“Ende nuk ekziston një marrëveshje e mirëfilltë”
Prishtinë, (Kosovapress) 20 Prill 2013 12:30
Përfaqësuesi i familjes legjendare Jashari, Murat Jashari, duke komentuar marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë për Kosovapress se përkundër faktit që kjo po cilësohet nga shumë media dhe analistë si një marrëveshje, ende nuk ekziston një marrëveshje e mirëfilltë.
Sipas tij, kjo është një draft marrëveshje, meqë nga ajo që është thënë nga Brukseli, pastaj baronesha Eshton dhe delegacioni serb, do të kthehet në Beograd për ratifikim nga parlamenti serb.
“Sido që të jetë, përgjigja ime do të jetë e ndarë në dy pjesë. E para në kontekstin e jashtëm dhe në atë të brendshëm. Sa i përket të parës, konsideroj se nga shtetet evropiane, SHBA-të dhe akterët e tjerë, pa dyshim se kjo është një arritje e madhe në mes të dy qeverive dhe dy shteteve, të cilat kanë arritur të tejkalojnë hasmërinë mes vete prej një shekulli e më shumë, dhe mendoj se është diçka e mirë. Ndërkaq, nëse shikojmë nga aspekti i brendshëm, ato 15 pika të marrëveshjes të cilat saktë nuk i dimë cilat janë, tejkalojnë pakon e Ahtisarit”, ka thënë Jashari, duke përmendur si shembull kompetencat e Asociacionit dhe komunat, për të cilat tha se janë një etnike, gjë që tejkalon kornizën e pakos së Ahtisarit.
Sipas tij, më shumë sesa kjo, është e rëndësishme sa do të arrihet të implementohet kjo marrëveshje. “Kuptimi qoftë pozitiv apo negativ i kësaj marrëveshje, do të varet shumë edhe nga qeverisja e vendit tonë, sepse nëse arrihet një qeverisje e mirë në vend, ku do të sundojë rendi dhe ligji, atëherë me kalimin e kohës të metat do të eliminohen, por nëse vazhdohet me një qeverisje ku nuk funksionon ligji, atëherë pala tjetër do të shfrytëzojë maksimalisht për vete”, ka pohuar ai.
Jashari ka theksuar se në këtë marrëveshje kanë qenë të angazhuar shumë ekspertë evropianë dhe amerikanë të cilët kanë modifikuar marrëveshjen aq bukur, sa që kanë dhënë mundësinë e interpretimit të dyanshëm të saj.
“Është sikur ajo anektoda me gotën gjysmë të zbrazët dhe gjysmë të mbushur, dhe pastaj disa mund ta shohin këtë gotë gjysmë të zbrazët, por disa e shohin edhe si gjysmë të mbushur. Në këtë rast qeveria serbe mund t’ju thotë serbëve të veriut se ua dhamë Bashkësinë në të cilën keni kompetenca, pastaj policinë, shëndetësinë, arsimin etj., dhe të gjitha këto me kompetenca, të cilat ju duhet shfrytëzuar. Ndërsa në anën tjetër, institucionet ose liderët tonë mund të thonë se të gjitha këto janë të rregulluara brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”, është shprehur Jashari.
Sipas tij, dikush mund ta shoh me optimizëm, dikush me pesimizëm, por e ardhmja do të jetë ndryshe.
Jashari ka përsëritur se kjo marrëveshje që të zbatohet në praktikë, nuk do të jetë aspak e lehtë. /Kosovapress/
Krijoni Kontakt