Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 12
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    "Hafizët e Gjakovës - krenaria e Kosovës"

    Botime të reja: HAFIZËT E GJAKOVËS-
    KRENARIA E KOSOVËS

    Autor:
    Mexhid YVEJSI

    Redaktor:
    Faik MIFTARI

    Recensent:
    Dr. Halil IBRAHIMI

    Redaktor gjuhësor:
    Mexhid YVEJSI

    Ballina dhe përkujdesja kompjuterike:
    Inxh. dipl. Fetah KRYPA

    Shtypi:
    ERPO PRINT
    Gjakovë, 2013

    Libri ”HAFIZËT E GJAKOVËS - KRENARIA E KOSOVËS”, është libri i 16-të i shkrimtarit nga Gjakova, Mexhid Yvejsi. Ky libër ka 114 faqe me këtë përmbajtje:

    PARATHËNIE, 5
    HAFIZËT E KUR’ANIT, 7
    ZHVILLIMI HISTORIK, FETAR I GJAKOVËS, 9
    ZEJTARIA...E GJAKOVËS, 14
    ORGANIZIMI I JETËS FETARE NË GJAKOVË, 16
    ULEMATË SHQIPTAR NË SHËRBIM KOMBËTAR, 18
    ULEMATË E GJAKOVËS – MBUROJË E KOSOVËS, 21
    HAFIZËT E GJAKOVËS - KRENARIA E KOSOVËS, 26
    HAFIZ YVEJS EFENDIU, 28
    HAFIZ TAHIR EFENDI GJAKOVA (1770-1850), 30
    HAFIZ ZENEL ABIDINI, 36
    HAFIZ ISMAIL EFENDIU, 36
    HAFIZ MUHAMEDI EFENDIU, 38
    HAFIZ ILJAZ EFENDIU (1857-1920), 39
    HAFIZ MYFTAR BOKSHI, 40
    HAFIZ ABDURRAHMAN VOGLI –THAÇI, 45
    HAFIZ YMER GUTA (1860-1963), 46
    HAFIZ HALIL HAXHIAVDYLI (1872- 1948), 49
    HAFIZ LATIF ZEKA (1874-1950), 51
    HAFIZ RUSHID EMRA (1880-1940), 52
    HAFIZ SYLEJMANI- MELAMI (1873-1955), 57
    HAFIZ IDRIZ HOXHA (1874-1946), 60
    HAFIZ IBRAHIM PALLASKA (1875-1935), 62
    HAFIZ ISMAIL MUHAXHIRI (1880-1940), 66
    HAFIZ MURTEZA MULLA-ALIU (1889-1941), 68
    HAFIZ IBRAHIM FEHMIU (1892-1951), 71
    HAFIZ BAJRAM AGANI (1898-1962), 76
    HAFIZ FAHRI EF. ILJAZI (1903-1985), 79
    HAFIZ HALIM FERIZI, 91
    HAFIZ HYSNI YVEJSI (1911-1954), 93
    HAFIZ SELIM YVEJSI (1913-2001), 95
    HAFIZ XHAFER BOKSHI (1915- 1930), 99
    HAFIZ FAHRI FERIZI (1915-1935), 101
    HAFIZ TEUFIK NAHI (1917-2006), 103
    INSTITUTI I HIVZIT NË GJAKOVË, 107
    SHËNIME PËR AUTORIN, 111
    BURIMET KRYESORE, 112

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-01-2011
    Postime
    2,425

    Për: "hafizët e gjakovës - krenaria e kosovës"

    nga vijne keta hafizet?
    nga emri duken perse( iraniane)

  3. #3
    Love all, but trust a few Maska e angmokio
    Anëtarësuar
    02-09-2011
    Vendndodhja
    AngMoKio
    Postime
    3,928

    Për: "hafizët e gjakovës - krenaria e kosovës"

    Citim Postuar më parë nga Mexhid Yvejsi Lexo Postimin
    Botime të reja: HAFIZËT E GJAKOVËS-
    KRENARIA E KOSOVËS

    Autor:
    Mexhid YVEJSI

    Redaktor:
    Faik MIFTARI

    Recensent:
    Dr. Halil IBRAHIMI

    Redaktor gjuhësor:
    Mexhid YVEJSI

    Ballina dhe përkujdesja kompjuterike:
    Inxh. dipl. Fetah KRYPA

    Shtypi:
    ERPO PRINT
    Gjakovë, 2013

    Libri ”HAFIZËT E GJAKOVËS - KRENARIA E KOSOVËS”, është libri i 16-të i shkrimtarit nga Gjakova, Mexhid Yvejsi. Ky libër ka 114 faqe me këtë përmbajtje:

    PARATHËNIE, 5
    HAFIZËT E KUR’ANIT, 7
    ZHVILLIMI HISTORIK, FETAR I GJAKOVËS, 9
    ZEJTARIA...E GJAKOVËS, 14
    ORGANIZIMI I JETËS FETARE NË GJAKOVË, 16
    ULEMATË SHQIPTAR NË SHËRBIM KOMBËTAR, 18
    ULEMATË E GJAKOVËS – MBUROJË E KOSOVËS, 21
    HAFIZËT E GJAKOVËS - KRENARIA E KOSOVËS, 26
    HAFIZ YVEJS EFENDIU, 28
    HAFIZ TAHIR EFENDI GJAKOVA (1770-1850), 30
    HAFIZ ZENEL ABIDINI, 36
    HAFIZ ISMAIL EFENDIU, 36
    HAFIZ MUHAMEDI EFENDIU, 38
    HAFIZ ILJAZ EFENDIU (1857-1920), 39
    HAFIZ MYFTAR BOKSHI, 40
    HAFIZ ABDURRAHMAN VOGLI –THAÇI, 45
    HAFIZ YMER GUTA (1860-1963), 46
    HAFIZ HALIL HAXHIAVDYLI (1872- 1948), 49
    HAFIZ LATIF ZEKA (1874-1950), 51
    HAFIZ RUSHID EMRA (1880-1940), 52
    HAFIZ SYLEJMANI- MELAMI (1873-1955), 57
    HAFIZ IDRIZ HOXHA (1874-1946), 60
    HAFIZ IBRAHIM PALLASKA (1875-1935), 62
    HAFIZ ISMAIL MUHAXHIRI (1880-1940), 66
    HAFIZ MURTEZA MULLA-ALIU (1889-1941), 68
    HAFIZ IBRAHIM FEHMIU (1892-1951), 71
    HAFIZ BAJRAM AGANI (1898-1962), 76
    HAFIZ FAHRI EF. ILJAZI (1903-1985), 79
    HAFIZ HALIM FERIZI, 91
    HAFIZ HYSNI YVEJSI (1911-1954), 93
    HAFIZ SELIM YVEJSI (1913-2001), 95
    HAFIZ XHAFER BOKSHI (1915- 1930), 99
    HAFIZ FAHRI FERIZI (1915-1935), 101
    HAFIZ TEUFIK NAHI (1917-2006), 103
    INSTITUTI I HIVZIT NË GJAKOVË, 107
    SHËNIME PËR AUTORIN, 111
    BURIMET KRYESORE, 112
    Selamun Alejkum i nderuar Mexhid,

