Kurani i Madhëruar dhe Doktrina e Trinisë
“Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm”. (Kur’an: El Maide 73)
Duke marrë parasysh kronologjinë historike të shpalljes hyjnore ndërmjet Inxhilit/Ungjillit dhe Kur’anit, Zoti i Lartmadhëruar na e sqaroi devijimin që kanë bërë të krishterët me Isanë a.s./Jezusin dhe me besimin e tij në tërësi. Duke hulumtuar e argumentuar njërën ndër doktrinat më të rëndësishme të krishterizmit, siç është doktrina e trinitetit, është me interes që të shihet se çfarë thotë për trinitetin Kur’ani, si shpallje e fundit hyjnore?
Njerëzimi e ka kuptuar Jezusin në katër mënyra: Sipas ateistëve Jezusi nuk ka ekzistuar fare. Për çifutët Jezusi është një hebre heretik, i lindur nga një grua e përdalë, andaj nuk gëzon të drejtën të quhet shpëtimtar (Mesia). Për të krishterët ai është zot, ose bir i Zotit. Kurse, sipas islamit, Jezusi (Isai a.s.) është i dërguar nga Zoti.[1]
Nën ndikimin e romakëve, të cilët, edhe pse e pranuan krishterizmin, nuk i braktisën zotat e tyre mitologjikë dhe nuk u bënë monoteistë të vërtetë, kisha i inkorporoi dhe i transplantoi mitet e tyre brenda mësimit të saj. Kjo degjeneroi me futjen e mitit të trinitetit si pjesë e pandashme e besimit të krishterë. Ndërkaq, Islami është kategorik në faktin se Zoti dhe krijesa nuk janë të njëjtë ontologjikisht, prandaj as Krijuesi nuk mund të transformohet në krijesë dhe as krijesa nuk mund të lartësohet, ose të shndërrohet në Zot.[2] Kjo do të thotë se është e pamundur zbritja e Zotit në tokë ose inkarnimi i Tij në trupin e njeriut, gjegjësisht në trupin e Jezusit, siç predikon doktrina e krishterë.
Duke e parë devijimin e popujve nga rruga e vërtetë dhe ndryshimin e librave të shpallur prej të Madhit Zot. Allahu xh. sh. para 14 shekujsh dërgoi pejgamberin e Tij, të dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin s.a.v.s., me fjalën e Tij finale, dërguar njerëzimit. Librat e mëhershëm nuk u ruajtën ashtu siç u shpallën. Bibla e sotme është një përzierje e gjurmëve të mbetura të fjalëve të Zotit, me fjalët e profetëve, të historianëve, të autorëve dhe të njerëzve të tjerë, ashtu që as autorët e librave nuk dihen saktësisht.
Feja islame, Kur’ani është ai që ringjalli dhe e përtëriu fenë e Isait a.s./ Jezusit dhe fenë e të gjithë të dërguarve të tjerë para tij. Pika kryesore me të cilën islami, apo Kur’ani, ka ardhur është sqarimi i konceptit të Zotit, që është edhe esenca e vërtetë e fesë. Koncepti i Zotit në krishterizëm ka arritur deri në atë shkallë sa Zoti të krahasohet me vetitë dhe cilësitë njerëzore, duke i bërë shok Zotit, duke i bërë ortak, duke e adhuruar dikë tjetër në vend të tij etj.
Kur’ani është një udhëzues që e ndan dritën nga errësirat dhe na tregon në mënyrë perfekte se çka mund të besohet e çka nuk mund të besohet nga Bibla.[3]
Fetë e pavërteta e kanë të përbashkët një koncept bazë lidhur me Zotin: ose pretendojnë se të gjithë njerëzit janë zota, ose se natyra është Zot, ose se Zoti është një pjellë e imagjinatës së njeriut. Pra, mund të thuhet se mesazhi bazë i feve të pavërteta është se Zoti mund të adhurohet në formën e krijimit të Tij. Fetë që s’e thonë të vërtetën e ftojnë njeriun në adhurimin e krijimit duke e quajtur krijimin, ose disa aspekte të tij, Zot. P.sh., Pejgamberi Isai a.s./ Jezusi, i ftoi pasuesit e vet të adhuronin Zotin, por ata që pretendojnë të jenë pasues të tij sot i ftojnë njerëzit në adhurimin e Jezusit, duke pohuar se ai ishte Zot.[4]
Pra, Kur’ani erdhi që ta largojë njeriun nga adhurimet të ndryshme pagane, ta largojë nga rruga e shtrembër dhe ta udhëzojë në rrugën e drejtë, ashtu siç bënë edhe të dërguarit e Zotit xh. sh.
Orientalistja e famshme italiane, dr. Laura Veccia Vaglieri, në librin “An Interpretation of Islam”, thotë:
“Pejgamberi arab, me zërin që ka qenë i frymëzuar me lidhje të fortë me Krijuesin e Vet, ua ka predikuar monoteizmin më të pastër adhuruesve të fetishit dhe ithtarëve të krishterizmit e të judaizmit të prishur... Falë islamit, paganizmi, në të gjitha format e tij, qe mundur. Vizioni i kozmosit, ritualet religjioze dhe traditat e jetës shoqërore qenë liruar nga të gjitha lajthitjet, të cilat i patën degraduar, kurse mendimi njerëzor qe liruar nga paragjykimet. Njeriu, më në fund, qe bërë i vetëdijshëm për dinjitetin e tyre. I përulej vetëm Krijuesit dhe Sunduesit të mbarë njerëzisë... “. [5]
Orientalisti francez, E. Demerngem, thotë:
“Mesihu a. s., në Kur’an, ka vend të ngritur. Lindja e tij nuk ishte e zakonshme, si e njerëzve të tjerë. Ai ishte i dërguari i Allahut, të cilit Zoti i foli me zë... Kur’ani e ka për qëllim krishterizmin e vërtetë kur thotë: Isa a. s., është rezultat i fjalës që Zoti ia përcolli Merjemes dhe ai është njeri. Kur’ani e lufton doktrinën e atyre që besojnë Isanë (Jezusin) për Zot... Ai nuk e lufton krishterizmin e vërtetë. Prandaj, i krishteri duhet të jetë i kënaqur me sulmin që Kur’ani ia bën trinitetit”.[6]
Napoleon Bonaparta thotë:
“Musai (Mojsiu), ia ka shpallur fenë e Zotit popullit të vet, Isai (Jezusi) botës romake, kurse Muhamedi a. s. tërë botës. Arabia ishte vend pagan. Gjashtë shekuj pas Isait, Muhamedi e njohu botën me besimin në Një Zot të Vetëm, që është Zoti i Ibrahimit, i Musait dhe i Isait. Arianët dhe sektarët e tjerë, e çoroditën botën me diskutime mbi trinitetin: Atin, të birin dhe shpirtin e shenjtë. Ndërkaq, Muhamedi shpalli se Zoti është Një, kurse triniteti imponon idenë e idhujtarisë”. [7]
Nuk do ta lëmë pa e përmendur edhe teologun e njohur, Hans Küng, profesor në Fakultetin e Teologjisë Katolike të Universitetit të Tubingas, nga 1960 deri më 1979, më pas drejtor i Institutit të Teologjisë Ekumenike në të njëjtin universitet, i cili pohon:
“Edhe muslimanët e mirinformuar, ashtu si edhe hebrenjtë, nuk kanë mundur deri tani ta kuptojnë idenë e trinitetit... Dallimet e krijuara nga doktrina e trinitetit midis një Perëndie dhe tri perëndive, nuk i kënaqin muslimanët, të cilët janë më shumë të paqartë sesa të sqaruar nga termat teologjikë që vijnë prej sirianëve, grekëve dhe latinëve. Muslimanëve e gjitha kjo u ngjan me një lojë fjalësh...Përse duhet që dikush t’i shtojë diçka konceptit të identitetit dhe natyrës unike të Perëndisë, gjë e cila vetëm e zvogëlon ose e asgjëson këtë identitet dhe natyrë unike të tij”.[8]
Kur’ani Famëlartë e mohon rreptësisht doktrinën e trinitetit, hyjnizimin e Jezusit, mohon se Jezusi është Zot dhe që as nëna e tij Merjemja (Maria) të mos adhurohet siç bëjnë disa sekte krishtere. Kur’ani mohon po ashtu çdo fëmijë, bir që ia veshin Zotit xh.sh. etj. Allahu xh.sh. thotë:
“Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm”. (El Maide 73)
“Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy hanin ushqim. Shih si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! Thuaju (o Muhamed): “Si mundet vallë, që ju adhuroni në vend të Allahut, atë që nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu dëgjon dhe di çdo gjë?!”. (El Maide 75-76)
“Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes, ti ishe ai që u tha njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar, për sa kohë kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë”. (El Maide 116-117)
Gjithashtu në ajetin vijues Allahu xh. sh. iu drejtohet ithtarëve të librit, hebrenjve dhe të krishterëve nëpërmjet të dërguarit të Tij të fundit, Muhamedit s.a.v.s. me fjalët:
“O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thoni tjetër gjë për Allahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu, Isa, i biri i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i Allahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojini, pra, Allahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. Allahu është vetëm një Allah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. Çfarë ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që Allahu është planifikues i pavarur”. (En Nisa 171)
Triniteti nuk është asgjë më shumë se influencë e religjioneve pagane në krishterizëm, është një imitim i thënieve të jobesimtarëve të mëhershëm. Këtë më së miri e vërteton edhe vet Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë, ku thotë:
“Hebrenjtë thonë: “Uzejri është i biri i Allahut”; të krishterët thonë: “Mesihu është i biri i Allahut”. Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta)!”. (Tevbe 30)
Po ashtu Kur’ani i thërret të krishterët dhe hebrenjtë që të besojnë në një Zot dhe ta adhurojnë vetëm atë:
“Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!!”. (Ali Imran 64)
“O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Ynë që ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk jep sqarime. Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë. Allahu e vë me atë (me Kur’anin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë”. (El Maide 15-16)
“E mohuan (e bënë kufr) të vërtetën ata që thanë: “Zot është ai, Mesihu, i biri i Merjemes” Thuaju: “Nëse dëshiron Allahu ta shkatërrojë Mesihun, të birin e Merjemes, nënën e tij dhe gjithë çfarë ka në tokë, kush mund ta pengojë atë?” Vetëm Atij i takon pushteti i qiejve, i tokës dhe çfarë ka në mes tyre. Ai krijon çdo gjë që dëshiron. Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë”. (El Maide 17)
Kur’ani i thërret njerëzit që të besojnë se Zoti është Një i vetëm, nuk lind dhe nuk është i lindur. Është Një dhe i pashoq, etj. Allahu në Kur’an thotë:
“Hebrenjtë dhe të krishterët thanë: "Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij". Thuaju: "Atëherë, përse Ai ju dënon për shkak të gjynaheve tuaja?" Jo, ju jeni njerëz që Ai ju krijoi. Ai fal kë të dojë dhe dënon kë të dojë. Sundimi i qiejve, i tokës dhe i gjithë asaj që gjendet mes tyre është vetëm e Allahut dhe vetëm tek Ai është e ardhmja”. (El Maide 18)
“E, Allahu tha: “Mos adhuroni dy të adhuruar, sepse Ai është vetëm një Zot, pra vetëm Mua ma kini drojën”. (Nahl 51)
“Ai është i pari që s'ka fillim dhe i fundit që s'ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i Dijshmi për çdo gjë”. (Hadid 3)
“Ai është krijues i qiejve dhe i tokës. Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte, edhe nga kafshët krijoi çifte, ashtu që t'ju shumojë. Asnjë send nuk është si Ai; Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha”. (Shura 11)
“Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai të cilit i drejtohet (i mbështetet) çdo krijesë për çdo nevojë. As s'ka lindur kë, as është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë”. (El Ihlas 1-4)
Prof. Abdul Ahad Dawud (ish-kryepeshkopi David Benjamin Keldani) thekson: Formula e doktrinës së krishterë: “Në emër të Atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë” as që e përmend emrin e Zotit. Allahu s’është atë i birit, as bir i atit. Ai s’ka nënë (nuk ka lindur). Besimi në “zotin Atë, e në zotin djalë, dhe në zotin shpirt i shenjtë” është mohim flagrant i njësisë së Zotit... i bazuar në tri qenie të papërsosura, të cilat qoftë bashkërisht, ose të ndara veç e veç, nuk mund të jenë Zot i vërtetë. [9] Matematika si shkencë ekzakte na mëson se njësia nuk është as më shumë, e as më pak se një: se një kurrë nuk është e barabartë me një plus një plus një. Me fjalë të tjera, një nuk mund të jetë e barabartë me tre dhe anasjelltas. Konstatimi juaj që 1+1+1=1 nuk është matematikor, por një konstatim absurd! [10]
Në një letër[11], të shkruar nga Leon Nikollaeviq Tolstoj[12], më 15 mars të vitit 1909, mes tjerash, thuhet: “... unë doemos duhet të them se nuk kam kurrfarë dyshimi në atë se, sipas reflektimit të tij të veçantë të jashtëm, islami është në nivelin më të lartë e të pakrahasueshëm ndaj kishës krishtere. Po qe se flitej për përparësinë ndërmjet kishës krishtere dhe fesë islame, çdo njeri i mençur - në vend të trinisë së pakuptueshme “hyjnore”, kremteve për faljen e mëkateve, ritualet (e komplikuara) fetare, lutja drejtuar nënës së Jezusit, lutjet e panumërta drejtuar shenjtorëve dhe fotografive të tyre - pa kurrfarë dyshimi, fenë islame do ta konsideronte më të lartësuar, si fe që thërret në besim në Një Zot, ku Muhamedi (a.s.) është rob dhe i Dërguar i Tij. E kjo nuk mund të jetë ndryshe”.[13]
Në sahihun e Buhariut është vërtetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë:
Transmeton Ebu Hurejra r.a., i cili pohon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“E shoh se Allahu xh.sh. ka thënë: Njeriu po më shan, edhe pse nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. Njeriu po më përgënjeshtron, edhe pse nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. E sharja e tij ndaj Meje është pohimi se kam fëmijë, kurse përgënjeshtrimi i tij është pohimi se nuk më rikthen (në gjendje) siç më ka krijuar (për herë të parë)”.[14]
Gjithashtu në sahihun e Muslimit transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë:
Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.:
“Askush nuk është më i durueshëm ndaj ofendimit që e dëgjon më shumë se Allahu i Lartëmadhëruar, Atij i (bëhet politeizëm) përshkruajnë shok, dhe fëmijë, megjithatë Ai i u jep shëndet dhe furnizim”.[15]
Kurse Allahu xh.sh. në Kur’an i drejtohet Muhamedit s.a.v.s., që t’u thotë atyre që trillojnë:
“Thuaj: “Sigurisht, atyre që shpifin gënjeshtra për Allahun, nuk do t’u ecë mbarë”. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër në këtë botë e pastaj do të kthehen te Ne dhe Ne do t’ua japim ta shijojnë dënimin e ashpër për shkak se nuk besuan”. (Junus 69-70)
“E ti jobesimtarëve jepu afat, afatizoji ata pak”. (Tarik 17)
Krijoni Kontakt