“Abuzimet me ilaçet, 2.4 miliardë lekë”
Plot 2.4 miliardë lekë abuzime me ilaçet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Paradoksi qëndron në faktin se në një kohë kur blerjet e barnave janë bërë me çmime 5 herë më të larta se reali, në QSUT ka munguar pjesa më e madhe e tyre. Nuk është as dyshim dhe as shifër që referohet nga ndonjë kontroll i jashtëm. Deklarata e fortë për shkeljen me kosto direkte mbi të sëmurët që trajtohen në spitalin më të madh në vend u bë dje nga vetë ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova. I ftuar në konferencën ndërkombëtare të shëndetit publik, ai nuk ka kursyer akuza të forta për mënyrën si janë menaxhuar fondet apo zbatuar ligjet e protokollet në shëndetësi. “Veçanërisht në QSUT është konstatuar një abuzim prej 2.4 miliardë lekësh, tenderë të kryer në masë më të madhe për blerje medikamentesh. Nga të dhënat e para ka abuzime. Jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund. Çdo abuzues do të përgjigjet në organet përkatëse konform ligjit”, tha Kosova. Ministri pohoi se i ka anuluar këta tenderë. Ai premtoi ndryshim të situatës brenda kësaj jave. Sipas tij, pacientët nuk mund dhe nuk duhet të vuajnë pasojat e tenderëve për të pasur ilaçe. “Qysh nesër do të fillojnë prokurimet, por natyrisht, nuk do të përdoren më ato çmime barnash që ishin përcaktuar më parë, të cilat devijonin deri në 5-fish nga lista bazë e medikamenteve. Ka pasur devijime në fondet publike të dhëna për shëndetësinë dhe keqmenaxhim të institucioneve, veçanërisht QSUT”, u shpreh ministri. Ai tha se për shkak të keqmenaxhimit në këtë lloj forme, QSUT është në këtë gjendje, ku ka mungesa të theksuara të ilaçeve. “Kjo edhe për shkak të çmimeve të barnave në disa raste 5 herë më të larta se lista bazë e medikamenteve. Pacientët kanë pasur 5 herë më pak barna nga ajo që duhet të kishin”, tha Kosova.
SHËNDETI PUBLIK
Jo më pak kritik Kosova u tregua dhe me disa probleme të tjera në fushën e shëndetit publik. “Zbatimin e ligjit antiduhan dhe antialkool mund ta quajmë një ligj që nuk ka mirëfunksionuar asnjëherë, megjithëse jam në dijeni se janë deri diku rreth 100 inspektorë në terren që paguhen nga paratë e taksapaguesve për zbatimin e këtij ligji. Situata duhet të ndryshojë”, u shpreh ministri. Ai u ndal edhe te sëmundjet kronike, duke e cilësuar të papranueshëm regjistrin e statistikave për këto sëmundje dhe mungesën e protokolleve të zbatimit. “Rreth 64 për qind e vdekjeve në vendin tonë raportohen nga sëmundjet kronike, por ne ende nuk kemi një regjistër kombëtar të tyre. Sipas të dhënave, 95% e parave të ISKSH-së për listën e rimbursueshme shpenzohen për sëmundjet kronike dhe 77% e barrës së shpenzimeve individuale shkojnë për kurimin e këtyre sëmundjeve. Ndaj në këtë moment del e nevojshme dhe një riformatim mbi rolin e Institutit të Shëndetit Publik”, tha Kosova. Në lidhje me urdhrin e ri mbi shefat e shërbimit në QSUT, ministri u shpreh se do të respektojë vendimet e qeverisë në këtë proces. “Në themel të çdo iniciative që kemi ndërmarrë dhe në themel të procesit të zgjedhjes së shefave të shërbimit duhet të qëndrojë gjithmonë transparenca”, tha Kosova.
Konflikti për shefat, shërbimet e QSUT në kaos
Pas anulimit të zgjedhjeve të fundit të shefave të shërbimit në QSUT, pavijonet po kalojnë një situatë të vërtetë kaosi. Ministri Kosova urdhëroi rikthimin e shërbimeve në të njëjtën strukturë siç ishin përpara mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Kjo ka bërë që një pjesë e shefave të mëparshëm të kërkojnë kthimin e tyre në vendin e punës. Burime nga QSUT bëjnë me dije se një gjë e tillë nuk është pranuar nga të rinjtë, të cilët kërkojnë shkresën me shkrim. Në të tilla kushte amullia ka përfshirë pavijonet. Shefat e rinj të shërbimit e cilësojnë urdhrin e ministrit Kosova të paligjshëm, ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Universiteti i Tiranës, në vartësinë e të cilit ishte Fakulteti i Mjekësisë kur u zhvilluan zgjedhjet, ka pasur një sërë argumentesh ligjore për shkelje të procedurave. Pas urdhrit, shefat e rinj i dërguan një letër Kryeministrit, duke pretenduar se është shkelur VKM i miratuar prej tij. Nuk ka ende asnjë vendim të qartë nëse zgjedhjet do të bëhen nga fillimi apo jo.
ZIRINA LLAMBRO
Krijoni Kontakt