Avokat i kujt populli është Totozani?
Opinion e Martë, 11 Qershor, 2013 | 12:00 pm
AGIM BAÇI
Prej disa ditësh një debat ka rihapur një çështje jo pak të ndjeshme për një pjesë të madhe të publikut shqiptar: A mund të punojë një vajzë me shami në administratën shqiptare?
Ndërkohë që vende si SHBA, Anglia, Gjermania e shumë vende të tjera në botë, me shumicë dhe traditë të krishtere, kanë me dhjetëra raste të punësimit në administratë nga besimtaret myslimane, edhe me shami, në Shqipëri vijon rëndom të përsëriten raste incidentesh me vajzat me shami, si në shkolla apo tani edhe në vende pune.
Edhe pse zanafilla e ngjarjes së Burrelit duket disi banale dhe mund të jetë banale, pasi nga lajmet rezulton më shumë si një emërim pa diskutim mes shefit dhe vartëses, mënyra se si u servir lajmi është shqetësues, pasi tendenca për ta nxjerrë jashtë spitalit 32-vjeçaren Haka për shkak të shamisë, ka shuar të gjitha motivet e tjera.
Në këtë mesele, habia më e madhe shkon për Avokatin e Popullit. Zoti Totozani, i cili disa ditë më parë u bëri thirrje punonjësve të administratës që të denoncojnë rastet nëse i largojnë nga puna për çështje politike, ndërsa prej një jave hesht për rastin që është një çështje thelbësore, si liria e besimit.
Pra, i njëjti Avokat që s’lë rast pa mbështetur lëndimet shpirtërore të çdo homoseksuali në çdo cep të Shqipërisë, tani hesht për një përjashtim flagrant nën simbolet e besimit, a thua se nuk ka ndodhur asgjë, edhe pse të gjitha mediat e kishin lajmin në krye të faqes apo në të gjitha ekranet.
Absolutisht që është në detyrën e tij të mos neglizhojë asnjë shkelje, kushdo qofshin të dëmtuarit apo ata që dëmtojnë. Por kur një shkelje e të drejtave prek një ndjenjë shumë të rëndësishme për një pjesë të madhe të popullsisë, siç është çështja e besimit, afërmendsh që reagimi i Avokatit duhej të ishte i prerë dhe i menjëhershëm. Duke e lënë të fundit nga reagimet e tij, madje shpesh pa asnjë reagim, Totozani lë të kuptojë se është avokat i një populli të veçantë, të cilin ai ka zgjedhur të përfaqësojë në praktikat e tij të protestimit, por jo i gjithë popullit.
Por, në fakt, pse duhej të ishte i menjëhershëm dhe i prerë qëndrimi i Totozanit për rastin “Haka”? Sepse çdo agravim lajmesh me të tilla ndjesi u presin rrugën dhjetëra të tjerëve për të shprehur lirshëm besimin e tyre në një vend që liria e besimit është e garantuar me Kushtetutë dhe ku Avokati duhet ta ketë në prioritetin e tij. Kjo edhe për faktin se besimi mbetet ende shpresa më e madhe e edukimit me ndjenjat më të rëndësishme njerëzore, ndjenja për të cilat kanë nevojë të gjitha shoqëritë, e sidomos ato me varfëri apo me një të kaluar të errët, nën një diktaturë çnjerëzore si Shqipëria.
Nëse Totozani nuk e ka pasur këtë çështje kaq thelbësore në listën e parë të shqetësimeve të tij, atëherë ai duhet medoemos të sqarojë se cilit popull ka vendosur t’i shërbejë si Avokat. Pasi pa pjesën e mbrojtjes së të drejtës së besimit, si një e drejtë jo vetëm elementare, por edhe shumë të rëndësishme për shoqërinë, Totozani do të mbetej një Avokat periferik, ku në fund të mandatit të tij do ta njohin si Avokati që mbrojti shumë veset, por jo virtytet. I përket atij të zgjedhë, nëse ende beson se ka aplikuar si Avokat i Popullit.
http://www.panorama.com.al/2013/06/1...shte-totozani/
Krijoni Kontakt