Shkresa e AKKP-së: Tapitë sipas arkivave italiane për 1930-‘37
6 Qershor 2013 | : Ekonomi,Kryesoret | Autor: Ard Kola
Dokumenti
Agjencia e Pronave informoi Ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhen dhe përmbajtja, por s’mori përgjigje
ARD KOLA
pronat-shtepiNë nëntor të vitit 2006, pas një mbledhjeje urgjente të kërkuar nga Kryeministri, Agjencia e Pronave vë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për tapitë origjinale të shqiptarëve, sipas arkivave të shtetit italian, duke i rekomanduar lidhjen e marrëveshjes me shtetin fqinj për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave. Në atë kohë, zv/ministër ishte Eduard Halimi, sot ministër, i cili pak ditë më parë bëri të paditurin rreth ekzistencës së këtyre arkivave, madje ofendoi liderin e të majtës, se “këta arkiva nuk mund të kthejnë mbrapsht vendimet e marra mbi pronat”.
Në zyrën e ministrit të Drejtësisë, ndodhen kërkesat dhe rekomandimet, me shkresa, si nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), ashtu dhe të specialistëve brenda dikasterit, kopje të cilat disponohen edhe nga gazeta “Shqip”. Megjithatë, prej vitit 2006, e deri më sot, pranë shtetit italian nuk ka një kërkesë zyrtare për të disponuar të gjithë arkivin, ndërsa prej 7 vitesh, Ministria e Drejtësisë nuk i dha zgjidhje këtij varianti, që vetë ekspertët e saj e konsideruan si mundësi për t’i dhënë fund kaosit mbi identifikimin, vërtetimin dhe kthimin e pronave.
Sipas shkresave, mbretëria shqiptare e kohës, i ka kërkuar ndihmë institutit mbretëror italian për realizimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të të gjithë vendit. Bëhet fjalë për dosjet e viteve 1930-’37, të gjitha transaksionet e realizuara dhe identifikimin e dosjeve të pronave, të ndara në tri kategori: prona të shtetit, të privatit (individit) dhe atij të komuniteteve fetare.
Duhet thënë se deri në vitin 1915, dosjet me pronat, pra hipotekat (kadastrat) ishin në gjuhën turke, të administruara nga shteti otoman, por që më pas u përkthyen në gjuhën shqipe (1917-n). Pas pavarësisë dhe deri në kohën e mbretërimit të Zogut, janë kryer një sërë transaksionesh me pronat, shitblerje etj., ku më e rëndësishmja ishin të qarta dhe të ndara se cilat ishin tokat e shtetit dhe cilat të privatit. Theksohet ky fakt, pasi në ditët e sotme “masakra” me pronat, pra korrupsioni dhe marifetet kanë si burim “gjoja” pronën shtetërore apo publike, të shtetëzuar në ’76-n.
Arkiva ndodhet në Firence
Angazhimi i kryesocialistit Edi Rama për të lidhur marrëveshje, sipas tij, me një shtet mik, për të bërë të mundur posedimin e regjistrit të tapive origjinale ka shkaktuar jo pak reagime dhe shpresë nga ish-pronarët, ndërsa te qeveria pati nervozizëm, ironi dhe ofendime.
Më 7 nëntor 2006, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), zhvillon një takim me përfaqësitë e komuniteteve fetare. “Mes problemeve të tjera, doli edhe një fakt, i cili mund të ndihmojë agjencinë në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës.
Nga ana e përfaqësuesve të komuniteteve fetare u deklarua fakti se në Institutin Mbretëror, sot Instituti Gjeografik Ushtarak në Firence (Itali), ndodhen të arkivuara një kopje e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit tonë të kryer nga ky institut në vitet 1930-1937”, thotë në letrën drejtuar ministrit të Drejtësisë (në atë kohë Aldo Bumçi), për dijeni zv/ministrit Eduard Halimit (sot kreu i Drejtësisë), kryetarja e AKKP-së, Justina Boriçi.
Në shkresë theksohet se, instituti mbretëror italian është ngarkuar në atë kohë nga mbretëria shqiptare për realizimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të të gjithë vendit tonë. Mësohet se bashkë me regjistrimin e pasurive të paluajtshme, ky institut disponon edhe hartat e vjetra të të gjithë vendit për periudhën e viteve 1935.
Zgjidhja që nuk erdhi
“Nisur nga sa më lart mendojmë se, sigurimi dhe disponimi i këtij informacioni do të ndihmonte në orientimin dhe lehtësimin e përcaktimit të origjinës së pronës jo vetëm për Agjencinë, por edhe për të gjitha subjektet e shpronësuara. Në këto kushte do të ishte me rëndësi sigurimi i një bashkëpunimi me institucionet nga ku varet Instituti i Firences, me qëllim sigurimin e këtij informacioni aq të rëndësishëm për procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave”, përfundon letra.
Por Halimit nuk i është kërkuar vetëm nga AKKP marrëveshja me Italinë për të përdorur arkivat e këtij shteti sa u takon tapive të shqiptarëve. Gazeta disponon një shkresë me informacione të detajuara, ku Ministrisë së Drejtësisë i vihet në dispozicion mundësia “e artë” për të kërkuar arkivat.
Mësohet, se ministria posedon një dokument sipas të cilit, vërtetohet se janë ruajtur kopje të të gjitha akteve të pronësisë të paluajtshme në Shqipëri sipas regjistrave hipotekore të viteve 1930-1937. Sipas këtij dokumenti, cili ndodhet në zyrën e Halimit, në Institutin Ushtarak të Firences ruhet i plotë ky dokumentacion, pasi italianët kishin punuar për shumë vite në regjistrin e pronave, sipas kërkesës të Mbretit Zog.
Ka prova, se instituti italian, në dhjetor të 2006-s, vuri në dijeni organet shtetërore, kurse Ministrisë së Drejtësisë iu kërkua të bashkëpunojë.
Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk e pa të arsyeshme të përdorte arkivat italiane, por nxori në vitet në vazhdim akte ligjore dhe nënligjore, të cilat nuk sollën gjë tjetër vetëm kaosin me procesin e kthimit dhe kompensimit. Edhe pse iu kërkua të ngrihet një grup pune dhe ngrirje të procesit deri në identifikimin e problemeve me pronat, ministria nuk reagoi, ndërsa sot regjistrohen në kronika të ndryshme konflikte, vetëgjyqësi, radhë pa fund në gjyq dhe korrupsion pa masë.
“Është me rëndësi sigurimi i një bashkëpunimi me institucionet nga ku varet Instituti i Firences”
Bashkë me regjistrimin e pasurive, Institut disponon edhe hartat e vjetra për periudhën e viteve 1935
Faksimile
Instituti Mbretëror
Në Institutin Mbretëror, sot Instituti Gjeografik Ushtarak në Firence (Itali), ndodhen të arkivuara një kopje e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit tonë të kryer nga ky institut në vitet 1930-1937
Rama:
Në krye të Agjencisë
për Kthimin e Pronave
Lideri i opozitës e ka kthyer qëllim në vetvete zgjidhjen e çështjes së pronave, plagë sociale që po gërryen shoqërinë në këta 20 vjet. Edi Rama ka marrë përsipër të jetë në krye të një agjencie të posaçme për pronat, ndërsa premton se do t’i japë fund kaosit. Kryesocialisti ka deklaruar se do të kryhet një operacion publik i procesit të kthimeve dhe kompensimit korruptive të pronave, i konsultuar me agjenci të mirënjohura ndërkombëtare dhe do të sigurohen dokumentet origjinale të tapive të falsifikuara në bashkëpunim me një vend mik. Ishte Rama që lançoi i pari (publikisht) projektin për t’i marrë dokumentet nga arkivat e shtetit italian, i cili ka një numër të madh arkivash për pronësinë në Shqipëri, duke pasur parasysh periudhën kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë së Mbretit Viktor Emanueli nga vitet 1939-1943. “Kemi kontaktuar agjenci të specializuara ndërkombëtare dhe kemi marrë miratimin në parim që do të bashkëpunojnë me ne. Te kjo do të bazohemi edhe në shtënien në dorë të dokumenteve origjinale të pronësisë si motra të dokumenteve të falsifikuara që mbetën në Shqipëri, pas ardhjes së komunistëve në pushtet dhe do t’i marrim nga një vend mik”. Rama shtoi se çështja e pronësisë do të trajtohet në bllok me tre elementet e saj.
Kontaktet
“Kemi kontaktuar agjenci të specializuara ndërkombëtare dhe kemi marrë miratimin në parim për bashkëpunim”
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/0...e-per-1930-37/
Krijoni Kontakt