-
Kryeprokuroria: 6 prokurorë të rinj do të hetojnë punën e prokurorëve
Ngrihet “SHKB” e Llallës, gjashtë prokurorët e rinj që do të hetojnë kolegët
Tiranë Prokuroria e Përgjithshme pritet të shtohet me gjashtë prokurorë të rinj, të cilët do të jenë pjesë e Drejtorisë së Inspektimit. Pas dy shpalljeve radhazi, Këshilli i Prokurorisë ka miratuar emrat e gjashtë prokurorëve, të cilët i janë përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim. Emrat e tyre nuk bëhen publikë, por burimet shprehen se janë përzgjedhur kandidaturat më të mira. “Janë në pjesën më të madhe magjistratë dhe figura me integritet të lartë moral e profesional”, – tha një burim pranë prokurorisë, por pa bërë publikë emrat e tyre. Mësohet se vendimi për përzgjedhjen e gjashtë prokurorëve është marrë të premten e javës së shkuar nga Këshilli i Prokurorisë. Propozimi i Këshillit i është paraqitur Presidentit të Republikës, i cili ka tagrin e dekretimit ose jo të prokurorëve të propozuar. “Mapo” mësoi se të gjashtë prokurorët e përzgjedhur nga Këshilli i Prokurorisë aktualisht ushtrojnë detyrën në prokuroritë e shkallëve të para dhe vetëm një në Apel. Kështu, tre prokurorë janë në Prokurorinë e Tiranës, dy në Prokurorinë e Durrësit, dhe një prej tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve, vetëm dy prej tyre janë prokurorë magjistratë, ndërsa pjesa tjetër kanë përvojë të gjatë pune në organin e prokurorisë. Emrat e prokurorëve pritet të bëhen publikë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës. Menjëherë ata do të nisin nga puna në Drejtorinë e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtori kjo që ka në fokus të punës inspektimin e prokurorëve të Shkallës së Parë dhe Apelit. Përzgjedhja e tyre u bë pasi organi qendror i akuzës shpalli dy herë procedurën e njoftimit për vende vakante në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas faqes zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se në datën 1 prill të këtij viti është publikuar një njoftim për rihapjen e konkurrimit. “Në zbatim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Prokuroria e Përgjithshme rihap dhe njëherë konkurrimin për vendet vakante pranë këtij institucioni”, – thuhet në njoftim. Më tej sqarohet se kandidatët që do të konkurrojnë për prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, duhet të plotësojnë kriteret sipas nenit 43 të ligjit “Për prokurorinë”. Neni 43 i këtij ligji parashikon se prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme emërohet nga Presidenti i Republikës me dekret, pas propozimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Kandidatët duhet të përmbushin disa kritere që lidhen me vjetërsinë në punë, aftësitë profesionale dhe mungesën e masave disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës. Në pikën “a” të nenit 43 thuhet se prokurori që do të emërohet në Prokurorinë së Përgjithshme duhet të ketë minimumi 12 vjet punë në Prokurorinë e Shkallës së Parë ose 5 vjet punë në Prokurorinë e Apelit. Gjithashtu përcaktohet se “duhet të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale; si dhe të jetë vlerësuar ‘Shumë mirë’, për vlerësimin e punës, dy herët e fundit”. Këto kritere janë përmbushur nga prokurorët e përzgjedhur prej Këshillit të Prokurorisë, të cilët janë në pritje të dekretit të Presidentit të Republikës.
Neni 43 pika 2 i Ligjit për Prokurorinë
2. Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me dokumente, pasi:
a) të ketë punuar jo më pak se 5 vjet në prokurorinë pranë gjykatave të apelit ose 12 vjet në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë;
b) të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
c) të jetë vlerësuar “Shumë mirë”, për vlerësimin e punës, dy herët e fundit;
ç) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
MAPO
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt