Të tallësh b….. gjuhësisht
Dashnor Kokonozi
Vite më parë, në një shkrim modest për një temë të sociologjisë politike m’u desh të përdor termin reziliencë, që në thelbimages (3) është aftësia e një individi (në rastin e shkrimit tim, e një shoqërie) për të rimarrë veten dhe për t’u riaftësuar për një jetë normale pas një goditjeje të rëndë. Meqë rezilienca sot përfaqëson një doktrinë të tërë, nuk m’u duk i nevojshëm ndonjë lloj shqipërimi. Qe njëlloj si të kërkoje gjësendi në shqip për termin psikoterapi.
Kur shkrimi u gjet mbi tryezën e redaktorit në Tiranë, duket se termi në fjalë paraqiti ndonjë problem. Megjithatë, i kujdesshëm deri në fund, ai kërkoi nëpër fjalorin e ri të shqipes të viti 2002 dhe 2006 dhe vetëm pasi nuk gjeti zgjidhje në ta dyshoi për ndonjë lajthitje timen dhe e zëvendësoi me rezistencë. Sot mua më ngushëllon fakti se këto tema nuk i kanë lexuesit fort të panumërt.
Një incident i tillë të shtyn të mendosh për të vjellët që ndjen t’i vije leksikografisë shqiptare nga fjalët e huaja (se nuk besoj se isha i pari që përdorja atë fjalë) dhe pasioni fundamentalist me të cilin i ka përzënë rrënjësisht nga përdorimi. Harrohet se në mungesë të zhvillimit të brendshëm gjuha shqipe mbijetoi sepse diti të ruajë aftësitë homeostatike, të huazojë. Më tej akoma, kam përshtypjen se fjalorët e shqipes kurrë nuk kanë patur një raport mirëbesimi me shqipfolësit, kurrë nuk kanë ndihmuar në zhvillimin e gjuhës së tyre, askush nuk ka fjetur në shtrat me to.
Fjalorët e Bardhit dhe Kristoforidhi janë të përligjur për mosrolin e tyre. Sot duhet t’i falënderojmë që të paktën ata u ulën t’i hartonin. Të mëvonshmit e shumta u kanë shërbyer korrektorëve letrarë.
Më tej ndesha në paradokse që nuk e shpjegoja dot. Fjalorët dygjuhësh ishin fort më të pasuar në fjalë shqipe se vetë fjalorët shpjegues të shqipes. Këtu e pesëdhjetë vjet më parë më dilte hall i madh që një numër fjalësh shqipe që nuk i kuptoja, por që V. Kokona i kishte përdorur të përkthente termat frënge të fjalorit të tij legjendar, nuk i gjeja fare te fjalorët shpjegues të shqipes.
Meqë të qenët perfeksionist nuk është në pajtueshmëri me natyrën tonë, nuk ka shenja se shqipja një ditë do të ketë Robert-in, Zingarelli-n apo Webster-in e saj, por kjo nuk duhet të na pengojë të ruajmë një lloj shprese, edhe pse irracionale, dhe të jemi të vëmendshëm ndaj çdo fjalori të ri që del. Se me sa kam kuptuar interesi popullor për gjuhën kulturën gjuhësore, për gjuhën shqipe e gjuhët në tërësi nuk ka munguar kurrë. Në vitet shtatëdhjetë gjatë vizitave te miq të mi në familje të vjetra shkodrane vëreja se kishin me shumicë fjalorë të Cordignano-s dhe veçanërisht një enciklopedi e vogël italiane (Melzzi). Ishte pjesë e natyrshme e trashëgimisë dhe e kulturës së tyre. Vlora duhet të ketë qenë mjaft më frankofone se sa mendojmë, në familjet e saj të vjetra gjeja Larousse dhe shumë letërsi frënge, ndërsa në Korçë jo rrallë ndeshje në Webster të fillim shekullit të shkuar. Në familjet tiranase dhe elbasanase shihje fjalorë të Floqit dhe ata të shqipes të vitit 1954 (nuk mungonte edhe ndonjë Enciklopedi e Madhe greke te këta të fundit), ndërkohë që në Krujë gjeje pa shumë vështirësi fjalorë turqisht-frëngjisht të S. Frashrit si edhe ekzemplarë të Enciklopedisë së tij të famshme (Kamus-ul A’lam), të cilët i blija për pak gjë dhe mbase ka ardhur koha që t’ia fal ndonjë biblioteke publike. Ka edhe një shtresëzim të mëvonshëm “arkeologjik” kur u shfaqën pa hesap, e për herë të parë të subvencionuar nga shteti, fjalorë të gjuhës serbe dhe pastaj ruse.
Kështu, edhe pse pak javë më parë nuk dëgjuam për ndonjë ceremoni të veçantë, ajo që ndodhi megjithatë, ishte lajm: Akademia e Shkencave vuri në linjë një Fjalor të gjuhës shqipe me rreth dyzetetetë mijë fjalë.
E para gjë që më shkoi në mëndje ishte se të paktën, më 2013 së fundi do të kishim shpëtuar si nga fryma ashtu edhe nga një numër shpjegimesh që gjendesh në fjalorët e viteve 1980, 1984, por edhe te ata të viteve 2002 dhe 2006.
Ky fjalor vjen ndërkohë që e ndjejmë ende shijen e nekrozave të vërteta gjuhësore, që ndeshen te paraardhësit e tij, të shprehjeve artificiale që ekzistonin vetëm në raporte politikë të kohës, të gjurmëve të dukshme të një lloj botoksi revolucionar që i ishte bërë gjuhës me qëllim që ajo të shprehte “stadin e lartë të zhvillimit…”
Vetëm kështu mund të shpjegohet përse shumë vetë mbetën përjetësisht nostalgjikë të atij fjalorit tjetër të botuar më 1954, por që tashmë ishte tejkaluar disi.
Në fjalorin e shqipes (1980) ajo që njihet si gjuhë e drunjtë kishte mbërritur paroksizmin e saj. Megjithatë, edhe pse asgjë nuk e përligjte një gjendje të tillë, përsëri kishim edhe një lloj mirëkuptimi për hartuesit e tij, për ata që i dhanë dorën e fundit. Dinim diçka për kushtet në të cilat punonin, anipse në kupolën e ulët dhe me xhama gjysmë të palarë e gjysmë të lyer me bojë vaji të Institutit nuk mungonin edhe individë, që sikundër ata poetët lokalë që për t’u transferuar nga fshati shprehnin me vargje të ndjera pasionet e tyre politike, shefat e gjuhësisë në fjalë, me mjetet e pakta që kishin në dorë, pra me fjalët e tyre të vockla gjenin edhe ata mundësinë të shprehnin flakën modeste që u digjte në fund të shpirtit dhe që i bënte të ndiheshin një hap më afër pushtetit. Kështu, edhe kur qe puna të shpjegonin fjalën dasmë, ata nxitonin të sillnin si shembull të parë: dasmë socialiste. Për hovshëm kemi: . Revolucionarizimi i hovshëm i jetës. Për veproj kemi: Vepronte dora e armikut. Për zjarrfikës kemi: Zjarrfikësit revizionistë. Për përçahem: Revizionistët (imperialistët) janë përçarë.
Kjo bënte që shumë shpjegime të fjalorit të ngjanin me ato qeskat e shqyera të plastikës që mbesin varur në degët e një peme të bukur, pas një dite me erë. Kuptohet, do të qe e pandershme të ngrinim tani këto gjëra, po qe se, në formë edhe më të thekur, ato nuk do të ekzistonin edhe sot e gjithë ditën, siç do të shohim.
Por, në thellësi të vetes mendoj se nuk kemi shumë të drejtë të qahemi shumë. Në fund të fundit kush mund të ngrihet e të thotë se në atë kohë më mirë se gjuhësia ishin f.vj. futbolli, fabrika e këpucëve, teatri, cilësia e kosit, mjekësia, bulonat e Kavajës apo cilësia e sapunit? Ajo që nuk kuptoj është se përse na qe mbush mendje e thonim, vërtet nuk jemi të zotët për asgjë, por gjuhëtarët ama i kemi të fortë!
E megjithatë, në të gjitha këto fusha kishte specialistë të talentuar. Kjo qe arsyeja që me zhvillimet demokratike në fillim të viteve ’90 përfytyronim një lloj revanshi të papërmbajtur e gati inatçor të gjuhëtarëve. Prisnim vepra të hatashme me të cilat ata në një farë mënyre do të na thonin se ishin ato mbi të cilat duhet t’i gjykonim, jo ai mamuthi i vjetër i vitit 1980 që mbante erë shajaku, pas një parakalimi në shi.
Pritëm ca si shumë ç’është e vërteta, por së fundi një botim i vitit 2003 na dha të kuptojmë se regjimi që e lindi kishte rënë vërtet, por deformimet e tij gjenetike qenë konservuar në mënyrë të pashlyeshme. Njerëzit u fyen, protestuan, e quajtën fjalor të ri me paragjykime të vjetra, por propaganda e shpërpjesëtuar, siç mësoj tani, u zhvendos në Kosovë, ku ahengu akademik kishte filluar ende pa mbërritur kopjet e para, pra kur askush nuk e kishte shfletuar. Dhe meqë në Kosovë edhe një fjalor festohet patriotikshe, në Tiranë u hesht për të mos u cilësuar tradhtarë leksikorë.
Nuk mund të harrohet një detaj i vogël, nuk u shpjegua kurrë përse ky fjalor i ri i Akademisë dilte nën logon e një shtëpie botuese private, por nuk dua të besoj se ishte botuesi privat që kishte vënë portofolin mbi tavolinë për një klonim të shpejtë e pa shpenzime të fjalorit, sipas gjeneve të atij babëlokut të vjetër.
Ka shumë të ngjarë që klonimi të jetë vepër e vetë leksikografëve. Po edha ata nuk duhen fajësuar tej mase. Askush nuk kishte marrë mundimin të shkonte në lagjen e tyre e të jepte lajmin se kohët kanë ndryshuar, se regjimi vjetër kishte rënë, se ky i riu është fort i papërkryer, por ama askush nuk të pengon të jesh më profesional. Atje, edhe sot e gjithë ditën ka syresh që thonë se punët më të mira janë bërë në të kaluarën.
Nëse fjalori i mëparshëm ishte ashtu si ishte dhe nuk ke çfarë të thuash, ky tjetri i vitit 2002 ishte i shëmtuar në provokimin e tij, në këmbënguljen për të ruajtur të paprekur frymën e vjetër.
Logjika thotë se që të kuptosh se një drejtëz është e shtrembër duhet që diku në hapësirë të ekzistojë një e drejtë. Këtë e prisnim prej kohësh të shfaqej dhe sikundër e thamë më krye, ajo u shfaq pak javë më parë. Është fjala, pra, për Fjalorin e ri akademik të vënë në linjë në mars, 2013.
Meqë Shqipëria realizoi para pak kohësh një cens, u hodha të shoh se si ishte pasqyruar ky term në fjalorin e ri, sepse tek ata të parët qe gjësendi e neveritshme. E pra, më 2013 gjuhëtarët shqiptarë, duke dhënë shpjegimin përkatës na thonë, as më pak e as më shumë (midis të tjerash) se cens është: kërkesë, kusht që u vihet qytetarëve në vendet borgjeze për të penguar përdorimin e të drejtave politike.
Vetëm pas këtij shpjegimi munda të kuptoj arsyen pse aq shumë “analistë” u hodhën e lehën kundër realizimit të censit në fjalë.
E vërteta është se te kjo fjalë rashë krejt papritur, por pastaj me një lloj tendence (nuk e fsheh), u vura të kërkoj fjalë me sensibilitet të veçantë për shkak të historisë sonë. Një e tillë është fjala fe. Shpjegimi që jepet për të është shembull i respektit për ndjenjat e miliarda vetëve në botë e Shqipëri: Besimi i verbër se gjithçka në botë përcaktohet e drejtohet gjoja nga forca të mbinatyrshme, hyjnore… tërësi dogmash që japin një botëkuptim fund e krye idealist e reaksionar…
Nuk praktikoj ndonjë fe, por kurrë nuk do t’i lejoja vetes të shpreh idetë e mia me terma të tillë kasapësh të vrazhdë.
Duke i hedhur një sy këtij fjalori, kisha menduar se fjala do të qe për të bërë ndonjë vërejtje miqësore për problemin e vërtetë të fjalorëve tanë, pra për formulime më të zhdërvjellëta e më pak të përgjithshme, që të jepnin më të plotë e pa ekuivok thelbin e fjalëve, që të shprehin, si thotë fjala kuptimin e vetë fjalës, jo të kushërirës së saj të parë. Fatkeqësisht nuk jemi aty. Na duhet të flasim ende për ngarkesën ideologjike të anës shpjegimore të fjalorit në fjalë.
Se edhe kur shpjegohet fjala brumosje, shembulli i shpjegimit të saj më 2013 jepet me : brumosje revolucionare. Këtu nuk dua të bëj koment. Edhe pse një shpjegim i tillë nuk është i përligjur më 2013, përsëri duhet pranuar se jashtë fabrikës shtetërore të bukës, gjuha ishte tharë as shumë, sa kjo fjalë përdorej vetëm në atë kuptim.
Për temën metodë shpjegimi jepet denjësisht drunjësisht: Metodë revolucionare. Metoda e realizmit socialist. let., art. Metoda dhe stili në punë.
Me fjalën udhëheq kthehemi përsëri në epokën e hurit e të drurit dhe kemi: Udhëheq masat (popullin, vendin). Udhëheq drejt fitoreve të reja.
Kuptohet se brumi ka zënë mirë dhe steriliteti impersonal i gazetarisë shqiptare të kohës ka vërshuar edhe në këtë fjalor, pa njohur kufij kohorë. Kështu edhe kur jepet shpjegimi i termit muzikor xhaz, rezultati është: Muzikë me prejardhje amerikane, që karakterizohet nga… dhe nga ritmi i shthurur.
Atrofizimi i gjuhës është më i rrezikshëm se kontaminimi i saj. Thënë ndryshe infeksioni i një organi është më pak i rrezikshëm se tharja e tij. Pse kjo tharje bëhet me fjalë shqipe dhe jo të huaja, kjo nuk e ul rrezikshmërinë e dukurisë. Kështu, për fjalën shpëtoj kemi: Shpëtuam nga bejlerët. Nuk më duket krejt absurd, por meqë është pak i vjetruar mund të jepnin edhe ndonjë shembull tjetër më këtej në kohë si p.sh: Shpëtuam nga sekretarët e partisë (nëse kemi shpëtuar).
Politizimit nuk i ka shpëtuar as parafjala para. Për të kemi një shembull përdorimi mallëngjyes: E plotësuan planin para afatit të caktuar (dy muaj para zotimit).
Për termin iluzion ka një paraqitje që të bën ta ndjesh veten afër derës së burgjeve: Iluzion mikroborgjez (pacifist, i rrezikshëm, i dëmshëm). Iluzioni i paqes klasore (i vëllazërisë, i barazisë).
Duket se me një shpjegim të tillë gjuhëtarët tanë kanë dashur të tregojnë se nuk janë aspak të kënaqur edhe me idetë e Revolucionit francez.
Ndryshon fjala kur shpjegohet folja dashuroj. Në këtë rast përdoren terma ashikësh të zjarrtë, gati të zbërthejnë rripin e pantallonave: Dua me gjithë zemër një njeri të seksit tjetër, kam dashuri për një njeri të seksit tjetër.
Jo keq, por nuk e di nëse më 2013 shoqata LGBT do të rrijë pa protestuar për një formulim të tillë që nuk merr parasysh arsyen romantike të ekzistencën e saj.
Nga më emblematikët mbetet shpjegimi i termit liberalizëm: Shfaqje e oportunizmit ideologjik e politik, që në thelb mohon luftën e klasave në emër të «humanizmit» abstrakt, të «lirisë absolute» të individit, të një jete «të qetë» e «pa telashe» etj.
Ata që nuk njohin Plenumin e IV-të, nga goditja e ulët e të cilit kultura dhe arti nuk po e merr veten as sot, nuk kanë nevojë të lexojnë gazetat e kohës. Idetë e tij janë përmbledhur më së miri në ato tre rreshtat e mësipërm.
Dhe që të mos guxojë ndokush e i kopjon, në fund të çdo shpjegimi do gjeni këtë kujtesë: @ 2013 Shkenca.org. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Është detyrë e shenjtë e çdo leksikografi që para se të vihet në kërkim të fjalëve të rralla, duhet mbi të gjitha të pasqyrojë risitë që sjell koha e tij. Kështu këta njëzet vjetët e fundit edhe pse në nivel sasior kanë qenë më të begatët, asgjë nuk është e pranishme në Fjalorin e Akademisë. Po qe se ju kërkoni diçka për gjurmët leksikore të historisë së Dushkut, për dushkimin e jetës politike, për plleshmërinë leksikore të parlamentit tonë, për zgjerimin semantik të termave të tillë si shpellor, për fjalorin e ri suburban, për neologjizma si bllokmen a bllokqen apo hyrje të reja si demokraturë, mos u lodhni. Asgjësend nuk do të gjeni.
Së fundi dua të them se jam fort i ndërgjegjshëm se është e rëndë të thuash se gjuhëtarët tallin bythën me ne dhe me punën e tyre (një pjesë janë pedagogë e miq të mi), por besoj se të gjithë do të biem në një mendje se është ende më e rëndë që vetë kjo shprehje (të tallësh bythën), e cila përfaqëson e përgjithëson më mirë se gjithçka natyrën e jetës politike e sociale të shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre historike me shtetin dhe politikën, e pra, vetë kjo shprehje nuk është e pranishme në këtë fjalor të shqipes të vitit 2013. Namuzi i leksikografëve është monumental. Por kur sheh emrat e nderuar dhe kualifikimin e lartë të autorëve të këtij fjalori, do vërtet të dish përse ndodh kështu.
Ec e gjeje!
Gjëja më e dukshme është se duke na lënë në dorë një fjalor të papërkryer në parim ne na dobësohen shanset edhe në fushat e tjera të jetës. Mund të dyshohet madje, se cilësia e keqe e jetës sonë dhe e komunikimit midis nesh, ndikohet edhe nga cilësia e keqe e të shprehurit tonë. Dhe gjuhësia në këtë rast vetëm se shton vështirësitë tona të brendshme. Ajo mbyll rrethin e mosperfeksionimit tonë.
http://www.mapo.al/2013/05/13/te-tallesh-b-gjuhesisht/
Krijoni Kontakt