    Ne pamundesi per te na sjellur librin do te lutesha te na sillje ndonje material te shkurter mbi hafizet e siperpermedur.
    "And speak kindly to mankind '' Quran - 2:83"

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    Hafiz Teufik Nahi (1917-2006)

    HAFIZ TEUFIK NAHI
    (1917-2006)


    Hafiz Teufik Nahi, është gjakovar, në Kairo, Egjipt, ka qenë pedagog, akademik, shkrimtar, atdhetar…
    Sa herë që diktatori i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, e vizitonte Egjiptin, hoxha atdhetar, çdo herë arrestohej, derisa ”shoku” Tito nga Egjipti - largohej…!

    Teufik Nahi lindi me 6 Prill 1917, në Gjakovë. Është djali i Myderrizit të njohur, Islam Efendi Nahi, i cili ka qenë myderrizi kryesor dhe udhëheqësi i Medresës së Madhe në Gjakovë, gjatë viteve 1920-1930. Është vllai i Myderrizit, dijetarit, atdhetarit, përkthyesit të Kur’anit në gjuhën shqipe, Hasan Efendi Nahi (1905-1991).
    Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e “Halil Efendisë”, në Gjakovë, ku krahas lëndëve të përditëshme, brenda dy viteve, arriti të mësoj përmendësh Kur’anin e Madhnueshëm dhe e fitoi titullin e nderuem: Hafiz. E vazhdoi shkollimin në Medresenë e Madhe të Gjakovës, ku diplomoi, në vitin 1938, pranë Myderrizit të madh, Hafiz Fahri Ef.Iljazi (1903-1985).
    Vëllai i tij më i madh, Myderrizi, Hasan Efendi Nahi, (1905-1991), i cili sa kishte diplomue në Universitetitn “El-Az-har” të Kairos, me 1934, duke e pa se vllai i tij, Tevfiku, ishte një djalosh shumë i zgjuar, e këshilloi, e ndihmoi, e udhëzoi, që edhe ky në Kairo të shkoi…
    Një ditë, në vitin 1938, djaloshi 21 vjeçar, Teufik Nahi, shkon në shtëpinë e z.Beqir Malokit, në mahallën e “Haxhi Ymerit”, në Gjakovë, dhe i kërkon ndihmë, si për mahi, tue i thanë, qysh me dalë n’Shqipni?
    Z. Beqir Maloki, mbasi e pyet i kujne je, çfarë pune n’Shqipni ke, dhe ky i tregoi drejtë:
    “Jam djali i Myderrizit, Islam Efendi Nahi, po kam dëshirë me shkue n’Shqipni, për me dalë n’Greqi e për n’Egjipt me vazhdue për m’u shkollue…”
    Atëherë, Beqir Maloki i tha:
    “ Babën po ta ngjoh, ma t’mirë burrë, jo Gjakova, por nashta as Kosova s’e ka, njashtu e ke edhe vllain, Hasanin, edhe ti insha’Allah, ju ke n’gja.Tash, po t’thom nër sy, mos baj dert se kjo punë u kry…!
    Beqir Maloki, i cili ishte një burrë i rrym me këto punë, e thirri një djalë trim, besnik, nga një katund afër kufinit, i cili e përcolli Tevfik Nahin, hoxhën e ri, pa’ i’ therrë n’komë, deri në n’kufi, derisa hyni n’Shqipni…
    Teufik Nahi, përmes Shqipnisë, Greqisë, nëpër Detin Egje, nëpër Detin Mesdhe, arriti në Aleksandri dhe më në fund në Kairo. Pa humbur kohë, me shumë dëshirë, me shumë vullnet u regjistrue në Fakultet, në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e famshëm El-Az’har, në Kairo, Egjipt.
    Në këtë fakultet, në këtë Universitet, studenti nga Gjakova, Teufik Nahi, ishte ndër më të zgjuarit, ndër më të dalluarit, ndër më të shquarit, derisa diplomoi, në vitin 1948.
    Pasi diplomoi, brenda dy vjetëve, edhe një titull e fitoi, titullin: Gjykatës i Drejtësisë Islame.
    Në vitin 1951, duke i parë aftësitë e tij, emërohet pedagog në Universitetin “El-Az-har, ku punoi me përkushtim, me devotshmëri, duke u bë shembylltyrë në Universitet për çdo njeri…
    Pas gjashtë viteve shërbimi, kërkohet, ftohet dhe dërgohet si pedagog në Algjeri, 1967-1969. Pas dy viteve shërbimi, kërkohet, ftohet dhe dërgohet pedagog në Somali., 1969-1972. Pas tri vjetësh shërbimi në Egjipt, kërkohet, ftohet dhe dërgohet si pedagod në Arabi, ku si gjithnjë, shërbeu me devotshmëri, 1975-1978.
    Në vitin 1978, Hafiz Teufik Nahi, pas 11-të vjetësh shërbimi me përkushtim , me devotshmëri, në Algjeri, Somali dhe në Arabi kthehët sërish në Kairo, ku menjëherë emërohet këshilltar i Ministrit të Vakëfeve të Egjiptit, për katër vjet të plota, deri më 1982, kur, ky burrë i çmuar, doli me nderë në pension të merituar.
    Hafiz Teufiku, përveç veprimtarisë aq të frytshme arsimore, edukative, pedagogjike, në Afrikë e Azi, ai kurrë nuk e harroi Kosovën e Nanën Shqipni.
    Është një nga shqiptarët e parë, që me shkrimet e tij profesionale, iu ka kundërvue komunizmit, ka shkrue në vazhdimësi për gjendjen e mjerueshme të Kosovës, të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në Shqipni…
    Në shtypin egjiptian dhe të Lindjes së Mesme, në radio e television, Hafiz Teufiku ka informue ndër vite në vazhdimësi me argumente rreth situatës në Kosovë, për padrejtësitë, persekutimet, krimet, shpërnguljet, burgosjet,dënimet, vrasjet, dhunimet që ju bëheshin shqiptarëve, ndër vite, në ish-Jugosllavinë komuniste-titiste…
    Për këtë arsye, sa herë që diktatori i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, e vizitonte Egjiptin, hafizi atdhetar, çdo herë arrestohej, derisa ”shoku” Tito nga Egjipti - largohej…!
    Ka shkrue në gjuhën arabe shumë punime, studime, vepra në fusha të ndryshme: fetare, letrare, juridike, politike historike…
    Për shkak të veprimtarisë së tij fetare-atdhetare, nacionaliste-antikomuniste, dy qeveritë, jugosllave-titiste dhe shqiptare-komuniste-enveriste, nuk e lejuan asnjëherë të viziton vendlindjen, Gjakovën, as Kosovën. Çka është edhe më keq, nuk e lejuan as komunistët shqiptarë faqezi me e pa veç një herë, siç thoshte, Nonën Shqipni…!
    Hafiz Teufik Nahi ndrroi jetë më 9 Janar 2006, në moshën 89 vjeçare, në Kairo, Egjipt, në mërgim u nda nga kjo jetë e përkohshme tokësore, por aty u varros me nderime madhështore…

    Mexhid YVEJSI, Gjakovë

    Shkëputur nga libri: "HAFIZËT E GJAKOVËS=KRENARIA E KOSOVËS"
    Gjakovë, 2013

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    Hafiz Fahri ef. Iljazi (1903-1985)

    HAFIZ FAHRI EF. ILJAZI
    (1903-1985)

    Myderrizi, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ishte njëri prej hoxhallarëve më të ditur, jo vetëm të Gjakovës, jo vetëm të Kosovës, por ishte një nga më të dalluarit, një nga më të shquarit në nivel kombëtar, në të gjitha trojet ku ka shqiptarë….

    Prejardhja familjare

    Rrjedh prej një familje të njohur gjakovare, prej së cilës ndër shekuj kanë dalë shumë intelektualë, dijetarë, myfti, myderrizë, hafizë, hoxhallarë, atdhetarë…
    Fahri Efendi Iljazi lindi në vitin 1903, në Gjakovë. Është djali i myderrizit, Hafiz Iljaz Efendiut, i cili ishte djali i myderrizit, Hafiz Muhamedi Efendiut, i cili ishte njëri nga pesë djemt e Yvejs Efendiut, të gjithë hoxhallarë të njohur, të nderuar, të cilët janë: Muhamed Efendiu, Hafiz Ismail Efendiu, Hafiz Muhamedi Efendiu, Jahja Efendiu dhe Hysein Efendiu.
    Yvejs Efendiu, babai i pesë hoxhallarëve të shquar, ka qenë myderrizi i parë në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila ishte vatra kryesore edukative, arsimore, kulturore, jo vetëm e Gjakovës, por e tërë Kosovës…

    Shkollimi dhe shërbimi

    Fahri Efendi Iljazi mësimet fillestare i kreu në Gjakovë, ku krahas mësimeve, pranë babait, myderrizit, Hafiz Iljaz Efendiut, e mësoi Kur’anin e Shenjtë përmendësh, në moshën 11- të vjeçare dhe e fitoi titullin e nderuar: Hafiz. Hafiz ishte edhe babai i tij, Myderriz Iljaz Efendiu, që nga mosha 9-të vjeçare…
    Hafiz Fahri Efendi Iljazi i vazhdoi mësimet në Medresenë e Madhe në Gjakovë, pranë babait, Myderriz Iljaz Efendiut, deri në vitin 1920, viti kur ndrroi jetë babai i tij i nderuar.
    I vijoi studimet në Medresenë “Mehmed Pasha” në Prizren, pranë Myderrizit të shquar Nusret Efendi Galibit, i cili ka qenë Myfti i Prizrenit, kryeqyteti shpirtërorë e historik i shqiptarëve…
    Gjatë studimeve në Prizren, Fahri Efendi Iljazi, ishte njëri prej studentëve më të zgjuar, më të talentuar, aq sa, ka ndodhur shpesh, në mungesë të myderrizëve, edhe myderrizët i ka zëvendësuar…! Me përfundimin e studimeve, me sukses shembullorë, përveç diplomës e përfitoi edhe titullin e nderuar, titullin e çmuar: Myderriz. Këtë titull të çmuar, si sot akademik, për ta fituar, iu nështruar provimit para komisionit të përbër nga tre myderrizë, të cilët janë: Myderriz Rexheb Efendiu nga Mitrovica, Myderriz Ataullah Efendiu nga Shkupi dhe Myderriz Nusret Efendi Galibi nga Prizreni.

    Shërbimet dhe vlerësimet

    Që nga janari i vitit 1930 e deri në vitin 1948, kur e mbyllën komunistët, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ka qenë Myderriz, udhëheqësi kryesor, në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila i ka dhënë dritë tërë Kosovës…
    Gjatë 18 viteve sa shërbeu në Medresenë e Madhe në Gjakovë, ku kanë studiuar 93 studentë, nga të gjitha trevat shqiptare, mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Në programin arsimor të Medresesë, Hafiz Fahri Efendia, përveç lëndëve që ishin në të kaluarën, futi lëndë të reja, si Kelami (Apologjetika) Ibnu Feraiz (E drejta trashëgimore), Filozofia Islame, Tesavufi Islam, Fizika, të cilën e ligjëronte Beqir Efendi Baraku, i cili ka qenë edhe poet...!
    Në vitin 1938 doli gjenerata e parë e të diplomuarëve nga Hafiz Fahri Efendia dhe për këtë ngjarje nga Sarajeva erdhi një delegacion në krye me Reisin (Kryetarin) Xhemaludin Çausheviç dhe mysafirë të shquar nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët qëndruan bashkarisht tri ditë në Medrese, në Gjakovë. Të diplomuarit e gjeneratës së parë nga Gjakova janë: Hafiz Teufik Ef. Nahi, Hafiz Selim Ef. Yvejsi, Jahja Ef.Bakalli dhe Qamil Ef. Ferizi.
    Shumica prej nxënësve të Myderriz Fahri Efendiut, pasi kanë diplomuar, u bënë dijetarë të shquar, atdhetarë e luftëtarë të dalluar, prej tyre vlenë të përmenden disa emra të paharruar si: Mulla Zekë Bërdynaj, Mulla Ramush Shatri, Haxhi Jahja Daci, Mulla Iljaz Broja, Hafiz Muhamed Gashi, Mulla Hajriz Demaku etj.
    Në vitin 1948 u mbyll me dry Medreseja e Madhe e Gjakovës nga komunistët, me arsyetim banal se kinse nuk i plotëson kushtet hygjenike...! Me gjithë këtë, Hafiz Fahriu e vazhdoi edhe për dy-tri vjet në fshehtësi mësimin me disa studentë të rinj...!
    Më 15 nëntor të vitit 1957 në Sarajevë u zgjodh kryetari i ri i myslimanëve të ish Jugosllavi, Haxhi Sulejman ef.Kemura. Kurse më 8 dhjetor 1957 u zhvillue në Sarajevë ceremonia në Begova Xhaminë pranimi i detyrës dhe betimi. Për këtë ngjarje me rëndësi, ishin ftuar në Sarajevë, me rastin e shpalljes, betimit, të Reisit (Kryetarit) të ri të Bashkësisë Islame për Jugosllavi, Sulejman Efendi Kemura, përveç delegacioneve vendore, kishte edhe delegacione nga vende të ndryshme arabe-islame, ishte caktuar që Hafiz Fahri Efendia nga Gjakova të lexonte tekstin e Betimit (Menshura) në gjuhën arabe, ashtu edhe ndodhi. Kjo nuk ishte rastësi, por ishte një vendim me rëndësi nga dijetarët që kuptojnë, që dinë të vlerësojnë dijetarët, vlerat e një personaliteti të shquar të Kosovës, siç ishte Hafiz Fahri Efendia i Gjakovës.
    Në vitin 1963, një delegacion fetar nga ish-Jugosllavia viziton Marokon, ndër anëtarët e delegacionit ishte edhe Hafiz Fahriu, aty i pret Mbreti i Marokos Hasani i Dytë dhe kur foli Hafiz Fahriu në gjuhën arabe, pastër, rrjedhshëm, me maturi, zhgjuartësi, mbreti mbeti i habitur...! Pas disa vitesh, Mbreti Hasan i Dytë, e kishte pyetur Fadil Hoxhën në Maroko: “A e njeh Hafiz Fahri Efendiun, është nga vendi i juaj? Po, bile jemi nga i njëjti qytet, nga Gjakova, ishte përgjigjur Fadil Hoxha. Kurse, Mbreti Hasan i kishte thënë: “Një kokë si e tij, plotë urtësi, i mjafton vendit tuaj!”
    Veprimtaria e Hafiz Fahriut është shumë e gjërë, është shumë e gjatë, ka shërbye me përkushtim, mbi gjysmë shekulli, ditë e natë…
    Ka shërbye si imam në disa xhami, ka shërbye si kryeimam i Gjakovës, edhe i një pjese të Kosovës, që quhet Dukagjin, duke përfshi Pejën, Istogun deri në Klinë.
    Ka qenë Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, gjithashtu, ka shërbye në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës…
    Ka shërbye për shumë vite në Xhaminë e Hadumit, e cila është xhamia e parë e Gjakovës, bukuroshja e Kosovës, themelue me 1594, nga një shqiptar, nga Sylejman Efendiu apo siç njihet në popull me emrin Hadum Aga.
    Në Xhaminë e Hadumit, që kur isha fëmi, i kam përcjellë në vazhdimësi, ligjëratat, hytbet, predikimet e tij. Predikimet e tij kanë qenë në nivel superior, ishte klasik, por edhe bashkohor. Gjithnjë ka qenë i përgatitur, çdo fjali e tij ishte e ndritur…Kurrë s’ka folë me hamendje, përherë ia qëllonte, dëgjohej me respekt e vëmendje…!

    Kanë thënë për Medresenë e Madhe të Gjakovës
    të udhëhequr nga Hafiz Fahri Efendi Iljazi

    Në vitin 1941, një delegacion i Komunitetit Musliman Shqiptar me qendër në Tiranë nën udhëheqje e dr.Behxhet Shapatit vizituan Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila udhëhiqej nga Myderriz Fahri ef.Iljazi:
    ”Myderrizi (Fahri ef. Iljazi) së bashku me popullin dhe prijësit fetarë na udhëhoqën për në Medrese, pranë së cilës kishin dalë dhe ishin rreshtuar një tufë studentësh duke na uruar mirëseardhje.
    Qetësi e gëzim, të një ritmi fetar, konstatuam në fytyrat e tyre. Na çuan në sallën e Medresesë, sallë kjo e shtruar mirë dhe pastër. Këtu gjetëm të gjithë komoditetet për të cilat ka nevojë udhëtari.
    Këtu pamë edhe programin e Medresesë, të cilin e gjetëm krejt të plotësuar e sidomos në disa mësime si në Filozofi Islame, Etikë, Jurispodencë Islame etj., të cilat duhet vihen edhe në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë.”
    (Revista”Kultura Islame”, Nr. 3, Tiranë, 1941)

    Kanë thënë për Hafiz Fahri ef. Iljazin

    Prof. Fejzullah Haxhibajriç nga Sarajeva në librin e tij “Nekrolozi” ndër të tjera thotë:
    “Sipas meje, e them me plotë bindje se Hafiz Fahri Efendiu është njohësi më i madh i tesavufit dhe jurispodencës islame në Ballkan. Nuk e ka njohur dhe komentuar Ibën Arabiun më mirë se ai askush në Ballkan”.
    Në një intervistë me Hajriz Demakun, ish-nxënës i Hafiz Fahri Efendiut, ish-luftëtar i Shaban Polluzhës, babai i shkrimtarit të njohur Daut Demaku, nga Drenica, gazetari e pyet: “Mixha Hajriz, kush është për ty më i pari për pushkë, trimni, dhe për dituni?
    Mixha Hajriz tha: Për pushkë e trimni si Shaban Polluzha s’ka, kurse për ilm, dituni si Hafiz Fahri Efenija i Gjakovës, shtatë shokë myderrizë, s’ka asnja! Këtë intervistë mund të kërkoni në internet, e gjeni leht!

    Ka thënë Hafiz Fahri Efendija


    Myderrizi, Hafiz Fahri Efendija ishte enciklopedi, këtu mjafton të shënojmë tri thënie të tij!

    “Nuk na mbetet tjetër veçse ta dojmë, ta ndërtojmë dhe ta çmojmë njani-tjetrin”

    ”Të zhvillohemi në pikëpamje shpirtnore, intelektuale dhe atdhetare.”

    ”Ditunija asht arma ma e fortë kundër anmikut”

    Hafiz Fahri Iljazi, ishte një personalitet i madh, si një figurë e shquar, gjithnjë ka qenë i vëzhguar, i përgjuar, nga kundërshtarët, që ishin anti-fetarët, anti-shqiptarët…
    Përveç veprimtarisë fetare, edukative, arsimore, Hafiz Fahri Efendiu është marrë edhe me veprimtari kulturore. Rreth vitit 1950, e ka bërë transkriptimin në gjuhën shqipe të veprës “Vehbije” (Dhuratë), të myderriz Tahir Efendi Gjakovës, shkrue e botue në Stamboll, me 1835. E ka përmirësuar, e ka pastruar, nga fjalët e hueja, veprën “Mevludi” , të Tahir Efendi Popovës, që këndohet nëpër të gjitha trevat e Kosovës. Ka marrë pjesë në hartimin, përpilimin, e të parit doracak “Ilmihal i Vogël”, që është botuar në Prishtinë me 1957, nga Kryesia e Bashkësisë Islame. Ka lënë në dorëshkrim veprën “Jasin”, përkthim nga gjuha arabe, por me komentim…
    Emri i Myderrizit, Hafiz Fahri Iljazi, si një dijetar, si një personalitet i rrallë, përmendet me nderim edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në Gjakovë, jo vetëm në Kosovë, por që nga Shkodra deri në Vlorë, nga Sarajeva në Shkup, Dibër, Tetovë deri në Stamboll…!
    Hafiz Fahriu ndrroi jetë me 19 Nëntor 1985, në moshën 82 vjeçare. Shërbimet e fundit mortore, në këtë jetë të përkohshme tokësore, i kreu kushërini i tij, nxënësi i tij, Hafiz Selim Yvejsi. Në përcjelljën e fundit, përveç popullit, morën pjesë të gjithë hoxhallarët e Gjakovës, morën pjesë hoxhallarët nga çdo anë e Kosovës…!
    Atë ditë, komunistët e Gjakovës, duke e parë gjithë atë popull, qindra hoxhallarë, shejhlerë, dukeshin të tronditur, këtë nuk e kishin pritur, vështronin si të hutuar me sy, ishin bërë si pulat pa kry…!
    Namazi i xhenazës u falë pranë Xhamisë së Hadumit, ku oborri ishte mbushur përplotë xhematli, ndërsa u varros në oborrin e Xhamisë, Xhamisë së Hadumit, ku kishte shërbye me përkushtim, derisa i erdhi ftesa prej Krijuesit për n’Amshim…
    Ky burrë, ky dijetar, pedagog, atdhetar, e meriton që së paku një rrugë, shkollë të emërtohet me emrin e tij të nderuar Hafiz Fahri Iljazi...

    Mexhid YVEJSI, Gjakovë

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    Hafiz Ibrahim Fehmiu (1892-19510

    HAFIZ IBRAHIM FEHMIU
    (1892-1951)

    Ibrahim Fehmiu ishte hoxhë, dijetar, një nga mësuesit e parë, pishtar i arsimit kombëtar, burrë trim, guximtar, atdhetar, një shembëlltyrë për çdo shqiptar...

    Ibrahim Fehmiu lindi me 25 nëntor 1892, në Gjakovë. Rrjedh prej një familje tregtare, por që ishte e ndershme, arsimdashëse e besimtare.
    Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e Xhamisë së Gërçarëve, në Gjakovë, për t’i vazhduar në mejtepin e “Halil Efendisë”. Mësuesi i parë i tij ishte Hafiz Ymer Guta, (1860-1963) një hoxhë dijetar, atdhetar e luftëtar, që u përpoq tërë jetën për liri e bashkimin kombëtar.
    Mësimet e larta i vazhdoi në Shkup, në shkollën e njohur “Dar-ul Mualiminë”, ku përveç lëndëve fetare, aty mësoheshin edhe njohurit shkencore, për t’u formuar si krijesë njerëzore...
    Shkolla e Shkupit, “Dar-ul Mualiminë” ishte një nga shkollat më me emër në tërë rajonin, në vitët e fundit të Perandorisë Osmane. Në këtë shkollë mësuan, u edukuan, u arsimuan shumë shqiptarë nga Kosova, në veçanti nga Gjakova.
    Nga Gjakova në këtë shkollë, përveç Ibrahim Fehmiut, kanë mësuar edhe Imam Beqir Maloki , Nimon Feriz, Mulla Sadik Brovina, Baba Qazim Bakalli etj., që më vonë shërbyen si arsimtarë, hoxhallarë, baballarë, të gjithë atdhetarë, të cilët shërbyen me përkushtim, me devotshmëri, në Gjakovë, Kosovë dhe Shqipëri...
    Sipas kujtimeve të Imam Beqir Malokit (1892-1985), të cilat i kam shënuar në banesën e tij, në Rromë, Itali, me 25 dhjetor 1972, :
    “Ibrahim Fehmiu ka qenë nxënësi më i diciplinuem, më i zgjuem dhe më i shquem në shkollën “Dar-ul Mualiminë”, për këto cilësi nga Drejtoria e Shkollës ishte dekorue, kishte marrë mirënjohje, ishte lavdue. Kështu, Ibrahimi, qysh në kohën e Turkisë, ky djal, ia zbardhi fytyrën jo vetëm Gjakovës, Kosovës, por krejt Shqipnisë...”
    Imam Beqir Maloki, tregonte, se: “Me Ibrahim Fehminë kemi qenë shokë të ngusht, të pandamë, si me na pas bo një nonë, ishin me një klasë, me një bangë...”
    Pas diplomimit, në vitin 1912, Ibrahim Fehmiu kthehet në Gjakovë, ku e fillon veprimtarinë e tij në disa lëmi.
    Këshilli i Bashkësisë Islame, i asaj kohe në Gjakovë, e cakton imam, hoxhë, mësues e predikues në “Xhaminë e Gërçarëve”, aty ku ai i kishte marrë njohurit e para nga mësuesi i tij, Hafiz Ymer Guta.
    Në “Xhaminë e Gërçarëve”, Ibrahim Fehmiu, përveç detyrave fetare, zhvillonte edhe veprimtari kombëtare...
    Kam njohur pleqë që thoshnin: “ Gjuhën shqipe me shkrue e me k’nue e kemi mësue në xhami. Në xhami, prej hoxhës, efenisë, Ibrahim Fehmisë, kemi mësue me i thonë Nonë – Shqipnisë...!”
    Në vitet 1912-1915, kur Gjakova, Kosova ishte pushtuar prej Malit të Zi e Sërbisë, me i thënë Nonë-Shqipnisë, në kohën e robërisë aq barbare, dëshmohet hapur fryma e tij atdhetare...!
    Në vitet 1916-1918, në “Kohën e Austrisë” gjatë Luftës së Parë Botërore, Ibrahim Fehmiu iu përkushtue çështjes edukativo-arsimore.
    Në vitin 1918, kur u themelue Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, që pas dhjetë vjetësh u shndërrue në Mbretëria e Jugosllavisë, Ibrahim Fehmiu e shumë atdhetarë të tjerë, u detyruan të largohen e ia mësyen drejtë Shqipnisë...
    Prej vitit 1918 deri në vitin 1929, sa jetoi në Shqipni, Ibrahim Fehmiu në shtetin e posa formuar shqiptar dha një kontribut të çmueshëm në administratë dhe në arsimimin dhe edukimin kombëtar...
    Në vitin 1929, një vit pasi që Shqipëria u shpallë Mbretëri, Ibrahim Fehmiu kthehet në Kosovë, atëherë nën Jugosllavi dhe vendoset në Gjakovë.
    Në vendlindje, në Gjakovë, kthehet i përmalluem, por xhandarët serbë të krajlit menjëherë e arrestuen. Pasi u krye arrestimi, filloi vuajtja, dënimi, burgimi....
    Pasi vuajti burgun prej vitit 1929-1931, në Valevë, menjëherë e internuen në Sarajevë. Në qytetin e Sarajevës, ku jetoi me familje,deri në vitin 1939, përveç katër fëmijve që kishte, tri çika e një djalë, i lindën tre djem, Bashkimi, Arsimi dhe Bekimi...
    Në vitin 1939 familjarisht shpërngulën në Shkodër, ku jetuan deri në vitin 1941, viti kur u shkatërrue ish-Jugosllavia, nga Gjermania...
    Në vitin 1941, Ibrahim Fehmiu me zonjën Hedije e me tetë fëmijë, në Shkodër lindi fëmija i tetë, çikë, të cilën e emëroi Luljetë, u kthyen në Kosovë, u vendosën në Prizren, në më të bukurin vend, ku në vitin 1878 ishte mbajtur i madhërueshmi Kuvend....
    Prej vitit 1941-1944, Ibrahim Fehmiu iu përkushtue, sërish, shkollës, arsimit, edukimit, si dikur, sepse siç thoshte, këto janë dritë, nur...
    Pas vitit 1945, kur komunistët e morrën pushtetin, kur u bashkuen partizanë e çetnikë, Ibrahim Fehmiu, si shumë atdhetarë tjerë, shikohej si armik...U dënue si armik me një proces politik... !
    Ibrahim Fehmiu, veterani, pishtari i arsimit kombëtar, me një proces politik, u dënue si armik e tradhtar...!
    Pas burgut, Ibrahim Fehmiu nuk jetoi gjatë, me 19 dhetor 1951, në Prizren, ndrroi jetë, kaloi në jetën e vërtetë...Kaloi në jetën e vërtetë në moshën 59 vjeçare, duke mbetur shembëlltyrë për idealet kombëtare...
    Dita e varrimit të tij nuk ishte ditë vajtimi apo ditë zije, por ishte një ditë frymëzimi, një ditë krenarie...! Mijëra qytetarë nga Prizreni, nga Gjakova, nga mbarë Kosova, e përcollën xhenazën e tij deri në xhami, ku u krye shërbimi fetar, ndërsa trupi i tij ishte i mbuluar me flamurin kombëtar. Trupi i tij i mbuluar me flamurin kombëtar, deri në varreza u përcollë me nderime nga mijëra shqiptarë, për t’i dëshmue hapur pushtetmbajtësve komunistë se kush ishte tradhtar e kush atdhetar...
    Ky jetëshkrim i shkurtër, kjo biografi, e paramendoj, se do të ketë mangësi nëse nuk shënohen emrat shqip të tetë fëmijëve të tij:
    Besa, Shpresa, Afërdita, Luljeta, Bashkimi, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.
    Djali i madh, Bashkim Fehmiu ishte arkitekti i parë shqiptar...
    Prof.Arsim Fehmiu doajen i sportit kosovar...
    Prof. Fatmir Fehmiu ekspert i së Drejtës Kushtetuese
    Aktori, Bekim Fehmiu i njohur në botën mbarë...
    Poeti, filozofi, historiani, dramaturgu gjerman, Friedrich Schiller, (1759-1805) tek “Vdekja” shkruen:
    “Nëse trupi vdes, emri i madh do të jetojë gjithmonë”.
    Emri i madh i Ibrahim Fehmiut dhe vepra e tij do të jetojë në përjetësi...!

    Mexhid YVEJSI, Gjakovë

  7. #7
    Love all, but trust a few Maska e angmokio
    Anëtarësuar
    02-09-2011
    Vendndodhja
    AngMoKio
    Postime
    3,928

    Për: Hafiz Ibrahim Fehmiu (1892-19510

    Citim Postuar më parë nga Mexhid Yvejsi Lexo Postimin
    !
    Ky jetëshkrim i shkurtër, kjo biografi, e paramendoj, se do të ketë mangësi nëse nuk shënohen emrat shqip të tetë fëmijëve të tij:
    Besa, Shpresa, Afërdita, Luljeta, Bashkimi, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.
    Nje pervoje e jashtezakonshme per te kuptuar thelbin e te qenurit atdhetar dhe musliman. Duke lexuar emrat e mesiperm te kenaqet goja duke i shqiptuar , por te ben te kujtosh dhe hadithin e profetit a.s kur thote , ''jepini femijeve tuaj emra te bukur sepse me to do thirren dhe ne diten e gjykimit.''
    "And speak kindly to mankind '' Quran - 2:83"

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Fehmikaciu
    Anëtarësuar
    11-01-2013
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,006

    Për: Hafiz Ibrahim Fehmiu (1892-19510

    Nje shenim mjafte i mire dhe shume i dobishem,njerzit e diture jane te privilegjuar te MESHIRUESI,sepse ata luftojne terrin dhe hapin zemrat e besimtarve per shume gjera pozitive,dijetaret e dine te verteten dhe gjithmon luftojne per te verteten.
    VENI,VIDI,VICI

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    Hafiz Ymer Guta

    HAFIZ YMER GUTA
    (1860-1963)

    Hafiz Ymer Guta, hoxha gjakovar, ishte fetar e atdhetar, trim e guximtar, pleqnar e pajtimtar, dijetar e luftëtar…

    Lindi në Gjakovë në vitin 1860. Qysh në fëmijëri dallohej për disa veçori, ishte shumë i zgjuar, për mësime i dalluar, për trimëri i pa krahasuar…
    Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e “Halil Efendisë” në Gjakovë. Krahas mësimeve në mejtep, sipas programit arsimor të kohës, arriti të bëhet Hafiz, pra të mësoi përmendësh, Kur’anin e madhnueshëm, kur ishte në moshën dhjetë vjeçare, në vitin 1870.
    Po në Gjakovë, Hafiz Ymer Guta i vazhdoj mësimet në Medresën e Vogël të Gjakovës, ku edhe diplomoi pranë dijetarit të shquar, Myderriz Fetah Efendi Buza, tek i cili kishte mësuar përmendësh Kur’anin e madhëruar ….
    Medreseja e Vogël e Gjakovës, që nga themelimi, në vitin 1815, nën drejtimin e Myderriz Tahir Efendi Gjakovës, krahas Medresës së Madhe, që nga themelimi, në vitin 1707, nën drejtimin e Myderriz Yvejs Efendiut, ishte një nga institucionet arsimore-kulturore ndër më të njohura në trojet shqiptare. Prej këtyre dy medreseve të famshme, për dy-tre shekuj, prej tyre kanë dalë shumë hafizë e myderrizë, dijetarë e atdhetarë, të cilët jo vetëm Gjakovës, por ia kanë zbardhë faqen tërë Kosovës...
    Hafiz Ymer Guta, përveç veprimtarisë fetare, është i njohur aq më shumë për veprimtarinë atdhetare…
    Për veprimtarinë atdhetare disa herë është prangosur, është burgosur, është plagosur…! Është plagosur në kohën e Turqisë, nën pushtimin Malit të Zi e Sërbisë, të Austro-Hungarisë…
    Në vitin 1903, në kohën e Turqisë, Hafiz Ymer Guta së bashku me udhëheqësit fetarë e atdhetarë të Gjakovës, si Myderriz Myrteza Efendi Luzha, Hasan Aga, biri i Fetah Zekës, Selim Mula, Haxhi Jonuzi etj. u prangosën, u burgosën, internuen, u dënuan me dy vjetë burg, burg të rëndë, të zi, në Kastamoni…
    Hafiz Ymer Guta ishte ndër të parët në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që nga Besëlidhja Shqiptare “Besa-Besë” ose “Lidhja e Pejës” 1899, deri në Kuvendin e Junikut, me 1912…
    Ka qenë një nga themeluesit dhe udhëheqës i organizatës me ndikim “Islihati”, që ishte një lëvizje e madhe për pajtim…
    Në vitin 1912, në Kalanë e Shkodrës “Rozafat” ishte Hafiz Guta që ngriti Flamurin dhe mbajti fjalën kryesore, që i frymëzojë shkodranët, të cilët e kanë përmendur me nderim, ndër vite, Hoxhën, Hafiz Ymer Guta, që s’dinte ç’është tuta, këtë hafiz të Gjakovës, këtë burrë mbi burra të Kosovës…
    Hafiz Guta, me burra gjakovarë ka marrë pjesë në luftë si vullnetar për Mbrojtën e Shkodrës kundër Malit të Zi e Sërbisë, në vitin 1913...
    Në kohën e Sërbisë, të Austro-Hungarisë, në kohën e Krajlit, si gjithnjë, Hafiz Ymer Guta ishte në ballë, si një shqipe e malit…
    Ka shërbye në disa xhami të Gjakovës, deri edhe në xhaminë kryesore të qytetit, në Xhaminë e Hadumit, si imam, hatib, predikues, ku asnjëherë nuk e frikësoi asnjë pushtues…
    Në kohën e komunizmit, Hafiz Ymer Guta edhe pse ishte plakur, e kishte rrokur pleqëria, thoshte hapur:
    “Shkoi fashizmi-erdhi komunizmi, por jo lirija, na dan nga nona, Shqipnija…”
    Ndrroi jetë në vitin 1963, në Gjakovë, në moshën 103 vjeçare.

