Strasburgu, dy milionë euro gjobë ShqipërisëTIRANE- Konflikti me shtetin për truallin ku u ngrit Ambasada Italiane. “Panorama” zbardh sot vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg qe gjobit Shqipërinë me mbi 2 milionë euro për shkelje të të drejtave në një çështje pronësie. Vendimi penalizues për qeverinë shqiptare është dhënë më 21 maj 2013 dhe i përket çështjes “Delvina kundër Shqipërisë”. Bëhet fjalë për një pronë të familjes Delvina, 1600 metra katrorë truall, që ndodhet në territorin e Ambasadës Italiane në Tiranë. Për këtë pronë organet gjyqësore shqiptare kishin vendosur kompensim në favor të pronarëve, por ky vendim nuk është ekzekutuar. Referuar vendimit të Strasburgut, qeveria shqiptare duhet t’i paguajë ankuesve një shumë prej 2.022.400 eurosh si shpërblim për dëmin pasuror që u është shkaktuar, si dhe 3500 euro për shpenzimet gjyqësore. Nga Strasburgu është vërejtur shkelje e së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe shkelje të së drejtës së pronës për shkak të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor në favor të ankuesve për kompensimin e pronës.
VENDIMI
Vendimi i 21 majit 2013 në Strasburg është në vijim të vendimit të 15 shkurtit 2011 të po kësaj gjykate. Në vitin 2011, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut arriti në përfundimin se ankuesve u është shkelur e drejta për një proces të rregullt ligjor. Në të njëjtin vendim, rekomandohej që palët, ankuesit dhe shteti shqiptar, të gjenin një marrëveshje për shpërblimin e dëmit. Mësohet se për zgjidhjen e çështjes qeveria i ka propozuar ankuesve kompensim në natyrë me një tokë tjetër. Propozimi nuk është pranuar nga ankuesit. Gjykata e Strasburgut e ka hedhur poshtë propozimin e qeverisë me argumentin se propozimi nuk ishte i qartë dhe bindës, për faktin se nuk përcaktohet vendndodhja konkrete e kësaj prone, vlera dhe statusi juridik i saj./BalkanWeb
Krijoni Kontakt