Bekim Çollaku
Bekim Çollaku: Liderët nuk zgjidhen për qeverisje të lehtë!
GazetaExpress E mërkurë, 26 Shkurt 2014 18:07
PËRVJETORI I PAVARËSISË / Intervistë për JAVA me këshilltarin politik të kryeministrit Thaçi. Si i ka drejtuar Kosova bisedimet politike me Serbinë dhe vështirësitë e hasura. Problemet më të cilat haset sot Kosova, Veriu i Kosovës dhe zhvillimi i vendit...
Përse u nis pikërisht në këtë periudhë dialogu me Serbinë, përse jo në një kohë të dytë kur Kosova të ishte në një pozicion më të mirë për të negociuar?
Bekim Çollaku: “Çështja që ndërlidhet me periudhën kohore të fillimit të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është paraprirë nga një mori ngjarjesh. Kështu, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë e cila ftonte Kosovën dhe Serbinë të fillojnë një dialog të nivelit teknik për të adresuar çështjet e interesit të ndërsjellë. Ky dialog i cili filloj në mars 2011 rezultoi në disa marrëveshje teknike ndërmjet dy shteteve mirëpo ato nuk ishin të mjaftueshme për ta ndryshuar status quon në veri të Kosovës. Duhet rikujtuar se në veri të Kosovës situata ishte e pashpresë. Sundimi i rendit dhe ligjit ishte zëvendësuar me kontrabandë dhe krim të organizuar i cili lejohej të ndodhte pa asnjë pengesë sepse autoritetet ndërkombëtare dhe vendore nuk kishin kapacitet për të vendosur kontrollin. Për më tepër, në veri të Kosovës papenguar funksiononin strukturat shtetërore ilegale të Serbisë duke filluar nga policia, gjyqësia, mbrojtja civile etj. Për rrjedhojë, edhe qytetarët e komunitetit serb që jetonin atje, ishin krejtësisht lojal ndaj autoritetit të Beogradit dhe jo Prishtinës. Thënë troç, ishte krijuar përshtypja sikur ajo pjesë ngadalë po bëhej pjesë e Serbisë sepse as kufiri shtetëror i Kosovës nuk kontrollohej nga mekanizmat legal të sigurisë së Kosovës. Kjo gjendje e mjerë, krijonte hapësirë edhe për skenarë të tjerë negativë për Kosovën në qarqe të caktuara ndërkombëtare duke mos përjashtuar ndarjen e territorit. Kjo gjendje duhet të merrte fund dhe shteti duhej të vepronte. Ky veprim ndodhi me 25 korrik 2012 kur kryeministri autorizoj policinë e Kosovës të kryej operacionin e vënies nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit. Ky veprim i vendosur ndryshoi përfundimisht status quon dhe vuri në lëvizje komunitetin ndërkombëtar, respektivisht BE-në. Kështu, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe ndërrimit të lidershipit atje u krijuan kushtet për fillimin e dialogut në nivelin më të lartë politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo përkundër kësaj, duhet theksuar fakti që Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj ka qenë në pozitë të barabartë me Serbinë për të negociuar çështje të interesit të ndërsjellë ndër-shtetëror”.
Kur mendoni se do të përfundoj procesi i reintegrimit të veriut? Kur besoni se do hiqen plotësisht bllokadat dhe do jetë aq qetë sa qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë përtej Ibrit pa frikë e pa hequr targat si më parë?
