Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1

    Përse Kosova mund të ecë para Shqipërisë?

    09:29 / E premte, 14 Qershor 2013
    4
    GAZETA TRIBUNNA
    Rezart PalluqI

    Kosovarët e kuptuan dhe shfrytëzuan Dostojevskin ose kulturën ruse më mirë se sa shqiptarët. Nëse tek shqiptarët Dostojevski reflektonte dy vrasës(Hoxhën dhe studentin që vret vejushën) tek kosovarët ai përçonte studentin dhe agresorin serb.
    Dhe këtu qëndron ndryshimi thelbësor rreth të keqes dhe të mirës shqiptar dhe asaj kosovare.
    Kosovarët u detyruan të mblidhen si bagëtia të kërcënuar nga ujku që kërkon t’i gëlltisë, ndërsa tek shqiptari, vrasësi edhe pse kërcente midis tyre, ata e kërkonin atë jashtë vetes dhe kufijve shqiptarë.
    “Flet ai që di më shumë dhe dëgjon ai që di më pak” këto fjalë kaq të thjeshta por shumë filozofike, i dëgjova prej më se dhjetë pleqve të moshuar në Kosovë,gjatë qëndrimit tim katër ditor në Prishtinë, vizitë kjo për panairin e librit atje. Më e veçanta ishte, se brezi i ri, i vlerësonte mjaft këshillat e prindërve të tyre.
    Kur ndodhesh në rrezik vdekjeprurës, si kërcënimi serb ndaj kosovarëve, dëgjon më të mençurin për t’i shpëtuar ujkut. Dhe kosovarët këtë kanë bërë. Kanë dëgjuar këshillat e të diturve për të shmangur zhdukjen ose shpartallimin e turmës.
    Ky rrezik ama, solli me vete një thesar të madh, sa jetëshpëtues aq edhe filozofik. Të kesh durim të dëgjosh tjetrin është kulturë dialogu, thelbi i demokracisë. Por të kesh durim dhe të mos jesh egoist dhe dëgjosh më të mençurin, ja, ky është thesar filozofik, me rrënjë sokratiane.
    Mençuria sokratiane për mendimin tim, është rrënjosur thellë në shpirtin e kosovarëve. Kam intervistuar mbi pesëmbëdhjetë njerëz të ndryshëm, që nuk i njihja kurrë më parë. I qerasja me kafe, dhe thellohesha në bisedë me ta. Ata ishin aq të sinqertë saqë pranonin se kanë bërë karrierë gjatë pushtimit serb. Dikush kishte punuar si makinist, dikush tjetër si elektricist. Ankoheshin rreth korrupsionit, sidoqoftë disa prej tyre thanë: qeverinë e zgjedh populli ynë, prandaj ne jemi fajtorë të gjithë, ndërkohë që nga goja e shqiptarit këtë rrallë ose kurrë s’e dëgjon.
    Duhet të shtoj këtu edhe diçka që shumëkush prej nesh nuk dëshiron ta dëgjojë : Sllavët sado që flasin gjuhë më të re se sa ne, edhe pse janë popull shumë më pak i lashtë se sa ne, ata kanë ditur që të jenë mbi ne. Tek sllavët kultura respektohet dhe duhet më shumë se sa tek shqiptarët. Kosovarët, patën jo vetëm fatkeqësinë por edhe fatin e madh që shqitën një pjesë prej mishit të kulturës ruse. Këtë copë mishi e shqitën edhe shqiptarët, por atë e helmoi Enver Hoxha.
    Tek kosovarët spikata disa shkëndija tolerance dhe kulturore ruse, dhe kjo, për mendimin tim do t’i ndihmojë ata, jo për të tradhtuar rrënjët e tyre, por për ta dashur dhe besuar më shumë tek forca e artit, dhe mrekullitë që mund të bëjë forca e dialogut të bukur dhe të fuqishëm.
    Gjatë katër ditëve të qëndrimit tim në Prishtinë, u ndesha me kulturën e dialogut. Në kafene, mbrapa, para, anash meje, njerëzit dëgjonin me veshti të madhe tjetrin, ndërkohë që në një kafene shqiptare dëgjon shpesh pesë njerëz të flasin njëkohësisht.
    Kjo kulturë mosxhelozie, mori përmasa gjigante gjatë ndarjes së çmimeve letrare. Sado që treçereku i çmimeve iu nda autorëve me prejardhje jashtë kufijve kosovarë, nuk dëgjova as edhe një gëk mëk, rënkim dashakeqës të të pranishmëve, ndërkohë që po të kishte ndodhur kjo në Shqipëri, jam i sigurt se do të llomotitshin fjalët : nuk patën turp që ia dhanë të gjitha çmimet kosovarëve ? Jua them këtë pa e tepruar, se mbrëmja e ndarjeve të çmimeve në Prishtinë, ka qenë hollivudiane. Aty zotëroi ajo qetësia e shenjtë, artistike, e cila e karakterizon artin aq shumë. Dhe këtu organizatorët e tij meritojnë komplimentet e mia të mëdha, sidomos zoti Abdullah Zeneli.
    Ja edhe një shembull tjetër : Botuesi im kur erdhi në Panair dhe pa aq shumë shtëpi botuese pranë njëra tjetrës, të vogla, mesatare apo shtëpi botuese të mëdha, u habit dhe tha : O Zot, po kjo është mrekulli !! Në Shqipëri, nuk mund të ndodhë kjo, sepse botuesit e vegjël luftohen për vdekje nga shtëpitë e mëdha botuese.
    Por, jo në Kosovë. Aty, u strehuan të gjithë, sepse kështu i ka hije librit. Libri është fisnik dhe ai strehohet në ambientet e vogla, në zemrën e njeriut që është gjithashtu shumë më e vogël se trupi i njeriut.
    Në rrugë dallova gjithashtu mungesën e xhelozisë estetike të grave ndaj njëra- tjetrës. Kam përshtypjen se gratë prishtinase, dinë të vishen më bukur se sa gratë tiranase. Tek gratë prishtinase më habiti kombinimi i përkryer i ngjyrave dhe modernitetit pak e sak. Fundi i tyre nuk i mbulonte gjunjët (si mamaja im dikur) por edhe nuk kërcente shumë lart tij. Ato kanë zgjedhur atë kufirin e përkryer estetik. Në sytë e mi, ato nuk dukeshin as gra konservatore, as gra pornografike, ku mbathjet shfaqen sa herë që kofsha bën një lëvizje dinake apo të shthurur. Pa përjashtuar këtu atë shikimin dinjitoz, i cili as nuk të provokonte, as nuk të mohonte.
    Sytë e grave prishtinase, të shihnin pakëz, sikur të thoshin: të pashë, kalove pranë meje, dhe kaq e mirupafshim!
    Kam qenë edhe në Paris dhe Romë,por po jua them me sinqeritetin më të madh, se gratë e Prishtinës ia kalonin, sepse ato jo vetëm që ishin veshur me shije të rrallë, por këtë e reflektonin edhe në sjelljen e tyre, mjaft dinjitoze. Shkurt, tek gratë prishtinase estetika dhe dinjiteti janë në baraspeshë.
    Shpesh dëgjova të thuhej plot xhelozi: ju shqiptarët e flisni mirë shqipen , ndërsa ne jo. Unë iu përgjigja shpesh: njoh shqiptarë sa të duash që e flasin shqipen shkëlqyeshëm, por e turpërojnë atë me sjelljen e tyre të poshtër, çnjerëzore, smirëzezë. Prandaj, mos u merakosni se njeriun nuk e bën të mirë gjuha e kultivuar, por veprimet humane të tij, shpirtit të tij.
    Disa të tjerë më thanë: ju jeni njëqind vjet shtet ndërsa ne jo.
    Po, vërtet jemi njëqind vjet shtet, por unë njoh shtete që janë njëqind vjet shtet, por ne na e kanë kaluar me kohë. Prandaj, vjetërsia e shtetit nuk luan gjithmonë rol vendimtar për të ecur përpara. Rolin kryesor e luan shpejtësia dhe mençuria për të bërë 10 hapa para dhe tre hapa mbrapa, ndërsa ne shqiptarët ecim 10 hapa para dhe 15 hapa mbrapa.
    Prandaj, ju lutem kosovarë, mos u mjaftoni me justifikimet e djallëzuara të udhëheqësve tuaj, kur përmendin vjetërsinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Ju mund të na e kaloni brenda 20 viteve, po të punoni me mend, mund të bëheni lokomotiva e shtetit shqiptar.
    Në mbyllje do të rikthehem tek kultura e dialogut kosovar. Ajo është e fuqishme, shumë më e fortë se sa tek shqiptarët. Kjo kulturë dialogu, që në thelb buron nga niveli i tolerancës ndaj mendimit të tjetrit, buron pjesërisht nga sllavët. Sllavët për mendimin tim e duan më shumë vetveten, se sa ne shqiptarët. Ata janë shumë më tolerantë ndaj popullit të tyre dhe nuk është e rastësishme që ata na e kanë kaluar në rrafshin ekonomik dhe kulturor. Kosovarët e trashëguan tolerancën e tyre dhe besoj se e bënë shumë mirë.
    Që të mos lindin keqkuptime: E kam fjalën pra, për tolerancën brenda-fisnore, kombëtare sllave, dhe jo tolerancën sllave ndaj kosovarëve…
    Në kulturën e dialogut, respektit për të dëgjuar tjetrin dhe mençurinë që mendimet e tij të mos i vlerësosh PA MENDUAR me ZERO, ja, këtu, prehet shpirti i Demokracisë.
    Evropa ka kohë që trumbeton për kulturë dialogu, zgjidhjen e problemeve duke negociuar, dhe ju e keni këtë thesar kaq të madh, kulturën e dialogut. Për mua, si shkrimtar, « DIALOGU ËSHTË MBRETI I PROZËS TIME »
    Këtë thesar ju kosovarët e keni. Shfrytëzojeni, ju përgjërohem deri në maksimum. Bëjeni këtë, për të mirën kosovare dhe asaj mbarëshqiptare !
    Amin Kosovë!
    Revolucioni është për bishat, evolucioni për njerëzit!©

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e hot_prinz
    Anëtarësuar
    29-05-2007
    Vendndodhja
    Frankfurt
    Postime
    9,878

    Për: Përse Kosova mund të ecë para Shqipërisë?

    Edhe une qellova rastesisht ne panairin e librit ne Prishtine, dhe perderisa soditja tendat e shtepive botuese hasa ne nje liber me nje titull qe nuk me kujtohet por kishte te beje me femrat, "sekretet e femrave" ashtu disi, une e mora per shaka ne dore dhe aty me impenjuan ta lexoj parathenien qe kishte te beje per dashurine.

    Kam qene ne shume vende por kualiteti i jetes ne Prishtine gjate kesaj kohe me pelqeu jashtemase, jeta ishte me dinamike dhe nga momenti ne moment nuk mund te planifikoje se cfare do te ndodh ne momentet e ardhshme, dy jave ne Prishtine jane me intensive ne jete se sa gjysme viti ne nje vend tjeter ku cdo gje eshte e planifikuar detajisht dhe shume monotone. Ne telefon fjala e pare nuk ishte "si je", por "ku gjindesh" sepse nga dinamika e madhe, bashkebiseduesin edhe nese e ke pare para nje ore, as qe mund ta mirrte me mend se ku gjindesh momentalisht.

    Shpresoj se ne nje te ardhme te shpejte, te drejtoj jeten drejt atdheut e ne Prishtine.
    tempus fugit, amor manet in aeternum corde

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •