Berisha: Në 4 vjet, do ta bëjmë fshatin si qytetin
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha tha sot se në katër vitet që vijnë do ta bëjë fshatin shqiptar njësoj si qytetet e vendit.
“Zotimi im solemn është se ne do bëjmë gjithçka që çdo fshat i këtij vendi të ketë infrastruktrën e lagjeve të qyteteve tona. Bizneset, stallat, frigoriferët, sipërmarrjet e tyre duan furnizim energjie me cilësinë më të madhe. Zotohem se katër vitet që vijnë çdo fshat shqiptar do të llamburisë nga dritat njëlloj si lagjet e qyteteve tona. Dua t’i garantoj fermerët e tjerë se do të bëjmë gjithçka për të asfaltuar dhe kilometrin e fundi në rrugët e fshatrave, duke përfunduar infrastrukturën më moderne. Qindra shkolla kemi ndërtuar, por vrapi ynë s’ndalet derisa fëmijët e tyre të ulen në shkolla të njëjta me të qyteteve. Kanalizime kemi bërë , por vrapi s’ndalet gjersa të garantojmë ujë të rrjedhshëm në të gjitha fshatrat.”- tha Berisha.
Berisha tha se qeveria e tij ka bërë shumë për fshatin, por garantoi se sukseset nuk do të bëhen pengesë për të parë të gjitha vështirësitë me të cilat haset sot fermeri dhe fshati.
Sipas kryeministri Shqipëria nuk mund të jetë një vend i zhvilluar pas Shqipërinë rurale të zhvilluar, pa një bujqësi moderne.
“Kur ne shpallim këtë platformë, jo të paktë qenë ata që na thanës se i keni hyrë detit me këmbë. Detin po e kalojmë falë supeve të fermerëve shqiptarë. Katër vitet që vijnë do të bëjmë shumë më tepër për fermerët dhe Shqipërinë rurale.”- përfundoi Berisha.
Konventa, Topalli: Kemi lidhur fshatin me botën
Fshati shqiptar ecën me ritmin global. Kështu u shpreh sot Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë Konventës së Partisë Demokratike.
Fshati i 2005, me atë të 2013 ndryshon shumë tha ajo. Sot fshati ka rrugë të asfaltuara, ndriçim, ujësjellës, shkollë të re, qendër shëndetësore dhe internet, theksoi Topalli.
Ajo tha se me punën që qeveria Berisha ka bërë në këto tetë vjet, jo vetëm që e ka nxjerrë fshatin nga izolimi, por nëpërmjet shërbimit të interneti falas në të gjitha pikat e postës shqiptare e ka lidhur atë me botën.
“Kemi siguri standarde të larta jetese në fshatin tonë. Në çdo cep mund të navigosh online, nga aplikimi për në Universitet apo hapja e një biznesi të ri dhe deri tek Facebook, për tu treguar botën ku jeton të gjithëve”- tha Topalli.
Sipas saj, PD ka punuar fort gjatë këtyre viteve, por ka dhe shumë për të bërë, dhe kjo do të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme.
“Ne duam ti trajtojmë të gjithë njësoj, pavarësisht se ku banojnë.”-shtoi kryetarja e Kuvendit.
Bode:Të punojmë për zhvillimin Shqipërisë rurale
Ministri i Financave, Ridvan Bode hapi sot Konventën e Partisë Demokratike ku po prezantohet programi “Për më shumë mbështetje për fermerët”. Në fjalën e tij, Bode renditi shumë nga arritjet e qeverisë Berisha, ndërsa theksoi se ndryshimet në Shqipërinë rurale janë radikale.
“Është shtuar aksesi në internet nëpërmjet pikave të postës, shumë rrugë rurale janë asfaltuar, 350 rrjete të furnizimit me ujë janë ndërtuar gjatë qeverisjes sonë, peisazhi rural sot ka ndryshuar.”- tha Bode.
Partia demokratike, theksoi ai, sot sheh mundësi të pafundme për zhvillimin e zonave rurale, ndaj ai i kërkoi Konventës që “të mbështesë fermerët dhe të punojmë për zhvillimin Shqipërisë rurale.”
Panorama
Krijoni Kontakt