Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Akili-A
    Anëtarësuar
    06-11-2006
    Postime
    2,962

    BE?! Koha që Gjermania të vendosë

    George Soros

    -Kriza e euros e ka transformuar tashmë Bashkimin Evropian nga një bashkim vullnetar i shteteve të barabarta në një marrëdhënie kreditor-debitor nga e cila nuk mund të shpëtohet lehtë. Kreditorët rrezikojnë të humbasin shumë të mëdha që kërkohet për shkak të daljes eventuale nga bashkimi monetar, ndërsa debitorët janë subjekte të politikave që e thellojnë depresionin e tyre, rëndojnë gropën e borxhit dhe mbeten të pashkëputur nga pozita e tyre e nënshtruar. Si rezultat, kriza tashmë po kërcënon të shkatërrojë vetë BE-në. Dhe kjo do të ishte një tragjedi e përmasave historike, të cilën vetëm lidershipi gjerman mund ta ndalë. Shkaqet e krizave nuk mund të kuptohen me të vërtetë pa njohur paraprakisht krisjen e euros.

    Duke krijuar një bankë qendrore të pavarur, vendet anëtare hynë në varësinë e një monedhe të cilën ata nuk e kontrollojnë. Së pari, si autoritetet ashtu edhe aktorët në treg, i trajtuan të gjitha bondet e qeverive (obligacionet) sikur ato të mos paraqisnin asnjë rrezik, duke krijuar një nxitje perverse për bankat që operonin mbi bonde më të vlerësuar nga sa ishin në të vërtetë. Kur kriza greke nxori në sipërfaqe kuadrin e mospagesave, tregjet financiare reaguan në mënyrë hakmarrëse, duke i trajtuar të gjitha vendet e zhytura në borxh njësoj si vendet e Botës së Tretë të mbivarura nga monedha e huaj. Për pasojë, të gjitha këto vende u trajtuan sikur të ishin të vetmit përgjegjës për fatkeqësinë e tyre dhe kështu defekti strukturor i Euros mbeti i pakorrigjuar.

    Me t’u kuptuar kjo gjë, zgjidhja, praktikisht vetë-sugjerohet si e tillë. Dhe mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: Eurobonde. Derisa vendet që mbështeten në Traktatin e Stabilitetit Financiar (Fiscal Compact) u lejuan që të konvertonin të gjithë borxhin e tyre qeveritar në Eurobonde, impakti pozitiv do të duhet të ishte diçka afër mrekullisë. Rreziku i mospagesës do të ishte zhdukur. Ekuilibri bankar do të merrte një shtytje të menjëhershme, njësoj si buxheti i vendeve të mbërthyera nga borxhi. Italia për shembull do të siguronte dhe kursente 4% të GDP-së së saj; buxheti i saj do të lëvizte drejt përmirësimit dhe stimujt fiskalë do të zëvendësonin ndihmën. Si rezultat ekonomia italiane do të rritej dhe interesi i borxhit do të binte. Shumë prej problemeve të këtilla do të davariteshin për t’u dukur si zgjim nga një ankth. Në përputhje me Traktatin e Stabilitetit Financiar, vendet anëtare të BE-së do të lejoheshin që të emetonin eurobonde të reja vetëm për të zëvendësuar të mëparshmit; pas pesë vitesh, borxhet e jashtëzakonshme do të reduktoheshin gradualisht në masën e 60% të GDPsë. Nëse një vend anëtar do të kërkonte borxhe të reja, do të mund t’i merrte ato vetëm nën emrin e vet.

    Padyshim që Traktati ka nevojë për disa modifikime përmes të cilave të sigurojë se ndëshkimet për moszbatimin e tyre janë automatike, të shpejta dhe jo shumë të rënda për të qenë të besueshme. Një Traktat më i shtrënguar praktikisht do të eliminonte rrezikun e mos shlyerjes së detyrimeve. Kështu Eurobondet nuk do të sillnin shkatërrimin e normës së kreditimit të Gjermanisë. Përkundrazi, ato do të mund të konkurronin denjësisht me bondet e SHBA-së, Britanisë dhe Japonisë. Që të jemi të qartë, Eurobondet nuk janë zgjidhja për çdo gjë. Rritja që vjen nga to, mund të mos jetë e mjaftueshme për të garantuar rimëkëmbjen; stimuj të tjerë fiskalë apo/dhe monetarë mund të jenë të nevojshëm. Por një problem i kësaj natyre konsiderohet luks. Më shqetësues është fakti se Eurobondet nuk do të eliminonin divergjencat që burojnë nga konkurrenca.

    Vende të caktuara mund të kenë ende nevojë që të ndërmarrin reforma strukturore. BE-ja nga ana e vet, do ketë nevojë për një bashkim bankar që të bëjë të besueshëm dhe të vlefshëm kreditimin në terma të njëjtë për të çdo vend. Pranimi i Eurobondeve nga Gjermania do të transformonte atmosferën dhe do të përshpejtonte reformat e nevojshme. Fatkeqësisht Gjermania mbetet kategorikisht kundër Eurobondeve. Qëkurse kancelaria Angela Merkel, i vuri veto kësaj ideje, ajo nuk është marrë më në konsideratë. Publiku gjerman nuk e di se duke pranuar Eurobondet ruajtja e euros do të ishte më pak e rrezikshme dhe me më pak kosto sesa duke vijuar që të kontribuohet me një minimum. Gjermania ka të drejtën që t’i kundërshtojë Eurobondet. Por ajo nuk ka të drejtë që të ndalojë vendet e zhytura në borxh që t’i ikin mizerjes së tyre duke u grupuar bashkë dhe duke nisur emetimin e eurobondeve. Nëse Gjermania i kundërvihet Eurobondeve, ajo duhet të konsiderojë daljen nga euro. Ndonëse e papritshme, por edhe Eurobondet e emetuara nga një Eurozonë pa Gjermaninë sërish do të konkurinin denjësisht me ato të SHBA, Birtanisë dhe Japonisë. Arsyeja është e thjeshtë. Meqenëse i gjithë borxhi i akumuluar është titulluar në monedhën Euro, atëherë ndryshimi qëndron në atë se cili vend do e braktisë euron. Nëse Gjermania ikën, atëherë euro do të zhvlerësohet.

    Dhe kështu vendet debitore do të rifitojnë aftësinë konkurruese. Borxhi i tyre do të minimizohej në terma realë dhe nëse ata do të emetonin më tej, Eurobonde, kërcënimi për mosshlyerjen e detyrimeve do të zhdukej. Më tej, borxhi i tyre do të bëhej papritur i qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, pjesa më e madhe e barrës për këtë kalim, do të binte mbi ato vende që braktisin euron. Eksportet e tyre do të bëhen më pak konkurruese dhe ato do të duhet të llogarisin konkurrencë të ashpër nga eurozona në tregjet e tyre të brendshme. Pa lënë mënjanë këtu humbjet si pasojë e investimeve dhe zotimeve të ndërmarra nën titullimin e monedhës euro. E kundërta mund të ndodhë me Italinë, e cila nëse braktis eurozonën, pesha e borxhit të denominuar në euro do të bëhej e paqëndrueshme dhe do të duhej ristrukturuar. Në vetvete kjo do të zhyste sistemin financiar global në kaos.

    Kështu që nëse dikush do të duhet të ikë, kjo është Gjermania dhe jo Italia. Tani është një rast i mirë për Gjermaninë që ose të pranojë Eurobondet, ose të lërë eurozonën, por është më pak e qartë se cila nga alternativat është më e mirë për vendin. Vetëm elektorati gjerman është i kualifikuar që të vendosë. Nëse një referendum do të mbahej sot në Gjermani mbështetësit e daljes nga eurozona do të fitonin pa problem. Por një analizë më e thelluar mund të ndryshonte mendjen e njerëzve. Ata do të zbulonin se kostoja mbi Gjermaninë për autorizimin nga kjo e fundit të emetimit të Eurobondit është ekzagjeruar tepër, kurse kostoja e largimit nga euro është nënvlerësuar. Problemi është se Gjermania nuk ka qenë e shtrënguar që të zgjedhë. Ajo mund të vazhdojë pra që të bëjë jo më shumë sesa minimumi për të ruajtur euron. Kjo është dukshëm, zgjedhja e preferuar e Merkelit, të paktën deri pas zgjedhjeve. Europa do të ishte përfundimisht më mirë nëse Gjermania do të bënte një zgjidhje mes Eurobondit dhe daljes nga Eurozona, pavarësisht pasojave; në fakt Gjermania vetë do të ishte më mirë. Situata po përkeqësohet dhe në terma afatgjatë priret për t’u bërë e paqëndrueshme. Një shpërbërje kaotike, shoqëruar me me akuza reciproke dhe zotime të pambajtura do ta çonte Europën më poshtë dhe më keq sesa atëherë kur ajo ndërmori eksperimentin e guximshëm të bashkimit. Dhe sigurisht kjo nuk është në interesin e Gjermanisë.

    Përktheu Skerdilajd Zaimi.

    Marrë nga Todays' Zaman
    Te gjithe ankohen se s`kane para....por asnje nuk ankohet se nuk ka tru

  2. #2
    I love god
    Anëtarësuar
    23-02-2007
    Postime
    8,043

    Për: BE?! Koha që Gjermania të vendosë

    foli dhe sorra pa pende.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •