Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, është qëlluar me vezë gjatë një takimi me qytetarë e Elbasanit. Incidenti ka ndodhur në përfundim të tubimit, ku Spahiu është sulmuar nga një qytetar duke u qëlluar me vezë e sende të forta, mes tyre gurë dhe leva, por fatmirësisht pa lëndime.
Menjëherë pas këtij akti ai ka reaguar duke bërë fajtor për të gjithë ketë kryeministrin Sali Berish. Ai tha se, disa persona kishin tentuar dy herë që ta qëllonin gjatë tubimit në Elbasan. “Tentuan dy herë që të më qëllonin gjatë tubimit në Elbasan. Tentuan të më qëllonin me gurë, leva dhe tulla, por nuk ia dolën mbanë që të më godisnin. Agresorët u penguan nga mbështetësit dhe simpatizantët e AK-së. Qeveria është tmerruar nga mbështetja e qytetarëve për Aleancën Kuqezi. Në ato momente policia nuk ishte e pranishme gjatë incidentit dhe jam i sigurt që agresorët janë paraqitur në polici për të marrë shpërblimin. Më 7 prill do të marrë fund regjimi i shtetasit Berisha”, shprehet Spahiu.
Janë ende të paqarta rrethanat e ngjarjes, ashtu si dhe shkaqet e sulmit, i cili ka përfunduar pa lëndime.
Mësohet se gjatë tubimit ka patur dy tentativa për të prishur takimin, por situatat janë neutralizuar nga ndërhyrja e aktivistëve. Lidhur me këtë ngjarje është sinjalizuar policia e cila, po merret me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Krijoni Kontakt