Kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit janë pritur sot në një takim nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha me rastin e organizimit të konferencës së 6-të të tyre në Tiranë. Berisha ka theksuar rëndësinë e dialogut ndërkulturor, ndërsa ka veçuar shembullin e Shqipërisë, besimet fetare të së cilës nuk e përçanë për asnjë moment këtë komb.
“Nuk janë besimet që i vendosin njerëzit kundra njëri-tjetrit, por politikat që i përdorin si pretekst besimet”, tha Berisha. “Edhe Ballkani mund të jepet si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore të besimeve fetare”, ka shtuar ai.
Prof.Dr Mehmet Gormez, kryetar i Komunitetit Mysliman të Turqisë, u shpreh se mezi prisnin lëvizjen e kamionëve në sheshin e ndërtimit të xhamisë së madhe të Tiranës, të cilën, ai tha se do ta mbështesnin fort. Ai tha se, e kishin falur namazin një ditë më parë në Shkodër, ku fare pranë xhamisë ishte kisha.
“Europa ka 300 vjet që nuk e mëson dot këtë leksion që jep Shqipëria për harmoninë fetare”, u shpreh Gomez, i cili shtoi se Berisha ishte me fat që një muaj para zgjedhjeve takonte kaq krerë fetare që luteshin për shëndetin dhe suksesin e tij. /Shekulli Online
Krijoni Kontakt