Flet 15-vjeçarja që i shpëtoi përdhunimit të mësuesit.
Nxënësja e mitur: Mësuesi më joshi në shtëpinë e tij.
“Nuk dua të kthehem më në shkollë, sepse më vjen turp nga mësuesit dhe shoqet”
Shtëpia ndodhet në majë të një kodre pranë fshatit Gziq, rreth 5 km larg Rrëshenit. Banesë shumë e varfër, jashtë e brenda. Aty jetojnë katër anëtarë të familjes Vorfi. Babai ka probleme serioze me shikimin, nëna nuk është mirë mendërisht, djali 24 vjeç është autik i rënduar, ndërsa më e vogla sapo ka pësuar një traumë që do të tregohet në vijim… Derën e hap vetë E.V. Për nga mosha nuk i ka mbushur 15 vjeç, është fëmijë në klasën e nëntë të shkollës, por për nga tiparet dhe zhvillimi ngjan si një femër shumë e bukur. Kjo është nxënësja, e cila pretendon se mësuesi i saj i Anglishtes, 63-vjeçari Ded Gjini, ka tentuar që ta përdhunojë pak pas mesditës të së premtes, në shtëpinë e tij, që ndodhet pak metra larg shkollës. E.V. na fton brenda, duke thërritur njëkohësisht babain e saj, Gjonin. Biseda është e gjatë, derisa arrijmë ta bindim të atin për të marrë dëshminë e vajzës. Në prani të tij dhe të nënës, E.V. sqaron për gazetën “Panorama” të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ngjan e tronditur psikologjikisht dhe herë pas here e ndërpret rrëfimin, duke u lënë rrugë të lirë lotëve…
A është e vërtetë që mësuesi juaj i Anglishtes, Ded Gjini, ka tentuar t’ju përdhunojë?
Po. Është më se e vërtetë. Përse të gënjej? Për të bërë veten me turp kot? Tani as nuk dal dot më nga shtëpia…
Kur ka ndodhur kjo tentativë?
Ka qenë e premte, diku pas orës 13:00.
Ku ndodhi?
Në shtëpinë e mësuesit.
Po ç’deshët ju në shtëpinë e mësuesit?
Dy ditë më parë kisha dhënë provim në anglisht. Pasi i kishte korrigjuar, mësues Deda më thirri te tavolina e tij dhe më tha veçmas nxënësve të tjerë: “Dëgjo, ti e ke merituar për 9 dhe unë 9 ta kam vënë në provim, por në regjistër ta kam vënë 10”. Mos u trego nxënësve të tjerë për këtë, por ti ke nevojë që të konsultohesh edhe pak në anglisht, në mënyrë që ta marrësh vetë notën 10. Pas kësaj bisede, të nesërmen më ndaloi në korridor të shkollës dhe më tha: “Dëgjo, kam një hall në shtëpi dhe dua të më ndihmosh për një punë. Merr edhe librin e fletoren e anglishtes dhe, pasi të më ndihmosh për diçka, unë do të të ndihmoj me mësime, sepse ke rënë ca”. Unë kisha akoma mësim dhe i thashë që nuk kam se si vij, pasi orën e pestë kisha biologji me mësuese Davën (Dava Brozi). Mësues Deda këmbënguli që unë t’i merrja leje mësuese Davës, të cilën e kam edhe kujdestare. I thashë asaj, por nuk më dha leje. E takova sërish mësues Dedën dhe i tregova që nuk kisha mundësi të shkoja për ta ndihmuar orën e pestë, kështu që do të ikja pas mësimit.
Shkove pas mësimit në shtëpinë e mësuesit?
Po, shkova, se nuk e mendova kurrë se kishte ndonjë gjë të keqe. Unë kisha qenë dhe herë të tjera te shtëpia e tij.
Po pse kishit shkuar te shtëpia e tij dhe herë të tjera?
Mësues Deda e ka shtëpinë anash shkollës, dy minuta larg. Por ai jetonte vetëm aty, pasi familjen e kishte larg dhe shkonte fundjavave. Nuk e di saktë nëse familja e tij jeton në Rrëshen apo në Tiranë. Duke qenë se ai jetonte i vetëm, herë pas here kërkonte ndonjë ndihmë nga nxënësit për punë shtëpie apo për të mbajtur diçka.
Pra, keni qenë dhe herë të tjera vetëm te shtëpia e mësuesit?
Jo, vetëm ishte hera e parë që shkoja. Herë të tjera kam qenë me shoqe apo shokë klase. Varet nga punët që kishte për të bërë.
Kur ikët të premten pas mësimit, u larguat veç e veç për te shtëpia e mësuesit apo të dy bashkë?
Veç e veç. Mësues Deda kishte mbaruar më herët mësimin dhe po priste te shtëpia. Ndërsa unë shkova pasi mbarova mësimin. Dola me dy shoqe nga shkolla dhe u thashë që më duhet të ndahesha aty te rruga kryesore, sepse unë do të shkoja te shtëpia e mësues Dedës për ta ndihmuar me diçka dhe për t’u konsultuar në anglishte. Për dy minuta isha te shtëpia e mësuesit dhe trokita.
Kush jua hapi derën?
Mësues Deda, ai jetonte vetëm pra. Më ftoi që të futesha brenda. Më tha që ta prisja te njëra dhomë që quhet “e miqve”, ndërsa vetë shkoi nga dhoma tjetër. Pas pak u kthye te dhoma ku isha unë dhe më ofroi një mollë. E mora dhe e ulur po prisja të më thoshte se për çfarë do ta ndihmoja.
Çfarë ndihme donte?
Më pyeti nëse kisha fletoren dhe librin me vete. Iu përgjigja “po”. Pastaj ma kujtoi sërish faktin që më kishte vënë 10 pa e merituar dhe se sa nevojë kisha unë që të konsultohesha me të. Pastaj më tha: “A e di pse dua të të ndihmoj? Se je e mirë, je shumë bukuroshe…”. Dhe duke thënë fjalë të tjera të këtij lloji, m’u afrua dhe nisi të më prekte. Ia hoqa menjëherë duart dhe bërtita fort, duke i kërkuar që të largohej. Ai më tha që të ulja zërin. U shkëputa dhe kapa çantën, mora celularin. Numrin e parë kisha të babit dhe i rashë menjëherë. Por sa u realizua lidhja, ai më kapi për goje, duke më kërkuar që ta mbyll. Babi e kishte hapur sakaq telefonin dhe po thoshte “alo”, “alo”. Atëherë ai ma liroi gojën deri në gjysmë, duke më kërcënuar që të mos i tregoja gjë. U përpoqa të gënjej babin, i cili ndodhej në Tiranë për një punë, duke i thënë nëse mund të më jepte leje që të ikja në Rrëshen së bashku me një kushërirë. Babi më refuzoi, por ndërkaq po më pyeste se çfarë kisha dhe pse flisja me gjysma fjalësh dhe mezi dëgjohesha. Unë sakaq po qaja dhe mezi arrita ta bind “me timen” se nuk kisha gjë. Por babai e kishte kuptuar se diçka nuk po shkonte me mua dhe menjëherë kishte marrë rrugën për në shtëpi (i ati e pohon).
Po pastaj, çfarë ndodhi?
Mësuesi nuk po më linte të ikja, por unë u shkëputa prej tij dhe shkova te dera e korridorit. U përpoqa që ta hapja, por e kishte mbyllur nga brenda. Erdhi edhe ai aty dhe tentoi edhe një herë të më prekte, donte të më hapte bluzën me zor. Pasi u grindëm edhe një herë aty dhe nisa të qaj më të madhe që të më linte që të ikja, atëherë ai më zuri ngushtë pas derës dhe më kërcënoi: “Do të të lë të dalësh, por po hape gojë do të të heq qafe. Do të ta marr shpirtin. Do të ta vras krejt familjen, more vesh? Se nuk më turpëron dot ti…” Tha dhe ca fjalë të tjera duke kërcënuar, por pastaj më la të ikja.
Çfarë bëtë pasi dolët nga shtëpia?
Vrapova me sa kisha fuqi rrugës poshtë, kisha frikë mos më ndiqte prapë. Shkova dhe takova një shoqen time të ngushtë. Po qaja gjithë kohës dhe nuk guxoja dot të kthehesha në shtëpi. I tregova gjithçka që ndodhi. Ajo erdhi bashkë me mua dhe më shoqëroi te shtëpia. Unë u futa te njëra dhomë, shoqja ime i tregoi ngjarjen mamit tim. Mami më thirri dhe unë ia tregova nga e para. Mori në telefon babin, i cili i tha që ishte nisur e po vinte. Njësoj ia tregova edhe babit. Pastaj vendosëm që ta denonconim në Polici.
Po pse morët shoqen t’ia tregonte mamit dhe nuk ia thoshit dot vetë?
Nuk mundesha dot. Më vinte shumë-shumë turp për çfarë kishte ndodhur. Më dukej sikur u përmbys bota. Nuk e besoja dot.
Mësues Ded Gjini e ka mohuar që ka tentuar t’ju përdhunojë. Kush nga ju gënjen?
Faqja e zezë e tij që e mohon.
A ju kishte dhënë më parë ndonjë shenjë ngacmimi mësuesi Ded Gjini?
Jo, asnjëherë. Ka kaq vite që më jep mësim dhe asnjëherë nuk më ka ngacmuar.
Po shoqet e tua?
Nuk e di. Nuk është se më ka treguar ndonjëra për ngacmime.
Çfarë tipi ishte mësues Ded Gjini?
Ishte tip i ashpër dhe nevrik, ndonjëherë merrte për kot. Por kështu në mësim ishte shumë i rregullt.
Po ju si nxënëse, çfarë notash merrnit përgjithësisht dhe veçanërisht në anglisht?
Unë jam nxënëse e nëntës dhe e dhjetës në të gjitha lëndët, përfshirë anglishten. Por për këtë besoj që më mirë është të pyesni të gjithë mësuesit e mi, ose të shikoni fletoret e mia të detyrave (na tregon dhjetat në fletore).
Domethënë dëshironi që të vazhdoni gjimnazin apo shkollën e lartë?
Dëshiroja shumë. Ndaj mësoja dhe kërkoja që të merrja gjithnjë nota të mira. Doja shumë të vazhdoja shkollën e lartë, të bëja diçka në jetë. Por tani nuk do të kthehem më në shkollë.
Pse nuk do të ktheheni më në shkollë?
Nuk dua të kthehem më në shkollë, sepse më vjen turp nga mësuesit dhe shoqet e shokët. E ka marrë vesh gjithë zona këtë që ka ndodhur, nuk dua t’ia di më shkollën. Le të rri këtu në shtëpi e mbyllur gjithë jetën, se mua më mbuloi turpi tani. Kushedi ç’flasin në fshat…
Keni biseduar me ndonjë psikologe për gjendjen tuaj?
Kur më kanë pyetur në Polici, ka qenë aty edhe një psikologe, por këtu në fshat nuk bëhet fjalë.
Do të dëshironit të kishit ndonjë psikologe për të biseduar?
(Qan) Do të doja shumë që të bisedoja, por nuk kam me kë… Nuk kemi mundësi.
I ati 15-vjeçares: E vras nëse e lëshon policia
Gjon Vorfi tregon pse bëri kallëzimin ndaj Ded Gjinit
“I kam qenë për mort e dasmë, si mund të ma bëjë këtë turp”
Kur ka mësuar ngjarjen e së bijës 15-vjeçare, Gjon Vorfi e ka “pleqëruar” për disa orë situatën me të afërm e bashkëfshatarë. Ai u ka shtruar miqve dy alternativa: ta vrasë vetë mësuesin Ded Gjini, apo ta denoncojë në Polici. “Më thanë që t’i besoj Policisë dhe të merret shteti me këtë çështje. Pasi bisedova gjatë me miq, mora vajzën në 11:00 të natës dhe shkova të denoncoj Ded Gjinin në Rrëshen. Jam në dispozicion që t’u jap çfarë informacioni kërkojnë nga vajza ime, vetëm ai (e shan disa herë) të marrë dënimin që meriton. Në të kundërt, nëse Ded Gjini shpëton pa burg, atëherë jam i detyruar që ta vras vetë. Se unë po i besoj ligjit, por kur nuk ecën ligji, do të ecë Kanuni”, thotë për gazetën “Panorama” Gjon Vorfi, babai i 15-vjeçares, që pretendon se mësuesi i saj i anglishtes ka tentuar ta përdhunojë. Por pasi dëgjon këto fjalë të të atit, vetë 15-vjeçarja kaplohet nga paniku. Përmes dënesash i lutet të atit që të mos vrasë njeri. “Unë po bëhem sebep për vrasje. Por po e vrave ti atë, atëherë unë do të vras veten”, i thotë vajza babait, ndërsa nëna e tyre përpiqet t’i qetësojë që të dy. Gjoni revoltohet sërish në bisedë e sipër, teksa kujton vitet si bashkëfshatar i Ded Gjinit: “Po atij unë i kam qenë për mort e për dasmë. Si mundi t’i bëjë ai këtë turp familjes sime? A e kupton që jemi mirditorë dhe kjo që na ka ndodhur është si vdekje për së gjalli? Se unë nuk po bëj kot kështu, nuk po e akuzoj kot, se nuk jam budalla t’i nxjerr namin vajzës sime që akoma nuk e ka filluar jetën…”.
Mësuesi i akuzuar: Nxënësja gënjen, nuk e kam prekur
Ded Gjini mohon në Polici tentativën e përdhunimit ndaj 15-vjeçares
“Duan të më prishin imazhin për fushatën elektorale”
Mësuesi 63-vjeçar nga fshati Gziq i Rrëshenit, i cili akuzohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me nxënësen e tij të mitur, 15-vjeçaren E.V., ka qenë kontradiktor në dëshmitë e tij në Polici. Fillimisht ai ka mohuar që nxënësja ka qenë në shtëpinë e tij gjatë së premtes, kur edhe dyshohet se ka ndodhur ngjarja, por më pas ka pohuar vizitën e saj. Megjithatë, në asnjë moment nuk e ka pranuar tentativën e përdhunimit të minorenes. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 63-vjeçari ka dëshmuar se 15-vjeçarja kishte shkuar në shtëpinë e tij për ta ndihmuar me punët e shtëpisë, duke qenë se jetonte i vetëm. Sipas tij, gjatë kohës së qëndrimit në banesë, ai nuk ka kryer asnjë lloj përpjekje për ta joshur apo për ta përdhunuar. “I kërkova që të më ndihmonte pas mësimit me disa punë në shtëpi, për të larë dhe pastruar, duke qenë se jetoj i vetëm. Vajza ka ardhur dhe ka ikur nga shtëpia, pa i prekur asnjë fije floku”, ka dëshmuar ndër të tjera Ded Gjini. Mësuesi i vajzës ka këmbëngulur se gjithçka është një sajesë e 15-vjeçares, por pa arritur të argumentojë arsyen e sajesës që tashmë ka bërë bujë të madhe mediatike. Ai gjithashtu ka deklaruar se dikush mund ta ketë shtyrë E.V. që të bëjë një denoncim me përmbajtje seksuale, për t’i prishur atij qëllimisht imazhin në prag fushate elektorale.
PANORAMA
Krijoni Kontakt