“Dinamika e integrimit të mirëfilltë të veriut të Kosovës përcaktohet nga dinamika e zbatimit në praktikë të marrëveshjes së 19 prillit 2013. Rezultatet e deritanishme janë shumë inkurajuese dhe të prekshme. Ajo çfarë është më e rëndësishmja që tashmë ka ndodhur, ndërlidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të para lokale vitin e kaluar në tërë territorin e vendit duke përfshirë edhe katër komunat me shumicë serbe në veri. Pra tani për herë të parë, kemi institucione legjitime që kanë dalë nga vota e lirë dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Kjo është një e arritur historike sepse në mënyrë të pakthyeshme rikthen lojalitetin e komunitetit serbë që jeton atje ndaj institucioneve të Kosovës. Përveç kësaj, janë zhbërë strukturat ilegale të policisë së Serbisë dhe ka filluar procesi i integrimit të tyre në policinë e Kosovës. Po ashtu, në parim kemi arritur marrëveshjen për integrimin e gjyqësisë në kuadër të sistemit tonë unik gjyqësor dhe zbatimi do të filloj pas finalizimit të kësaj marrëveshje që pritet të ndodhë shpejt. Barrikadat në veri të vendit tashmë janë hequr përveç asaj që ndodhet në urën e lumit Ibër. Kjo është një barrikadë politike e cila besoj se do të largohet nga aty nga vetë qytetarët serbë që jetojnë atje sepse më shumë se këdo tjetër, ajo i pengon vet ata. Mendoj se momenti që ata ta bëjnë një gjë të tillë ka qenë dje, është sot por mund të jetë edhe neser. Sa më shpejt e kuptojnë një gjë të tillë aq më mirë do të jetë për të gjithë. Ndërsa qeveria e Kosovës po përkujdeset që të eleminoj çfarë do shkaku apo frikë që i ka shtyrë ata të bëjnë një gjë të tillë”.
Pas zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantiç, i cili kishte fituar garën zgjedhore për të udhëhequr këtë komunë, nuk pranoi të nënshkruajë deklaratën e betimit, me arsyetimin se ajo përmbante logon dhe mbishkrimin e Republikës së Kosovës dhe për rrjedhojë juve ju është dashur që të organizoni zgjedhje të reja. Çfarë garancie ka që kjo gjë mos të përsëritet?
“Kjo është e vërtetë dhe tashmë të gjithë e kanë të qartë se ligjet dhe simbolet e shtetit të Kosovës duhet të respektohen. Zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës veriore do të mbahen me 23 shkurt të këtij viti dhe ne kemi bërë të gjitha përgatitjet që ky proces të përmbyllet me sukses. Garanci e vetme për përfundimin e këtij procesi mbetet respektimi i ligjit dhe simboleve shtetërore. BE-ja si palë ndërmjetësuese në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka bërë të qartë se nuk ka alternative tjetër përveç kësaj. Serbia është e vetëdijshme gjithashtu se nuk mund të krijoj pengesa të kësaj natyre përshkak të obligimeve që ka për zbatimin e marrëveshjes dhe procesit të negociatave për antarësim në BE”.
Eshtë bërë traditë që Beogradi të përdorë pakicat e saja në vendet fqinje si instrument të politikës së jashtme sa herë i konvenon. Kemi parë që liderët lokalë serb të Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi marrin udhëzime e veprime për interesat e politikës serbe, sa garanci ka për besnikërinë e pakicës serbe ndaj shtetit të Kosovës.
“Kosovën nuk e pengon interesimi i Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë sepse edhe Kosova do të vazhdoj të interesohet për shqiptarët që jetojnë ne Luginën e Preshevës. Interesimi i Serbisë, bashkëpunimi dhe ndihmat e saja për serbët e Kosovës janë të rregulluara edhe me ligjet tona në përputhje me dispozitat e pakos se Presidentit Ahtisari. Por kjo nuk nënkupton ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës apo rrezikimin e rendit kushtetues. Mendoj se integrimi i plotë i serbëve në institucionet dhe jetën e shoqërisë sonë është garancia e vetme për respektimin e autoriteteve legale të Kosovës. Normalisht, integrimi bëhet duke iu ofruar atyre mundësi për jetë më të mirë, punësim, investime, shërbime kaulitative shëndetësore, arsimim më cilësor në gjuhën e tyre etj”.
Cilat kanë qenë përfitimet më të mëdha të Kosovës prej dialogut dhe cilat kanë qenë lëshimet?
“Se pari, ky proces është ende në vazhdim mirëpo qysh tani mund të them se qysh nga fillimi i tij, ai është dizanjuar të jetë win-win për të dy palët. Marrëveshja e 19 prillit është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës më dy të tretat e votave të deputeteve. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vërtetuar se kjo marrëveshje është në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Prandaj, këtu nuk mund të flasim për lëshime nga ana jonë të cilat në çfarë do forme mund të bien ndesh me ligjet dhe kushtetutën tonë. Thjesht, bëhet fjalë për arazhmane të tilla teknike të cilat e lehtësojnë procesin e integrimit të veriut. Kosova mbi gjithçka tjetër, nëpërmjet këtij procesi e ka forcuar sovranitetit e saj duke vendosur kontrollin fizik dhe ligjor në pjesën veriore. Ky moment, shënon suksesin më të madh të normalizimit të brendshëm dhe funksionimit të mekanizmave shtetëror në gjithë territorin. Përveç kësaj, në planin ndërkombëtar Kosova ka fituar një respekt të jashtëzakonshme duke dëshmuar se është në gjendje të negocioj në mënyrë të pavarur si akter i barabartë çështje të një rëndësie kaq të madhe. Për me tepër, kemi shënuar hapin e parë historik të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë duke plotësuar një nga kushtet kyçe për anëtarësim në BE dhe NATO, atë të marrëdhënieve të mira me shtetet fqinje. Për rrjedhojë, Kosova tashmë është në proces të negociimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me BE-në, që në fakt e vë Kosovën në rrugë të sigurt drejt realizimit të vizionit tonë për anëtarësim në BE”.
Po Serbia çfarë ka përfituar, opozita ju akuzon për lëshime?
“Opozita atë punë ka, që të akuzoj në mungesë të prezantimit të alternativave. Kjo nuk më habit fare. Ajo çfarë më habit me opozitën tonë është se përkundër faktit që marrëveshja e 19 prillit është miratuar pikërisht falë votës së partive opozitare, ato vazhdojnë të flasin për lëshime dhe në rastet ekstreme edhe për tradhti. Kjo është e pakuptimtë! Ata shkojnë më tutje me akuza duke thënë se Serbia ka fituar më shumë. Po shtrohet pyetja çfarë ka fituar Serbia? Me çfarë peshore matet suksesi i Serbisë nga opozita e jonë? Nese kjo fitore e Serbisë ndërlidhet me fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, atëherë përgjigja e menjëhershme është se Kosova nuk mund dhe nuk pretendon ta pengoj Serbinë në këtë rrugëtim. Për këtë çështje vendoset në Bruksel nga institucionet e BE-së dhe jo në Kosovë. Atëherë, çfarë paska fituar Serbia? Për mendimin tim, nëpërmjet dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Serbia ka fituar një rast të papërsëritshëm që të heq dorë nga Kosova përgjithmonë por në mënyrë të ndershme. Për më tepër, dialogu i mundëson Serbisë të krijoj parakushtet e domosdoshme të njohjes së pavarësisë së Kosovës në fazën përfundimtare të këtij procesi. Nëse kjo që thash konsiderohet një fitore e Serbisë, atëherë unë jam i gatshëm ta pranoj pa hezitim“.
Në zgjedhjet vendore ku u përfshi për herë të parë i gjithë territori i Kosovës, Lista Serbe me lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin triumfoi përkundrejt partive të tjera serbe a paraqet preokupim për qeverinë e Kosovës?”
“Zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ishin zgjedhjet më të mira të mbajtura në Kosovë ndonjëherë. E thashë më lartë se Serbia ka të drejtë të interesohet për serbët që jetojnë në Kosovë. Serbia normalisht nuk duhet të kishte preferenca për këtë apo atë parti apo subjekt politik që përfaqëson serbët e Kosovës. Duhet t’i trajtoj serbët në mënyrë të barabartë. Por është e vërtetë që lidershipi i Serbisë ka dështuar të këtë një qasje të tillë neutrale në zgjedhjet lokale. Ata kanë zgjedhur të përkrahin Listën Serbe. Mendoj se duke bërë një gjë të tillë, ata i kanë lënduar vet serbët e Kosovës. Për institucionet e Kosovës është e rëndësishme që ata që kanë fituar pozita publike në këto zgjedhje, të sillen konform ligjeve të Kosovës dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë. Përderisa, të zgjedhurit e bëjnë një gjë të tillë, atëherë ne nuk kemi përse të jemi të shqetësuar. Në rast se ndodh ndryshe, atëherë edhe veprimet tona do të jenë ndryshe”.
Cilat kanë qenë vijat e kuqe tuaja gjatë negocimit, ato qëndrime që ishin pra të panegociueshme?
“Vijat e ashtuquajtura të kuqe të delegacionit të Kosovës kanë qenë ato që janë përcaktuar me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës që i ka paraprirë fillimit të këtij procesi. Konkretisht që të mos negociojmë për çështje që ndërlidhen me integritetin territorial të Kosovës dhe rendin kushtetues”.
Cili ka qenë momenti më i vështirë, momenti kur juve keni menduar se ato negociata do të dështonin e nuk do ecnin më përpara?
“Momenti më i vështirë ka qenë ndërprerja e bisedimeve gjatë raundit të dhjetë të dialogut, konkretisht me 18 prill 2013. Kishim kaluar një ditë maratonike shumë të vështirë. Ishim të molisur nga lodhja, stresi dhe nervoza që nga kapte në raste të caktuara. Kishim shënuar shumë progres mirëpo në orët e vona të mbrëmjes dështuam të arrijmë marrëveshje. Takimi u mbyll pa marrëveshje dhe ne, njësoj sikur pala tjetër duke përfshirë edhe ndërmjetësuesin, ishim të vetëdijshëm se çfarë rasti po humbisnim. Koj na shqetësonte të gjithëve. U kthyem vonë në hotel dhe atë natë nuk kam fjetur për shkak të stresit. Vrisja mendjen se si ndodhi që ishim aq afër dhe dështuam të kemi marrëveshje. Por e dija, që baronesha Ashton nuk do të dorëzohej aq lehtë. Dhe ashtu ndodhi, të nesërmen rrugëtimi ynë për në Kosovë u ndërpre në mes të rrugës, dhe nga Lubjana ne u rikthyem në Bruksel ku arritëm të përmbyllim me sukses marrëveshjen”.
Si shpjegohet që ndryshe nga modelet e tjera ku në negociata kanë punuar grupe punuese apo diplomatë të deleguar në këto negociata janë ulur vetë liderët e dy vendeve?
“Mendoj se nuk ka një model unik për negociata. Rastet janë nga më të ndryshmet varësisht nga faktorë të shumtë që ndërlidhen me procesin. Për mendim tim, modeli dhe formati i negociatave të Brukselit u dëshmua të jetë i qëlluar. Fundja, kush tjetër në qoftë se jo vet liderët e zgjedhur të shteteve respektive duhet të marrin përgjegjësi për të zgjidhur problemet. Ulja në tavolinë e lidërve në nivelin më të lartë ishte garancia më e mirë për të arritur sukses dhe dëshmonte se sa i rëndësishëm ishte ky proces për Kosovën dhe Serbinë”.
A ka shanse për kthim prapa, pra që të mund të rihapen disa çështje për të cilat keni rënë tashmë dakord?
“Jo, kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk besoj se do ndodhë. Marrëveshja e duhet të zbatohet nga të dyja palët ndërsa përgjatë procesit të zbatimit të saj në praktikë, patjetër që do të ketë nevojë që grupet punese të nivelit teknik të adresojnë çfarë do problematike më të cilën ballafaqohen”.
Çfarë impakti ka pasur në aspekt të njohjeve ndërkombëtare dhe pozitës së Kosovës ne botë?
“Marrëveshja dhe procesi i dialogut ka sjellë rezultate pozitive në këtë aspekt. Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është konsoliduar dhe procesi i njohjeve ndërkombëtare nuk është ndalur”.
Kemi vënë re disa nisma paralele për të propozuar kryeministrin Thaçi bashkë me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçic për çmimin Nobel a kanë qenë këto ujdi të të tilla përmasave sa ta meritojnë atë çmim prestigjioz? Fundja në bazë atyre marrëveshjeve fundja Serbia s’po e njeh Kosovën në mënyrë definitive?
“Unë nuk mund ta komentoj një nismë të tillë sepse do të isha subjektiv në gjykimin tim. Mirëpo po të lexohet drejtë arsyetimi i bërë nga iniciuesit e këtij nominimi kuptohet se megjithatë bëhet fjalë për një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila është arritur si rezultat i një procesi të gjatë dhe shumë të vështirë. Në historinë e dy popujve tanë, kjo është marrëveshja e parë dhe pesha e saj është e pakrahasueshme me çfarëdo marrëveshje që mund të pasoj në të ardhmen”.
Si do vijojë axhenda e negociatave të ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit dhe a do të ndikoja klima e zgjedhjeve që po afrohen si në Kosovë ashtu edhe në Serbi në dëmtimin e procesit të dialogut?
“Dialogu do të vazhdoj edhe në të ardhmen sepse është në interes të dy shteteve. Natyrisht, dinamika e takimeve do të bie përshkak të zgjedhjeve parlamentare në Serbi gjatë muajit mars dhe zgjedhjeve parlamentare në Kosovë që do duhet të mbahen në vjeshtë”.
Kosova ka ende plagë të mëdha të hapura të luftës dhe një ndjesi të madhe marazi ndaj Serbisë dhe dialogu me këtë shtet të konsideruar okupator ka ngjallur shumë pakënaqësi në publik, madje ka pasur edhe protesta. A ka ndikuar dialogu në rënien e votave në zgjedhjet vendore? Sa do jetë kostoja elektorale në zgjedhjet e ardhshme?
“Lideret nuk zgjidhen për të bërë vetëm punë të lehta. Normalisht, ata quhen liderë pikërisht sepse në momente të caktuara duhet të marrin vendim të vështira por gjithnjë në interesin nacional. Një i tillë ka qenë vendimi për fillimin e këtij dialogu që normalisht që për shkak të kaluarës së hidhur, nuk ka qenë aspak popullor. Mbase kjo mund ti ketë kushtuar me një humbje të lehtë të votave kryeministrit të Kosovës për shkak të retorikës së ashpër të opozitës kundër dialogut. Por një gjë duhet të jetë e qartë, interesi nacional dhe shtetëror është shumë më i rëndësishme se një grusht vota më shumë apo më pak. Suksesi i Kosovës në këtë dialog për nga rëndësia nacionale është i pakrahasueshëm me votat që mund të humbasin apo fitohen në garën politike zgjedhore. Personalisht, jam i bindur se kryeministri Thaçi do ta fitoj edhe një mandat të tretë për të qeverisur”.
Në festën e pavarësisë Kryeministri Thaçi është shprehur që Forcat e Sigurisë të Kosovës do të shndërrohen në Forca të Armatosura sikurse i takon çdo shteti sovran, kjo reformë e sigurisë çfarë implikimesh pritet të ketë? Cili ka për të qenë roli I forcave të armatosura kosovare dhe kur do ta zëvendësojnë ato KFOR-in?
“Nuk kishte moment më të duhur se sa në ditën e shënimit të gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës që kryeministri të bënte publik themelimin e shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK). Roli i saj do të jetë i njëjtë me atë që kanë ushtritë tjera në vendet demokratike të botës. Mision parësor do jetë mbrojtja e terësisë territoriale të Kosovës. Në anën tjetër, Kosova synon integrimin në NATO dhe formimi i FAK është parakushti i domosdoshëm për një gjë të tillë. KFOR ka mandatin e vet dhe reduktimi do të vazhdoj në përputhje me situatën në vend dhe vendimet e këshillit të NATO-s. Ky është një proces që do të vazhdoj të koordinohet ngushtë ndërmjet ndërmjet Kosovës dhe NATO-s”.
Kryeministri Thaçi është shprehur se pas çlirimit, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit misioni i tij i ri politik ka për të qenë ai i zhvillimit. Cili është modeli i zhvillimit që synohet të aplikohet nga Z. Thaçi në të ardhmen?
“Kryeministri si mision të tretë, pas lirisë së Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së saj, ka integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. Asnjëra nga këto qëllime nuk mund të realizohet në rast se Kosova nuk zhvillohet në aspektin ekonomik dhe në rast se nuk e forcon sundimin e rendit dhe ligjit. Në këtë aspekt, në vitet në vijim ne presim rritje të investimeve të huaja sidomos në sektorin e energjisë dhe minierave. Modeli që kryeministri ka zgjedhur që nga dita e parë e punës është ai i ekonomisë së lirë të tregut dhe konkurrencës së lirë. Prioritet do të vazhdoj të mbetet stimulimi dhe fuqizimi i sektorit privat si promotor i rritjes ekonomike. Ndërsa qeveria, përveç miratimit të politikave stimuluese për këtë sektor, duhet të punoj shumë për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale. Kosova ka trende pozitive të rritjes ekonomike ndërsa vënia në shfrytëzim e potencialeve tona, garanton një rritje të qëndrueshme ekonomike edhe në të ardhmen. Unë besoj se Kosova në vitet në vazhdim do të arrij ti përmirësoj dukshëm parametrat e zhvillimit ekonomik të saj”.
Krijoni Kontakt