Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,349
    Postimet në Bllog
    22

    Sa turp të jesh sipërmarrës!

    Ndryshimet e mëdha në një vend nuk ndodhin vetëm nga ngjarjet politike, por në radhë të parë nga ndryshimet e ligjërimit publik. E parë nga kjo pikëpamje, Shqipëria gjendet përballë një paradoksi të rrezikshëm. Nga njëra anë shqiptarët duan të zhvillojnë një ekonomi tregu si mjet për rritjen e mirëqenies, ndërsa nga ana tjetër stigmatizojnë pikërisht instrumentet e ekonomisë së tregut. Imazhi publik për sipërmarrësin ose biznesmenin është treguesi më i qartë i këtij paradoksi.
    Po jap disa ilustrime e më pas disa arsye të këtij paradoksi. Në një konferencë të organizuar nga disa dhoma të tregtisë përpara disa muajsh, sipërmarrësit pjesëmarrës paraqitën një grumbull argumentesh kundër rritjes së taksave nga paketa e re fiskale. Argumentet ishin të ndryshme dhe të gjitha të vlefshme, por kishin të gjitha të njëjtin thelb: rëndimi i biznesit me taksa dëmton ekonominë dhe shoqërinë. Personalisht m’u krijua përshtypja se isha në mbledhjen e një sindikate altruistësh. I vetmi argument që nuk u përmend aty ishte ai themelori, i sinqerti dhe legjitimi: po eliminohet fitimi i sipërmarrësve. Në fakt edhe tani që e shkrova këtë pasazh u mendova mirë se mos e teproja me ashpërsinë e shprehjes. Sepse fjala fitim është shndërruar në tabu, në fjalë të pisët. Sipërmarrësit përpiqen të bindin qeverinë dhe opinionin publik që të mos ngrejë taksat dhe këtë e bëjnë vetëm me argumente të interesit publik, dhe jo interesit personal. Sepse paraqitja e interesit personal në publik shihet si politikisht jokorrekte. A thua se përveç sipërmarrësve privatë të gjithë të tjerët janë duke punuar në shërbim të popullit dhe refuzojnë të marrin rrogat apo të ardhurat në fund të muajit!
    Të gjithë dëgjojmë herë pas here të krahasohet një sipërmarrje ose nismë me “biznesin” për t’i ulur vlerën. Për shembull, dëgjon të thuhet “shkollat private janë biznese” pa ndonjë shpjegim tjetër, duke nënkuptuar se biznesi është një veprimtari moralisht e papranueshme. Ose të thuhet e njëjta gjë për zyrat e shtetit, përsëri me të njëjtin konotacion. Në fakt, nëse shkollat private do të ishin biznese të vërteta, do të kishin ofruar cilësi më të lartë, siç ndodh në të gjithë botën, ku ato dallohen lehtë nga publiket. Nëse një pjesë e shkollave private janë të dobëta, kjo ndodh pikërisht sepse nuk funksionojnë me logjikën e një biznesi që maksimizon cilësinë për të rritur fitimin, por me logjikën afatshkurtër të dhënies së diplomave që do të mbushin kryesisht zyrat e shtetit. Gjithashtu, nëse shteti do të kishte funksionuar si biznes, gjërat do të kishin shkuar shumë më mirë. Sepse ndryshe nga biznesi, shteti nuk e çan kokën për cilësinë që ofron meqë i ka klientët e garantuar, domethënë qytetarët që marrin shërbimet publike prej tij. Dhe për më tepër, ndryshe nga bizneset, shteti del çdo vit me humbje në kurriz të taksapaguesve që paguajnë borxhin.
    Krahasimi me biznesin nënkupton krahasim me një të “keqe të pashmangshme”. Pothuajse të krijohet përshtypja se shqiptarëve u ka ardhur keq që i kanë ikur komunizmit, kur të gjitha ua ofronte shteti. Kjo keqardhje gjysmë e fshehtë është lehtësisht e dukshme te dokrrat që prindërit e sotëm u tregojnë brezave të rinj për komunizmin, duke u fshehur thelbin e tij. E megjithatë, të gjithë ankohen për shtetin. E megjithatë, kur mund të zgjedhin mes shtetit dhe privatit, shumica dërrmuese zgjedhin privatin. Cili njeri që ka mundësi financiare zgjedh sot spitalet publike në vend të atyre private? Po dentistët? Cili braktis kanalet e televizioneve private për të parë vetëm TVSH-në?
    Pjesa e dytë e paradoksit është ajo e përballjes mes përbuzjes për biznesin dhe dëshirës për të shkuar në rrugën e tij. Pak a shumë si dhelpra me rrushtë. Sipërmarrësit përbuzen: “Kur u bon kta milionerë? I kan bo lekët me maskaralliqe!” etj., etj. Përshtypja e përgjithshme është që sektori privat mbahet nga maskarenjtë dhe të ndershmit e të aftët janë të gjithë pa punë. Mirëpo nga ana tjetër, të paktë janë ata që nuk do të donin të ishin në pozitat e një biznesmeni, të paktën siç e mendojnë ata biznesmenin. Sepse stereotipi i sotëm i biznesmenit është një maskara injorant barkmadh që nuk di ku t’i fusë paratë e shumta. Dhe fokusimi është te paratë e barkmadhit maskara. Ky imazh përforcohet çdo ditë, pavarësisht realitetit të sipërmarrjes shqiptare që i duhet t’i mbijetojë edhe rëndimit të taksave, edhe krizës botërore, problemeve me bankat dhe në fund edhe përbuzjes publike. Dhe bëhet fjalë për njerëzit që mbajnë në shpatullat e tyre ekonominë e vendit.
    Një nga arsyet madhore të këtij perceptimi për sipërmarrjen është e shkuara jonë komuniste. Përpara pak javësh një komentues në Facebook, i inatosur me argumente të tilla, më quante “kulak”. E konsideronte si sharje normale, pa menduar se përmes një emërtimi të tillë (në fakt të keqpërdorur, sepse nuk lidhej me kontekstin) zbulonte jo vetëm padijen rreth konceptit, por edhe ndikimin e stigmatizimit komunist në kokën e vet. Për 50 vjet rresht shqiptarët janë mbrujtur me imazhin negativ të kulakut, latifondistit, borgjezit dhe të pasurit. Pas 50 vjetësh barbari marksiste-leniniste-maoiste, shqiptarët ende janë të bindur në shumicën e tyre se në Shqipëri nuk ka pasur komunizëm, por diçka tjetër, dhe se komunizmi në vetvete është gjë e mirë, por pak e vështirë për t’u realizuar.
    Ligjërimi politik është një nga arsyet e tjera madhore pse ne e shohim biznesin si një të keqe të pranuar. Po marr shembullin më flagrant. Gjatë fushatës së fundit elektorale u fol për taksim të ndershëm, gjë që presupozon se deri tani të pasurit nuk kanë paguar ndershmërisht. E thënë ndryshe, njerëzit që mbajnë ekonominë në këmbë me rrezikun e vet dhe rrjedhimisht edhe tatimpaguesit më të mëdhenj, konsiderohen si të pandershëm. Shtoji kësaj edhe filozofinë praktike të tipit “merrja atij dhe ma jep mua” ose “mos më jep asgjë mua, por aman merrja edhe atij tjetrit”.
    Problemi më i madh nuk është situata e sotme. Problemi i vërtetë është ajo çfarë u mësohet brezave të rinj. Është e trishtueshme të shohësh se si ëndrra e përgjithshme e të rinjve shqiptarë është të punojnë në shtet. Është e frikshme të shohësh se si edhe vetë fëmijët e sipërmarrësve të mëdhenj e të vegjël nuk synojnë të merren me sipërmarrje, por të gjejnë punë në shtet. Çdo koleg imi pedagog mund ta konfirmojë këtë lehtësisht në auditorët e tij. Dhe shtysa është e kuptueshme. Pikërisht sepse shteti është një biznes ku ti punon me paratë e të tjerëve, ku fiton gjithmonë, ku vjedhja është standard i pranuar dhe ku nuk falimenton kurrë. Ndërkohë, të punosh, rrezikosh, marrësh rreziqe për biznesin tënd e në fund të krijosh pasuri me djersë: kjo konsiderohet e papranueshme. Në atë masë sa edhe ata nëpunës të shtetit që punojnë ndershmërisht në shërbim të publikut janë sot objekt talljeje nga mjedisi.
    Por si do ta ndërtojmë këtë vend nëse do të përbuzim sipërmarrësit? Si do ta ndërtojmë këtë vend nëse puna barazohet me vjedhjen dhe sipërmarrja me turpin?

    ERMAL HASIMJA

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,349
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Sa turp të jesh sipërmarrës!

    E bukura me ju profesoret nga Shqiperia eshte se ndiqni ate parimin "hiqe po mos e keput" dhe flisni per "fenomenin" por nuk zini ne goje ne shkrimet tuaja se kush jane keta persona publike qe ne ligjeraten e tyre u japin mesazhin e gabuar rinise shqiptare. Besoj se jeni njerez qe akoma jetoni me frike, se po te zini ne goje emrin e kryeministrit apo politikanit X e ta citoni ate direkt, do kete pasoja per ju, apo jo? Ju eshte futur perseri frika ne palce nga "rilindasit e vonuar"? Nejse, hidhemi ne teme...

    1. Beji pyetjen vetes: Cili eshte profesioni i kryeministrit Rama? Po i Ilir Metes? Po i Pandeli Majkos? Te tre keta, jane apo kane qene "kryeministra socialiste". Dhe qe te tre kane shume gjera te perbashketa. I perkasin te njejtit brez. Te tre ishin pjesemarres ne levizjen studentore te vitit 1990 per rrezimin e rregjimit komunist. Qe te tre kane mbaruar nje shkolle te larte. Edi Rama ka mbaruar shkollen e arteve te bukura tek Jordan Misja per pikture. Meta mos gaboj ka mbaruar per ekonomi ne Universitetin e Tiranes. Kurse Majko nuk jam i sigurt, por besoj ka mbaruar per jurist. E perbashketa tjeter e madhe e ketyre te treve eshte se nuk kane punuar asnje dite te vetme te jetes se tyre ne profesion. Nuk ka asnje lloj eksperience pune apo karriere ne profesionin e tyre para se ti hynin politikes. Prej 23 vjetesh jane "politikane" ne profesion, edhe pse te qenit "politikan" nuk eshte profesion. Nuk kane asnje lloj eksperience pune me ekonomine private: as nuk kane hapur bizneset e tyre, as nuk jane punesuar nga nje firme private. Jetojne me rrogat e deputetit, e kryetarit te bashkise, partise, Kuvendit. Pra kane gjithe jeten e tyre te punesuar ne sektorin publik, ushqehen si parazite te shtetit me taksat e shqiptareve.

    Pse te evidentova kete gje ne dukje? Qe te kuptosh qe kur degjon nga goja e kryeministrit Rama ckermitjet e rradhes ne televizion ndaj bizneseve private te vendit, duhet te kesh te qarte se nuk ke te besh me nje person qe di me mire dhe zgjedh rrugen e gabuar. Ky njeri nuk di pasi gjithe jeten e tij ai nuk ka jetuar duke punuar, ai ka jetuar ne kurrizin e te tjereve. Fatos Nano na tha qe e gjeti ne asistence publike ne Paris ne 1998 dhe e solli dhe e beri "minister kulture" ne qeverine e tij ne 1998. Rroga e ministrit ishte me e larte se sa asistenca sociale ne France besoj.

    2. Fenomeni qe ti nxjerr ne pah ekziston dhe ka ekzistuar prej shume vitesh. Shqiptaret ende vazhdojne te jene nje popull me botekuptim komunist e socialist kur vjen puna tek shteti. Botekuptimi i shqiptareve per shtetin eshte ai i lopes se majme qe te tjeret e ushqejne, por ata qe jane ne pushtet e mjelin perdite. Qumeshtin e lopes e pijne vetem njerezit e afert te atyre ne pushtet. Ky ishte modeli komunist me te cilin shqiptaret u rriten e thinjen per 50 vjet, dhe ky mentalitet nuk vdes kollaj pasi ende brezat e lindur e rritur nen komunizem jane ende gjalle. Shumica e shqiptareve ende presin nga shteti. Ende nuk jane ne gjendje te bejne dallimin mes shtetit dhe atij qe e drejton. Shteti here e ka emrin Berisha, here e ka Rama. Per shqiptaret, ai qe eshte ne krye te shtetit per momentin eshte shteti. Dhe nuk eshte cudi, qe shqiptaret ndeshkuan me voten e tyre ne mase kryeministrin Berisha qe me politikat e tij u mundua te krijonte nje ekonomi te mirefillte tregu, dhe ia dhane voten Rames, Metes dhe koalicionit te tyre, mjelesve te shtetit. Berisha e dobesoi lopen e shtetit duke ulur barren e rende te taksave mbi qytetaret, te majtet sapo moren pushtetin, ia fryne gjokset lopes se tyre te dashur, me rritjen e taksave ndaj shqiptareve.

    3. Mjafton te lexosh mendimet e shqiptareve ne faqet e ketij forumi perdite, per te kuptuar se ata ende presin nga shteti qe "t'iu krijoje vende pune", presin nga shteti "t'iu ofroje shendetesi falas", presin nga shteti "t'iu uli cmimet e mallrave ne treg". Te gjithe e dine qe shteti nuk krijon dot vende pune edhe sikur te doje. Shteti mund te punesoje parazite duke shperdoruar taksat e shqiptareve, por jo te krijoje pune qe punesojne njerez e rrisin mireqenien e familjeve shqiptare. Punet i krijon biznesi privat. I krijon ai muratori qe vendos te hapi nje firme te vogel ndertimi. Ai shoferi qe vendos te bleje autobuze per transport. Ai tjetri qe hap nje restorant apo bar. Ai tjetri qe zgjedh te hapi nje biznes profesional per rregullim makinash. Jane ata investitoret e huaj qe vijne e investojne miliarda ne ndertimin e hidrocentraleve, apo shfrytezimin e puseve te naftes shqiptare. Jane ata fermeret qe zgjedhin te hapin nje fabrike per perpunimin e qumshtrit apo mishit. Keta jane ata qe krijojne vende te reja pune. Jane qytetaret qe me inisiativen e tyre te lire hapin vende te reja pune.

    Dhe ne ka nje gje qe shqiptaret kane mesuar nga keto 23 vjet demokraci eshte qe shteti asnjehere nuk ofron sherbime me te mira e me cilesore se privati. Jo ne Shqiperi, por ne cdo vend te botes kjo eshte e vertete. Mjafton te sillni nder mend furrat e bukes ne Shqiperi. Per 50 vjet shqiptaret duhet te rrinin ne rradhe me ore te tera, te merrnin me tollone racionin e caktuar nga shteti, racion qe nuk mjaftonte dhe nje buke mizerje. Pas renies se komunizmit, shqetesimi me i madh i shqiptareve ishte: kush do te na furnizoje me buke tani qe shteti komunist falimentoi? Zgjidhja erdhi vetvetiu: qindra pika private te prodhimit e shitjes se bukes u hapen ne mbare vendin. Ata qe i hapen ishin vete qytetaret e atij vendi, jo shteti. Moren fund rradhet. Moren fund tollonat. Mori fund cilesia e dobet e bukes qe nuk e cponte as plumbi. Vendin e saj e zuri shumellojshmeria e bukeve dhe pikave te shitjes se shumta qe konkurronin me njera-tjetren per cilesine, cmimin e biznesin e konsumatoreve. Sot gjen buke ne Shqiperi ne cdo ore te dites apo nates. Dhe ky eshte vetem nje shembull nder shume te tjere.

    Qe te luftosh kete fenomen, qe ti besh shqiptaret te kuptojne se sa e rendesishme eshte inisiativa e lire private, te respektojne bizneset e atij vendi dhe ata qytetare qe e kane marre kete risk, me pare duhet te luftojme injorancen tek shqiptaret. Une them ta fillojme me luftimin e injorances se kryeministrit te vendit Edi Rama, i cili premtoi ne fushaten e fundit: "ne nuk do te rrisim rrogat por do te ulim cmimet", ose ca me keq akoma: "ne do te prishim te gjitha mareveshjet e qeverise se meparshme me koncension me bizneset private te vendit e te huaja".

    Kur Kryeministri i vendit i drejtohet me kete gjuhe biznesit te vendit, cfare pret nga ai shqiptari i panxene ne rruge apo kafene?!

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 27-02-2014 më 13:42

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •