-
Të kesh apo të jesh ?
Erik From konsiderohet si një nga përfaqësuesit kryesorë të psikanalizës, sociologjisë, e filozofisë të shek. XX. Tendenca për të kombinuar elemente nga këto fusha të ndryshme të dijes, por edhe për t’u zgjeruar më tej drejt aspekteve politike apo ekonomike, bën që From të jetë tërheqës për një kategori të gjerë lexuesish. Karakteri eklektik i veprës së tij natyrisht ka dobishmërinë e vet në kuptimin e ndërthurjes së perspektivave të ndryshme mbi një problematikë të caktuar. Gjithsesi, një ‘përhapje’ e tillë mbart me vete rrezikun e një argumentimi i cili në përpjekje për të kapur të gjitha elementet, nuk shkon në thellësi tek asnjëri prej tyre. Kjo problematikë është e pranishme në veprën ‘Të kesh apo të jesh’, e cila vjen si vazhdim i diskutimit të veprave të mëparshme të From-it mbi orientimin e qenies dhe karakterit të njeriut. Nëpërmjet këtij punimi autori ka për qëllim të paraqesë analizën sociale e psikologjike të dy mënyrave të të jetuarit: përmes zotërimit apo përmes qenies. Analiza shpaloset në një nivel teorik, duke përdorur argumente apo shembuj të cilët mbështesin apo konfirmojnë idetë dhe qëndrimet paraprake të autorit. Në këtë aspekt From nuk është në rolin e një vëzhguesi të paanshëm shkencor i cili mbledh evidencë në mbështetje ose në kundërshtim me hipotezën e vet, në mënyrë objektive. Përkundrazi, shpesh në vepër ai bëhet disi imponues i idesë së vet radikale humaniste mbi mënyrën e duhur të të jetuarit.
Në fillim të veprës From paraqet mënyrën sesi është zhvilluar diskutim filozofik mes botës materiale dhe asaj shpirtërore, gjatë historisë së njerëzimit duke filluar që nga filozofët e lashtë grekë (shemb. Hedonistët), dhe Shkrimet e Shenjta (Bibla) e duke përfunduar te mendimi filozofik bashkëkohor i Karl Marksit. Nëpërmjet kësaj analize kronologjike autori pranon haptazi se debati zotërim-qenie nuk është i ri në historinë e mendimit filozofik. Gjithsesi, sipas tij origjinaliteti i punimit lidhet me mënyrën specifike sesi ky debat trajtohet në vepër dhe me nevojën praktike për ta risjellë këtë diskutim në kushtet specifike social-ekonomike (kriza e kapitalizmit në Shtetet e Bashkuara të viteve 70’).
Analiza kronologjike e debatit zotërim-qenie, pasohet nga një diskutim më i thellë i dy moduseve, të qenies dhe zotërimit. Diskutimi i From-it në lidhje me modusin e qenies nxjerr padyshim në pah humanizmin e tij radikal. Ai përshkruan dhe njëkohësisht shpreh admirimin e tij të madh për individin i cili përpiqet të realizojë potencialin e vet, të jetë aktiv, të komunikojë dhe ndërveprojë me të tjerët, të japë dhe të sakrifikojë. Kjo pjesë e librit është tejet e ngjashme me shkrimet e humanistëve, si Rogers apo Maslow, duke reflektuar ato që janë quajtur synimet e terapisë humaniste për të ndihmuar individin drejt vetë-aktualizimit. Gjithsesi, ndryshe nga autorët e mësipërm, From nuk ndalet te dobishmëria e këtyre principeve në nivel individual (fokusi i terapisë psikologjike), por thekson rëndësinë e adoptimit të këtyre parimeve nga struktura shoqërore. Pikërisht në momente të tilla të veprës ndër-disiplinariteti i From-it vepron në të kundërt të forcimit të argumentit të tij.
Në antitezë me modusin e qenies, autori analizon modusin e zotërimit. Kjo mënyrë e të jetuarit paraqitet si e lidhur ngushtë me faktorët biologjikë, të cilët e motivojnë njeriun drejt kërkimit të të mirave materiale, me qëllimin e vetëm për të mbijetuar. Diskutimi i autorit zgjerohet përtej nevojave biologjike, duke analizuar lakminë, egoizmin, dhe tendencën për të zotëruar jo vetëm sa më shumë të mira materiale por dhe qenie njerëzore. Në këtë pjesë të librit From bën një përpjekje interesante për të kombinuar elemente psikanalitike dhe sociale. Pra, autori nga njëra anë argumenton se vetë natyra e njeriut e orienton atë drejt modusit të zotërimit (ide psikanalitike), por nga ana tjetër thekson rolin e rëndësishëm të strukturës sociale në aktivizimin e këtij modusi. Me fjalë të tjera, një strukturë sociale (kapitalizmi) e cila është ndërtuar mbi parimin e fitimit, ruajtjes apo zgjerimit të pronës përcakton si synim dominues për çdo individ modusin e zotërimit.
Për të mbështetur argumentin e tij autori sjell shembullin e eksperimentit të madh social në vendet e industrializuara, dhe diskuton atë që ai e quan ‘karakteri i tregut’. Kjo mbase është pjesa më interesante e gjithë veprës, pasi i jep mundësi lexuesit të reflektojë mbi aspekte të caktuara të shoqërisë bashkëkohore, të cilat janë pranuar si të mirëqena. Sipas From-it, karakteri i tregut e shndërron individin e gjallë në mall shkëmbimi, vlera e të cilit varet nga bukuria e paketimit apo eficenca e prodhimit. Në këtë pjesë autori ngre çështje si kriza e identitetit e shoqërisë së sotme, mungesa e autenticitetit, objektifikimi seksual i femrës, apo dëshira e individit për t’u arratisur nga realiteti. Në mbështetje të idesë së vet, From gjithashtu përpiqet të shtjellojë argumente ekonomike duke iu referuar punimeve të autorëve të ndryshëm, si Medouz, Mesarovic, Shumaker dhe Erlich. Ai argumenton sesi zhvillimi ekonomik dhe teknologjik në të mirë të njerëzimit në të vërtetë po e shkatërron vetë njerëzimin, të cilit duhej t’i shërbente. Këtu autori përmend çështje si thellimi i humnerës ekonomike mes shteteve të pasura dhe të varfra, shterimi i burimeve të tokës, shkatërrimi i mjedisit, kërcënimi nga armët bërthamore, apo sfidat e reja që ka sjellë zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë.
Duke pranuar se shumë nga çështjet e sipërpërmendura meritojnë reflektim, është e rëndësishme të theksohet se niveli i analizës për secilën nga këto çështje specifike mbetet sipërfaqësor. Sërish përpjekja për të kapur sa më shumë dimensione të problematikës ka prodhuar një argument të cekët, i cili hap shumë shtigje por ndalet pa i eksploruar ato. Për më tepër, në fund të veprës, mbase tepër i përfshirë nga entuziazmi i ideve të veta, From shkon aq larg sa të servirë një imazh utopik të një shoqërie të ardhshme të ndërtuar mbi një shkencë të re humanitare, e cila kupton nevojat e vërteta të njeriut dhe zotëron struktura të cilat riorientojnë prodhimin drejt konsumit të shëndetshëm. E thënë me fjalë të tjera, From sugjeron një ndryshim në nivelin makro të sistemit dhe braktis idenë e ndryshimit të vetë individit. Ideja e të pasurit struktura elitare të cilat ‘zgjedhin’, ‘mendojnë’, apo e ‘mbrojnë’ individin, e vendos sërish këtë të fundit në një pozicion inferior ndaj strukturës shoqërore. Pavarësisht se vendimet e marra presupozohet të jenë në dobi të këtij individi, From sërish e zhvesh atë nga një pjesë e rëndësishme e të qenit njeri, pra nga kontrolli, përgjegjësia dhe ndërgjegjësimi për zgjedhjet dhe jetën e vet. Në këtë aspekt fundi i librit paraqet një kontradiktë e cila mbase është karakteristike e vetë natyrës dhe formimit të autorit sipas dy shkollave divergjente, prirjeve psikanalitike nga njëra anë dhe humaniste nga ana tjetër.
Në përfundim, vlen të theksohet se, pavarësisht problematikave, ‘Të kesh apo të jesh’ është një vepër e cila stimulon të menduarit kritik (por fatkeqësisht jo shkencor) mbi influencat shoqërore në jetën e individit. Ky libër i drejtohet një lexuesi i cili ka një formim në shkencat sociale (filozofi, sociologji, psikologji), por edhe një intelektuali me njohuri të përgjithshme dhe dëshirë për të reflektuar mbi jetën. Gjithashtu vlen për t’u përmendur dobishmëria aktuale e këtij libri në kontekstin specifik shqiptar, ku individi duket se është gjithmonë e më tepër i orientuar drejt materializmit, duke anashkaluar vetë esencën e qenies. ‘Të kesh apo të jesh’ është pikërisht një thirrje ndaj këtij individi për të reflektuar mbi jetën e vet dhe për të zbuluar sensin kritik ndaj realitetit shoqëror.
Erika Melonashi MAPO
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt