Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22

    Shefat e ushtrive të Ballkanit në Tiranë. Nishani: Të gjejmë zgjidhje të përbashkëta

    Shefat e ushtrive të Ballkanit në Tiranë. Nishani: Të gjejmë zgjidhje të përbashkëta

    TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duke folur në konferencën e 7-të të shefave të Shtabeve të Përgjithshme të Ushtrive të Ballkanit, kërkoi bashkëpunimin e të gjitha vendeve për të ruajtur sigurinë dhe paqen në rajon.

    Emri:  pres-nishani-konf-shefat-e-mbrojtjes-3.jpg

Shikime: 254

Madhësia:  45.6 KB

    “Besoj shumë se integrimi euroatlantik, ashtu si dhe bashkëpunimi dhe integrimi rajonal, janë instrumentet më të çmuara për arritjen e objektivave të të gjitha vendeve tona. Rreziqet ndaj sigurisë nuk janë thjesht lokale dhe aq më pak të mbyllura brenda kufijve kombëtare. Asnjë prej vendeve tona nuk mund t’i përballojë dot vetëm rreziqet. Në këtë kendvështrim na duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, të cilat duhet të jenë sa të logjikshme, aq edhe të përballueshme. Duhet të marrim masa për mbrojtjen e mençur. Do të dëshiroja ta nxisja këtë forum, të konsideronte mënyrat për të zgjeruar kapacitetet për bashkëpunim edhe në sigurimin e mbështetjes ushtarake për popullatën civile”,- u shpreh Presidenti Nishani.

    Sipas Presidentit Nishani, ekzistojnë të gjitha mundësitë për përmirësimin e punës bashkëpunuese në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

    Në konferencën e 7-të të Iniciativës së shefave të Shtabit të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, që nisi sot punimet në Tiranë, marrin pjesë shefat e ushtrive të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë dhe Rumanisë. Në këtë konferencë, me statusin e të ftuarit marrin pjesë dhe shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    (er.nu/BalkanWeb)

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shefat e ushtrive të Ballkanit në Tiranë. Nishani: Të gjejmë zgjidhje të përbash

    Presidenti Nishani merr pjesë në Konferencën e 7-të të Shefave të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit

    22 maj 2013

    Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh Komandanti i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ishte sot i pranishëm në Konferencën e 7-të të Shefave të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit.

    Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në këtë konferencë, Presidenti Nishani shprehu besimin se integrimi Euro-Atlantik dhe bashkëpunimi rajonal janë instrumentet më të çmuara për arritjen e objektivave të vendeve të Ballkanit dhe inkurajoi forumin e Shefave të Shtabit të vendeve të Ballkanit të zgjerojnë kapacitetet për bashkëpunim edhe në sigurimin e mbështetjes ushtarake për popullatën civile, duke përshtatur një qasje të “Mbrojtjes së Mençur”.

    Fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës Bujar Nishani drejtuar Konferencës së 7-të të Shefave të Shtabit të Vendeve të Ballkanit.

    I nderuar Zoti Ministër,
    I nderuar Gjeneral Gjunkshi,
    Të nderuar Gjeneralë dhe Admiralë – Kryetarë të delegacioneve të Konferencës së 7-të të Shefave të Shtabeve të vendeve të Ballkanit
    Gjeneralë dhe Admiralë – Përfaqësues zyrtarë të NATO-s, BE dhe vendeve të ftuara në këtë Konferencë
    Zonja dhe zotërinj,

    Në emër të Republikës së Shqipërisë, ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithë juve në Konferencën e 7-të të Shefave të Shtabit të vendeve të Ballkanit. Republika e Shqipërisë mbështet plotësisht këtë Forum dhe shpreson që ky të jetë një Takim i suksesshëm e produktiv. Ky Forum vijon të përmirësojë e shtrijë më tej nismën e ndërmarrë në vitin 2007, si një mekanizëm për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal në fushat e mbrojtjes e sigurisë, duke kontribuar në forcimin e stabilitetit në Ballkan.

    Sot vërej me krenari se rezultatet janë mbresëlënëse. Disa nga vendet e rajonit janë tashmë anëtarë të denjë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kjo tregon se proceset integruese Euro-Atlantike janë shtysat kryesore për ecjen përpara të gjithë vendeve tona. Personalisht besoj shumë se integrimi Euro-Atlantik, ashtu si dhe bashkëpunimi e integrimi rajonal janë instrumentet më të çmuara për arritjen e objektivave për vendet tona.

    Të nderuar pjesëmarrës,

    Po t’i hedhim një vështrim më të hollësishëm mjedisit të sigurisë ndërkombëtare, do të vërejmë se fokusi dhe shtrirja e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, rajonale apo ndërkombëtare, kanë marrë një dimension tjetër. Siguria dhe mirëqenia e vendeve tona paqësore mbetet ende e kërcënuar dhe si rrjedhojë rritet nevoja për një bashkëpunim e koordinim të vazhdueshëm dhe efektiv midis institucioneve të shteteve tona, sidomos midis organizmave të mbrojtjes e sigurisë kombëtare. Kjo Konferencë vjetore, e shtata në radhë, sjell së bashku autoritetet më të larta ushtarake të vendeve tona për të shkëmbyer idetë midis tyre duke sjellë kështu një kontribut më shumë në zgjerimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit tonë.

    Gjasat për konflikte të mirëfillta ushtarake në rajonin tonë janë reduktuar ndjeshëm, por të ashtuquajturat rreziqe asimetrike, të përfaqësuara nga përhapja e Armëve të Dëmtimit në Masë, terrorizmi ideologjik dhe sulmet kibernetike, mbeten ende sfida të rëndësishme për rajonin tonë dhe mbarë botën. Për më tepër, rreziqet e mësipërme bëhen më të prekshme, kur shoqërohen me krimin e sofistikuar ndërkombëtar dhe trafikimet e paligjshme të të gjitha llojeve, nga substancat e paligjshme tek qeniet njerëzore.

    Duke u nisur nga fakti që rreziqet ndaj sigurisë nuk janë thjesht lokale, e aq më pak të mbyllura brenda kufijve kombëtarë, asnjë vend nuk është në gjendje t’i menaxhojë i vetëm këto rreziqe. Asnjë prej vendeve tona nuk mund të përballojë i vetëm kapacitetet ushtarake dhe sistemet e komplikuara e të shtrenjta të sistemeve të armëve që nevojiten për të qenë i suksesshëm në fushë-betejat moderne. Për t’iu përgjigjur si duhet këtyre situatave janë rritur edhe kërkesat për mbrojtjen kombëtare dhe atë kolektive. Në këtë këndvështrim, na duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, të cilat duhet të jenë sa të logjikshme aq edhe të përballueshme.

    Organizata e Atlantikut Verior, (NATO), si një organizëm i suksesshëm ndërkombëtar për mbrojtjen e përbashkët, ka adoptuar kohët e fundit sistemin e “Mbrojtjes së Mençur”, një koncept që sjell së bashku aftësitë mbrojtëse të forcave të armatosura të vendeve anëtare për të përforcuar mbrojtjen kolektive për të gjithë. Duke mbajtur në konsideratë rreziqet gjithnjë e më komplekse ndaj sigurisë dhe mbrojtjes kundrejt vendeve të rajonit tonë, edhe ne duhet të marrim një qasje të “Mbrojtjes së Mençur” dhe të gjejmë mënyrat për të sjellë së bashku disa nga kapacitetet individuale për një përfitim reciprok, për të bërë të mundur një rezultat më të kënaqshëm për shpenzimet e bëra.

    Do të dëshiroja ta nxisja këtë Forum të rëndësishëm të konsideronte mënyrat për të zgjeruar kapacitetet për bashkëpunim jo vetëm duke u përqendruar ndaj rreziqeve asimetrike që përmenda më lart, por edhe në sigurimin e mbështetjes ushtarake për popullatën civile. Zhvillimi i kapaciteteve për mbrojtjen civile, përgjigja ushtarake ndaj fatkeqësive të mëdha natyrore, zjarreve masive apo përmbytjeve, do të rriste ndjeshëm përdorshmërinë e forcave tona të armatosura, duke kufizuar edhe koston që shoqëron mbajtjen e tyre.

    Kam besimin e plotë se punimet e kësaj konference vjetore do të kenë një rezultat pozitiv dhe do të përmirësojnë bashkëpunimin efektiv midis vendeve tona në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Ju siguroj për mbështetjen time dhe të Republikës së Shqipërisë për të zgjeruar më tej mundësitë për aktivitetet e përbashkëta stërvitore, përfshi zhvillimin dhe shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës midis forcave të armatosura të vendeve të Ballkanit. Besoj se ka shumë mundësi për të rritur bashkëpunimin midis qendrave të ndryshme trajnuese dhe simuluese në kuadër rajonal. Një bashkëpunim dhe koordinim i tillë, do të rriste dukshëm edhe marrëdhëniet ekzistuese miqësore midis vendeve tona ballkanike.

    Edhe një herë dëshiroj t’ju falenderoj për prezencën tuaj, për organizimin e këtij aktiviteti dhe t’ju uroj secilit prej jush dhe të gjithë bashkë suksese në misionet tona të përbashkëta!

    Presidenca

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •