Eva s´u takua kurrë me Adamin
Njerëzit e hershëm
Sipas Biblës, i pari njeri në Tokë ishte Adami. Pasi ai po mërzitej vetëm, Zoti krijoi edhe Evën. Të gjithë njerëzit e sotëm rrjedhin prej këtyre.
Por sipas një studimi të bërë nga një grup ndërkombëtar studiuesish që studiuan kodin gjenetik të më tepër se 1000 burrave nga 22 rajone gjeografike të botës doli se Bibla gabon.
Nëse Eva është mëma gjenetike e njeriut të sotëm Homo Sapiens atëherë ajo nuk mund të ketë takuar kurrë Adamin atin tonë gjenetik, pasi ai lindi 84 000 vjet më vonë.
Kodi gjenetik është një segment nukleotidesh brenda DNA-së që përcakton rendin përkatës të aminoacideve përgjatë sintezës së proteinave. Është themeli biokimikal i trashëgimisë dhe gjindet pothuajse në të gjithë organizmat e gjallë.
Kodi gjenetik femëror i njeriut të sotëm i cili mund të gjurmohet prapa në kohë nëpërmjet segmentit gjenetik të quajtur DNA mitokondrionale që trashëgohet vetëm nga ana e nënës është 143 000 vjet i vjetër. Pra Eva ka jetuar para 143 000 vjetësh diku në Afrikë. Prej andej ka shpërndarë kodin e saj gjenetik në tërë botën.
Ndërsa kodi gjenetik i mashkullit që mund të gjurmohet prapa në kohë nëpërmjet kromozomeve Y që hasen vetëm tek meshkujt doli nga studimi në fjalë të jetë vetëm 59 000 vjet i vjetër. Pra Adami ka lindur 84 000 vjet më vonë po në Afrikë dhe nuk ka mundur se si të takohej me Evën.
Për ta shpjeguar këtë gjë me fjalë banale mund të thuhej se Eva ka pasur për burrë dikë tjetër që kishte një kod gjenetik jo tonin, pasi i joni nuk ishte formuar akoma. Kështu mendohet se kodi ynë i sotëm është një përzierje e kodeve gjenetike të disa llojeve të njerëzve që kishte në atë kohë dhe që mori trajtën e tij 59 000 vjet pasi kishte marrë trajtën e tij kodi gjenetik i femrës.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu - Mbështetur në materialin e revistës Nature Genetics dhe të enciklopedive
Krijoni Kontakt