Halimi: Burgje private për të dënuarit deri në 5 vjet

Ministri i Drejtësisë shkruan në FB për nismën e re në sistemin e burgjeve shqiptare Eduard_Halimi_1_2_628755302


Tiranë Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka paralajmëruar një tjetër reformë, që këtë radhë synon të përmirësojë sistemin e vuajtjes së dënimeve penale në vendin tonë. Pas propozimeve që ashpërsojnë ndëshkimet penale, Halimi ka hedhur idenë e ndërtimit të burgjeve private ku do të izolohen personat e dënuar deri në pesë vjet burg. “Në bazë të partneritetit publik me privat, do të ndërtojmë burgje të reja për të dënuarit deri në 5 vjet, me rrezikshmëri të ulët. Këto burgje do të menaxhohen nga privatët duke ndjekur një model të ndërthurur anglez dhe amerikan”- shkruan në profilin e tij në Facebook ministri Halimi. Ai thotë se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka ndërmarrë një nismë të tillë, me ndikim pozitiv në përmirësimin e sistemit të burgjeve, por edhe në jetën e të burgosurve që do të vuajnë dënimin në këto burgje. Kjo ide pritet të konkretizohet në katër vitet e ardhshme, brenda të cilëve, sipas Halimit do të ndërtohen të paktën katër burgje private. Një pjesë e mirë e të burgosurve që do të qëndrojnë në to, pritet të jenë të dënuar shqiptarë që aktualisht vuajnë dënimin jashtë vendit. “Këto burgje do të mjaftojnë për të transferuar së paku 3000 të dënuar që vuajnë dënimin jashtë Shqipërisë, duke u kursyer familjarëve të tyre shpenzimet e mëdha harxhuar rrugëve për t’i takuar”, – thotë Halimi. Më pas ai rendit disa avantazhe që do të kenë burgjet private, jo vetëm për të dënuarit, por edhe për buxhetin e shtetit apo bizneset. “Burgjet private ulin kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes për shtetin duke rritur cilësinë e shërbimit në institucion, si dhe garantojnë rehabilitimin e të dënuarve”, – thotë Halimi. Sipas tij, në këto burgje vendosen më lehtë programe të punës për të burgosurit, duke iu dhënë atyre mundësinë të kualifikohen dhe të punojnë. Por nga ana tjetër, veç të burgosurve përfitojnë edhe bizneset që do të bashkëpunojnë me shtetin në një nismë të tillë. Të burgosurit, sipas ministrit do të kenë mundësi të përfitojnë një zanat, çka do t’u sjellë të ardhura, ndërsa bizneset do të sigurojnë një punë të paguar më lirë dhe do të bëhen partnerë të rehabilitimit në interes publik.

MAPO