-
Shën Maria Magdalena - Miroprurëse dhe e barabartë me apostujt
Shën Maria Magdalena ishte pjesëtare në grupin e nderuar të grave galilease që i shkonin pas Zotit tonë Jisu Krisht dhe apostujve të shenjtë dhe i ndihmonin me gjithçka mundnin në misionin e tyre hyjnor. Kjo Mari quhet Magdalenë se ishte me origjinë nga Magdala, një qytet që ndodhej në jug të Galilesë. Shumë biografë e paraqesin Mari Magdalenën si grua mëkatare. Ndoshta ka qenë; prandaj e kishin pushuar shtatë demonë nga të cilët e shpëtoi Jisui dhe prandaj ajo ia përkushtoi si mirënjohje tërë jetën e saj shërbimit të Shpëtimtarit.
Gjatë pësimeve të Krishtit ka qenë dhe ajo në Jerusalem dhe i ka ndjekur këmba-këmbës deri në Golgotha, duke vajtur bashkë me gratë e tjera të Galilesë dhe duke rrahur kraharorin. Mori pjesë bashkë me miroprurëset, madje ishte e para, sepse ajo, pasi pa gurin të rrokullisur nga dera e varrit të Krishtit, shkoi me vrap tek Pjetri dhe tek Joani dhe u tha: “E kanë marrë Jisuin nga varri dhe nuk dimë ku e kanë vënë”. Aq thellë e kishte ndier në shpirtin e saj vdekjen e Shpëtimtarit dhe aq e hutuar ishte, saqë vazhdonte të qante jashtë varrit edhe pas largimit të Pjetrit dhe të Joanit. Malli e nxiti që të fuste kokën në varr dhe atëherë pa brenda dy engjëj të veshur me rroba të bardha që qëndronin njeri nga ana e kokës dhe tjetri nga ana e këmbëve të vendit ku ishte vendosur trupi i Jisuit. Ata i thanë: “O grua, pse qan? Maria u përgjigj: Sepse e kanë marrë Zotin tim dhe nuk di se ku e kanë vënë”.

Dhe tek po thoshte këto, ndjen se dikush ishte pas saj. U kthye dhe sheh një njeri, po nuk e njohu se kush ishte. Ishte vetë Jisui i cili i tha: “O grua, pse qan? Cilin kërkon?” Ajo, duke kujtuar se mos ishte pronari i kopshtit ku ndodhej varri dhe se mos ky e kishte marrë trupin, i tha: “Zotëri, nëse e ke marrë ti trupin, më thuaj se ku e kanë vënë, që ta marr vetë”.
Dhe Jisui atëherë iu zbulua asaj dhe me zërin e tij të zakonshëm dhe të ëmbël iu drejtua Magdalenës duke i thirrur me emër: “Mari”. Ajo menjëherë e njohu dhe iu përgjigj me mallëngjim e me gëzim: “Ravuni”, d.m.th. “Mësues” dhe me vrap iku që t’u thoshte apostujve se kishte parë Zotin. Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë ditën e Pentikostisë, të themelimit në Jerusalem të kishës së parë të krishterë, Shën Maria Magdalena vazhdoi veprimtarinë e saj duke përhapur Ungjillin.
Pas fjetjes të Virgjëreshës së shenjtë dhe Hyjlindëses Mari, Shën Maria Magdalena u vendos në Efes bashkë me Shën Joan Theologun ku edhe ndërroi jetë. U varros pranë shpellës ku më vonë ka fjetur për një kohë shumë të gjatë të shtatë djemtë e Efesit.
Kujtimin e Shën Mari Magdalenës, miroprurëses dhe të barabartë me apostujt, kisha jonë e kremton vit për vit më 22 korrik.
-
-
Për: Shën Maria Magdalena - Miroprurëse dhe e barabartë me apostujt
E Martë, 22 Korrik 2014 - Shenjtori i Ditës.
Maria Magdalena, miroprurëse. Dëshmore Markela në Hios.
Shën Maria Magdalena.
Ishte nga fshati Magdala, afër Gjenisaretit. Bënte pjesë në grupin e grave që ishin shëruar nga Krishti dhe që e pasuan nëpër udhëtimet e Tij për të përhapur Ungjillin, duke i shërbyer Atij nga gjëja e tyre (Mat. 27:55-56; Mark. 15:40-41). Maria ishte çliruar nga shtatë demonë (Luk. 8:1-3; Mark. 16:9).
Duke qenë e pranishme në kryqëzimin dhe varrosjen e Jisuit, vërejti me kujdes vendin e Varrit për ta gjetur ditën tjetër, kur pas pushimit të pashkelur të së shtunës, do të vinte për të lyer me aromë trupin e Perëndishëm (Mat. 27:55-56, 61; Joan. 19:25; Mark.15:40-47). Vazhdimi është disi i paqartë. Sipas të gjitha gjasave gratë miroprurëse shkonin pranë Varrit në orë të ndryshme, herë veç e veç, herë në grupe.
Maria kishte nderin ta shikonte e para të Ngjallurin në të gdhirë të së dielës. E mori për kopshtar derisa i njohu zërin, kur Ai e thirri në emër. E porositi të përhapte tek apostujt lajmin e mirë të Ngjalljes. Dhe e kreu porosinë dhe kështu u bë apostulle e tyre (Joan. 20:1-18; Mark. 16:9-10). Gjithashtu, së bashku me gra të tjera mori edhe një tjetër porosi gjatë Ngjalljes (Mat. 28:1-11; Mark. 16:1-7; Luk. 24:1-10).
Përputhja e saj me gruan mëkatare që leu me miro këmbët e Zotit (Luk.7.36-50) konsiderohet krejt e pabazë, ashtu si rrëfimi se gjoja ajo shkoi në Romë dhe arriti që të dënohej Pilati. Sipas sinaksarit, prindërit e saj ishin Siri dhe Eukaristia, zyrtarë dhe të pasur, ndërsa vetë ajo, e bukur, oratore dhe mrekullibërëse. Veproi në Francë, Itali, Egjipt, Fenikë, Siri dhe Azi të Vogël. Fjeti në Efes, ku qëndroi me Shën Joan Theologun (26 Shtator).
Më 4 maj kremtohet transferimi i lipsaneve të Maria Magdalenës dhe të Llazarit, në vitin 890 nga perandori Leon VI (886-912) në Manastirin e Shën Llazarit që kishte ndërtuar në atë kohë. Miroprurësja kremtohet së bashku me gratë e tjera miroprurëse të dielën e tretë të Pashkës.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt