Si depërtuan kolonët grekë në Çamëri

Postuar në: Dossier | Me: 14/06/2013

aljflshfkAkademia e Shkencave e Shqipërisë, në “Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, ka kërkuar që folësit e gjuhës shqipe që banojnë në viset e Çamërisë, Kosturit dhe Follorinës, të njihen si pakica etnike në bazë të parimeve të shpallura nga organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja, OSBE-ja, KE-ja etj., të nënshkruara edhe nga vetë shteti grek

Prof. Dr. Selman Sheme

Ka mbi një shekull që krahina e pastër etnike shqiptare e Çamërisë i është nënshtruar një procesi të egër asimilimi dhe helenizimi. Ky proces u intensifikua pas vitit 1913, me pushtimin e Çamërisë, kur filloi një trysni e pandërprerë e shtetit dhe forcave të ndryshme ultranacionaliste greke për shkombëtarizimin e kësaj krahine shqiptare dhe helenizimin e saj.

Strategjia e helenizimit është realizuar në disa etapa duke zbatuar tri rrugë:

Së pari: Spostimin etnik nëpërmjet një gjenocidi të egër ndaj popullsisë shqiptare të besimit mysliman. Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat si: grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administrata shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, torturat e rënda, burgimet, dëbimi me dhunë e deri në masakra të përgjakshme.

Së dyti: Ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë nëpërmjet kolonizimit të krahinës me imigrantë grekë dhe vllahë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë dhe nga Azia e Vogël.

Së treti: Asimilimi i popullsisë shqiptare të besimit ortodoks nëpërmjet dhunimit (mohimit) të identitetit të saj kombëtar, ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe dhe mësimit të saj në shkollë etj.
Studimet rigoroze shkencore shqiptare dhe të huaja të mbështetura në kulturën materiale dhe dokumentet e shkruara dëshmojnë katërcipërisht autoktoninë dhe vazhdimësinë pellazgo-ilire-arbërore edhe të popullsisë çame në trevën më skajore jugore të hapësirës etnike shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kumtesë do të trajtojmë një objekt të rëndësishëm demogjeografik të identitetit regjional të Çamërisë; etnogjenezën dhe strukturën gjeoetnike në disa etapa historike deri në ditët tona.

Autoktonia ilire dhe vazhdimësia iliro-shqiptare

Gjatë gjithë rrjedhave të historisë, Çamëria ka qenë një regjion i banuar nga popullsi autoktone shqiptare. Banorët e kësaj treve me gjuhë, kulturë, tradita e zakone të lashta janë pasardhës të fiseve pellazgo-ilire të quajtur epirotë. Gërmimet arkeologjike të kryera në Çamëri në disa stacione prehistorike si në Shpellën e Kreshmoit në Konispol, Shpellën e Shën Marinës në Mile, vendbanimin fushor të Xarrës e tjerë, ku janë gjetur (zbuluar) fosile, gurë stralli të retushuar (thika, sëpata, dalta, shtytësve, qeramika me glasurë e tjerë) dëshmojnë se trualli ku sot banojnë shqiptarët ka filluar të popullohet qysh në epokën e paleolitit të mesëm1). Nëntë shtresat kulturore të zbuluara në Shpellën e Kreshmojt përbëjnë një rast unikal deri tani në Shqipëri, që shprehin qartë proceset etnokulturore të vazhdimësisë pellazgo-iliro-arbërore. Kultura e hershme materiale e shqiptarëve e njohur me emrin “Kulturë e Komanit” flet qartë për vazhdimin e traditës ilire. Ky kapërcim kulturor nga lashtësia në Mesjetë (kultura arbërore) në krahinën e Çamërisë del qartë në varrezat e Lëmit të Ri në fshatin Dishat (Konispol). Në këtë nekropol të thjeshtë janë zbuluar shumë elementë analogë me Kulturën e Komanit2). Për autoktoninë ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të popullsisë së Çamërisë në trojet e veta gjenden shënime të bollshme në veprat e autorëve klasikë si: Skylaksit, Herodotit, Strabonit, Tulpididit, Ptolemeut, Plinit, Stefan Bizantinit etj. Për të dalluar helenët nga popujt e tjerë, shkrimtarët antikë përdorën formulën “Pas nur elien varvarës” – “kush nuk është helen, është barbar”, domethënë jo grek, që nuk flasin greqisht. Herodoti në veprën e tij “Historia”, shkruan se banorët e hershëm të kësaj treve, pellazgët, ishin popull barbar dhe flasin gjuhën barbare. Skylaksi, gjeograf grek i shek. III-II p.k. thotë se Dodonën, e cila ndodhet në Epir, e themeluan pellazgët dhe në viset e brendshme të Epirit banojnë fise barbare, madje në afërsi të orakullit të famshëm, Straboni kujton në veprën e tij Homerin, i cili thotë se banorët përreth Dodonës ishin barbarë. Straboni shkruan gjithashtu, se thrakët banojnë edhe sot (domethënë në shek.I) në krahinat në kufi të Helladës.

Praninë e ilirëve në Epir e dëshmojnë edhe të dhënat e tjera që i përkasin fushës së onomastikës, toponimisë, antropologjisë, numismatikës e tjerë.
Çamët dhe epirotët në përgjithësi kanë pasur të ndryshme nga helenët, veç të tjerash edhe skeletin, historinë, kulturën, zakonet, ligjet, monedhat etj.

Në mbishkrimet e zbuluara në Dodonë kanë dalë rreth 50 emra me prejardhje ilire. Gjatë mesjetës së hershme, banorët e Epirit nuk përmenden me emrat e tyre etnikë, as ilirë, as epirotë, por me apelitivin e përgjithshëm bizantin “romajos”. Nga shekulli XIII, kur në Perandorinë Bizantine përhapet koncepti i ri mbi kombësinë, i cili merret në konsideratë përmes përkatësisë fetare dhe komponentit gjuhësor, shqiptarët shfaqen si banorë autoktonë të Epirit, të Maqedonisë Perëndimore dhe të Thrakisë Veriperëndimore. Në një dokument të shekullit XV të botuar nga historiani grek S.LLABROS, thuhet se; “gjithë Epiri sot banohet nga shqiptarët, popull ilir”, studiuesi tjetër, Theodoro Spandugino Cantacuzino pohon se; “Janina ishte kryeqyteti i mbretërisë së Shqipërisë”. Më tej po ky autor thotë; “kur sulltan Murati pushtoi Artën thotë se hyri në Shqipëri”.

Struktura fetare dhe etnike deri në pushtimin nga Greqia

Çamëria historikisht nuk ka qenë një njësi administrative e njësuar, prandaj dhe të dhënat për numrin e popullsisë dhe strukturën e saj për periudha të ndryshme janë të tërthorta dhe të përafërta. Në sanxhakun e Delvinës, ku përfshihej një pjesë e konsiderueshme e Çamërisë, shqiptarët përbënin shumicën në të gjitha kazatë e saj. Kazatë e Delvinës, të Filatit, të Paramithisë, të Margëlliçit dhe Fanarit kishin gjithsej 13217 familje shqiptare dhe 7030 familje greke. Përkundrazi, në sanxhakun e Janinës, shumicën e popullsisë e përbënin banorët grekë e vllahë (22220 familje). Nga shtatë kaza, vetëm në dy prej tyre shqiptarët përbënin shumicën, në kazanë e Carakovicës (618 familje shqiptare dhe 219 familje greke) dhe në atë të Konicës (2068 familje shqiptare dhe 1683 familje greke). Nga llogaritjet tona të përafërta del se në gjysmën e shek. XX, Çamëria dhe trevat e tjera shqiptare pranë saj kanë pasur një popullsi prej mbi 150000 banorësh.

Sipas të dhënave që jep Sami Frashëri në “Fjalorin e përgjithshëm të Historisë dhe Gjeografisë” (Kamus-ul-alam-1889) krahina e Çamërisë bënte pjesë në dy sanxhaqe të vilajetit të Janinës; në sanxhakun e Janinës dhe në sanxhakun e Prevezës. Sanxhaku i Janinës përbëhej nga 6 kaza, 2 nahije dhe 439 fshatra me një popullsi prej 166691 banorësh. Në kazatë e Janinës, të Meçovës dhe të Konicës, popullsia ishte me etni të ndryshme (shqiptare, vllahe dhe greke), kurse në kazatë e Filatit, Ajdonatit (Paramithisë) e Leskovikut, popullsia ishte tërësisht shqiptare dhe shumica e fesë myslimane. Sanxhaku i Prevezës përbëhej nga 3 kaza, 2 nahije dhe 175 fshatra, me një popullsi prej 55000 banorësh. Pjesa më e madhe e popullsisë ishin të fesë myslimane, ndërsa pjesa tjetër ishin të krishterë ortodoksë. Popullsia myslimane dhe shumica e popullsisë së krishterë ishin të etnisë shqiptare. Vetëm në kazanë e Prevezës, rreth kufirit me Greqinë, të krishterët ishin të etnisë greke.

Me shpalljen e Kushtetutës turke, shërbimi ushtarak u bë i detyrueshëm për të gjithë shtetasit e perandorisë dhe për këtë qëllim u krijuan regjistrat themeltarë të popullsisë. Sipas regjistrimit të Xhonturqëve më 1910, sanxhaku i Reshadies (kështu quhej krahina e Çamërisë në kohën e Xhonturqve) kishte 72999 banorë nga të cilët 60897 banorë ose 84% të popullsisë e përbënin shqiptarët, 9840 banorë ose 12% të popullsisë e përbënte minoriteti grek, 1262 banorë pakica arumune (vllahe) dhe rreth 1000 banorë pakica rome.

Sipas besimit, popullsia shqiptare përbëhej nga 31304 shqiptarë të fesë myslimane dhe 29593 shqiptarë të fesë ortodokse). Nga ky regjistrim rezulton se numri i popullsisë shqiptaro-çame në territoret shqiptare që iu bashkuan sanxhakut të Janinës dhe të Prevezës ishte si vijon: në sanxhakun e Janinës 11848 shqiptarë myslimanë, ndërsa në sanxhakun e Prevezës 4145 shqiptarë myslimanë dhe 7010 shqiptarë ortodoksë. Nga të dhënat e regjistrimit të vitit 1910 del se në tërësi në krahinën e Çamërisë banonin 83898 shqiptarë myslimanë dhe ortodoksë.

Kur ndodhi procesi i islamizimit të popullsisë në Çamëri?

Popullsia shqiptare në Çamëri deri në fillim të shek. XVIII ishte pothuajse e gjitha e besimit ortodoks. Nga regjistrimi i popullsisë (defterët mufassale) del se në shek. XVI (1583) në krahinën e Epirit (Çamëri) islamizimi i banorëve vendas ishte ende një dukuri e izoluar15). Vetëm në qytete mund të takoje familje të besimit islam, të cilat përfaqësonin aristokracinë feudale vendase. Islamizimi në masën e fshatarësisë u përhap në shek. XVIII, veçanërisht në periudhën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, proces ky që përfshiu pothuajse gjysmën e popullsisë.
Sipas Kodiksit të P. Arvantinos (1856), krahas qindra fshatrave me shqiptarë myslimanë, në trevën e Çamërisë kishte 72 fshatra me shqiptarë të krishterë, në rrethin e Janinës 33 fshatra dhe në rrethin e Konicës 22 fshatra.
Popullsia shqiptare ortodokse banonte kryesisht në malësitë e Çamërisë (Sul), por edhe në Frar, ndërsa popullsia shqiptare e fesë myslimane banonte kryesisht në rajonet fushore.
Banorët e krahinës myslimane dhe të krishterë zhvillonin një aktivitet ekonomik të kombinuar bujqësoro-blegtoral, me përparësi të njërës apo tjetrës degë të ekonomisë në varësi nga kushtet natyrore.
Secila familje kishte pronat e saj dhe në përgjithësi krahina e Çamërisë përbëhej nga fshatra të lirë. Në shumicën e tyre, fshatrat çamë populloheshin nga banorë të të njëjtit besim, por kishte edhe fshatra të përzierë. Popullsitë e të dy komuniteteve fetare jetonin në harmoni me njëri-tjetrin, gjë që shpjegohet:

Së pari: Ata i përkisnin të njëjtit komb, kishin gjuhë, kulturë e zakone të përbashkëta.

Së dyti: Një pjesë e popullsisë e ndërroi besimin vonë (shek. XIX) dhe shumë familje ruanin marrëdhëniet fisnore dhe territoriale, pasi jetonin pranë njëri-tjetrit.

Së treti: Në të gjithë fshatrat e Çamërisë ka qenë i përhapur zakoni i lashtë i shqiptarëve për bashkëjetesë dhe vëllazërim midis besimeve fetare. Dallimi midis tyre ka qenë vetëm në ushtrimin e riteve fetare. Megjithëse ortodoksët ishin të lidhur me kishën greke dhe myslimanët me fenë e pushtuesit turk për arsyet e mësipërme, ata kishin lidhje më të forta mes tyre sesa me të huajt grekë apo turq.

Si depërtuan kolonët grekë në krahinën e Çamërisë?

Në periudha të ndryshme historike, veçanërisht në shek. XVII-XVIII në krahinën e Çamërisë me popullsi etnike shqiptare homogjene imigruan dhe u vendosën banorë me prejardhje etnike të ndryshme. (Deri në kohët moderne, në perandoritë mesjetare, lëvizjet migruese kanë qenë të zakonshme). Kushtet natyroro-klimatike e tokësore të favorshme, veçanërisht kullotat dimërore dhe gjithë vjetore të Çamërisë, tërhoqën kohë pas kohe grupe blegtorësh nomadë, vllahë. Me kalimin e kohës vllahët (arumunët) vendosen edhe në zonat fushore, duke krijuar vendbanime sedentare. Çamëria ishte një rajon me kushte të përshtatshme për zhvillimin edhe të bujqësisë. Pronarët e mëdhenj (feudalë) të Çamërisë për të shfrytëzuar më mirë tokat e tyre tërhoqën edhe bujq e çifçinj grekë nga krahinat kufitare greke. Në të njëjtën kohë, kjo dukuri ndodhi edhe në vurgun e Delvinës dhe në luginën e Dropullit. Kolonët grekë, me kalimin e kohës, në fushat e Çamërisë ndërtuan vendbanimet e tyre.
Dyndjet e vazhdueshme të këtyre grupeve etnike (vllahe e greke) bënë që të ndryshojë gradualisht struktura etnike e popullsisë në krahinën e Çamërisë. Për pasojë, në fund të shek. XIX, krahas popullsisë vendase shqiptare (myslimanë dhe ortodoksë) janë prezentë edhe pakicat greke e vllahe. Secili grup etnik, sidomos shqiptarët që përbënin pjesën më të madhe të popullsisë dhe kishin nivelin më të lartë të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, ruante individualitetin e tij dhe nuk u asimiluan njëri nga tjetri. Me gjithë ndryshimet etnike e fetare, në tërësi etnitë jetonin në harmoni dhe në krahinë nuk kishte probleme sociale. Në gjysmën e dytë të shek. XIX për të vënë në jetë programin politik me emrin “Megali Idea” (Ideja e madhe) qarqe të caktuara nacionaliste greke nxitën konflikte etnike dhe fetare për aneksimin dhe shkombëtarizimin e trojeve shqiptare të Çamërisë dhe helenizimin e gjithë Shqipërisë së Jugut. Sipas konceptit politik të mbretërisë greke, Epiri përfshinte territoret nga Janina në Durrës. Në realizimin e strategjisë së spastrimit etnik dhe helenizimit, rolin kryesor e kanë luajtur shpërnguljet e dhunshme dhe me pasoja shkatërrimtare demografike të krahinës së Çamërisë. Synimi ishte i qartë: zgjerimi i kufijve shtetërorë tradicionalë të Greqisë dhe grabitja e tokave dhe pasurive të shqiptarëve.

Shpërngulja me dhunë e popullsisë dhe kolonizimi i krahinës

Gjurmët e shpërnguljes me forcë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre në Greqi i ndeshim që në shek. XIX pas luftës ruso-turke të viteve 1877-1878. Ky proces historik u fut në një fazë me pasoja tragjike për popullsinë shqiptare të Çamërisë pas luftërave ballkanike, me copëtimin e Shqipërisë nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Me këto vendime, pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe shumica e qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë, mbetën jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptar, duke rënë nën sundimin grek. Me pushtimin e Çamërisë filloi një trysni e pandërprerë, një politikë sistematike e shtetit grek dhe forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve dhe helenizimi e saj. Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat si: grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, torturat e rënda, vrasjet, burgimet, dëbimet me dhunë e deri në masakra të përgjakshme. Në këto kushte, shumë familje u detyruan të emigrojnë në shtetin amë Shqipëri dhe në Turqi. Me gjithë koeficientin e lartë të shtimit natyror, numri i popullsisë shqiptare erdhi vazhdimisht duke rënë.
Vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore rreth 10000 shqiptarë të Çamërisë. Me zbatimin e Traktatit të Lozanës (1923) për shkëmbimin e popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë u shpërngulën me dhunë dhe u dërguan me forcë në Turqi 35000 shqiptarë të Kosturit dhe Follorinës dhe 55000 shqiptarë myslimanë të Çamërisë, pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe Pargës. Pas shumë memorandumesh dhe peticionesh proteste nga shteti shqiptar dhe popullsia çame në vitin 1926, procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare për në Turqi u ndërpre. Në këtë kohë, kryetari i shtetit grek, arvanitasi Teodori Pangallos deklaroi zyrtarisht para Lidhjes së Kombeve në Gjenevë se “Republika greke njihte minoritetin shqiptar që jetonte në Greqi dhe nuk i konsideronte më shqiptarët myslimanë si popullsi turke.
Teza që ortodoksët shqiptarë janë grekë që është përhapur deri më sot është e gabuar dhe është hedhur poshtë nga të gjithë ne. Pasi ajo mori tatëpjetën dhe arriti pikën që s’mbante më, mora masat e duhura dhe shpërndave të gjitha shoqëritë “vorio epirote” që mishëronin skajet më ekstreme të këtij mentaliteti të sëmurë”). Kur Pangallos ishte kryetar i Greqisë u nënshkrua më 25 qershor 1926 marrëveshja për shkëmbimin e kriminelëve dhe vjedhësve nga të dy vendet. Më 13 tetor 1926 u nënshkrua “Marrëveshja konsullore”, e cila kishte të bënte me kryerjen e veprimeve administrative, mbajtje pasurish, shitje, blerje, lindje, vdekje, si dhe lirinë e tregtisë mes shqiptarëve dhe grekëve dhe punësimin e lirë pa taksa dhe viza doganore për shtetasit me banim 15 km larg vijës kufitare nga të dy anët e kufirit. Kjo është periudha e vetme në historinë e shtetit grek kur respektohen disa të drejta të minoritetit shqiptar në Greqi. Deri në prag të Luftës II Botërore, Çamëria vazhdonte të ishte një krahinë etnike homogjene ku mbi 82% të popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112619 banorë nga të cilët 20200 banorë ishin grekofonë dhe 92419 ishin shqiptarë. Popullsia shqiptare përbëhej nga 59419 të fesë ortodokse dhe 33000 banorë të fesë myslimane. Procesi i shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e veta u fut në një fazë të re gjatë luftës italo-greke (1940-1941) dhe arriti pikën më kulmore me ngjarjet e vitit 1944-1945 ku u vranë 2771 civilë dhe u plaçkitën dhe pastaj u dogjën 68 fshatra dhe 5800 shtëpi. Si pasojë e këtij gjenocidi të egër rreth 35000 banorë myslimanë të Çamërisë u shpërngulën nga vatrat e tyre dhe u vendosën në Shqipëri. Me mijëra të tjerë u vendosën në Turqi. Me operacionet e spastrimit etnik, qeveritarët e Athinës deklaruan se e mbyllën kapitullin e pakicës etnike shqiptare në Greqi. Këtë gjë e pohon me një farë kënaqësie A. Papadopoulos, një ndër historianët grekë të ditëve tona, i cili më 1992 ka shkruar: “… kështu pra u mbyll përfundimisht ky kapitull që sundoi për shumë kohë një krahinë të tërë. Sot në Thesproti (Çamëri) nuk jeton asnjë shqiptar çam”). Në të vërtetë, kapitulli i pakicës etnike shqiptare në Çamëri nuk është mbyllur. Në këtë krahinë vazhdon të jetojë minoriteti shqiptar i fesë ortodokse. Në gjysmën e dytë të shek. XX e deri në ditët tona për të asimiluar dhe helenizuar popullsinë shqiptare të fesë ortodokse, politika greke është fokusuar në dy drejtime. Së pari: Intensifikimin e procesit të helenizimit të shqiptarëve ortodoksë nëpërmjet shkollës, kishës e administratës. Së dyti: Kolonizimi i krahinës me imigrantë grekë dhe vllahë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë, kryesisht nga rajoni i Pindeve dhe Atika, duke e ndryshuar strukturën demografike të krahinës. Në këtë periudhë, popullsia shqiptare ortodokse u përball me një politikë thellësisht diskriminuese raciste dhe asimiluese. Autoritetet greke ndaluan përdorimin e gjuhës shqipe dhe mësimin e saj në shkollë. Kolonët e ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë pushtuan mjaft shtëpi çame dhe në vend të tyre ndërtuan vendbanime të reja. Mijëra shtëpi të thjeshta kanë mundur t’u mbijetojnë ngjarjeve të dhunshme të vitit 1944-1945, por shumica janë të pabanuara duke iu nënshtruar një procesi të ngadalshëm dhe tepër të fshehur të erozionit të historisë. Në fshatrat e braktisura çame u vendosën edhe popullsi vllahe pa të drejtën ligjore të pronësisë. Sa është numri i popullsisë çame në trojet e veta nuk dihet me siguri. Sipas regjistrimit grek të vitit 1951, numri i popullsisë etnike shqiptare në Greqi ishte 22736 banorë). Calendario Atlante De Agostini i vitit 2006 jep këto të dhëna për strukturën e grupeve etnike në Greqi; grekë 90,4%, maqedonas 1,8%, shqiptarë 1,5%, turq 1,4%, romë 0,9%, të tjerë 4%22. Në popullsinë prej 11 milionë banorësh të Greqisë, sipas llogaritjeve të thjeshta, grupi etnik shqiptar në tregues absolut arrin në rreth 165,000 banorë. Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare ortodokse jeton në rajonin e Thesprotisë, si dhe në rrethet e Prevezës, Artës dhe Janinës. Procesi i asimilimit nuk ka arritur të rrezikojë identitetin e tyre kombëtar. Megjithëse fëmijët e etnisë shqiptare mësojnë në shkollat greke dhe gjuha greke si gjuhë zyrtare flitet në të gjitha mjediset sociale, gjuha shqipe ka mbetur “gjuha e zemrës” që flitet në familje dhe ngjarjet në Shqipëri ndiqen rregullisht nëpërmjet mediave. Nga anketimet që kemi zhvilluar në Filat (Çamëri) në prill të vitit 1998 është konstatuar se gjuha shqipe, megjithëse në mënyrë të rezervuar, flitet edhe në mjedise sociale si në bare, restorante, hotele, merkato etj. Popullsia e Çamërisë flet shqipen e konservuar të dialektit çam. Një pakicë e popullsisë shqiptare e besimit mysliman, e cila arriti t’i shpëtojë shpërnguljes së dhunshme të 1944-1945, ka qenë e detyruar të konvertohet në ortodoksë duke ndryshuar edhe emrat. Në përgjithësi, popullsia shqiptare në Çamëri, e ndodhur nën trysninë e helenizimit nëpërmjet diskriminimit e persekutimit nuk e deklaron publikisht identitetin e vet kombëtar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në “Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare” të botuar në Tiranë në tetor 1998 ka kërkuar që folësit e gjuhës shqipe që banojnë në viset e Çamërisë, Kosturit dhe Follorinës, të njihen si pakica etnike në bazë të parimeve të shpallura nga organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja, OSBE-ja, KE-ja etj., të nënshkruara edhe nga vetë shteti grek. Si pjesëtarë të një pakice të tillë, atyre duhet t’u njihen të paktën mësimi i shkrimit dhe i leximit të gjuhës shqipe në shkollat fillore dhe mësimi i historisë dhe i letërsisë së Shqipërisë në shkollat e mesme që ata ndjekin në krahinën e Çamërisë, Kosturit dhe Follorinës, pra po ato të drejta që u janë njohur edhe pjesëtarëve të pakicës greke në Shqipëri.

Në tre dhjetëvjeçarët e fundit, shtimi vjetor i popullsisë në rajonin e Epirit është mjaft i ulët me një vlerë mesatare vjetore prej 1400-1500 banorësh. Këta tregues të shtimit të popullsisë janë pasojë e ritmeve të ulëta të shtimit natyror dhe veçanërisht janë të lidhur me dukurinë e eksodit rural dhe të emigracionit të jashtëm. Kështu, gjatë kësaj periudhe janë shpopulluar rreth 347 fshatra, të cilët janë krejtësisht të braktisur. Sipërfaqe të mëdha toke që dikur kanë qenë të kultivuara apo kullota për blegtorinë janë degraduar e dezertifikuar.

Riatdhesimi i popullsisë çame prej mbi 300000 banorësh (që aktualisht banon në shtetin amë, Shqipëri) në trojet e veta në Çamëri do ta përmirësonte në mënyrë të ndjeshme situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine. Shqiptarët e riatdhesuar do të integroheshin shumë shpejt në proceset e ndarjes shoqërore të punës dhe do të kontribuonin edhe në zhvillimin dhe prosperitetin e Greqisë.

http://www.kombetare.al/si-depertuan...eke-ne-cameri/