Historianët e Ballkanit po e pranojnë butë padrejtësinë mbi Shqipërinë!


11 qershor luftrat e sakteKonferenca e Londrës 1913



Intervistoi: Violeta Murati

Edhe pse në mënyrë latente e të butë, historianët e Ballkanit po e pranojnë se copëtimi i Shqipërisë ishte padrejtësi. Është një artikulim jozyrtar, që nga koha kur u mbajt Konferenca e Londrës, 100 vjet më parë. Mbi këtë vështrim si Ballkani përjetoi luftërat e para të tij në shpërbërjen e plotë të Perandorisë Osmane është mbajtur në dy ditë konferenca akademike ndërkombëtare, një nismë bashkëpunimi midis dy instituteve homologe, të Studimeve e Kërkimeve për Evropën Lindore e Juglindore, Shqipëri e Gjermani. “Zgjerimi i territoreve në dobi të territoreve të shteteve fituese çoi në destabilizimin e situatës në rajon si dhe të vetë sistemit të ekuilibrit të Fuqive Evropiane.

Luftërat Ballkanike përgatitën kështu Luftën e Parë Botërore dhe mund të thuhet se për shumicën e vendeve ballkanike konflikti zgjati prej vitit 1912 e deri më 1918, madje në rastin e Greqisë dhe të Turqisë deri në vitin 1922. Ndërkohë që krijimi dhe ndërtimi i shtetit shqiptar ishte lënë pas dore dhe përçmuar në kontekstin ndërkombëtar e rajonal, më vonë do të shihej se për shkak të implikimeve të luftës, komuniteti ndërkombëtar do të duhej të ndërhynte shpesh herë për zgjidhjen e konflikteve”, – thotë studiuesi Enver Bytyçi dhe ideatori i kësaj konference, duke shtuar se ne ishim themeli i një konflikti 100-vjeçar në Ballkan. Ngjarjet e viteve 1912-1913 parë me perspektivën evropiane të Shqipërisë e të rajonit ballkanik sollën në Tiranë studiues nga Ballkani dhe Evropa, duke hapur për herë të parë debate që deri dje ishin “zëra” të fshehur ndoshta dhe pas interesave politike. Në intervistën e mëposhtme, Bytyçi na jep një vështrim përmbledhës mbi nxitjen e këtij debati dhe si është realiteti i ri gjeopolitik i Shqipërisë në rajon.



Instituti i Studimeve të Evropës Juglindore për herë të parë merr përsipër të konkludojë mbi një historiografi shumë të vështirë, komplekse në këto 100 vite, lidhur me vitet ‘12-‘13, ku edhe për Shqipërinë u vendos e ardhmja ku jemi sot? Çfarë debati nxiti në thelb ky takim me historianët e Ballkanit?



Në dy ditë janë mbajtur rreth 30 kumtesa në konferencën akademike ndërkombëtare për luftërat e viteve 1912-1913. Është interesante të theksoj se zhvillimi i kësaj konference ka nxitur debate të shumta. Risia është se marrin pjesë jo vetëm studiues, historianë dhe ekspertë të historisë së Shqipërisë. Erdhën mjaft historianë nga vendet evropiane e sidomos nga Gjermania, por pati referentë që vinin nga Hungaria, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Greqia, Bosnja, Franca dhe të gjithë së bashku krijuan një mozaik temash. Kanë bërë një përmbledhje interesante jo vetëm të temave por edhe çështjeve që trajtojnë. Kanë hedhur gjatë kumtesave të tyre ide, të cilat deri më sot kanë qenë të diskutueshme dhe vazhdojnë të diskutohen. Me debatet dhe ballafaqimet që bëhen këtu me ngjarjet e viteve ‘12-‘13 – politikat, aleancat, luftërat, interesimi i Fuqive të Mëdha nga gjithë ajo çfarë ka ndodhur aso kohe, – shoh që nëpërmjet diskutimeve kontraverse ose të kundërtave hap pas hapi sqarohen një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me Aleancën Ballkanike, me qëndrimet e Fuqive të Mëdha dhe sidomos të Austro-Hungarisë dhe Rusisë, me sjelljen e shteteve të Aleancës Ballkanike me kombësitë e asaj kohe, por që ende nuk ishin formësuar në një shtet. Si për shembull shqiptarët, maqedonët, boshnjakët por dhe pakica të tjera si vllehët etj. Pra, kemi një trajtesë të përmbledhur jo thjesht shqiptare, por rajonale të të gjithë zhvillimit të ngjarjeve, raportet e mbretërisë si Rumanisë me princërit shqiptarët, dhe me principatat ose krahinat, e udhëheqësit shqiptarë të asaj kohe etj. Besoj dhe mendoj se, kjo konferencë i ka shërbyer më së miri, ndryshimit të shumë aspekteve të ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur para një shekulli, ngjarje që trajtohen ende, pra dhe në konferencë. Por e vërteta është e tillë: ne, ishim themeli i një konflikti 100 vjeçar në Ballkan.

Në këtë kuadër organizuam këtë konferencë së bashku me Institutin e Studimeve të Evropës juglindore në Gjermani, të dy palët ishim organizatorë të kësaj konference. Kemi organizuar dy mbrëmje diskutimi, ku u fol rreth mësimeve që dalin nga luftërat ballkanike dhe aktualitetit të sotëm- referat që e mbajti dr. Sebastion von Muenchoë nga Qendra Marshall (Mynih, Gjermani). Ishte një diskutim, disa orësh, rreth çështjeve aktuale; bashkëpunimin rajonal, mirëkuptimin midis kombeve, popujve; dhe lënien pas të asaj kaluare të hidhur, që nisi më ’12, madje më përpara, pasi ajo ishte kulmi i këtyre zhvillimeve. Shpresojmë që kjo të ketë përfunduar në vitin 1999, kur forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë.



Të kthehemi tek qëndrimet kontraversiale që janë hedhur në konferencë, të lidhura me vendimet e Konferencës së Londrës për pjesën e Ballkanit, ku Shqipëria ishte viktima. Vazhdon përplasja e historiografisë, cilat janë qëndrimet që ndeshen sot në lidhje më këtë çështje?



Ka pasur gjithë kohën qëndrime dhe pikëpamje të ndryshme. Ditën e dytë, dje, pati një debat lidhur me vendosjen e kufijve në jug të Shqipërisë dhe raportet ndërkombëtare në lidhje me këtë fushë nga prof. dr. Romeo Gurakuqi. Ishte një kumtesë që ngjalli diskutime, po jo dashakeqëse, krejt normale, sidomos te studiuesit që kanë ardhur nga Greqia.

Natyrisht sensibilitetet janë të ndryshme edhe tek studiuesit dhe historianët dhe kjo do të thotë se do sillet debat, gjithnjë debat, dhe kjo është gjithnjë i frytshëm, por në raport me vendimet e Konferencës së Londrës – kjo ishte tema e sotme që u trajtua. Sa i takon kësaj është trajtuar krijimi i shtetit shqiptar, jo të atij shteti shqiptar londinez. Kam theksuar të gjitha momentet e tjera që kanë të bëjnë me raportet me shqiptarët në rajon. Unë mendoj se, nuk është hedh shumë dritë mbi vendimet e Konferencës së Londrës, sepse ato tashmë janë të njohura. Por, me to është lidhur krijimi i shtetit të ri shqiptar, dhe realiteti i ri gjeopolitik në Ballkan, kryesisht me zhvillimet e luftërave ballkanike, sa kjo ishte pasojë dhe rrjedhojë e këtyre luftërave apo jo. Madje për këtë pati një debat gjatë diskutimeve në konferencë, se një pjesë mbrojnë pikëpamjen për doktor Konrad Clewin, Gjermani, mbronte pikëpamjen se shteti shqiptar është produkt i luftërave ballkanike, ndërkohë që historianë të tjerë si prof. dr. Ferid Duka, Dritan Egro mbrojtën mendimin se shteti shqiptar nuk është produkt i luftërave ballkanike. Përkundrazi është produkt i një veprimtarie të gjerë, i faktorëve të brendshëm, në një kohë të gjatë duke vënë theksin sidomos te Lidhja Shqiptare e Prizrenit.





Dhe çfarë argumenti për tezën se Shqipëria është “produkt i Luftërave Ballkanike”? Qëndrimi i historianëve shqiptarë, cili është?



Thjesht, argumenti me të cilin ai e përdor është se, sipas tij, shqiptarët nuk synonin deri në momentin e fundit, pavarësinë. Por synonin një autonomi brenda autonomisë osmane ç’ka është, natyrisht, e diskutueshme. Nuk mund të vihen për këtë kufij të prerë se, nuk ka qenë kështu. Për zhvillimet e deriatëhershme ka qenë krejt e natyrshme që mëdyshja e shqiptarëve të jetë prezent, pra të jenë të pavendosur se si do të operojnë dhe çfarë qëndrimi do të mbajnë. Kur të gjitha vendet fqinje ishin lidhur në një pakt të përbashkët për të zhbërë kombin shqiptar! Por shqiptarët gjykuan, panë se, në momentin e fundit kur perandoria osmane nuk mund të ekzistonte, natyrisht, ndërruan qëndrimet e tyre dhe u shprehën për pavarësinë e Shqipërisë, si mënyra e vetme për të shpëtuar çfarë mund të shpëtoje nga ajo. Studiuesi gjerman Clewin e argumentonte se, deri në momentin e fundit, pra në vitin 1912, shumica dërrmuese e politikanëve dhe udhëheqësve shqiptarë mendonin që të krijonin një Shqipëri etnike në katër vilajete, me një autonomi të gjerë, por që të mbetej nën kujdestarinë e Portës së Lartë. Natyrisht, kjo ka ekzistuar për shkak të frikës se fqinjët tanë. Por ky, sipas prof. dr Dukës apo Egros nuk është një argument i mjaftueshëm që të perceptohet pavarësia e Shqipërisë, thjesht si “produkt i Luftës Ballkanike”.



Konferenca e Londrës, rikthehemi meqë është arsyeja e këtij takimi; a ka pasur në këto 100 vjet pikëtakimi mes historianëve ballkanike në lidhje me këtë çështje, për padrejtësinë që ju bë Shqipërisë, pasi jemi akoma në ekzistencën e këtyre debateve?



Edhe sot, që po flasim bashkë këtu në këtë konferencë edhe historianët e huaj e pranojnë, por në mënyrë latente, në mënyrë më të butë që ndaj shqiptarëve në vitin 1913 ka pasur padrejtësi. Në veçanti kumtesat e studiuesve shqiptarë natyrisht ju përmbajtën kësaj linje.





Është një moment; politika po e riaktivizon “Konferencën e Londrës” si një njollë e zezë për historinë tonë, e ndeshur kohët e fundit edhe në bulevardet e Tiranës. Po krijohet një ide antibritanike në këtë kontekst. Çfarë duhet veçuar, dhe përfaqëson ky qëndrim?



Unë nuk besoj se britanikët janë fajtor për vendimet e “Konferencës së Londrës. Përkundrazi janë disa fuqi të tjera si Rusia dhe Franca, por natyrisht projekti u Austro-Hungarisë nuk u mbështet për shkak të qëndrimeve të tyre, nuk u mbështet nga Anglia dhe Italia. Sigurisht projekti italian nuk përfitoi sepse ishte në mesin e gjërave. Por nuk ka pse fajësohet Londra për këtë. Përkundrazi Eduard Grei ka theksuar se “ne, morëm një vendim të padrejtë për shkak të ruajtjes së ekuilibrit midis fuqive evropiane”. Ekuilibër në fakt që nuk u ruajt, sepse pas dy vjetëve shpërtheu lufta e parë botërore, dhe ekuilibri u prish. Por ai vendim u mor për të ruajtur një ekuilibër për të mos shkuar deri te lufta Botërore, dhe jo për shkak të armiqësive të Anglisë ndaj Shqipërisë. Këto janë të ditura, por problemi është se ajo, që dua të theksoj, në vitin 1999 Anglia e përmirësoi qëndrimin e vet. Ky ishte vendi më aktiv në çlirimin e Kosovës. Kështu, mendoj se qëndrimi i sotëm nuk ka të bëjë me britanikët. Nëse i referohemi historisë janë Rusia dhe Franca, të cilat kanë këmbëngulur në copëtimin e Shqipërisë.





100 vjet nga Luftërat Ballkanike, cilat janë mësimet historike?



Gjithë çështja është se ballkanasit nuk duhet të grupohen në aleanca, grupime dhe në luftë me njëri tjetrin. Thelbi është harmonia, paqja, stabiliteti në rajon. 100 vjet pas atyre luftërave, aleancave, krimeve që janë bërë, Ballkani ishte për gjithë këtë kohë një rajon destabilizues, i pazhvilluar, i paintegruar, i prapambetur – pikërisht për shkak të mungesës së paqes.

http://www.standard.al/enver-bytyci-...bi-shqiperine/