    Mexhid YVEJSI, Gjakovë

  10. #10
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    Hafiz Murteza Mulla Aliu

    HAFIZ MURTEZA MULLA-ALIU
    (1889-1941)

    Hafiz Murtezai lindi në Gjakovë në vitin 1899. Është djali i Mulla Aliut, i cili është djali i Muhamedi Efendiu, i cili është djali i Myderrizit, Yvejs Efendiut, myderrizit të parë të Medresesë së Madhe të Gjakovës.
    Mësimet fillestare i mori nga babai, Mulla Aliu, i cili ishte një hoxhë i ditur, i ndritur, e vazhdoi shkollimin në mejtepin “Ruzhdie” të Gjakovës, krahas mësimeve arriti të bëhet hafiz, e mësoi Kur’anin përmendësh, që në moshën 14 vjeçare. Në vitin 1908 shkoi në Stamboll për studime të larta, por shkaku i Luftës së Parë Ballkanike më 1912 kthehet në Gjakovë ku vazhdoi studimet në Medresën e Madhe të Gjakovës pranë dijetarit të shquar, myderrizit, hafiz Iljaz Efendiut, ku diplomoi në vitin 1918.

    Shërbimi dhe pushkatimi

    Pas diplomimit, Hafiz Murtezai apo Hafiz Xaja siç e quante populli, ka shërbye si imam e mësues në Xhaminë e Sofës, në Xhaminë e “Islam Begut”, që ishte në qendër të Gjakovës, gjithashtu ka shërbye edhe në Skivjan, ku ishte mësues e hoxhë në Xhaminë e Skivjanit, ku për shërbimet që ka krye me devotshmëri ende përmendet me simpati emri i tij.
    Hafiz Murtezai banonte në rrugën “Vojvoda Zhivojin Mishiç”, e cila sot quhet “Rrruga e UÇK-s”, shtëpia ku banonte kishte përballë kazermën ushtarake, ku ishte vendosur “Regjimenti i Kralit”, e cila ishte një nga njësitë më gjakpirëse të Ushtrisë Mbretërore të Jugosllavisë gjatë viteve 1918-1941.
    Kur Mbretëria Jugosllave kapitullojë, pas sulmit të Gjermanisë, në javën e parë të muajit prill 1941, ushtria jugosllave jo vetëm që nuk ishte tërhequr nga Gjakova, por bënte kërdi në fshatrat e Gjakovës dhe në Gjakovë. Ushtarët shqiptarë, që ishin mobilizuar me dhunë, kush pati mundësi u larguan, disa prej tyre u strehuan në shtëpinë e Hafiz Murtezait dhe shpëtuan...
    Më 12 prill 1941, në mëngjesin e një ditë me shi, fqinji serb Gjorgjeviç, i cili ishte rreshter, një rreshter i bandës muzikore ushtare, me të shoqën Milica, me fëmijët Bozha dhe Voja, kishin lajmëruar kolonelin Vuksan Gojkoviç, i cili ishte komandat i njësitit më gjakpirës të ushtrisë jugosllave, me njësitin e tij i thejnë dyert e oborrit, hynë në shtëpi me britma, duke uluritur, me shumë ushtarë, kontrolluan shtëpinë, ku gjetën uniforma të ushtarëve shqiptarë, që nuk arritën t’i merrnin me vete apo t’i fshehnin, por kryesorja, u larguan e shpëtuan. Ushtarët serbë të kralit, në krye me komandantin, kolonelin Vuksan Gojkoviç, pasi plaçkitem stolitë e gruas së hoxhës, e arrestuan hoxhën me djalin, Masarin, dhe pas disa orësh, pak para akshamit, e pushkatuan hoxhën, mësuesin, Hafiz Murtezain, e pushkatuan para syve të djalit, Masarit, i cili ishte në moshën 16 vjeçare...!
    Pas disa ditësh, u tërhoqë ushtria jugosllave e kralit dhe bashkë me te ikën edhe çetnikët e kolonelit Vuksan Gojkoviçit, erdhën disa burra gjakovarë në shtëpi të hoxhës, hafizit të pushkatuar, dhe ju treguan vendin se ku gjendet trupi i pajetë i hoxhës, hafiz Murtezait.
    Tre djemtë e hoxhës ishin të vegjël, të tronditur, kështuqë për varrimin e hafizit, sipas traditës islame, u kujdesën dy kushërinjt e parë Myderriz Fahri Efendi Iljazi dhe Hafiz Selim Efendi Yvejsi, gjithashtu u kujdes edhe axha Ibrahim, dajallarët Rexhep, Selim, Salih dhe Jusuf Muhaxhiri etj.
    Hafiz Murtezai gjatë tërë jetës i shërbeu me përkushtim të Vërtetës, nëpër oda, në shkollë, në mejtep, në xhami, shërbeu me devotshmëri, shërbeu me nder si një shërbëtor dhe përfundojë jetën si një dëshmor...!
    Hafiz Mautezai ka lënë tre djem, Masarin, Ekremin dhe Galibin. Masar Murtezai (1924-2001), është bard i gazetarisë kosovare, pionier i gazetarisë shqiptare në Kosovë, ideatori televizonit, i cili krijoi pasqyrën televizive shqiptare, nismëtar, themelues e drejtues i revistës së parë të pionerëve “Pioneri”, nismëtar, themelues e drejtues i gazetës, i medies së parë të shkruar të rinisë shqiptare në Kosovë “Rilindja”në vitin e largët 1945, i “Gazetës së rinisë shqiptare”, ishte kryeredaktor i “Zërit të Rinisë”, redaktor, z/redaktor, praktikisht, kryeredaktor i së përditshmes “Rilindja”, që prej 28 Nëntorit të vitit 1958, pra që prej ditës kur “Rilindja” filloi të dalë gazetë e përditshme, si e vetmja gazetë ditore në Kosovë…
    Ekrem Murtezai (1931), është djali i dytë i Hafiz Murtezait, i cili disa ka qenë ka qenë shef i Degës filozofi-sociologji të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Në vitin 1976 u bë laureat i Shpërblimit të Dhjetorit për shkencat shoqërore. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit... Anëtar korrespondent i ASHAK që nga viti 1996, kurse në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt i kësaj akademie. Gjatë viteve 1983-1986 ishte kryetar i Shoqatës së Docentëve, Profesorëve dhe i Punëtorëve të tjerë Shkencorë të Kosovës. Dr. Ekrem Murtezai është autor i mbi 30 veprave me vlerë...
    Galib Murtezait është djali i tretë i Hafiz Murtezait, kryetar shumë vjeçar i Klubit të Shahut në Gjakovë…

    Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •