-
Diplomati amerikan: Opozita bllokoi integrimin për arsye të brendshme politike
Debate në Uashington për zgjedhjet në Shqipëri.
Withers: Votat mund të vidhen.
Moore: Meta dhe Rama u shprehën se do fitojnë zgjedhjet.
Zgjedhjet parlamentare të qershorit do të jenë një provë e rëndësishme e demokracisë në Shqipëri dhe një faktor përcaktues i përparimit të vendit drejt Bashkimit Europian. Ky duket se ishte mendimi i përgjithshëm i pjesëmarrësve në diskutim.
Shefi i Zyrës së Departamentit të Shtetit për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, Jonathan Moore, tha se këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë për Shqipërinë. “Ky është një rast shumë i mirë për të dyja partitë, atë në qeveri dhe të opozitës, që të tregojnë përkushtimin e tyre për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta”.
Zyrtari i lartë amerikan theksoi nevojën që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili aktualisht ka mbetur me 4 anëtarë, të bëhet sa më shpejt i funksionueshëm, sepse kjo çështje, tha ai, rrezikon zhvillimin e zgjedhjeve në datën e caktuar, më 23 qershor. Robert Benjamin, drejtor rajonal për Europën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Kombëtar, tha se edhe pse në Shqipëri ka një elektorat tepër të politizuar, ky fakt nuk përjashton kërkesën legjitime të njerëzve për të pasur zgjedhje të drejta dhe të lira.
“Në Shqipëri mund të realizohen zgjedhje demokratike, nëse partitë nuk do të ndërhyjnë në proces, por ta lënë atë të zhvillohet sipas ligjit, dhe së dyti, që procesi të jetë plotësisht transparent për vëzhguesit e brendshëm dhe ata të huaj”. Polarizimi i theksuar politik në Shqipëri u përmend nga pjesëmarrësit si një prej arsyeve të problemeve elektorale të Shqipërisë.
JONATHAN MOORE, DEPARTAMENTI I SHTETIT:
“Duhet të jemi realistë, se ka shqetësime për polarizim të theksuar në Shqipëri nga Partia Demokrate dhe ajo Socialiste. Por kur sekretarja Klinton ishte në Shqipëri në nëntor dhe mbajti fjalimin në Parlament, të gjithë e vlerësuan fjalimin e saj dhe mbështetjen amerikane. Por më pas opozita kaloi në një drejtim plotësisht të ndryshëm dhe e bllokoi procesin e integrimit europian të vendit thjesht për arsye të brendshme politike. Tani ka shqetësime legjitime që PD veproi në mënyrë të paligjshme kur ndryshoi përbërjen e KQZ-së. Pra, mund ta drejtojmë gishtin në drejtime të ndryshme. Por unë do të bazohesha te themelorja. Të dyja partitë thonë se duan që zgjedhjet të mbahen në kohë, nëse mendimi i tyre ndryshon, atëherë edhe ne do t’i ndryshojmë pikëpamjet tona”, tha zoti Moore. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Uithers, kritik i ashpër i qeverisë, i cili e ndoqi takimin si i pranishëm në sallë, shprehu shqetësimin e vjedhjes së votave. Duket se ky koment ngjalli reagimin e zyrtarit të Departamentit të Shtetit.
JONATHAN MOORE, DEPARTAMENTI I SHTETIT:
“Kërkoj ndjesë që më duhet t’i kundërshtoj njerëzit për komentet e tyre lidhur me rrezikun e vjedhjes së rezultatit të zgjedhjeve. Më bëri përshtypje kur si zoti Rama, edhe zoti Meta, që kanë formuar koalicionin e majtë, janë shprehur në mënyrë kategorike se ata do t’i fitojnë zgjedhjet, nuk e kuptoj se si ato mund të vidhen, dhe ata duan që ato të mbahen në kohë, prandaj kjo duket se është në kundërshtim me këtë konstatim”.
Duke iu përgjigjur komenteve mbi mënyrën e shkarkimit të anëtarit të KQZsë, ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Gilbert Galanxhi, tha se KQZ-ja duhet të jetë e balancuar. “Ajo që mendoj se është kryesore dhe që u diskutua këtu, është çështja e balancimit të KQZ, pasi pa një arbitër që të jetë i paanshëm dhe të operojë mbi rregulla të qarta loje, kuptohet që edhe rezultati pastaj do të lërë për të dëshiruar. Mendoj që veprimet që ndërmori Parlamenti shqiptar janë të drejta, të bazuara në ligj, sepse, në fund të fundit, nuk bënë gjë tjetër, vetëm se vendosën peshoren aty ku duhet të ishte. Lojërat politike do të luhen deri në minutë të fundit, por nuk mendoj se nuk do të kemi një proces të rregullt dhe të ndershëm zgjedhor”.
Folësit në konferencë thanë se në Shqipëri, në procesin zgjedhor, në çdo rast ka nevojë për një zë të tretë, veç shumicës dhe opozitës, ka nevojë për zërin e shoqërisë civile.
Pas diskutimit, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit i tha “Zërit të Amerikës” se është e rëndësishme që partitë të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve. “Pyetja nëse partitë politike do ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Me të gjithë udhëheqësit e Partive politike që u takova, ata në qeveri dhe ata të opozitës, thanë se presin që do ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve. Pjesë e deklaratës së tyre ishte se ata presin që do t’i fitojnë zgjedhjet. Në çdo vend demokratik, siç janë Shtetet e Bashkuara, ka metoda për kontestimin e zgjedhjeve. Kjo është një tjetër arsye përse KQZ duhet të ketë të paktën 5 anëtarë, në mënyrë që ata të merren me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, si dhe me ndonjë sfidë pas zgjedhjeve. Në çdo rast është e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kohë, që KQZ-ja të plotësohet me anëtarë. Kjo është e rëndësishme dhe në interesin e votuesve të Shqipërisë”.
VOA: Përveç problemit të KQZ-së, si do ta vlerësonit përgatitjen e deritanishme të zgjedhjeve?
Jonathan Moore: Zyrtarisht, fushata zgjedhore duhej të fillonte më 23 maj, megjithatë, disa parti kanë bërë deklarata publike, mitingje, takime e të tjera, duke folur për fushatën. Koalicionet u arritën brenda afatit të caktuar, pra ky proces ka filluar në forma të ndryshme. Ne jemi të interesuar që zgjedhjet të zhvillohen siç duhet dhe rezultati i tyre të respektohet.
VOA: Si do ta ndihmojnë Shtetet e Bashkuara Shqipërinë gjatë procesit të zgjedhjeve, në mënyrë që ai të zhvillohet siç duhet?
Jonathan Moore: Ne po shpenzojmë rreth një milion dollarë për të mbështetur institucionet zgjedhore, si KQZ, si dhe për të punuar me organizatat joqeveritare, në aspekte të ndryshme, si zhvillimi i fushatave për t’i nxjerrë njerëzit të votojnë, për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe mënyrën e zhvillimit të tyre. Përveç misionit të OSBE-së, Ambasada jonë në Tiranë do të ndihmojë, ajo është angazhuar në mënyrë aktive me diskutime dhe takime në mbarë vendin, jo vetëm në Tiranë, për të parë nëse do të jenë krijuar kushtet për zgjedhjet. Ambasada jonë do të monitorojë zhvillimin e zgjedhjeve, pra ne po e monitorojmë gjendjen me kujdes, krahas me dialogun që po zhvillojmë me partitë politike.
ZERI I AMERIKES
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt