Partia e Punës sulmon PS-në: Rama artist cirku, ku mungon arusha Mira

Një prej aleatëve të rinj të socialistëve në këto zgjedhje, Marko Dajti, i cili kryeson Partinë e Punës, e Riorganizuar, marko-dajti_copyironizon fushatën e deritanishme të PS, e cila sipas tij nuk është e orientuar nga serioziteti, por nga skenarë qesharakë, siç ishte ai i zhvilluar në hapjen e fushatës së Tiranës, ku në skenë u ngjit dhe një grup këngëtarësh romë. “Me keqardhje konstatuam se në mitingun për prezantimin e kandidatëve të Partisë Socialiste, Edi Rama u shndërrua në një artist cirku. Praktikisht, pas dajres dhe ahengxhinjve të rëndomtë, në Pallatin e Sportit mungonte vetëm arusha Mira. Pamë kandidatët socialistë të këndonin me stonatura këngë stadiumesh, ndërkohë që vetë kryesocialisti ka nisur t’i këndojë fikut që nuk po arrin dot t’i marrë kokrrat”, – shprehej dje Marko Dajti në një deklaratë të shpërndarë për mediat. Më tej ai thekson se e majta nuk mund të vijë në pushtet me këngë mejhanesh. “E majta nuk mund të vijë në pushtet me dajre e këngë mejhanesh, pasi nuk janë vetëm votuesit nga Bregu i Lumit që vendosin për të ardhmen. Nuk e dimë nëse një fushatë e tillë i dedikohet shijes së keqe artistike të liderit të së majtës, këshilltarëve mediokër apo pagesave nën dorë që kanë si qëllim të lënë në pushtet Sali Berishën”, – theksonte më tej Dajti, i cili i bënte thirrje PS-së që të votojë të enjten në Parlament si tri ligjet, ashtu edhe amnistinë fiskale.

MAPO