Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Hapet Shkolla e Administrates Publike: Nga qershori e gjithë administrata në shkollë

    Nga qershori e gjithë administrata në shkollë

    Duket se qershori nuk do të jetë vendimtar vetëm për politikën… Edhe administrata pret qershorin. Kësaj here jo për t’ushkolla ndërruar me kahun fitues të zgjedhjeve, por për t’iu nënshtruar trajnimeve të shkollës shqiptare të administratës publike, e cila e nis aktivitetin muajin tjetër në mjediset e Shkollës së Bashkuar


    Çfarë është shkolla e administratës publike?

    Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) është institucion i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në varësinë e ministrit të Brendshëm. Ajo ka për qëllim formimin profesional të nëpunësve të administratës publike dhe do të kryejë të gjitha funksionet që deri tani i kryente Instituti i Trajnimit të Administratës Publike (ITAP), realizmin e programeve cilësore të trajnimit të administratës publike në përputhje me nevojat reale për trajnim në nivelin qendror dhe nivelin vendor. Të gjitha sa më sipër do të realizohen me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe të huaj, të cilët, këta të fundit do të vijnë në kuadër të partneriteteve që ne kemi vendosur që tani me shkolla homologe (siç është rasti i ENA-s) dhe institucione të BE, duke iu referuar kurrikulave bashkëkohore.

    Kur e nis aktivitetin ajo?

    Aktualisht jemi në fazën e rikonstruksionit të godinës së shkollës dhe, nëse punimet ecin mbarë, do të duhet rreth një muaj kohë. Menjëherë pas kësaj, në bazë të programit të trajnimit do të fillojë aktiviteti.

    Kush do të jetë pjesë e kësaj shkolle?

    Kjo shkollë është e ngarkuar me trajnimin e të gjithë nëpunësve të administratës publike pa përjashtim, në nivel qendror dhe në nivel vendor. Në ndryshim nga ITAP,(i cili për të zhvilluar aktivitetin e tij normal nuk ka pasur as ambiente pune, por është instaluar nëpër mjedise hotelesh me kosto financiare të larte), numri i nëpunësve të trajnuar llogaritet të rritet rreth 3 deri në 4 herë, Gjithashtu, ASPA do të jetë e hapur për partneritete me sektorin privat dhe me shoqërinë civile, për hartimin e programeve të trajnimit dhe implementimin me sukses të tyre në terren. Në programet e trajnimit të ITAP kanë qenë të përfshirë të gjithë nëpunësit e administratës publike. Deri më tani numri i nëpunësve të trajnuar nga ITAP ka qenë rreth 4600 në vit. Nga këta, rreth 4000 nëpunës të administratës kanë ndjekur temat e programit të vazhdueshëm dhe rreth 600 nëpunës të tjerë kanë ndjekur temat e trajnimit mbi integrimin europian. Shumë pak, krahasuar me nevojat për përmirësim që ka administrata publike shqiptare po t’iu referohemi sfidave. Me krijimin e ASPA, do të kemi një tjetër panoramë: brenda këtij viti do të jetë rreth 200 numri i nëpunësve të nivelit të lartë që do të ndjekin për 10 ditë trajnime të detyruara; rreth 7000 do të jenë nëpunësit që do të ndjekin trajnimet e vazhdueshme; rreth 1200 nëpunës, pra gati dy fish, do të ndjekin trajnimet mbi BE-në dhe rreth 1500 do të jenë kandidatët që konkurrojnë aktualisht në konkurset për të hyrë në shërbimin civil, të cilët do ta kenë detyrim trajnimin para se të marrin pjesë në konkursin përkatës.

    Si do të jetë e organizuar shkolla? Çfarë synohet të arrihet me trajnimet e vazhdueshme dhe formimin e thelluar? Çfarë përfshijnë këto trajnime konkretisht?

    Edhe sipas strukturës së miratuar tashmë nga Kryeministri, shkolla është organizuar në dy drejtori të qenësishme; Drejtoria e Trajnimit të vazhdueshëm dhe Drejtoria e Kërkimeve dhe Botimeve. E para ka për detyrë të trajnojë në vazhdimësi dhe në lidhje me punën nëpunësit e administratës publike. Përveç kësaj, do të ofrojë mundësinë e përgatitjes paraprake të kandidatëve që do të dëshirojnë të konkurrojnë për një vend në administratën publike. Ndër objektivat kryesorë do të jenë trajnimet në fusha të rëndësishme si Sistemi i Planifikimit të Integruar, që lidhet me mënyrën e hartimit të politikave dhe planifikimin e qëndrueshëm; Menaxhimi i Shpenzimeve Publike; Menaxhimi i Decentralizuar të Fondeve të IPA-s, që do të kryhet së bashku me donatorë të huaj, me pushtetet vendore dhe me specialistë të shoqërisë civile, si dhe Menaxhimi i Institucioneve dhe Vlerësimi i Burimeve Njerëzore, temë kjo që merr vlerë të veçantë për sa kohë pretendojmë të ndërtojmë një shtet modern.

    E dyta ka për detyrë realizmin e studimeve dhe botimeve në fushën e administratës publike, duke përfshirë historikun e administratës shqiptare të trajtuar në mënyrë profesionale, përgatitjen dhe publikimin e revistave dhe botimeve të tjera, duke e përshtatur edhe me teknologjinë e re të informacionit dhe komunikimit. Gjithashtu, ASPA do të shërbejë edhe si “think tank”, pra, si një forum për diskutime informuese dhe debate publike për çështje që lidhen me shërbimet qeveritare. ASPA do të jetë anëtare e rrjetit europian të shkollave të administratës publike, ku do të ketë edhe partneritete bilaterale me shkolla të veçanta, me disa prej të cilave ka filluar bashkëpunimi që në zanafillë, siç është rasti i ENA-s (Shkolla Kombëtare e Administratës Publike Franceze, një nga më prestigjiozet sot në botë, prej së cilës ka dalë një pjesë e mirë e elitës franceze, presidentë, kryeministra, ministra etj., dhe që e kanë kryer me sukses edhe nga disa studentë shqiptarë që tashmë kontribuojnë me efikasitet në administratën shqiptare).

    Grupi i punës, i ngarkuar për krijimin e ASPA-s, kishte parashikuar që në përbërje të shkollës do të funksiononte edhe Drejtoria e Trajnimit të Thelluar. Çfarë do të realizonte kjo drejtori dhe pse nuk u bë?

    Synimi i krijimit të kësaj shkolle, përveç të tjerave është që, për herë të parë do të dalin prej saj drejtuesit e nivelit të lartë (sekretarë të Përgjithshëm, drejtorë të Përgjithshëm dhe titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës gjithsej rreth 20-25 vetë). Por kjo do të realizohet vetëm nëpërmjet miratimit të ligjit të ri të nëpunësit civil, që në fakt është njëri prej tri ligjeve të vendosura si kusht nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat, por që për fat të keq nuk u miratua nga opozita socialiste.

    Nëse do të kishte kaluar ky ligj, do të kishim një nga risitë më të mëdha, që është ndërtimi për herë të parë në baza institucionale dhe ligjore i sistemit të karrierës në administratën publike. Përzgjedhja e nëpunësve do të bëhej nëpërmjet një konkursi kombëtar dhe emërimi i tyre do të bëhej në bazë të vlerësimit përfundimtar nga një komision i posaçëm dhe i pavarur, pra në bazë të meritës dhe jo të preferencave politike. Për pasojë, pas miratimit të këtij ligji, kushdo që do të emërohej në nivelet e larta drejtuese, do të kalonte detyrimisht nëpërmjet ASPA-s.

    Për këtë arsye mund të themi se lajmi i mirë është që ASPA fillon aktivitetin e saj pas një muaji dhe lajmi i keq është që, për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe refuzimit të opozitës për të miratuar këto ligje, veprimtaria normale e shkollës do të jetë e cunguar. Por ta theksojmë, deri në miratimin e ligjit!

    Idenë e kësaj shkolle Kryeministri e ka njoftuar 4 vjet më parë. Pse po realizohet vetëm tani?

    Po, është e vërtetë. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka hedhur idenë e krijimit të shkollës që në fund të vitit 2008. Në shtator të vitit 2009, kjo ide u bë një nga objektivat e Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2009–2013, në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI). Në të njëjtën kohë, me urdhër të Kryeministrit u përcaktua një grup pune për ngritjen e Shkollës së Administratës Publike Shqiptare. Gjatë kësaj periudhe u realizua studimi i fizibilitetit, për të parë nëse ngritja e shkollës ishte zgjidhja më e mirë, për të formuar dhe kualifikuar më tej administratën publike me synimin e përafrimit me standardet e BE-së dhe u vendos se duhej të ndërtohej shkolla në vend të ITAP. Dhe pas kontakteve nga ana jonë, ENA së bashku me qeverinë franceze pranuan të na ndihmonin me asistencën e një eksperti të fushës.

    Po pse tani dhe jo më parë?

    Kjo shkollë duhet ta kishte filluar aktivitetin e saj që në shtator të vitit 2012, në kohën kur qeveria miratoi dhe dërgoi në Kuvend ligjin e ri për nëpunësin civil. Krijimi i saj duhej të ishte patjetër i lidhur dhe pjesë e ligjit të ri të nëpunësit civil. Por duke qenë se ligji nuk u miratua, për një moment u duk se humbi shpresa për krijimin e shkollës. Por kryeministri Berisha propozoi krijimin e shkollës me vendim të Këshillit të Ministrave, për aq sa nuk pengohej nga ligji në fuqi i nëpunësit civil për disa arsye, jo vetëm se ishte kërkesë e kahershme e Brukselit, por edhe pse ishte objektiv i strategjisë se reformës së administratës publike 2009–2013, si dhe për shkak të partneriteteve të formësuara paraprakisht me ENA-n. Nuk e kemi luksin t’i humbasim partneritetet e çmuara për shkak të grindjeve dhe vonesave që shkakton politika.



    Aktualisht, si e shihni përgatitjen dhe formimin e nëpunësve të administratës publike në tërësi dhe administratës civile në veçanti?

    Administrata publike është një fushë e gjerë dhe shumë e zhvilluar, që përbëhet nga një mori nëndegësh të specializuara. Është një organ ekspertize ku çdokush mund të trajnohet, vlerësohet dhe detyrimisht të shpërblehet sipas meritës. Sipas studiuesve të administratës publike, “çdo reformë ekonomike që ndërmerret, e majtë apo e djathtë, që të ketë sukses duhet të ndihmohet nga pasja e një shteti ligjor të drejtë dhe një administratë publike efikase”.

    Deri tani në vite, është bërë goxha punë e mirë në drejtim të formimit të administratës publike, pra ka një hop cilësor në këtë drejtim. Mund të përmendim që kontribut i kësaj administrate është edhe realizimi me sukses i reformave të kërkuara për anëtarësimin në NATO, apo liberalizmin e vizave, si dhe kapërcimin e fazave në procesin e integrimit (kujtojmë këtu përgjigjet e pyetësorit). Por në dinamikën e zhvillimeve të mëtejshme të integrimit europian, administrata shqiptare është në një provë të vështirë. Deri më tani administrata shqiptare është formuar nga trajnimet e ofruara nga ITAP, Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA), apo edhe nga përpjekjet individuale të nëpunësve të caktuar. I gjithë ky proces ka qenë i pastrukturuar mirë dhe me mungesë të një strategjie kombëtare të integruar të trajnimit. Me krijimin e shkollës mendojmë se ky problem do të zgjidhet.

    Mendoni se veprimtaria e kësaj shkolle do u japë fund abuzimeve në administratën publike?

    Nuk është shkolla ajo që zgjidh problemet e administratës publike. Ajo ndihmon në përgatitjen profesionale të nëpunësve dhe kontribuon në krijimin e një fryme civile në administratë, në politikë, në ekonomi, në shoqërinë civile, e reflektuar kjo edhe në raport me publikun që merr shërbimet e kësaj administrate. Nisur edhe nga përvoja e vendeve të zhvilluara si Suedia, Danimarka, Holanda, Franca etj., reformat strukturore ku përfshihet edhe reforma në administratën publike, i kanë realizuar nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik.

    Edhe këtë radhë Shqipëria e humbi shansin që të bënte një reformë moderne në administratë. Kjo do të ndodhte nëse miratohej ligji i “famshëm” për nëpunësin civil, që për fat të keq u refuzua nga opozita socialiste me një pretekst absurd. Ky ligj, nëse do të ishte miratuar me konsensus, ndryshe nga ligji aktual mbi nëpunësin civil, na ofronte të paktën tri avantazhe; 1) depolitizim të skajshëm të administratës; 2) rekrutim të punonjësve të rinj nëpërmjet një konkursi kombëtar, duke e quajtur të kaluar periudhën njëvjeçare të provës pas një vlerësimi teorik në ASPA; 3) krijimin dhe emërimin e trupës së lartë drejtuese, jo nga “partia”, miku apo shoku, por për shkak të përfundimit me sukses të shkollës (ASPA), në bazë të renditjes përfundimtare. Por jo detyrimisht bërja e një ligji të mirë na garanton një administratë të qëndrueshme, civile dhe bazuar mbi meritën. Duhet vullnet dhe kompromis politik. Përndryshe të gjitha ligjet, sado të mira të jenë, rrezikojnë të instrumentalizohen nga politika. Ky nuk është fenomen vetëm shqiptar, por rajonal. Abuzimet në administratën publike i gjejmë disa llojesh; Abuzime nga vetë administrata në dëm të publikes; abuzime nga administrata në dëm të qytetarit duke mos ofruar shërbim me etikë dhe mbi të gjitha ligjor; abuzime nga partitë politike(..të majtë, të djathtë, të qendrës, në të gjitha nivelet), në dëm të vetë administratës dhe abuzime të administratës mbi vetë administratën për shkak të keqpërdorimit hierarkik brenda institucionit. Këto probleme dhe abuzime nuk i zgjidh shkolla, por ajo do ofrojë kulturën e nevojshme, metodologjinë dhe ekspertizën e duhur për t’i ndihmuar nëpunësit që duan vërtet të punojnë me përkushtim në administratë, që të dinë të gjejnë rrugën më efikase të zgjidhjes së tyre dhe të dinë t’i përgjigjen me cilësi pritshmërisë së qytetarit. Herët a vonë, ligji për nëpunësin civil do të miratohet në Kuvend, dhe pas kësaj ASPA do të marrë një tjetër fizionomi; ajo do të përgatisë elitën e administratës publike në partneritet me ENA-n. Prandaj themi se ia vlen investimi i qeverisë shqiptare për krijimin e kësaj shkolle, por me një kusht; të mos instrumentalizohet nga politika, ndryshe ka për të qenë një dështim.

    Aktualisht jemi në fazën e rikonstruksionit të godinës së shkollës dhe, nëse punimet ecin mbarë, do të duhet rreth një muaj kohë. Menjëherë pas kësaj, në bazë të programit të trajnimit do të fillojë aktiviteti.

    Kjo shkollë është e ngarkuar me trajnimin e të gjithë nëpunësve të administratës publike pa përjashtim, në nivel qendror dhe në nivel vendor.

    Me krijimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike

    200 nëpunës të nivelit të lartë do të ndjekin për 10 ditë trajnime të detyruara

    7000 nëpunës do të ndjekin trajnimet e vazhdueshme

    1200 nëpunës do të ndjekin trajnimet mbi BE-në

    1500 do të jenë kandidatët që do ta kenë detyrim trajnimin para se të marrin pjesë në konkursin e shërbimit civil



    Roland Bejko

    U emërua drejtor i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), më 19 prill 2013. Pas një përvoje pune dyvjeçare si prefekt i Qarkut Berat, në vitin 2007, z. Bejko ka shërbyer si këshilltar i ish-ministrit të Brendshëm, z. Bujar Nishani, dhe më pas drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Zhvillimit dhe të Integrimit në këtë ministri, ku punoi si ekspert në procesin e negocimit për liberalizimin e vizave dhe në takimet e nismës për Bashkimin e Mesdheut. Më 2012-ën emërohet këshilltar i ministrit të Brendshëm, z. Flamur Noka, për administratën publike, dhe në të njëjtën kohë ngarkohet nga kryeministri Berisha si kryetar i Grupit të Punës për ngritjen e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), në partneritet me shkollën e mirënjohur franceze ENA, student i së cilës shkollë kishte qenë në vitet 2007-2008 (Ecole National d’Administration; nga kjo shkollë ka dalë një pjesë e mirë e elitës administrative dhe politikës franceze), ku dhe përfundoi me sukses ciklin ndërkombëtar të administratës publike. Në 2003-2005 ka kryer master për Filozofi politike në Paris 8, Francë. Aktualisht është doktorant në Shkencat e Teknologjisë së re të Informacionit dhe Komunikimit pranë Universitetit Paris II, Francë. Ka qenë pedagog i jashtëm në universitetet e Gjirokastrës, Elbasanit dhe në Universitetin Europian të Tiranës. Aktualisht është pedagog i jashtëm në Universitetin publik të Tiranës, në departamentin e Gazetarisë. Prej disa muajsh është edhe presidenti i Shoqatës së Enarque-ve shqiptarë (ish-studentët shqiptarë që kanë kryer ENA-n).


    MAPO

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e xhori
    Anëtarësuar
    25-12-2006
    Vendndodhja
    MARCHE
    Postime
    1,518

    Për: Hapet Shkolla e Administrates Publike: Nga qershori e gjithë administrata në shk

    u rruat trajnimi ketyre ashtu si shume trainime te tjera te bera ne vite do perfundojne ne te papun, keshtu ndodh sa here nderrohen kampet
    jeshét prèmè ne aliarèm
    jeshèm more jeshèm
    po drita skeshèm

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •