe keto dy vende nuk mbajne vetem veton e anetaresimit te Shqiperise ne BE, por kane edhe mjetet per te destabilizuar e rrezuar qeverine ne Tirane ne nje kohe rekord.

    Per fat te keq, konstatimi im eshte se maredheniet zyrtare Tirane-Athine nuk kane per te avancuar e as nuk kane per te ngelur ne vend numero me ardhjen ne pushtet te Rames. Ato do te perkeqesohen ne te ardhmen. Por kjo nuk ka per te penguar aspak evolucionin njerezor te ketyre maredhenieve, si rezultat i kontakteve gjithmone ne rritje mes dy popujve. Emigrantet shqiptare ne Greqi do te braktisen nga shteti i tyre shqiptar dhe do te jene ata qe do te vuajne ne kurrizin e tyre perkeqesimin e ketyre mardhenieve.

    Maredheniet shqiptaro-greke jane marre sot peng nga nje njeri i vetem. E ka emrin Edvin Rama. Ashtu sic u moren peng per 50 vjet nga nje tjeter deshtak qe na erdhi nga Parisi. Ai kish emrin Enver Hoxha.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-09-2013 më 23:10

  6. #6

    Për: Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    Megjithe deshiren tone naive, nuk mund te kete nje pakt te ri historik per marredheniet Shqiperi-Greqi, sepse nuk ka asnje pakt te vjeter qe do te sherbente si baze.

    I vetmi pakt "historik" mbetet libri i Enver Hoxhes "Dy popuj miq" dhe mbajtja qe 80 vite e gjendjes se luftes me Shqiperine!

    Greqia jashte dhe Greqia brenda (ka shume Greqi brenda shoqerise sone dhe me kete nuk nenkuptoj ekzistencen e qytetareve shqiptare me kombesi greke), kane qene dhe mbeten te vendosur qe te mos kete kurre pakt historik!
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 03-09-2013 më 14:52

  7. #7

    Për: Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    E VERTETA ESHTE SI DRITA E DIELLIT

    Jam dakort me z. MITJUK tre jane gjerat me te rendesishme me gerqine.

    1-Pakti Detar i ujrave.
    2-Pronat e Cameve.
    3-Kisha Autoqefale

    pa u zgjidhur keto nuk ka maredhenie te mira me gerqine.
    Ministria e Jashtme qe fillon neser punen duhet te punoje dite nate per keto probleme madhore.

  8. Anetarët më poshtë kanë falenderuar pellazg iliria për postimin:

    Kreksi (15-09-2013)

  9. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-04-2009
    Postime
    1,464

    Për: Një pakt i ri historik për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

    ...secila qeveri qe ishte,e edhe kjo qe eshte,e edhe ato qe vijne se pari duhet te marrin dore te"baba sheh"(Amerika),e pastaj te vene rekomandimet e te medhenjeve ne vend.Ne te kunderten humbin zgjedhjet qe vijne pas,per te mos thene edhe para kohe,ehe...

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •