U inaugurua pllaka përkujtimore për viktimat hebraike në Kosovë
Prishtinë, 23 maj - Jemi sot këtu, që pas 70 vjetëve t'i mbajmë në mend qytetarët tanë që u zhdukën për të mos u kthyer më, emra të përveçëm që hynë në historinë e njerëzimit si viktima të Holokaustit.
Këtu afër përpara ishte në sinagogë, e cila u shkatërrua nga regjimi komunist, dhe prandaj këtu edhe simbolikisht po e vendosim këtë gurë që të mbahet në mend gjurma e diversitetit dhe gjurma hebraike, që ka qenë me shekuj të tërë e pranishme në Kosovë. Ne, populli shumicë e kemi këtë obligim moral dhe politik. Në takime, në negociata, në dialog – ne si liderë gjithmonë e kemi obligim të orientohemi kah qëllimi koncensual i kësaj shoqërie e që është integrimi euro-atlantik, theksoi kryeministri Hashim Thaçi në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore për hebrenjtë, të cilën pësuan gjatë Holokaustit, nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës, si dhe për të nderuar hebrenjtë që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në Kosovë
Thaçi me këtë rast foli edhe për bisedimet në Bruksel me palën serbe, duke kujtuar se konflikti Kosovë-Serbi ka qenë më i gjati dhe më i thelli i rajonit. “Të dy kryeministrat biseduam se si ta zbërthejmë në vepra marrëveshjen e normalizimit që u quajt historike nga një shumësi e madhe zërash të dashamirëve të paqes. E kam me rëndësi të fillojmë një proces pajtimi. Pajtimi në mes nesh. Për pajtimin mund të mësojmë diçka prej popullit hebre gjatë historisë, mund të mësojmë shumëçka. Edhe pse gjithmonë të persekutuar, shumë prej tyre kanë gjetur vullnetin të bëhen liderë të pajtimit”, tha pos tjerash Thaçi.
Duke iu kthyer viteve të Luftës së Dytë Botërore, kryeministri i vendit tha se Kosova doli faqebardhë duke mundësuar shpëtimin e së paku disa qindra familjeve hebraike, kundruall miliona ë tjerëve që e pësuan dhe u zhdukën në mbarë Evropën. Megjithë ndihmën e pakursyer të kosovarëve, tha Thaçi, disa dhjetëra qytetarë hebre të Kosovës u dërguan nga nazistët në kampe të përqendrimit për të mos u kthyer kurrë më.
Ai tha se pikërisht në atë vend ku po inaugurohej pllaka përkujtimore, ishte një sinagogë (tempull fetar hebraik), e cila u shkatërrua nga regjimi komunist, dhe prandaj këtu edhe simbolikisht po e vendosim këtë gurë që të mbahet në mend gjurma e diversitetit dhe gjurma hebraike, që ka qenë me shekuj të tërë prezente në Kosovë. “Ne, populli shumicë e kemi këtë obligim moral dhe politik”, tha ai.
“Në emër të popullit liridashës të Kosovës, në emër të institucioneve të Kosovës, në emër të qytetarëve kosovarë të të gjitha etnive, në emrin tim personal, u përkulem edhe një herë atyre që me gjak të tyre krijuan themelet e botës së lirë së cilës edhe ne sot i takojmë si shtet i Kosovës”.
Me një psalm dedikimi për shtëpinë, ku lartësohet Zoti që ka ngritur dhe frymëzuar njeriun, për mbijetesë, nisi fjalën e tij rabini i Brukselit, Levi Matusof, gjatë ceremonisë solemne të zbulimit të memorialit për viktimat hebraike të Holokaustit në Prishtinë.
Prijës fetarë islamë, të krishterë, ortodoksë dhe çifutë, bashkë me dhjetëra personalitete nga jeta institucionale e diplomatë në Kosovë, dëgjuan me vëmendje drejtorin e çështjeve
çifute për çështje publike, teksa shpjegonte se si mbetën gjallë ata hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se si duhet mësuar mësimin që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës.
Për pllakën përkujtimore në Prishtinë ka ardhur edhe ambasadori izraelit në Beograd, Yossef Levy, i cili tha se ndihet i nderuar që hebrenjtë po nderohen në këtë mënyrë nga kosovarët.
“Në emër të shtetit të Izraelit dhe më lejoni të them edhe në emër të popullit çifut, dua t’ju them dy fjalë e para Shalom, dhe e dyta Faleminderit!”, tha ambasadori Levy.
Diplomati izraelit tha se
çifutët e vlerësojnë humanitetin dhe dinjitetin e të gjithë popujve që bënë çdo gjë në kohën e kapitujve më të errët të historisë, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre.
E kemi një thënie në hebraishte, që thotë se ata që shpëtojnë një jetë, është sikur të shpëtonin tërë njerëzimin. Dhe, në ish-Jugosllavi, veçanërisht territorin e Kosovës, si dhe në Shqipëri, njerëzit rrezikuan jetët e tyre dhe shpëtuan
çifutët”, u shpreh Levy.
Sipas tij, këtë gjë shqiptarët e bënë për humanizëm.
“Sepse, ishin njerëz të mirë, sepse ishim myslimanë të mirë, sepse ishin krishterë të mirë, sepse kishin besën e tyre, dinjitetin dhe humanizmin. Ky kapitull i lavdishëm, se si shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri shpëtuan qindra, ndoshta mijëra çifutë, nuk është fakt i njohur mjaftueshëm në Izrael, në botën çifute. Ne duhet ta mësojmë këtë kapitull më mirë”, porositi ambasadori izraelit.
Pllaka ka gjerësi prej një metri dhe është e lartë 2 metra, ajo është e punuar në mermer të bardhë, kurse në të shkruan se ajo po ngrihet në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit.
“
Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”, përfundon citati në gjuhën shqipe, i cili është i shkruar edhe në hebraishte, serbisht dhe anglisht.
Ngritja e memorialit në Kosovë për viktimat e Holokaustit, për Jason Steinbaum, shef i personelit të kongresmenit Eliot Engel, paraqet një hap më pranë miqësisë me çifutët dhe hap një derë për këtë popull në vendet e treta të botës.
“
Mendoj se ky memorial tregon thelbin e asaj se kush është vërtet populli i Kosovës. Për popullin çifut ky memorial tregon se kjo është shtëpi për ta dhe se ky është një vend ku ata ishin të sigurt, dhe një vend ku ata mund të ndihen rehat e të sigurt, dhe se do të ketë një marrëdhënie të gjatë dhe të frytshme përjetë në të ardhmen”, deklaroi Steibaum për Radion Evropa e Lirë.
“
Populli shqiptarë ka shpëtuar disa mijëra çifutë, në tërë këtë rajon, nga Shqipëria e deri këtu në Kosovë. Rrëfimi i besës shqiptare dihet nga pak njerëz, por për ata prej nesh që ndjekim zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, ne e dimë këtë tregim. Ne po mundohemi ta rrëfejmë tregimin, dhe do ta përsërisim sa herë të jetë nevoja”, tha Baumstein.
Kjo, personalisht, ishte shumë emocionuese për mua. Unë e shikoja ceremoninë përderisa ajo po zhvillohej dhe iu ktheva ministrit të Jashtëm të Kosovës, që qëndronte prapa meje, dhe i thash thjesht: Faleminderit që po e bëni këtë!”, theksoi Baumstein.
http://www.koha.net/?page=1,13,146708
Krijoni Kontakt