Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 12 prej 12
  1. #11
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    Hafiz Ibrahim Pallaska

    HAFIZ IBRAHIM PALLASKA
    (1875-1935)

    Hafiz Ibrahim Pallaska, është djali i Osman ef. Pallaskës, lindi në vitin 1875, në mëhallën e Sefës, që ndodhët pranë Çarshisë së Vogël në Gjakovë. Qysh i vogël, ende fëmi, dallohej për zgjuartësi. Kjo zgjuartësi është dëshmuar, kjo dëshmi të gjithë i ka befasuar të gjithë i ka gëzuar kur në moshën shtatë vjeçare tërë Kur’anin përmendësh e ka mësuar! Ky është një rast i rrallë, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në përmasa ndërkombëtare.

    Shkollimi dhe shërbimi

    Pasi e mësoi Kur’anin përmendësh në mejtepin e “Halil Efendisë” në Gjakovë, pastaj vazhdoi shkollimin në Medresenë e Vogël, në Medresenë Madhe në Gjakovë, kurse studimet e larta për drejtësi (sheri’at) i filloi në Kairo, i vazhdoi në Damask, i përfundoi në Stamboll.
    Gjatë shkollimit, arriti të mësoi për bukuri gjuhët orientale osmanishtën, arabishten e persishten. Pas diplomimit, u kthye në vendlindje në Gjakovë, ku shërbeu me përkushtim, me drejtësi, si imam, mësues, predikues, kadi dhe myfti. Myfti ishte deri në vitin 1929.
    Përveç që ishte besimtar, Hafiz Ibrahim Pallaska ishte atdhetar, atdhetar i kishte e miqët më të ngusht, ndër ta dallohej atdhetari i njohur, Mulla Haxhi Zeka (1832-1902) me të cilin kishin shkuar në vendet e shenjta, në haxh, në Mekke dhe Medine të Hixhazit, sot Arabia Saudite. Udhëtimin deri në vendet e shenjta e kishin bërë në këmbë, shkuarje-ardhje, që ka zgjatur rreth dhjetë muaj!
    Ka shërbye si imam në Xhaminë e Mahmud Pashësh në Çarshinë e Vogël dhe në Xhaminë e Sefës, që e kishte afër shtëpisë. Përveç detyrës së imamit në xhami, që nga viti 1907, kur ende ishte Perandoria Osmane në trojet tona, Hafiz Ibrahim Pallaska ka qenë Kadi i Gjakovës, kurse më vonë deri në vitin 1929 ishte Myfti i Gjakovës.
    Ndërroi jetë në Gjakovë në vitin 1935, kur ishte në moshën 60 vjeçare. La në shtëpi ku banonte një bibliotekë të pasur me libra në gjuhët orientale, me përmbajtje fetare, historike, filozofike, mistike, kishte fjalor, enciklopedi, drejtësi, gjuhësi, udhëpërshkrime, letërsi, në gjuhën osmane, arabe dhe perse, të cilat, djali i tij, dr. Talat Pallaska ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, të cilat ruhen në një vend të veçantë...
    Hafiz Ibrahim Pallaska ka lënë dy djem, Shaniu, aktor dhe dr.Talatin.
    Shani Pallaska (1928-1999) është djali i Hafiz Ibrahim Pallaskës, që ishte aktor i teatrit, filmit televiziv, dhe ekranit të madh. Shani Pallaska u lind në Gjakovë 1928, por artin e tij e përkreu në Teatrin Krahinor të Prishtinës (TKP) dhe në studion filmike Kosovafilmi. Bashkë me aktorët Abdurrahman Shala, Istref Begolli dhe Muharrem Qena, Shani Pallaska ishte pionier i aktrimit kosovar. Pas suksesit në Kosovë, Shaniu morri pjesë edhe në projekte filmike në pjesë tjera të ish-Jugosllavisë. Ndrroi jetë në Prishtinë më 13 janar 1999.
    Dr. Talat Pallaska, (1930- 2011) është djali i Hafiz Ibrahim Pallaskës. Dr. Talat Pallaska ka qenë mjek i specializuar për sëmundjet e veshëve, hundës dhe fytit, (otorinolaringolog), profesor i Univerzitetit të Prishtinës, ishte kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së arsimtarve universitar të ish Jugosllavisë. Ishte anëtar i këshillit redaktues të revistës shkencore "Sinopsia ORL Yugoslavica" dhe një nga mjekët më të shquar që kontribuoj në organizimin e revistës "Praxis medica", anëtar i Këshillit redaktues i së cilës ishte një kohë.
    Dr. Talat Pallaska ishte nxitës dhe aktivist i hapjes së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, i cili filloi punën në vitin 1969. Në Fakultet të Mjekësisë u zgjodh ligjerues më 1972. Pas dy vite më 1974, morri titullin "Docent" në lëndën e otorinolaringologjisë, pas katër viteve u zgjodh "Profesor inordinar". Ishte Prodekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë gjatë viteve 1972 -1974, ndërsa në vitin shkollor 1979 - 1981ushtroi detyrën e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Shumë kohë ishte drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë dhe udhëheqës i katedrës së ORL-së.
    Me ardhjen e masave të dhunshme serbe në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1990, me që ishte nënshkrues i Apelit 215, Talat Pallaska u detyrua të jap dorheqje në postin e drejtorit të Klinikës së ORL -së në Prishtinë. Më vonë, në vitin 1991, u largua nga puna me dhunë nga okupatorët serbë, mirëpo edhe më tutje, por në kushte shumë të vështira ushtroj detyren e mësimdhënësit në Fakultetin e Mjekësisë. Në atë kohë mësimi mbahej në shtëpi private. Në Klinikë të ORL-së u kthye në qershor të vitit 1999, në detyrë të Kryeshefit të repartit operativ me njësinë intesive. Talat Pallaska u pensionua në vitin 2001. Edhe pas pensionimit vazhdoj bashkpunimin me Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, deri në vitin 2003.
    Dr. Talat Pallaska ndrroi jetë në Prishtinë më 25 qershor Prishtinë, u varros në Gjakovë më 26 qershor 2011 n’ora 17 në varrezat e qytetit ku lindi.

    Mexhid YVEJSI, Gjakovë

  2. #12
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2009
    Postime
    615

    Hafiz Rushid Emra

    HAFIZ RUSHID EMRA
    (1861-1940)

    Hafiz Rushid Emra është djali i Ali efendi Emrës, lindi në Gjakovë, në mëhallën e “Haxhi Ymerit” në vitin 1861. Rrjedhë prej një familje të njohur gjakovare që ka dhënë burra të shquar, intelektual të dalluar, trima të kulluar, si Qazim Emra, kapiten, oficer i ushtrisë shqiptare me Akademi Ushtarake të Romës, Latif Emra, një nga mësuesit e parë të Gjakovës, Tahir Emra, Bedri Emra, piktor të njohur, Elton (Gëzim) Zherka, dëshmori i UÇK- që ra në Junik më 1988, është nip i familjes Emra. Eltoni, nip i kësaj familje, ra si trim me trimat si Bekim Berisha apo “Abeja” një luftëtar i sprovuar në luftime në Kroaci), Permet Vula dhe Blerim Shala......
    Rushid Emra mësimet fillestare i kreu në mejtepin e xhamisë së “Haxhi Ymerit”, i vazhdoi në Medresenë e Vogël, ku kreu edhe hivzin në moshën 16 vjeçare.
    Mësimet e larta i vazhdoi në Shkup në shkollën e njohur “Dar-ul Mualiminë”, ku edhe diplomoi. U kthye në vendlindje, në Gjakovë, në mëhallën e “Haxhi Ymerit”, ku filloi shërbimin që në moshën 20 vjeçare.
    Shërbeu si imam, mësues e predikues në xhaminë e “Haxhi Ymerit”, e cila pas xhamisë së Hadumit, të xhamisë të Kryepazarit, është xhamia më e vjetër në qytetin e Gjakovës, themeluar në vitin 1743.
    Përballë xhamisë së “Haxhi Ymerit” ishte mejtepi, që ishte një nga mejtepet më të bukura të Gjakovës, dallohej ky mejtep edhe për nga veprimtaria, ishte i mbushur përplot me nxënës, në veçanti në kohën kur shërbeu Hafiz Rushid Emra gjatë viteve 1900-1940. Këtu, ndër nxënësit e shumtë që nga Hafiz Rushid Emra morën mësimet e para po veçojmë dy, të cilët u bënë figura të shquara, personalitete të veçanta:
    Imam Beqir Maloku (1894-1985), nxënës i Hafiz Rushidit gjatë Mbretërisë së ish-Jugosllavisë, (1918-1941), e cila në fillim quhej Mbetëria Sërbo-Kroate-Sllovene, përveç detyrave zyrtare në Gjakovë, është marrë edhe me veprimtari shoqërore-kulturore.
    Ka qenë themeluesi i Bibliotekës në Gjakovë, ndërsa librat e revistat në gjuhën shqipe, të botueme në Shqipëri, të cilat ishin të ndaluara, iu jepte vetëm lexuesve të besueshëm dhe ato libra e revista i mbante në fshehtësi në një shtëpi…
    Ka qenë një nga themeluesit dhe udhëheqës i shoqatës bamirëse-kulturore “Gajret”, e cila ishte e regjistruar si degë e Sarajevës, por që zhvilloi një veprimtari, me shumë dobi, duke qenë në pushtim, në robëri…
    Në kohën kur komunistët e morën pushtetin, në nëntor të vitit 1944, u largue nga Gjakova, Kosova, dhe jetoi në Austri, Gjermani, Itali, në Egjipt, Liban, Siri dhe Turqi, ku punoi si sekretar pranë një avokati të njohur… Më vonë, në vitin 1958, nga Turqia kaloi në Itali, ku u vendos në kryeqytet, në Rromë, aty ka shërbye si Imam i shoqatës “Unione Islamico in Occidente” (Bashkimi Islamik në Perendim). Përveç veprimtarisë fetare-atdhetare, që e kryente me përkushtim, me devotshmëri, Imam Beqir Maloki është marrë edhe me krijimtari. Ka shkrue, ka botue disa punime, të cilat janë publikue në shtypin e mërgimit, rreth çështjeve historike dhe në vitet e fundit të jetës ka botue edhe dy libra.
    Ka botue librin me kujtime, me titullin: “Kujtim brezit të ri”, botue në Rromë, 1978, ndërsa në vitin 1982, botoi librin: “Disa ajete të Kur’anit me shpjegime”.
    Prof. Selman Riza (1909-1988) nxënës i Hafiz Rushidit, në Universitetin e Tuluzës në Francë, brenda tri vjetësh kreu dy fakultete! Gjatë viteve 1932-1935 mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë...
    Vepra shkencore e Prof. Selam Rizës shtrihet në shumë fusha, në shumë lëmi, siç janë gramatika, tekstologjia, terminologjia, kritika gjuhësore, historia e gjuhës, gjuhësia e përgjithshme, gjuha letrare etj.
    Si arriti të shtrijë veprimtarinë e tij në gjitha këto lëmi? E ka thënë vetë, me modesti: “Unë nuk jam talent, por unë jam punë”!
    Puna, veprimtaria e tij shkencore u ndërpre nga rrethanat politike shoqërore. Në periudhën e “Revolucionit Kulturor”, që u zhvillue nën diktaturën komuniste, Shqipëria pësojë shumë...Pësoi edhe Prof. Selman Riza, e largojnë nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, si “mbeturinë borgjeze” dhe e çojnë si ciceron në Muzeun e Beratit e prej Muzeut e çojnë në Bibliotekën e Qytetit, po në Berat dhe në vitin 1970 e largojnë krejt, duke e qitur në pension të parakohshëm...
    Në pension të parakohshëm Prof. Selam Riza jetoi në Tiranë, por nën mbikqyrje të sigurimit, ku ju ndalue veprimtaria shkencore në këtë jetë, nuk e lejonin as të merrte libra në bibliotekë...!
    Nuk u lejue as të mbahej një fjalim në ditën e varrosjes, me 16 shkurt 1988, por aty e theu ndalesën e kobshme komuniste, në çastin e fundit, Prof. Aleks Buda, Kryetari i Akademisë, por mbas tij foli edhe dr. Behxhet Reso, i cili ishte i revoltuem nga heshtja zyrtare dhe shpërtheu duke thanë:
    “Ç’po ndodh kështu?! Kë po varrosim?! Nuk mund të ndahemi kështu nga Selman Riza. Ai nuk është vetëm një gjuhëtar në zë, por, në radhë të parë, një patriot i shquar, idealet e të cilit janë edhe sot flamur i shqiptarizmit në Kosovë”.
    I përndjekur nga pushteti fashist italian, nga komunistët jugosllavë dhe nga pushteti komunist në Shqipëri, Prof. Selman Riza ia doli të botonte disa vepra shkencore:

    “Tri monografina albanologjike, Tiranë, 1944
    “Fillimet e gjuhësisë shqiptare, Prishtinë, 1952
    “Gramatika e sërbokroatishtes”, Prishtinë, 1952
    “Diftorët e shqipes, Prishtinë, 1953
    “Pronoret e shqipes”, Tiranë, 1958
    “Pesë autorët më të vjetër të shqipes”, Tiranë, 1960
    “Emrat në shqipen”, Tiranë, 1964 etj.
    Në Kosovë, që në vitin 1979, është botuar nga “Rilindja” Redaksia e botimeve, në Prishtinë, vepra e Prof. Selman Rizës me titull: STUDIME ALBANISTIKE 1 (Pjesa e Parë), që ka 478 faqe...
    Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nxorri të dritë katër vëllime me Veprat ( me mbi 2400 faqe, 1996-2004) ku janë përfshirë edhe dorëshkrime që ja gjetur...
    Kjo vepër shkencore është vepër përmendore, sepse në historinë e albanologjisë ze një vend të rëndësishëm dhe kjo, përveç tjerash, e bën Prof. Selman Rizën shkencëtar të madhërishëm....
    Hafiz Rushid Emra ishte një hoxhë i ditur, i ndritur, i dashur, i respektuar jo vetëm në qytetin e Gjakovës, por i respektuar në çdo qytet të Kosovës. Organet shtetërore-qendrore në Beograd e përcillnin veprimtarinë e hoxhallarëve shqiptarë, në veçanti edhe të Hafiz Rushidit. Pas vitit 1929, e kishin emëruar si Dërzhavni Imam (Imam shtetëror apo kryeimam për Gjakovë me një rrogë të madhe. Kur zyrtarët e kohës e njoftuan për vendimin që kishte arritur nga Beogradi, hoxha, hafiz Rushid Emra, me këmbëngulje, nuk pranoi! Në atë kohë, hoxha i shkretë nuk kishte as shtëpi, banonte me qera! Refuzimi i tij ndaj vendimit të Beogradit bëri jehonë në qytetin e Gjakovës, në veçanti në xhematin e tij.
    Qëndrimi i hoxhës kundër Beogradit, në sytë e popullit, ia rriti edhe më shumë respektin, autoritetin, kështu brenda javës burrat e mëhallës të “Haxhi Ymerit” nga familjet e njohura Nagavci, Duraku, Krypa, Kusari, Gjoshi, Baraku, Hasimja, etj. me parat e tyre ia blenë hoxhës një shtëpi afër Xhamisë së “Haxhi Ymerit”, ku jetoi deri sa ndrroi jetë në vitin 1940.

    Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •