-
“Gestapo-ligji” shkon në Kuvend!

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së kanë dështuar të martën që t’ia kthejnë mbrapa Qeverisë së Kosovës Projektligjin për përgjimet e telekomunikimeve.
Pas një debati të ashpër në mes të deputetëve të partive opozitare dhe atyre të Partisë Demokratike të Kosovës, me tri vota pro, tri kundër, dhe një abstenim është pamundësuar që projektligji t’i dërgohet sponzoruesit për ta ripunuar.
Si rrjedhojë, dokumenti, përbërja e të cilit ka ngjalluar reagime të ashpra si të komunitetit ndërkombëtar, të shoqërisë civile dhe partive opozitare, së shpejti do të jetë njëra nga pikat e rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku varësisht nga përkrahja ose jo e ligjvënësve do të kalojë në lexim të parë, ose do t’i kthehet Qeverisë.
Ky projektligj fillimisht është shqyrtuar nga Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, por për shkak se në të përfshihet edhe AKI-ja si institucion që do t’i bëjë përgjimet, është vendosur që të krijohet një komision formal, i përbërë nga deputetët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri dhe të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.
Si përfundim, komisioni formal, përkatësisht deputetët e dy komisioneve parlamentare janë shprehur kundër modelit se si e parasheh ky projektligj çështjen e përgjimit të telefonatave, ndërkaq kanë rekomanduar që ai t’i kthehet qeverisë.
Për këtë projektligj, që kishte nisur të hartohet në Zyrën e Kryeministrit pak kohë pas publikimit të aferës “Pronto”, “Zëri” ka raportuar në shkurt të këtij viti, ku ka zbardhur vërejtje të shumta të bashkësisë ndërkombëtare.
Neni katër i këtij projektligji përbën shqetësimin më të madh të komunitetit ndërkombëtar, ngase ai e parasheh që të themelohet një qendër administrative brenda AKI-së, dhe e njëjta t’i bëjë përgjimet, qoftë ato që i duhen gjyqësorit, apo AKI-së.
Ndërkaq, askund nuk thuhet se kush dhe si mund të përgjohet, përkatësisht kush nuk mund të përgjohet. Të njëjtat vërejtje janë dhënë edhe të martën.
Derisa nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së i ka dhënë mbështetje këtij projektligji, ndërsa në fund ka abstenuar nga dërgimi i tij në Qeveri apo në Kuvend, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Demolli, ka thënë se
“përveç Qendrës Administrative, pra nenit katër, draftligji si i tillë ka edhe një sërë mungesash të tjera, sepse, thjesht nuk i përmban normat procedurale me të cilat do të rregullohej se si mund të urdhërohet përgjimi i dikujt, kush përgjigjet, deri në çfarë afati mund të përgjohet dikush”, ka thënë Demolli.
Ngjashëm është shprehur edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se draftligji në fjalë është plotësisht i papranueshëm, dhe se ai nuk ngjason as për së afërmi me atë që duhet ta ketë shteti i Kosovës.
“Domosdoshmëria e këtyre ndryshimeve nuk është e vogël. Do me thënë, ndryshimet që duhet të ndodhin në draftligj nuk janë ndryshime të vogla që mund të prekin disa elemente periferike. Ndryshimet që duhet me ndodhë e prekin substancën e draftligjit”, ka thënë Ramadani, duke kërkuar që projektligji duhet t’i kthehet qeverisë.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se projektligji duhet të kalojë në lexim të parë, dhe më pas deputetët të votojnë për ndryshime ose jo, ndërsa ka theksuar se më i mirë është një ligj i keq sesa mos të ketë ligj fare. Pro dërgimit të tij në Kuvend dhe jo kthimit në qeveri kanë votuar edhe deputetët Ukë Rugova e Duda Balje.
http://www.zeri.info/artikulli/7188/...hkon-ne-kuvend
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt