Serbia do të ndryshojë Kushtetutën, a do ta heq Kosovën nga Preambula?
Autori: lajmi.net në politikë 23:02, 20 korrik, 2014
Serbia pritet që të fillojë ndryshimin e Kushtetutës së saj, e si temë mund të jetë edhe Kosova. Në preambulën e Kushtetutës, Serbia e cilëson Kosovën si pjesë të saj.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka folur sot për këtë temë ku ka bërë të ditur se do të fillojë të diskutohet ndryshimi i Kushtetutës së vendit. Por lideri i Partisë Socialiste në 24 vjetorin e këtij subjekti politik, nuk e ka përjashtuar edhe temën e Kosovës, edhe pse ka thënë se kjo nuk do të jetë temë kryesore.
“Ndryshimi i Kushtetutës është një çështje që mund të diskutohet. Kjo nuk përjashtohet, por ne deri tani ende nuk e kemi hapur si temë”.
“Ne duhet ta shqyrtojmë ndonjë nen, sepse pothuajse çdo vend që i afrohet BE-së ka pasur arsye të caktuara për të bërë disa rregullime në legjislacionin e tij”, ka thënë Daçiq.
Kjo çështje duhet futur në konsideratë, për të parë se cfarë mund të ndryshohet. Daçiq theksoi se, në lidhje me këtë, disa njerëz ndoshta mendojnë te Preambula dhe Kosova, por kjo nuk është çështja kryesore, transmeton lajmi.net, shkrimin e Dnevnik.
- Duhet të shihet se çfarë kërkon Komisioni Evropian, ku ka kundërshtime apo në atë që ne mendojmë se ne kemi nevojë për të ndryshuar dhe të sjellim një vendim që do të çojë në faktin që Kushtetuta të mos ketë nevojë të ndryshohet në çdo tre apo katër vjet”, ka thënë Daçiq. (lajmi.net)
Krijoni Kontakt